top of page

NJË SHAKA E HIDHUR


Nuk bëjmë atë që duam e megjithatë jemi përgjegjës për atë që jemi

Sartri

NJË SHAKA E HIDHUR

Tregim nga Luan Çipi

Llazar Gjoka, miku im i vjetër, bashkëstudent i Fakultetit Ekonomik në UShT, për ca kohë, kishte qenë në detyrën e Zëvendësministrit të Financave dhe erdhi në Vlorë nga Tirana. Ai u caktua Zëvendëskryetar Komiteti në Rreth. Aso kohe unë punoja në Kombinatin e Konservave “Ernest Telman”.

Ishte sezon veror dhe në Kombinat përpunohej domatja e fushave dhe ç’kishte ngelur nga serrat, në rrethet e Vlorës, Fierit dhe Lushnjës. Prodhohej salcë domateje. Salca nxirrej me cilësi të lartë. Ambalazhohej në fuçi druri, në kuti teneqeje dhe në tubete alumini, me drejtim eksportin, kryesisht në perëndim. Siç dihet, për prodhimin e salcës kërkohet avull dhe ujë teknologjik në sasi të mëdha dhe në mënyrë të pandërprerë. Ndërprerja e ujit rrezikonte jo vetëm dëmtimin e cilësisë së salcës, po edhe ndryshimin e drejtimit të saj, për t’u përdorur në vend, çka rrezikonte raportet e bilancit valutor. Gjithashtu, nga kjo mund të dëmtoheshin dhe domatet e vjela në sasi të mëdha. Domatet aso kohe mbushnin rampat e depozitimit në kombinat, në automjetet, që shpesh rrinin radhë njëra pas tjetrës, me kilometra, deri te “Pusi i Mezinit”, si dhe në vendet e depozitimit në fushat e prodhuesve. Kjo gjendje ndodhte dendur dhe përbënte një shqetësim fort serioz, për mua, si drejtues në Kombinat, por edhe për organet e pushtetit dhe të partisë në të tre rrethet e jugut te vendit e deri në qendër.

Një ditë uji u ndërpre më shumë se zakonisht dhe radha e automjeteve zgjati rrugës deri në fshatin Panaja. Pasi kisha bërë ndërhyrje drejt përsëdrejti në organizmat përkatëse komunale, unë, duke përfituar edhe nga njohja e vjetër, për ta shpejtuar zgjidhjen e problemit serioz, mora në telefon direkt shokun Llazar Gjoka, aq më tepër që ai mbulonte dhe sektorin e ekonomisë nga ana e kryesisë së Komitetit Ekzekutiv. Më priti me mjaft ngrohtësi. Meqë sapo kishte ardhur në Vlorë, mu desh t’ia shpjegoja me hollësi pasojat e rënda dhe dëmet e shumta të ndërprerjes së gjatë të furnizimit me ujë.

- Rri i qetë, Luan. Ki besim! Tani të kuptova drejt dhe do ta çoj vetë deri në fund zgjidhjen e këtij problemi kaq të rëndësishëm.

Ç’ndodhi më pas… Edhe vetë, i ziu Llazar, si i ri që ish në atë detyrë, po dhe pak naiv, nuk dinte nga ta kapte fillin për zgjidhjen e këtij lëmshi. Ai, në Vlorë, nuk e dinte si funksiononte dhe si administrohej furnizimi dhe lëvizja e ujit. Me kalimin e minutave filloi të ndiejë edhe përgjegjësinë që e mori krejt mbi vete zgjidhjen e këtij problemi. Të pyeste të tjerët? Jo, se i ulej autoriteti. Ai ishte në fillim të karrierës. Edhe në Vlorë mund ta quanin të pa aftë dhe të ngathët, siç kishte pasur, ndonjëri, mendimin për të në Tiranë. Jo, në asnjë mënyrë. Ky është një problem i lehtë, çështje uji është, fare i thjeshtë. S’është i komplikuar, si puna e buxhetit të shtetit, ku kishte pasur rast të tregonte aftësitë e tij të mëparshme. Duke e vrarë mendjen, ashtu në boshllëk, i sheh syri, diku aty te cepi tavolinës, librin e numëratorit telefonik. Hë, tha shpëtova, më duket. E hap dhe nis të lexojë me radhë A-në, B-në, C-në, ndalet te D-ja. Gjen Drejtoria e Ujërave. E nënvizon me të kuqe. Do t’i duhej dhe herë tjetër.

-Alo! Më dëgjoni? Drejtorin, dua. Jam Llazar Gjoka, Zëvendëskryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP Rrethit Vlorë, foli, sipas etikës zyrtare të prezantimit, se ai kot nuk kishte punuar kaq kohë në Tiranë. Zëri në telefon i buçiste. E kishte të trashë e autoritar, zë basi.

- Po, unë personalisht jam, drejtori Kamber Aliko. Urdhëroni, me se mund t’ju ndihmoj.

- Po ky pse flet kështu në telefon. Çka që i dridhet zëri? Llazari nuk e dinte dhe nuk mund ta merrte me mend se abonenti në fjalë, ishte me një defekt të rëndë në nofull, shkaktuar nga një plagë e thellë lufte.

- Gëzohem shumë, - përgjigjet Llazari. Kam dëgjuar për ju (ia fut kot për intimitet) dhe kam konsideratë e besim të veçantë. Kam një shqetësim të madh. Më mori në telefon nga Kombinati i Konservave Luani, që është dhe një shoku im i vjetër i shkollës, nga ata të paktët që kam, tani për tani, këtu.

- E njoh, e njoh, ia pret bisedën, për mos të humbur kohë, Kamberi. E njoh, se është njëkohësisht baxhanaku i shokut tim më të mirë, Qani Kamberit. Urdhëro e fol!

Shoku Llazar, si burokrat me përvojë, nga ata që kanë borxh të të mbajnë gjithë ditën në telefon, filloi t’i shpjegojë Kamberit të paduruar pasojat që shkakton ndërprerja e ujit teknologjik në linjat e prodhimit të salcës së domateve. Pasi ia shpjegoi me hollësi, aq sa ai mendoi se ia mbushi mendjen Kamberit, që pothuajse nuk e dëgjonte fare, vazhdoi:

- Unë kam dëgjuar që ju keni një çarje të madhe në tubacionet kryesore të ujit, se ndryshe nuk do të ndodhte kjo katastrofë, por…

- Po, mirë, o vëlla i dashur, unë, personalisht, si Kamber ç’hyj në këtë mes? Ç’të bëj unë, të lutem shumë?

-Po, pse, të lutem, gjithashtu shumë. Unë do të të mësoj ty se ç’të bësh? Problemi është me rëndësi kombëtare, se ka lidhje me eksportin, me sigurimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, që do të përdoren për investime, për të ardhmen e vendit tonë socialist, për mbrojtjen e Atdheut, për jetën tonë… Lëre çdo punë tjetër dhe merru me zgjidhjen urgjente të furnizimit me ujë të Kombinatit. Unë të sugjeroj që këtë punë mos t’ia lësh në dorë vartësve të tu të plogët, por ta drejtosh vetë. Të sugjeroj,gjithashtu, që të organizosh një aksion me goditje të përqendruar, ndërto variantin më optimal. Unë…

- O shoku Llazar!

- S’ka shoku Llazar këtu! Zbato urdhrin! Si në kohë lufte. Kot nuk je Drejtoria e Ujërave.

- Si?

- Ja, kështu, bindu urdhrit, dakord?

- Mirë, mirë, por unë nuk kam ç’bëj. S’kam gjë në dorë, vetëm po… t’i kthej Harvalanë, vetëm atë disponoj unë. Kjo zgjidhje ironike i erdhi aty për aty në mendje, se ishte një shaka pikante e përsëritur edhe për një rast tjetër analog.

E ku ta dinte nënkryetar Llazari që Harvalaja nuk ishte gjë tjetër veçse rezervuari malor më i madh i Vlorës, ku grumbullonte ujërat e zonës, që përdoreshin për vaditjen e tokave. Në të vërtet Drejtoria e Ujërave me drejtor Kamberin me këto lloj ujërash merrej, i grumbullonte, nëpërmjet rezervuarëve dhe i shpërndante me anën e rrjetit të kanaleve, për të vaditur tokat bujqësore shtetërore dhe kooperativiste.

- Hë, bravo! E dija që do ta gjeje rrugën e zgjidhjes.

Pas dy orësh mua më thërresin me ngutje në telefon. Të kërkon Zëvendëskryetari.

- I dashur Luan! Fli i qetë. Problemi u zgjidh më së miri. Shoku Kamber Aliko, më së fundi, u bind. Ai urdhëroi të kthehet, në drejtimin tuaj, Harvalaja, që do të thotë drejtimi rezervë i furnizimit me ujë të bollshëm. Gjumë të ëmbël!

Kjo përgjigje, me variant Harvalanë, një barceletë tashmë e njohur për vlonjatet, ishte këtë radhë, një shaka e hidhur, pas së cilës pati pasoja të rrezikshme, shoqëruar me milionë lekë dëm.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page