UET PRESS promovon librin e fundit të poetit e prozatorit të mirënjohur
NJË VËSHTRIM NDRYSHE PËR NOVELËN E
PREÇ ZOGAJT “BIJA E VJETËR E NËNËS SË RE”
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
· Trilli artistik i Preç Zogajt në këtë novelë që u promovua dje nga UET PRESS me pjesëmarrjen e elitës krijuese të kryeqytetit, si Natasha Lako, Rudolf Marku, Dr.Mujë Buçpapaj, etj, kalon çdo limit. Penda e Zogaj do ta argumentonte artistikisht aktin e paprecendent për atë kohë, kur iu vesh Koldinajve të deklasuar atributin e ruajtjes së familjes së Marijes, (kjo pa cen në biografi) nga ndëshkimi i veglave të diktaturës…
Një grua rreth të tetëdhjetave, Marija, futet një mengjes me vrap, si në amok, si kurrëndonjëherë, në dhomën e gjumit të djalit të saj të madh, Franit. “Sikur po e ndqinin për ta vrarë”, mendon ky për një çast. Në fakt Marijes i është shfaqur si ndërëndërr nëna e saj që ka vdekur e re para gjashtëdhjetë vjetësh. Nga ai moment, shtëpia e Franit në Tiranë shtohet me një “fantazmë”, me atë të Marës, gjyshes, të cilën ai nuk e ka njohur.
Me këtë episod fillon novela me titullin tejet intrigues “Bija e vjetër e nënës së re” e Preç Zogajt që u promovua dje nga UET PRESS. Nga largësia e gjashtë dekadave, “bija e vjetër”, tashmë tetëdhjetëvjeçare kujton nënën e saj që ka vdekur e re në moshën dyzet vjeçe. Marijen “nuk e ka lënë kjo jetë”, siç thotë autori, të ndalet e të thellohet te një moment kyç që është vdekja e nënës së saj. Ky është një moment kyç që ngërthen intrigën e novelës. Dhe “misterin” e saj. Marija ka qenë nuse e re kur i vjen lajmi për vdekjen e nënës. Lajmësi ka ardhur nga Mirdita në Lezhë për ta marrë. Pra jo të thërrasë në mort njerëzit e familjes ku është martuar, por për të marrë bijën. Novela në thelbin e vet është një rikthim i Marijes në rrugën e Malit të Gjatë drejt mortit të sëmës.
Pse nuk e shoqërojnë njerëzit e burrit? Pse nuk janë thirrur ata në mort? Shpjegimi i këtyre pyetjeve ka mbetur në mjergull për shumë vite, jo se nuk është ditur, por njerëzit e dy familjeve nuk kanë dashur ta nxjerrin prej andej, sepse duke qenë një shpjegim që lidhet me ndarjen dhe luftën klasore që futi në jetën e shqiptarëve regjimi i porsavendosur komunist, është në fakt një shpjegim që nuk i përket konstitucionit të tyre shpirtëror dhe zakonor.
Në këtë vazhdë, edhe episodi i shtërngesës të bijës së re nga njerëzit e familjes prindërore për të mos e lënë të kthehet më në në derën e burrit të dhënë me shkuesi, me arsyetimin se këta të fundit e sollën atë të vetme, pa shoqërues në mortjen e sëmës.
Trilli artistik i Preç Zogajt këtu kalon çdo limit. Penda e Zogaj do ta argumentonte artistikisht këtë akt të paprecendent për atë kohë, kur iu vesh Koldinajve të deklasuar atributin e ruajtjes së familjes së Marijes, (kjo pa cen në biografi) nga ndëshkimi i veglave të diktaturës. Por “Ajo që kishte hequr keq të mësohej me rënien në shtrat me atë djalë, të cilin para se të martohej e kishte parë vetëm në fotografinë, që ia kishte sjellë shkesi Jak Shquti nga Patalana”, kurrësesi nuk do të shkelte mbi besnikërinë ndaj të shoqit, me të cilin ishte ngjizur trashëgimtari i tyre,
“Bija e vjetër” që sheh herë pas here dhe bisedon në ëndrra pa fund me nënën e saj të re, është risi në këtë prozë krejt të veçantë të Preç Zogaj, risi kjo që konsiston qoftë edhe në dialogun e mëposhtëm:
«Nëna dyzet e një vjeçe: Pa, ti Marije je!
Bija tetëdhjetetëvjeçe: Pooo.
Nëna e re: Për Zotin nuk të njofta.
Bija e vjetër: Unë ty po. Nuk ke ndryshu.
Nëna e re: Sa vjeç je?
Bija e vjetër: (Duke prekur me gishtat e njërës dorë gishtat e tjetrës) tetëdhjetë baj një javë pas ditës së Shën Mëhillit »…
Një dualos si ky vjen nëpërmjet një stilistike të rrallë, që konsiston qoftë edhe kur përshkruan Franin, sikur “aty për aty ndërmendi se nuk mund ta linte vetëm (nënë Marien) si ditët e tjera. Nuk mund ta linte vetëm me fantazmën e nënës së saj që kishte vdekur para 59 vitesh”. Duke na dhënë në portretin e nënë Maries personazhin kryesor që beson në botën e përtejme, autori po me mjeshtri të rrallë artistike e ndërlidh atë me të birin Franin që mëton të krijojë me mendjen e tij një si identikit të gjyshes, Marës: “Konturet e para të portretit të saj dolën si një re puplore nga buzëqeshja e paharrueshme, të thuash hyjnore, që ishte krijuar rreth buzëve të Marijes, në çastin që kishte thanë për të “gja më të bukur !!!……Kjo ishte gjyshja e tij nga nëna, një vegim prej fotonesh….”.
Prirjen e Preç Zogaj për të sendërtuar një model letrar krejt të ndryshëm në prozën e sotme shqipe, një lexues i vëmendshëm do ta dallonte edhe në përshkrimin brilant të “arës së madhe si përparëse, oborrit të lartë me qemer guri, kullës, një qilari në luginëzën djathtas, hangarit të drithërave, vozgave dhe veglave të punës, ograjës me lisa në shpatin e malit sipër hangarit…”, sidhe portretit të Gjetë Morfanës që dinte të bënte vetëm lajmsit e të vdekurve..që pasi kishte shoqëruar pa bërë zë Marien për disa orë në rrugëtimin e gjatë mes pllajave, lëndinave e maleve të sertë: “E dinte, se në njërën prej kthesave të luginës, nga një si ballkon mes dafinave, shihej ndërtesa dykatëshe e mbuluar me rrasa bojëhiri, shtëpia e saj e vajzërisë….”.
Në këtë novelë Preç Zogaj prezantohet edhe si njohës gjer në perfeksion i traditës, zakoneve, riteve e dokeve të krahinës së Malësisë së Lezhës, të sintetizuara këto në përshkrimin e ceremonive mortore, sjelljen e përjetimin e vdekjes nga njerëzit e familjes etj. Më evidente kjo në rastin kur: “Hyrja e saj në hangarin e mbushur me gra, disa në këmbë e shumica ulur në stola të gjatë, u prit me pëshpërimat që kërkonin të binte heshtja e plotë dhe të spikaste kuja e Marijes” dhe kur: «Ajo (Maria) përparoi me kryet ulur në korridorin që të çonte tek shtrati ku kishin vendosur xhenazen, pa thekët e verdhë të një mbulese, pastaj një trup të bëshëm gruaje me duart e kryqëzuara në gjoks, me veshjet e krahinës, që i rrinin shumë ngushtë dhe dukeshin sikur po shqepeshin po t’ia prejke….”. Tronditëse në novelë janë sprovat e Marijës për të «gjetur» format e nënës së saj te kufoma e enjtur nga sëmundja.
Pasurinë ligjërimore dhe etnografinë e të folurit të veçantë të P.Zogajt e dallojmë më së miri edhe kur “Vajdimorja më e mirë e Bardhajt e kishte qarë për herë të fundit të ndjerën. Fjalët e saj e kishin shëtitur edhe njëherë Marën e Gjok Lekajt, të bukur si kurrkush, shpirtmirë si Zoja e Bekueme, nëpër kopshtijet dhe korijet e jetës me të cilën ishte ndarë…”.
Mund të perifrazonin edhe dhjetra episode tjera për të konkluduar se Preç Zogaj vjen në këtë novelë me talentin dhe artin e të shkruarit të një lloje proze të veçantë, me mënyrat dhe mjetet shprehëse si në rrafshin stilistikor ashtu edhe në atë gjuhësor, duke përvijuar pamjen moderne të prozës së sotme shqipe.. Gjithkush që lexon prozën e tij (këtu kam parasysh edhe romanin “Anjeza nuk u zgjua”), do të ndjente kënaqësi të veçantë. Edhe kjo novelë për absurdin e rregjimit komunist, lë mbresa te lexuesit falë mjeteve artistike në shmangie të atij lloj tendeciziteti që e vret letërsinë.
Comments