Një roman që flet në të gjitha gjuhët


Një roman që flet në të gjitha gjuhët

Prof Musa Nushi



Romani "Fijet e barit të thatë" i shkrimtarit të mirrënjohur shqiptar dhe më tej, Fatmir Terziu, më pëlqeu jashtë mase. I lexoj me kënaqësi romanet që "flasin" në vetën e parë, sepse veta e parë shprehet me një gjuhë më emocionale, më intime, ku elementet autobiografike janë më interesante. Personazhet në këtë roman "flasin" edhe në vetën e tretë, sidomos në përshkrimet shumë të bukura të ngjarjeve, do të thosha sipas përvojës së prozatorëve modernë, që mbështeten në improvizionet jetësore dhe meditimet rreth tyre.

Titulli i veprës më duket simbolik, duke marrë parasysh kohën dhe ngjarjet që përshkruhen në roman. Nëse Laura latine, përkatësisht Dafina shqiptare është protagonistja e romanit, besoj se ngjarjet dhe situatat më karakteriske nëpër të cilat ka kaluar ajo, janë përshkruar bukur.


Fragmenti "Ngjyra e verdhë dominonte në tërë atë hapësirë. E verdha ishte edhe në muret e ndërtesës. Ajo ngjyrë ishte edhe në fytyrat e atyre njerëzve që silleshin vërdallë si kufoma në këmbë" - shpjegon gjithçka që ka ndodhur në kohën e të Madhit dhe të Nënës së Madhe.

Fjalori i pasur, me përshkrime të qëlluara për një periudhë dhe regjim jo të kënaqshëm, me shumë figura artistike, e bëjnë romanin mjaft interesant dhe shumë tërheqës për lexim.

Romani "Fijet e barit të thatë" përbëhet nga 28 kapituj, ku secili kapitull paraqet një rrëfim më vete, por që në tërësi harmonizohen, duke mos lënë në harresë kryeprotagonisten, për të cilën autori ndonjëherë ndien nostalgji.

Qëndrimi kritik i autorit ndaj dukurive negative të shoqërisë, përkatësisht të regjimit të të Madhit, vërehet qartë gati në çdo kapitull. Kështu, në kapitullin 15 kemi gjykimin: "E gjithnjë na mësonin të donim Atë, që varrej në një gozhdë në murin përballë e të vdisnim për të dhe Nënën e Madhe, siç na kishin mësuar ta quanim partinë".

Vepra e Fatmirit ka mjaft gjëra të panjohura më parë, po ashtu dhe mjaft të vërteta të ngjashme, fakte jetësore të hidhura, që kanë lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e shqiptarit... Romani "Fijet e barit të thatë" porosit që e djeshmja të mos përsëritet kurrë më, jo vetëm në një territot e gjeografi të njohur, por në formën më sublime globale! Kësisoj ky roman flet në të gjitha gjuhët.