NJË SHANS I HUMBUR 


NJË SHANS I HUMBUR 

Tregim nga Kozma Gjergji. 


Transavanguardistët kujtohen që sot ka ditëlindjen miku i tyre piktori Toti. Mbushin gotat dhe e urojnë dashamirësisht. E do puna të flasin diçka për të në këtë datë të shënuar. Kujtojnë ekspozitën e parë të tij, e cila sipas tyre kishte qenë një surprizë. 

              Ndërsa ata vazhdojnë me lavdërime, mendja e artistit rikthehet shtatëmbëdhjetë vite prapa, tek mëshirëmadhja Asunta, te ajo zonjë që frymëzonte dashuri deri në fund të jetës. Anipse në diferencë të madhe moshe bënte të ndiheshin bashkë si dy adoleshentë kur takojnë dashurinë e parë. 

               Ishte merita e saj që i dërgoi kritikun e njohur të arteve zotërin M. ta ndihmoi në përgatitjen e ekspozitës, që pagoi bujarisht për galerinë e çdo gjë tjetër. Ndonëse ia mirëpritën me entuziazëm ekspozitën, vet piktori s'qe i atij mendimi, pasi kishte bindjen se kritiku e modeloi sipas steriotipeve të tija dhe shijes së atyre që e rrethonin. Toti e shmangu me mendjemadhësi përgjithnjë, edhe pse miqtë ia quajtën këtë sjellje një shans të humbur. 

              Ai ndërmend kur kritiku i erdhi në studio. Pasi shëtiti vështrimin dashamirës nëpër tablotë i thotë :

             -E shoh me interes prirjen tënde për të kapur e shndërruar në simbole e metafora objekte të ndryshme. Aq më tepër kur ato lidhen me historinë dhe fatin tonë. Ja, e shikon këtë send krejt të zakonshëm, -vijon ai, duke nxjerrë nga xhepi stilografin, -bëhet i jashtëzakonshëm dhe fiton emër e kujtes, sapo nënshkruan një fitore apo humbje, kur shkruan një letër dashurie ose fjalët e heroit para ekzekutimit… 

            Kushdo ka përfytyrimin dhe ndjeshmërinë e vet për çdo figurë. Fjala vjen, gajdia mua më përgjasohet me një njeri pa fytyrë që frymon e llomotit kotë. Një kalë pa frerin në vrapim më jep ndjenjën e lirisë. Një aeroplan tek rrëzohet duke u djegur më shkakton ndjesinë e humbjes së diçkaje të shtrenjtë… 

             Bëhet natyrë e qetë dhe një kuadër i tillë: Vdekja i shtron tryezën liris me granata, mina, raketa. Për të paraqitur zotërit e luftës do mjaftonin vetëm disa koka derrash me helmeta duke marrë vendime dhe sipër tyre një copë qiell përplot avionë si kryqe mbi varre resh. Dhe më tej akoma për luftën. Mund të paraqitet dhe kështu: Një orkestër gjigande jo me instrumente muzikore, por me armë të ndryshme dhe skelete masive njerëzish në vallen makabre të vdekjes që përfundon tek disa autoblinda të shkatëruara, mbi të cilat zogjtë ngrenë folet e dashurisë, ndërsa fëmijët mbjellin në gropat e predhave filiza e lule. 

             Përse ngacmon ende një motiv aq i vjetër si: "Peshkatarët në breg me rrjetat plotë me peshq? ". Sesa për mënyrën e re të kompozimit, poezisë të detit e gjuetisë, më nxit përfytyrimin të shoh në vend të peshkatarëve ata politikanë mashtrues tek hedhin në detin njerëzor rrjetat e premtimeve e gënjeshtrave për të kapur sa më tepër vota. Njëkohësisht më kujton lloj-lloj rrjeta paragjykimesh e parrullash ku kemi rënë dhe ato që na thur djallëzisht intriga, zilia, korrupsioni, krimi, me të cilat zemë të mësohemi si ai tigri me kafazin dhe që pastaj prej atje nuk dëshiron më të dalë. 

               A e di sa dorë të japin maskat? Më pëlqejnë shumë, sepse paraqesin çfarë dëshirojmë të jemi: Frikacaku vë atë të Herkulit, xhuxhi të gjigantit Rodi, eunuku të Minotaurit, mëkatari të ëngjëllit… 

               Ka kohë që maskat kanë dalë nga teatri e gjënden midis nesh, ca më tepër tek ata lartë e tashmë janë bërë identiteti ynë. Vetëm natyra në gjendje të lir e të egër është e çiltër, e sinqert dhe pa maskë. Njerzëve u pëlqen shumë të fshehin e fshihen. Mbase edhe kjo mund të jetë një nga arsyet kryesore që sot hasim më tepër maska se fytyra. Më të privilegjuar për karrierë janë ata që i përputhin më përsosur të dyja. 

                Shitësi i maskave më kujton atë kryeministër që na i servir anëtarët e kabinetit të ri qeveritar si kampionë të diturisë e zotësisë, më sjell në mënd atë shef partie, që na e shet për të tillë kopenë e servilëve dhe shërbetorëve rreth vetes. Festat e karnavaleve dhe ballot me maska janë parodia e jetës sonë. 

               Një tjetër mrekulli është cirku. Unë e shikoj si teatrin e jetës. Aty janë kafshët dhe zbutësit e tyre, akrobatët, xhonglerët, kllouni plakë, ekuilibristi, prestigjatori. Secili, vetëm dhe në bashkëpunim me të tjerët e luan mjeshtërisht rolin e tij. 

                Kam parë një foto, ku hamalli tërheq karrocën e ngarkuar me një mal me mallra. Kaq do mjaftonte të jepje njerzimin e thjeshtë duke tërhequr këtë botë me gjithë ato të këqija. Kriza financiare më përgjasohet me një Satana prej monedhash që ka vënë ndër dhëmbë globin dhe e kafshon pa mëshirë…

                 Mund të të duken banale, por kështu ka ndodhur, nga diçka tejet prozaike, madje absurde janë krijuar kryevepra. Krijuesi, ndërsa jeton përditshmërinë e rëndomtë, duhet të bëj përpjeke të lidhet me qielloren e të mbinatyrshmen, të vihet në garë me Zotin. 

                 Vështro me syrin e artistit se ç'ofrojnë teleskopët hapësinorë: Një estetikë krejt të vaçantë të universit, larmi pamjesh të një fantazie kozmike përplot trajta apokaliptike, lambirinthe, peizazhe fantazmagorike, gjendje kaosi, një Bing-Bang mahnitës. E tërë kjo gjeometri hyjnore, me ato pamje si të jenë mesazhe dërguar nga galaktikat, me pak ndërhyrje mund të shëndërrohet në mrekulli arti. 

                  Kritiku M.i sugjeron Totit të pikturoi jo thjesht materien, por shpirtin e gjerave, emocionin që merr e jo fotografinë; të vërë në kontrast e bashkëveprim dy a më shumë figura brënda çdo tabloje për të nxjerrë ide të reja, vlera me domethënie të thellë, kuptime të shumëfishta dhe që nxitin interpretime nga më të ndryshmet. Për shëmbull: Dyert e shtëpisë dhe këmbët e hapura të gruas, Harkun e Triumfit dhe gojën e errët të tunelit, krevatin dhe arkivolin, dashurinë e shënjtë dhe dashurinë njerëzore, njeriun gjysëm-kafshë e gjysëm-njeri… 

                Në kompozimin tënd "Natë verë", vijon më tej ai, do më pëlqente që hëna të praronte me argjend edhe gjallesat e ashtuquajtura të këqija si, minjtë, nepërkat, lakuriqët e natës, hienat… Sytë e tyre fosforeshent le ta shikonin natën si ëndrrën më të shëndërritshme. Për mua çdo pikturë duhet të jetë si një ëndërr, ose që të nxit të ëndërrosh. 

               A s'do ish novacion t'u jepje ngjyrave përmbajte e shprehi të reja, me të cilat identifikohet edhe stili i krijuesit? Bie fjala, grija nga trishtuese tradicionalisht të bëhej kryengritëse si dimri; e kuqja e dashurisë, epshit, pasionit, urgjencës, trafikut, alarmit, të bëhej në të urrejtjes, mllefit, dhunës, luftës; e bardha e pafajësisë në të madhështores; bluja e shpresës në të qetësis e paqes; vjollca e melankolis në të sëmundjes e kështu me radhë. 

                 Çdo talent ka mënyrën e vet sesi i zbulon e zotëron sekretet e ngjyrave. Estetika

rreth tyre evolon gjithnjë. Kështu, sot nuk na duket aspak paradoksale kur edhe kënaqësia edhe zia veshin të njëjtën rrobe të zezë… 

                 Toti për të mos mbetur vetëm në rolin e nxënësit shpalos dhe ai bagazhin e tij. I thotë se admiron veçanërisht ekspresionistët e impresionistët, të cilët thyen tabut e sollën një stil krejt të ri në të pikturuar dhe tematik. Arti ësh­të prodhim analfabet pa rregulla. Ai ngjizet e lind natyrshëm pa marrë leje, ashtu si çdo krijesë në barkun e nënës. Prangosja me gjithfarë rregulla e kanone bën që artisti ta humbasë origjinalitetin. Kanceri i talentit janë lloj-lloj sisteme 

kulturore manipuluese. Unë i urrej bukuritë tmerrësisht të rregullta e perfekte të artit klasik… 

                Kritikut i vjen keq për maninë e këtij të riu, ashtu si dhe plotë të tjerëve, për të flakur lehtësisht si të pavlerë e madje të dëmshëm artin klasik. Nuk e le të vazhdoi më tej. 

               -Artisti s'duhet vetëm të mendoi si të shkatërrojë tempujt dhe fshij krejt të kaluarën, -e kundërshton ai, -përkundrazi duhet të vijë si një sintezë e re i nisur prej tyre. Nga boshllëku nuk del asgjë. Artet ngrihen mbi arte e llojshmëria iu bëhet shëndet. Kryeveprat nuk njohin moshë, sepse janë edhe ajo që vjen nesër, janë burim e fillesë… Në kam arritur të shikoj më larg nga të tjerët, pohonte Isak Njutoni, është se jam ngjitur mbi shpatullat e gjigantëve. 

                I famshmi Mark Kagall shfrytëzonte me mjeshtëri motivet e folklorit, fesë, mitologjisë, që ndokujt mund t'i duken pa ndonjë vlerë për të sotmen. Por sa të joshin e venë në mendime tablotë e tij si: "Zogjtë në funeralin e gjuetarit", "Të dashuruarit shaluar mbi këndez", "Kujtoj flautin magjik", "Violinisti i ri", "Kryqëzimi i bardhë".

               Po shtoj edhe unë për ty këto motive: "Luanin e shëmbur në mjerim shkon e shurron edhe miu. Qengji mëson ujkun si të sillet me bagëtinë. Një krijesë gjysëm buall e gjysëm burrë i ulërin dëshirat për ndërzim vajzës nudo në lumin e kaltër. Llafazanit edhe kur ka vdekur, gjuha i rri përjashta gojës, ashtu si kurvarit organi seksual i mbetet përjashta arkivolit e plotë të tjera. "

              Folëm shumë sa po na thahet goja. Shkojmë në bar të pijmë ndonjë gjë. 

              -E keqja ësh­të profesor se mua m'i ka ndaluar mjeku pijet. -ia kthen piktori si i zënë ngushtë. Kritiku për të mos e vënë në vështirësi del duke i premtuar se do të vijë prapë për ta ndihmuar. 

                Toti shkëputet nga kujtimet e rikthehet tek lëvdatat e kolegëve. Ai e di mirë që ato vlerësime duhen përligjur e merituar, megjithatë iu le të kuptojnë se i presin surpriza prej tij. 



239 views4 comments

Shkrimet e fundit