top of page

NJË RILINDAS I KOHËS SONË



(Impresione nga disa tregime të shkrimtarit, Prof. Dr. Fatmir Terziut, „Mjeshtër i Madh“; „Gjergj Kastrioti Skënderbeu“.)


Shkruar nga Kozma Gjergji


"A di vërtet dikush se si të dashurojë plotësisht një grua? ", është titulli dhe pyetja e krijesës letrare më të fundit të shkrimtarit të talentuar dhe studiuesit erudit Fatmir Terziu. Një pyetje kjo, mbase e përjetshme, që nga mitologjia. Po përse? Ndoshta se mashkulloria ende s'ka arritur të deshifroje sa duhet gjithato mistere dhe enigma të larmishme e të pafundme të femërores. Megjithë përparimin, nëse njohja do kishte qenë më e mirë, me siguri do ishin shumë më të pakta dhe dramat e tragjeditë që s'janë të rralla deri në marrjen e jetës. Prandaj autori tërheq vëmendje që kur të hysh në një marrdhënie "Duhet të jesh i përgatitur t'i bësh ballë stuhisë… të dish të dëgjosh… të ushqesh, përqafosh dhe kuptosh për ta lënë të shkojë… "


Çinari si skenë e një festivali teatrosh


Ndërsa përpiqem t'i përgjigjem kësaj pyetjeje sa të thjeshtë aq dhe të vështirë, ashtu siç e kuptoj unë, më ndërmenden tregimet e tjera të Fatmirit të publikuar së fundmi te "Fjala e lirë", siç janë, le t'i quajmë "Tregimet e Çinarit", si "Ngërç","Rrjedha në Çinar","Koci i xha Nuros", "Zgrip", "Autofobia"etj. Të gjithë kanë të përbashkët Çinarin, që shërben veç si skenë e një festivali teatrosh, në të cilën shpalosen me gjuhë të pasur poetike e të lartësuar aspekte e dukuri nga më të ndryshmet e jetës. Në emër të dashurisë e progresit aty pleksen, dialogojnë e ndeshen e kaluara dhe e sotmja, tradicionalja dhe e reja, konservatorja e modernia, vlera e antivlera.

Përmes një simbolike domethënëse dhe karaktereve të spikatur-bartës të mënçurisë e sakrificës njerëzore, autori i kundërvihet rrënimit apo zhdukjes së disa vlerave që dikur i kanë formësuar njerëzit të jenë më fortë të lidhur dhe duan njëri-tjetrin, vendlindjen, qytetin, atdheun.


Rrëfimi dramatik dhe lirika e mendimit


I tillë është tregimi "Koci i xha Nuros", që bën fjalë pikërisht për këtë. Ja më konkretisht: Në Çinar emri i gurit dhe burrit (Koci i xha Nuros) janë bërë një, janë e shkuara…. Dhe "… e ku ka më si Koci xha Nuros?! Eh kur ishte ai, gurët këndonin, drurët e lisave të mëdhej bëheshin kor e ison e përcillte hapsira e madhe e kaltër e ndarë në dy dete atje mënjanë. "

Tani atje vijnë plot të huaj: "Dhe Çinari si Çinar tund e shkund vetveten deri në rrënjë e damarë, duka shtuar pazëshmërinë e tij të zhurmshme, eh sa të huaj kam parë… që kur ai Koci i xha Nuros ishte gjallë. Eh, oh, oh… Edhe koc, edhe tul, edhe muskul, edhe… i fortë, sikurse nuk është sot…"



Në këtë linjë vijon dhe tregimi tjetër "Cigarishtja prej fatfuni"-e gdhëndur tek pllaka e varrit pranë emrit të të zotë. "Tymi i saj shpie diku në mjedis burrash… ", të cilët e kanë gati të shënjtë fjalën e dhënë, respektin dhe që në vështirësi bëjnë mrekulli.

Tjetër natyrë ka rrëfimi dramatik "Lutja e bardhë", ku do mjaftonte vetëm gjesti burrëror i burrit për bashkëshorten për të kuptuar forcën e jashtëzakonshme të dashurisë dhe gjithë jetën e tyre të mbushur me dritën e saj dhe vuajtjet e mëdha nga regjimi i kohës.

Si një poezi lirike e mrekullueshme vjen tregimi "Karakafte".Prozatori e ka përshkruar me mjaft dashuri, ashtu si Nami "Manushaqen". Ndoshta dhe ngase është lulja tipike elbasanase. Dhe e ka legjendarizuar me dashurinë e Pashait me vajzën nga vendi, i cili i dha edhe emrin kësaj lule që fitoi aftësinë të jetë lajmëtare e hyjnive të pranverës dhe mbi atë të shkruhen e lexohen fate.


Konkluzion


Në këto tregime dhe të tjerë që kulmojnë me romanet e suksesshëm, proza terziane dallohet për stilin e latuar e krejt origjinal, për qasjen tejet moderne, shtjellimin e mënyrat shprehëse të veçanta, për simbolikën e figurshmërinë e gjuhës, shumësinë e kumteve dhe rrezatimit estetikë që i përçon lexuesit. Fatmir Terziu është krijues i niveleve sipërore edhe në lëvrimin e poezisë e të shqipërimit, është ndër kritikët më të spikatur të artit, etnolog, studiues i historisë, folklorit e traditave më të çmuara të popullit. Kontributet e jashtëzakonshme dhe angazhimi i gjithanshëm e kanë lartësuar në sytë e të gjithëve si një Rilindas të Madh të kohës sonë.

3 comentários


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
09 de mar. de 2022

Miqtë e mi të nderuar Prof. dr. Eshref Ymeri dhe poeti e shkrimtari Myslim Maska ju falenderoj me mirënjohje për gjykimet me mjaft profesionalizëm rreth shkrimit tim modest. Kam dhënë thjesht disa nga mbresat e përftuara më tepër si lexues, ndërsa të gjitha meritat iu përkasin veçse tregimeve.

Siç dihet për krijimtarinë tejet cilësore e shumë dimensionale të Prof. dr. Fatmir Terziut kanë shprehur me plotë entuziazëm vlerësimet më të larta personalitete nga më të shquarit të letrave shqipe, përfshirë edhe juve. Analizat, studimet, përsiatjet, esetë e tyre janë një ndihmesë e madhe vanërisht për studentët e letërsisë e arteve dhe krijuesit e studiuesit e rinjë. Do ishte gjë mjaft e mirë dhe e dobishme sikur të përzgjidheshin e pë…

Curtir

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
07 de mar. de 2022

I dashur Kozma,

Ju përshëndes shumë përzemërsisht për vlerësimin e Prof.dr. Fatmir Terziut, Mjeshtër i Madh, si një Rilindas i kohës sonë, i cili ka një Emër të Madh në Kulturën Mbarëkombëtare me krijimtarinë e tij mjaft të pasur artistike. Përveç kësaj, Profesor Fatmiri sot është një personalitet i shquar i mbarë kombit shqiptar dhe përfaqësuesi i tij mjaft dinjitoz në Perëndimin evropian.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 07 mars 2022

Curtir

mich.maska
07 de mar. de 2022

Urime te perzemerta Z.Gjergji, poeti dhe shkrimtari i talentuar, per analizen realiste

, te thelle, shkencore te krijimtarise se mrekullueshme te Prof.dr. Fatmir Terziut, te cilen e kam lexuar.

Urime Z. Terziu dhe suksese te tjera.

Me shume respekt: Myslim Maska, Athine.

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page