NJË ROMAN I SHEFIK MYFTIUT ME SHUMË TE PAPRITURA


SHPENDI TOPOLLAJ


(Rreth romanit “Dy surpriza” të Shefik Myftiut, botim i 2 M printing, Durrës, 2020)

Jeta njerëzore është e mbushur me të papritura. Ato janë herë të hidhura e herë të këndshme. Dalim nga shtëpia e nuk e dimë ç`na pret. Falë rastësisë, jo vetëm ndryshojnë shumë gjëra, për mirë apo për keq, por edhe vetë jeta jonë mund të marrë një drejtim që as nuk e kishim çuar ndonjëherë ndërmend. I ndeshim këto së pari në përditshmërinë tonë, mes shokësh, miqsh, të njohurish e të panjohurish. Por, sidomos nëpër faqe librash.

Në ato që shkruajnë shkrimtarët, të cilët natyrisht që shtojnë diçka edhe nga vetja. Se pastaj nuk do të kishim letërsi. Jeta na jep materialin bruto, të papërpunuar, ashtu sikurse ka ngjarë. Ashtu sikurse karakteret njerëzorë janë paraqitur në rrethana të ndryshme. Kurse pena e shkrimtarit futet në përshkrime ngjarjesh e gjendjesh. E kam fjalën për gjendjen shpirtërore. Për faktorin psikologjik. Ajo që na bën të gëzohemi e të qeshim. Por dhe ajo që na dëshpëron e na bën të vajtojmë.

Pra, ato që na shkaktojnë emocione të thella, mbresëlënëse dhe që na bëjnë të mendohemi gjatë. Të mendohemi e të nxjerrim mësime. Dhe dalim këtu te mesazhet që përftojmë. Se nga ana e tyre, mesazhet s`janë tjetër veçse emëruesi i përbashkët i sjelljes, ose më drejtë, i asaj që ne e quajmë moral. Se morali, duke pasur brenda tij si etikën, ashtu edhe estetikën, mbetet vlera më e madhe që ne njerëzit kemi gjatë marrëdhënieve shoqërore. Dhe pranohet nga të gjithë se në këto marrëdhënie, merr rëndësinë vendimtare familja, e cila nga ana e saj buron nga dashuria e besimi reciprok dhe i sinqertë.

Këto trajton edhe shkrimtari modest Shefik Myftiu nga Kavaja, në romanin e tij “Dy surpriza”, botim i 2MPrinting, 2020, nën redaktimin e kritikut Fatmir Minguli. Kur përdora ndajshtimin modest, nuk pata parasysh cilësinë artistike të këtij shkrimtari me disa vepra të botuara, si fabula, epigrame, skica humoristike e prozë të gjatë (vetëm romane janë katër të tilla), por anën njerëzore, tipike për poetët dhe shkrimtarët e mirë të këtij qyteti.

Ata punojnë, pa kërkuar të duken, dhe i kanë dhënë letërsisë tonë vepra mjaft dinjitoze. Romanet janë disa llojesh, por sa vjen e më shumë po zë vend edhe romani psikologjik, ndofta pas Marsel Prustit (Marcel Proust) me “Në kërkim të kohës së humbur” , ku pa frikë mund ta rendisim edhe “Dy surpriza” - t. Jo se ky libër mund të krahasohet me kryeveprat që Prusti krijoi, por se ashtu si ai, Shefiku ka arritur të përdorë një stil e teknikë fare të thjeshtë. Aq të thjeshtë, sa të duket se e shkruan romanin për nivelin e gjimnazistëve.

Por nuk ka pse të habitemi: edhe vetë i madhi Kadare, ka disa romane ku thjeshtësia mbisundon nga fillimi në fund. Ajo që të rrëmben në të tilla raste është vetë ngjarja. Ajo vjen e plotë dhe bindëse. Surprizat vinë si rezultat i disa koinçidencave. Dhe ato autori i ka sjellë natyrshëm. Nuk gjen në asnjë kapitull sajesa artificiale. Gati beson se personazhet janë tërësisht realë. Dhe historitë e tyre gjithashtu. E ndjek me vëmendje fatin e tyre në jetë. Të dhimbset vdekja aksidentale e Benit, juristit që pasi i kishte vdekur e shoqja qysh gjatë lindjes në Vlorë, qe dashuruar me Rozën maturante në Kavajë ku punonte. Roza, duke i besuar dashurisë së tij, kishte mbetur shtatzënë, por lloj - lloj mëdyshjesh e mundojnë: ta mbajë apo ta braktisë fëmijën e saj. Dhe del në plan të parë mentaliteti që mbisundonte në atë qytet.

Frika nga thashethemet, humbja e perspektivës; duke mbetur e pamartuar, e detyrojnë vajzën e mirë të gabojë rëndë. Realisht është diçka makabre që një nënë ta fusë në një kanistër fëmijën e saj dhe ta lerë pranë koshit të plehrave. Ka dodhur kështu në mitologji. Fjala vjen, ngaqë Hekuba shtatzënë kishte parë një ëndërr, sikur mbante në gjirin e saj një urë zjarri që do digjte pallatin e qytetin, e dërguan djalin e porsa lindur Paridin në malin Ida që ta hanin kafshët, por ai shpëtoi apo nimfa Tiroja që lindi Peliun dhe Neleun fshehurazi me Poseidonin, nga frika, i hodhi foshnjat që më pas i shpëtuan barinjtë. Ama ka ndodhur kështu në imagjinatën e të lashtëve.

Sot është e papranueshme, kjo sjellje diabolike. Por Roza e shkretë e la fëmijën, me varësen e floririt me emrin Sara (Princeshë) dhe përgjoi se kush do ta merrte. Ajo ishte mes dilemës së madhe. Si do vejë fati i saj? Se njeriu i ka të dyja anët. Ajo e vuan veprimin e saj. Agata Kristi duke folur për dashurinë nënë - fëmijë ka thënë se “Dashuria e nënës për fëmijët është sikur asgjë tjetër në botë”. Dhe shpejt Roza e kupton peshën e fajit dhe reagon.

Vitet ikin, ajo kryen studimet, bëhet mësuese, martohet me një mjek përparimtar, Gentin i cili jo vetëm kishte qenë shok i juristit fatkeq, por dhe nuk ka paragjykime, ama mendjen atje e ka, te Sara. Kjo është lufta e brëndshme e saj, të cilën e zbërthen autori i romanit. Situatat sa vinë e bëhen më premtuese; Sara gjashtë vjeçare, mjaft e zgjuar, me nënën adoptuese shkon të regjistrohet në klasën e parë. Por atje e pret nëna - biologjike mësuese, Roza. Krijohet ai afiniteti i pritshëm, i fortë dhe drithërues. Nxënësja - bijë dhe mësuesja - nënë takohen shpesh e bisedojnë gjatë, më së shumti me nëntekste. Gjersa puna shkon te njohja me një vajzë studente mjekësie nga Vlora, shoqe dhome me Sarën e cila rezulton se është vajza jetime e Benit që e kanë rritur gjyshët e saj. Për rrjedhojë, dy vajzat janë motra. Këto mund të gjasin vetëm te Shekspiri.

Kjo i lumturoi të gjithë, deri gjyshët e vlonjates Stela. Nga ana e saj, gjithmonë në funksion të shlyerjes së gabimit të dikurshëm, Roza që i kishte dhënë tani aq dashuri së bijës, i thotë asaj: “Dëshira dhe kërkesa ime e vazhdueshme është që prindërit të cilët të kanë rritur t`i duash aq sa mua, nënën tënde biologjike”. Në libër ka më shumë se dy surpriza, deri dhe improvizimi i një fotoje të Rozit, nga e bija, me të dashurin e saj të dikurshëm, babanë e saj Benin, që ja bën dhuratë për ditëlindje. Pra, jeta vazhdon. Këtu, autori i ka dhënë fund kësaj historie që lexuesit e ka lënë gjatë gjithë kohës kureshtar.

Dhe kushdo do ishte i një mendimi me mua se histori të tilla, duhej të ktheheshin në skenarë dhe mbi bazën e tyre të realizoheshin filma. Megjithatë ka vend edhe për ndonjë vrejtje. Kështu, krijohet përshtypje se nga ana e autorit ka pasur një farë ngutjeje. Gjuha e përdorur shpesh duket disi naive dhe jo letrarisht e arrirë. Ka shumë përsëritje të të njëjtës fjalë brënda një fraze. Rrugës së narracionit ndonjë personazh “humbet”, si p.sh. në faqen 132 pasi Rozi i kërkon falje të bijës për momentin e braktisjes, kalohet papritur te biseda e vajzës me nënën birësuese. Ose, kur vajzat mësojnë se janë motra nga babai, bashkëshorti i Rozit, njeriu i mirë doktor Genti nuk merr pjesë në këtë gëzim edhe pse e dëshëronte prej kohe këtë. Ndjenjave të trazuara të personazheve u duhej kushtuar më shumë vend dhe vëmendje, se shpesh ndodhemi para zhvillimeve skeletore. Pavarsisht këtyre mendimeve të mia, mendoj se del qartë pendimi i Rozit dhe kthimi te shprehja e J. H. Pestalozzit se “Nëna është personi i vetëm në botë i cili të do para se të të shohë”.

Durrës

tetor 2020

9 views

Shkrimet e fundit