“Kur rrënjët janë të thella,
nuk ka pse të kesh frikë nga era”.
Khalil Gibran.
“Autoktonia e Shqipërisë jugore, enigma e shekujve”
Autore Vilhelme Vranari-Haxhiraj
Rreth një muaj më parë, shtator 2020, doli në dritë një libër i ri “Autoktonia e Shqipërisë jugore, enigma e shekujve”, i autores Vilhelme Vranari-Haxhiraj, e cila mban titullin “Mjeshtre e madhe e punës” dhe është anëtare e akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York. Ky libër i shtohet numrit prej rreth 60 librash, të botuar brenda 25 vjetësh nga kjo autore, ku, duke lënë mënjanë qindra artikuj publicistik, përfshihen poezi, tregime, novela e romane e mbi të gjitha studime filozofike dhe historike. Aq sa secili mund të pyesë veten: Ku e gjen forcën dhe kohën për të shkruar e botuar kaq shumë?.
Kjo pyetje ka shtyrë institucione të ndryshme si brenda e jashtë vendit të bëjnë aq shumë vlerësime të merituara, tituj dhe medalje. Të gjitha janë përfshirë në një disa faqe të librit. Për ilustrim, veç titullit “Mjeshtre e madhe e punës”, unë po kujtoj vetëm dy të fundit: “Emblema diplomatike e Durrësit”, nga bashkia Durrës. 24 tetor, 2019, dhe ”Ikonë e letërsisë botërore”, nga Akademia e shkencës, letërsisë dhe Arteve Indiane. 25 maj, 2020.
Unë njoh vetëm një pjesë të kësaj krijimtarie të gjerë, në veçanti atë filozofike dhe historike. Diku kam bërë edhe shkrime vlerësuese, madje edhe hyrjen e librit “Elitat e mohuara, krenari e kombit”, libër që e cilësova si kryeveprën e saj, duke e emërtuar “Një enciklopedi” për kulturën shqiptare, qëllimisht të lënë në harresë.
Tani që porsa mbarova së lexuari këtë libër të ri, them se jam gabuar, do të desha që të gaboja përsëri, kur të shikoj studime të tjera me po kaq vlera shqiptarie. E them këtë, pasi bëhet fjalë për një studim shkencor historik të thelluar, që ka të bëjë me rrënjët dhe origjinën e iliro-shqiptarëve, si problem i pazgjidhur përfundimisht, më shumë i papranuar qëllimisht nga katedrat akademike shqiptare që zgjedhin heshtjen si murg manastiri, më pas edhe katedrat e rajonit të Ballkanit dhe të botës, që nuk heshtin, por ne s’i lëvizim dot.
Që në fillim dua të nënvizoj qëllimin e autores, si pikënisje e gjithë kësaj punë voluminoze: “Unë si autore e këtij libri, dëshiroj që të gjitha hipotezat dhe tezat e studiuesve të huaj apo vendas për etnogjenezën, lashtësinë e gjuhës Pellazgo-trako-ilire të popullit tim, shqiptarëve, të bëhet një ballafaqim i detajuar shkencor mes historisë sonë dhe pretendimet (greko-serbe)”. Që këtu, me të drejtë lind pyetja për çdo lexues, ca më shumë për ne shqiptarët: Pse ky shqetësim? Përgjigjen e gjejmë në faqet e këtij libri, sepse heshtet qëllimisht. Shkakun e mësoni duke lexuar dhe mbajtur shënim.
Më pas, si mësuese dhe “Misionare” e dijes dhe edukimit, shton një porosi tepër të vyer për të gjithë ne shqiptarët: “Nëse fëmijët i rrisim dhe i edukojmë me dashuri për atdheun, atëherë ata duhet ta njohin atë qysh nga zanafilla e jetës mbi këto troje”. Është një porosi që vjen që nga rilindësi i ditur Sami Frashëri, dhe që duhet ta mbajmë në qafë si hajmali: “Dituria sjell në jetë dhe ushqen atdhedashurinë, dhe të dyja së bashku e shtyjnë njeriun përpara, e mësojnë atë të punojë për të mirën e tij e të shoqërisë”.
Botimi i këtij libri është një pasuri kombëtare, punë që ka ngrënë kohën e 50-viteve, pra një durim skllavi e kurriz hamalli, më tej vullnet e përqendrim shkencëtari, për të grumbulluar dhe situr hollë materialin historik. Libër i shkruar për të bindur veten për ato çka do të thotë, njëkohësisht t’i bërtasë edhe botës në vesh, se duhet dëgjuar edhe zëri i studiuesve shqiptar, sepse edhe ata kanë ç’të thonë për rrënjët e shqiptarëve dhe paraardhësve tanë Ilirët, e më tej të shtyrë në kohë, Pellazgët.
“Të shkruash histori do të thotë ballafaqim me të vërtetën historike”, ngulmon autorja, duke vazhduar: “Pasurimi i historisë është detyrë dhe atdhetari”. Këto dy thënie tingëllojnë si kambanë në vesh të shurdhët të botës akademike Shqiptare, sepse nuk na e ka fajin bota, kur ne jemi memecë apo gjuhë lidhur. Çdo lexues do të vërejë se, shpesh nëpër faqet e librit, autorja shtron pyetjen: Ç’ bën akademia jonë? A i dëgjon dhe a i përfill dijetarët shqiptarë, duke nënkuptuar, se zëri i institucionit është më i fuqishëm se zëri i një individi, sado i fortë qoftë.
Autorja me të drejtë ve në dukje përpjekjet, do të thosha sulmet agresive të fqinjëve, që prej qindra vjetësh përpiqen të mohojnë rrënjët e shqiptarëve dhe rolin e tyre në këto troje. Madje nuk kanë të ndalur edhe në këto kohët e fundit. Më duhet të përmend botimet e Akademisë Maqedonase, dhe të Malit të Zi, (disa vjet më parë), që kanë kohë e fuqi, dhe vjellin vrer ndaj shqiptarëve, ndërsa ne rrimë e s’bëjmë zë. Mos është rastësi?
Në vazhdim të këtij shkrimi, mbi librin dhe temën e mohimit dhe përbuzjes së shqiptare, këto dit më ra në sy një njoftim disi i çuditshëm, por jo i papritur: “26 organizata në Kosovë, kërkojnë urgjentisht reagimin e institucioneve për keqprezantimin e shqiptarëve në tekstet ballkanike: …… sepse shumë nga ngjarjet paraqiten në mënyrë sipërfaqësore, jokorrekte, të pasaktë, të njëanshme, e nganjëherë edhe ofenduese, sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se disa nga pjesët për shqiptarët dhe Kosovën, do t’i kenë hartuar historianë të indoktrinuar me nacionalizëm serb”. Gjashtë vëllimet e OJQ “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe (CDRSEE)”, me seli në Selanik. Besoj se komenti është i tepërt, për të shtruar pyetjen: Ç’po bëhet, dhe ne çfarë bëjmë? Mos po lëpijmë pështymën e tyre?
Në këtë hulli, po shtoj edhe një njoftim më shumë, për të gjykuar mbi mundësitë tona për të shfrytëzuar maksimalisht zbulimet e dijetarëve dhe arkeologëve të huaj, që thjesht për interes shkencor ngrenë problemin ilir, (rrënjë e shqiptarëve. Shënimi im). Po e citoj në origjinal një pjesë të shkurtër:
Syri Net. 31-Dhjetor-2018
Zbulimet për qytetërimin ilir të injoruara nga akademitë dhe qeveritë shqiptare
“Kanë kaluar disa muaj nga lajmi i jashtëzakonshëm i arkeologëve kroatë, se historia Ilire do të rishkruhet dhe me këtë edhe historia e Ballkanit dhe Europës. Arkeologët kroat, kur e bën publik zbulimin e tyre, thanë se këto gjetje e ndryshojnë kuptimin e historisë së përgjithshme botërore. Zbulimet në ishullin e Korçullës, në lokalitetin Kopil, kanë gjetur një nekropol ilir, në të cilën janë gjetur copëza qeramike, të cilat datojnë ndërmjet viteve 17.500 deri 15.000 para Krishtit”.
Mos u çudisni, nëse të tilla fakte do të gjeni me shumicë në libër dhe do të bindeni se sa të drejtë ka autorja, dhe sa të drejtë kemi ne për të menduar e gjykuar mbi të vërtetën historike, që na është mohuar dhe që ngurojmë ta mbrojmë.
Për kënaqësi, po vendos edhe një të dhënë tjetër të cilin e vlerëson vetë autorja: “Dëshmia arkeologjike e lashtësisë dhe autoktonisë, është edhe vetësimboli i Aulonës së lashtë, e quajtur “Vajza Aulonase”. Një skulpturë “Hyjneshe”, 87 cm, e gdhendur me gurin gëlqeror të Kaninës, e cila simbolizon veshjen e grave ilire. “Panairi i kulturës antike në Paris”. Shkurt 2013. faqe. 227. Të gjitha të dhënat na shtyjë të hapi thesin e pyetjeve: Pse??? Këtë pyetje bën edhe “Vivra”, (pseudonimi i autores), kur i drejtohet lexuesit: “Pse e vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët ngelet memece, e shurdhët, e verbër dhe çalamane?”.
Besoj se më lejohet të hamendësoj, siç mund të hamendësoni edhe ju: Ç’do të bënin qarqet akademike të fqinjëve, sikur këto gjetje t’i gjenin brenda kufijve të tyre? Jam i bindur se edhe Hënën dhe Marsin do ta zbrisnin në tokë dhe lajmet do të mbushnin ekranet e botës. Më e pakta punë: do ta “Vidhnin” historinë tonë, siç kanë bërë me kohë. Është një plagë e hapur herët, por që dhemb edhe sot, ndaj para do vjetësh kam botuar një shkrim ‘“Hajdutët e historisë”. Dikur u vramë për histori, sot sehirxhinj të këqij”. Publikuar në disa gazeta: “Illyria”, “Gazeta 55”, Fjala e lire, “Bota sot”, “Koha jonë”, “Veterani”. Gusht 2016.
Vetë autorja, duke iu përgjigjur problemit, citon dr. Mathieu Aref, autor i librit “Shqipëria” - Odisea e një populli para Helen”, i cili thekson: “Aktualitetin e etnogjuhësisë në Shqipëri dhe përgjithësisht faktorin pellazg, e kanë fshehur qëllimisht për t’u lënë në harresë, si një popull dhe gjuhë e parëndësishme, që i takon një periudhe të vonë historike”.
Në kapitullin e parë, dukshëm analizohen shkaqet e mohimit të zërit të shqiptarëve, varfëria, shpopullimi i vazhdueshëm, mos-shkollimi, mungesa e alfabetit dhe shkrimit shqip (Ndaluar me ferman të sulltanit viti 1799. Shënimi im), dhe më kryesorja, siç theksohet në libër: “Pushtimet e gjata shekullore, i kanë lënë Shqipërisë, mijëra vjet litarë nëpërkëmbë, duke e zhytur popullsinë në varfëri, në padije dhe injorancë”. Kështu shprehet me keqardhje autorja, duke pranuar në heshtje disa përfundime tragjike për kombin tonë. Ajo citon:
. “Kur e sheh me realizëm të shkuarën dhe zhvillimet e sotme, arrin në përfundimin se ky komb është armiku më i madh i vetvetes”. Skënder Sherifi: Shkrimtar dhe gazetar frankofon me origjinë shqiptare:
. “Sikur shqiptarët të ishin treguar kaq mizorë me armiqtë shekullor sa ç’ janë treguar me njëri-tjetrin, kufijtë tanë do të shtriheshin deri atje ku kanë qenë, deri në Pargë e në Prevezë”. Profesor dr. Mehdi Hyseni. Akademik,
Kapitulli i II-të: “Çështja e Ilirisë jugore, enigma e dikurshme e studiuesve”, shpaloset e gjithë problematika shkencore, që vazhdon rrjedhën edhe në kapitujt e tjerë. Këtu gjejmë një shumatore faktesh, që hedhin dritë mbi autoktoninë e viseve shqiptare. Forma që ka zgjedhur është fare e thjeshtë për t’u kuptuar, por e vështirë për t’u trajtuar shkencërisht dhe letrarisht: Krahasimi i të dhënave të shumta, ballafaqimi i mendimit të autorëve të ndryshëm, që nga antikiteti, më pas nga mesjeta dhe deri në ditët e sotme. Sa shumë që janë!. E gjitha e dokumentuar në një bibliografi të pasur, që zë rreth 6 faqe (me shkrim të imët), rrjedhim i një pune të pa zakontë shumëvjeçare.
Si për tu çlodhur nga ngarkesa e librit, me thënie e kundër-thënie, do të gjejmë edhe harta, foto të gjetjeve arkeologjike dhe emblema të flamurit tonë kombëtar, si dokumente që vijnë nga lashtësia.
Një vlerë e shtuar e këtij botomi janë edhe vlerësimet nga studiues, botues të ndryshëm, të cilët e kanë parë librin që në dorëshkrim. Po përmend:
Prof. Dr. Eshref Ymeri. Akademik. SHBA: “Herë-herë një revoltë e brendshme të bën të shpërthesh në heshtje, me zemëratë: Ç’ krim që bëri diktatura komuniste, që kësaj zonje të talentuar ia mohoi të drejtën e shprehjes së fjalës artistike që në rininë e saj?”. Më pas i drejtohet Vivras:
“Ju keni nxjerrë në dritën e diellit shumë të vërteta për autoktoninë e shqiptarëve, për prejardhjen e tyre pellazgo-iliriane dhe për lashtësinë e gjuhës shqipe, si themeli i gjuhëve evropiane.
Mujë Buçpapa. Botues i gazetës “Nacional”: “Vilhelme Vrana është një penë e fuqishme dhe e veçantë e letërsisë shqipe. ……Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar, sa Vilhelme Haxhiraj. …….Proza e saj ka pamasat e një drame globale. Përmes saj ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit”.
Prof. Dr. Fatmir Terziu, “Mjeshtër i madh”. Londër: “Vilhelme Haxhiraj është një shkrimtare euridite, me një kulturë që shtrihet në kohë dhe hapësirë të pamatë, studiuese dhe publiciste që renditet mes emrave të shquar të letërsisë kombëtare dhe më gjerë”.
“Jeta është shkollë dhe njeriu vdes si nxënës”, - thotë Vivra diku.
Ajo beson në fuqitë intelektuale të shqiptarëve, ndaj me urtësi shton një fjalë, një porosi, si rilindësit e hershëm:“Duajeni këtë vend të bukur dhe të pasur, por të vuajtur dhe tejet të varfër. Kjo arrihet vetëm duke punuar dhe mbrojtur shkencërisht të vërtetën historike mbi autoktoninë e shqiptarëve dhe lashtësinë e gjuhës shqipe”.
Çdo fjalë e shkruar në faqet e këtij libër, vjen nga besimi që ka formuar në vetvete, si përfundim logjik i një studimi të gjatë. Ajo është e bindur, ndaj edhe ne duhet të besojmë edhe këto fjalë të “Shenjta” të thëna nga G. F. Williams, se:
“Shqiptarët janë të vetmit që kanë ardhur deri më sot, nga kjo racë e fuqishme parahistorike. Është provuar se pellazgët kanë qenë ilirët e lashtë”.
Me shpresë se ky libër do të ngacmojë nervin atdhetar të shqiptarëve, urojmw:
Vivra! Presim të tjerë libra studimor-shkencor, në dobi të çështjes sonë kombëtare!
Kadri Tarelli
Durrës më: 01. Vjeshta e tretë, 2020.
Pershendetje dhe mirenjohje qe percjell shkrimet tona te publiku i interesuar te lexoje e te dije me shume rreth çeshtjes shqiptare. Faleminderit!