Pandeli Koçi, ndër miqtë e mi fisnikë, me pseudonimin letrar Sazan Goliku, është emër i njohur në fushën e letrave. Të shumta janë botimet e tij në letërsinë për fëmijë, në poezi, por edhe proza i pëlqen po aq shumë dhe gjen strehë për shpirtin bredharak prej shkrimtari që kridhet në përfytyrime e sendërgjime herë të qeta, të paqme e të njëmendëta e herë të vrazhda, cytëse, plot mllef e mëri për gjësende të mbrapshta e realitete të bjerrura. Kam shkruar disa herë për libra të tij, kësaj radhe kam në duar novelën “Kërkimi”. Lexohet shpejt sepse ka një suspansë e tension të brendshëm, i cili plikset e dyzohet midis një aventure udhëtimi në kërkim të të atit të burgosur në Itali dhe një tjetër aventure, tanimë ndryshe, nga jashtë brenda: udhëtimit në lëndimet e shpirtit dhe kokëkrisjen prej djaloshi 14 vjeçar të Mihal Kodrës në bëmën që ndërmerr, e padëgjuar për nga lloji. Një Uliks i vogël, këmbëngulës, me një mall e dashuri të madhe për babanë e dashur të degdisur larg, në tjetër tokë. Kemi pra një “Odise” – rrugëtimin drejt fatit të panjohur me shumë të papritura, nisur nga fshati i tij buzë Vjosës në malësitë e Tepelenës drejt udhës për në Vlorë e prej andej në Itali. Edhe sot kjo kokëkrisje është e rrallë. Një thagmë, do ta quanin me zhargonin e njëhershëm. Ndofta këtu unë e shoh dhe suksesin e novelës nga pikëpamja, ta themi, e derdhjes strukturore të saj, e ligjërimit dhe letrarësisë si të tillë. Rrugëtimi gjithnjë është interesant, ngjall kureshtje, pasi në thelb ai ka vargoin e ndodhive shpesh të befta e të “padëgjuara”; ka peripecinë, aventurën, të jashtëzakonshmen. Edhe novela e Pandit ka kësi ndodhish. Nuk janë brufulluese e “rrëqethëse”, por si të thjeshta, si të shtruara, gjer dhe mallëngjyese, veçse me një tis dashurie përsipër prej fëmije ndaj të atit, një spërndritje ku shpirti djaloshar na fton ta rindezim peripecinë e Mihalit në kujtesat tona, në “prapësitë” fëmijërore, ta bëjmë atë “tonën”, ta përjetojmë si në një vatër zjarri me njerëzit e familjes.
Vullneti dhe dashuria për të takuar të atin e bën Mihalin një njeri të dashur për lexuesin. Ne kemi dëshirë ta përthyejmë veten pikërisht tek ai. Pse? Sepse të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak, e dimë se ç’është dashuria e fëmijës për babanë. Babai është figura sublime e familjes, “shtylla e shtëpisë”, mbrojtësi dhe edukatori, shembëlltyra ku ti rrekesh të shkosh e t’i përngjasosh. “Ati” është vertikalja e patjetërsueshme e pushtetit hierarkik në familje, është miti që e mban dhe e bashkon atë dhe, në një farë sensi, “Ati” konvertohet te Zoti i humanizuar. Dashuria që kemi ndaj tij është pa çmim, e bartur dhe bartëse, përtëritëse dhe e riciklueshme kur vetë bëhemi prindër. Unë e besova rrugëtimin e Mihalit adoleshent, sepse besova shpirtin e tij, fuqinë prej nga e pamundura bëhet e mundur: dashurinë. Paçka se në ndonjë episod shkrimtari mund të bëhej edhe më “përligjës”, sidoqoftë e mundura, me të cilën operon letërsia, nuk është jashtë perimetrit të saj edhe te kjo novelë. Edhe rastësia, që në Itali u gjend një oficer madhor me origjinë arbëreshe, i cili e mundësoi takimin e Mihalit me të atin në burg dhe më pas rikthimin e tij në Shqipëri (në funksionin e një zgjidhjeje fatlume), mund të pranohet sidomos kur jemi në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj, të cilët i lakmojnë të papriturat. A mund të gjendej një zgjidhje tjetër? Unë them se mundet, çka do të kërkonte një “peripeci” më dramatike për fatin e personazhit. Por kjo nuk është themelorja. Themelore në rrëfimin e Sazan Golikut (P. Koçit) është pikërisht ndjenja e fortë e at-dashjes, e cila bart një asht gjer mitik brenda vetes, sikundër peripecia dhe aventura e rrugës Tepelenë-Vlorë-Itali-kthim. Dalta e autorit ka skalitur jo vetëm dhe thjesht portretin e Mihalit, por edhe meset sociale të vendit, ndoca figura me ashk që të mbeten në mendje, siç është xha Dervishi, labi nga Salaria dhe karrocieri Skënder Sadushi në portin e Vlorës, që e ndihmoi të ikte tinëz me një anije drejt Italisë.
Dhe e fundit: e lexova novelën saora. Vallë sepse kishte vëllim të vogël prej 84 faqesh apo sepse brenda rrëfimit ecejakej një peripeci e shkathët që i tundte e shkundëte ujërat e ndenjura të narrativave monotone, kur në trupin e tyre futen gjithfarë zbukurimesh, lajle-lulesh e krijohen dhjetëra xhepa të panevojshëm, që i bëjnë ato dembele, me një topitje e ritëm që të vë në gjumë. Jo, novela e Pandit “Kërkimi” nuk ishte e tilla. Ajo vjen te lexuesi pikërisht si një kërkim i dyfishtë, sikurse e thashë në krye të herës: ndaj të atit si aveturë rruge, peripeci, për ta takuar në burgun e largët të tokës përtej detit dhe ndaj vetvetes, si zbulim, si vullnet, si dashuri, si aventurë në kërkim të një shpirti të bukur e plot blatime.
Comments