top of page

Një prurje mjaft e rrëndësishme voluminoze për historinë e arsimit shqip


Ragip Kçiku

Një prurje mjaft e rrëndësishme voluminoze për historinë e arsimit shqip


Fatmir Terziu


Historia e Arsimit Shqip“ në tre vëllime ka nisur si një përkushtim dhe detyrim shpirtëror i Ragip Kçikut. Ka qenë pikërisht ideja e tij të vizitojë Shkollën e Parë Normale të Elbasanit, për të shkuar më tej tek dedikimi dhe frymëzimi. Në fakt frymëzimi ka qenë më herët në derën e tij patriotike, teksa shikonte frymën që përcillte mbarë Kombit filizi i arsimit shqip, ajo derë elbasanase që prodhoi normalistët e parë të Gjuhës Shqipe. Dhe kështu pas shumë vitesh letra dhe lapsi u bënë një. Një dhe me shqetësimet e para me sy, me të gjithë atë që duhej mbledhur, me të gjitha që duheshin hedhur në libra për brezat. Dhe ja nisi. Nisi si një projekt që solli veprën e parë. Tek e para u shënuan si fillesë tre paraardhësit e alfabetit të gjuhës shqipe, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, që u zhbirruan nëpër gjetjet dhe shënimet e Koliqit dhe Hamitit, po ashtu Ismailit, Rizës, Zamputit, Rexhepagiqit, Malcolmit, Rrotës, Krajës etj. Më tej, Theodor Haxhi Filipi, natyrisht, Shqiptari i vetëm nga Akademia e Re e Voskopojës, vjen me një gjerësi mendimesh dhe gjetjesh, duke e bërë këtë vëllim mjaft interesant. Naum Panajot Brredhi (Veqilharxhi) (1797 – 1846) është emri i autorit të parë i metodës së gjuhës shqipe për shqiptarët, dhe kështu nuk mbetet më pak i lexueshëm në këtë vëllim të autorit.

Duke shënuar se me „Me veprën e tij, ”Ëvetari" (Abetarja), mendimi pedagogjik shqiptar fiton tri tipare themelore“, ajo që vlen për tu shënuar është se pas kësaj ky mendim ngrihet në një platformë përparimtare iluministe, dhe përrfshihet krahas rrymave të tjera evropiane. Autori i këtij vëllimi ndalet duke shënuar e zgjeruar ato që tashmë dihen për tematika të tilla si „Abetarja e parë - Rilindësi nga Kalabria dhe shkrimtari i dy dialekteve“ dhe për figura të shquara si Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Jeronim de Rada, Vëllezërit Frashëri e sidomos për figurat e ndritura kombëtare Naim Frashëri dhe Sami Frashëri. Autori ndalet dhe zgjeron mendimin për tre prijetarët e jugut për shkollën shqipe dhe Nuçi Naçin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin apo edhe Petro Nini Luarasin.

Në gjerësinë e mendimit të autorit vijnë në sytë e lexuesit dhe dy emigrantë nga Korça - apostuj të arsimit shqip, Nikolla Naço dhe Nuçi Naçi. Në këtë kontekst zgjerohet frymëmarja ideore tek Familja Qiriazi, Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Kristo Qiriazi, Sevasti Qiriazi, Parashqevi Qiriazi. Në një sfond të rëndësishëm vendoset dhe Kristo Dako, një patriot dhe intelektual i madh i Rilindjes kombëtare dhe i kulturës shqiptare i cili natyrshëm iu bashkua famljes së madhe dhe patriotike Qiriazi.

Pastaj gjeografia e shkrimeve shkon nga veriu tek tre martirët e arsimit shqip, ku ndalesa është edhe tek figurat ndritura si Hasan Prishina, Luigj Gurakuqi, Shtjefën Gjeqovi, Rexhep Mitrovica, Harri T. Fullc, Fadil Hoxha e më pas deri tek Idriz Ajeti. Pikërisht në këtë pikë del dhe mer formën më të gjerë diskursi i të veçantës së këtij libri. Dhe të veçantat vijnë nga leximi tek Nikolla Naço, Nuçi Naço, Harry T. Fullc, Rexhep Mitrovica, Fadil Hoxha dhe Fadil Sulejmani. Këto të veçanta na japin formën e plotësuar të vetë diskursit.

Në këtë vëllim si një qasje e tërsishme e formës didakte, humane dhe shoqërore, diskursi përshkruan një mënyrë formale të të menduarit që mund të shprehet përmes gjuhës që trajton vetë narrativi, teksti i përcjellur tek lexuesi, të cilin autori e përdor në formën e tij më të ndjeshme dhe adekuate. Diskursi në këtë situatë mbetet dhe një kufi shoqëror që përcakton se çfarë deklaratash mund të thuhen për këtë temë, si përshembull si mund të shihen dhe trajtohen ngjarjet, tipologjia e ngjarjeve të tilla si Kuvendi i Arbënit, Rilindja kombëtare shqiptare dhe Lidhja e Prizrenit, Kongresi l i Manastirit, Kongresi arsimor i Elbasanit 1910, Kongresi ll i Manastirit, Kongresi i drejtshkrimit i gjuhës shqipe apo edhe Komisia letrare e Shkodrës, Fillimet e politizimit gjuhësor, Zhvillimet në Kosovë, Ortografia e Prishtinës, Një komb një gjuhë letrare, Pjesëmarrja e Shqiptarëve të Kosovës deri tek Mosdurimi serb, tema këto që autori i katrajtuar në mënyrë mjaft interasante.

Në tërësinë e trajtesës mjaft të shtjelluar të autorit mbetet dhe shfaqja si një mënyrë ligjërimi, ku trajtesa e pjesës së tretë të vëllimit trajton shkollat dhe universitetet. Në këtë kontekst të kësaj forme diskursive termi përdoret për të dalluar një familje praktikash diskursive nga disa familje të tjera të praktikave diskursive, më së shumti nga argumenti, përshkrimi dhe rrëfimi, sikurse janë Akademia e Re e Voskopojës, Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës, Shkolla Normale e Elbasanit e që pasohen nga Shkollat Normale shqiptare, si dhe nga Themelimi i shkollës, Hapja e shkollës, Struktura, plani dhe karakteri i shkollës, Arritjet dhe perspektiva, Riçelja e Normales së Elbasanit, Shkolla Amerikane e Tiranës, Degët dhe klubet e shkollës, Struktura e shkollës dhe plan-programi mësimor, apo edhe nga forma të tjera diskursive si Vlerësimi i diturive të nxënësve, Biblioteka, Regjimi dhe edukimi nxënësve, Martirët e shkollës teknike amerikane e Tiranës.

Me ndihmën e mjaft miqve të tij, sikurse janë profesorët Bujar Kapllani dhe Teuta Toska, autori ka marë përsipër të shkojë më tej në atë që ai në formën hyrëse të vëllimit e quan „Me këto desha të them se historia e shkollës shqipe si edhe e ngjarjeve që lidhen me arsimin e gjuhës shqipe, sado që ka ende shumë për të thënë, ndoshta edhe për t’u zbuluar ndonjë gjë e panjohur deri tani, nuk është e palëruar. Janë të shkruara dhjetëra mijëra faqe përmes monografive shkollore, të mësuesve, martirëve të shkollës, e shumë të tjera forma të cilat në një formë apo drejtpërdrejt i referohen shkollës shqipe.“ Por sidoqoftë, e ngacmuar dhe e risjellë në një vëmendje diskursive tjetër, ajo përcjell dhe elemntë të tjerë që duan vëmendje sikurse janë dhe Katedra e Gjuhës Shqipe e Beogradit, apo dhe Katër shkollat normale të Kosovës: 1. Shkolla Normale “Sami Frashëri e Prishtinës 1; 2. Shkolla Normale “Gjon Nikollë Kazazi” e Gjakovës 1; 3. Shkolla Normale “Sezai Surroi” e Gjakovës 2 dhe 4. Shkolla Normale “Shqipe” e Prishtinës 2. në këtë diskurs mbetet në vëmendjen e autorit dhe Universiteti i Prishtinës (Kosovës), gjithashtu dhe Shtëpitë Shkolla, që trajtohen dhe tek Procesi mësimor nën okupimin racist dhe tek një qasje didakte tek Universiteti Shtetëror i Tetovës.

Ndërsa autori në vëllimin e parë me këtë formë diskursive trajton njerëzit, ngjarjet dhe shkollat, në vëllimet e tjera ai ndalet në dimensione më të gjera të zgjerimit të diskursit të veçorive për historinë e arsimit shqip. Prandaj autori thekson se „Janë shumë të arsyeshme si kundërshtitë ashtu dhe pajtimet për shkollën që mban këtë epitet. Shkolla e parë shqipe, kurdo dhe kudo qoftë ajo, diku do të jetë andaj nuk duhet të bëhen këto luftëra vetëm për kapriçio. Le të flasin argumentet, gjysmë argumentet madje edhe ndonjë premisë e mjegullt, dhe ne t´i pranojmë ashtu siç janë pavarësisht është shkolla e parë në Shqipërinë e tashme, Kosovë, Mal të Zi, Shkup, apo qoftë edhe jashtë Ballkanit.“.

E thënë më qartë të tre vëllimet e autorit janë ligjërim dhe shkëmbim verbal, bisedë e ndjeshme, diskutim, debat, bashkëbisedim, bisedë normative didaktike, dhe më tej një trajtim që flet për një arritje të rrëndësishme në këtë fushë. Pa lënë mënjanë vëllimin e dytë, më i rëndësishëm dhe më shtjelluar mbetet vëllimi i tretë i kësaj serie, ku tematika diskursive i takon shkollave dhe universiteteve. Në këtë vëllim, po ashtu dhe në vëllimin e dytë ndihen qartë gjashtë karakteristikat e një komuniteti të gjerë ligjërues, që i përket kësaj strukture të historisë së arsimit shqip. Autori natyrshëm ka përshkruar këto gjashtë karakteristika të komuniteteve të diskursit duke parë apriori qëllimet e përbashkëta publike; metodat e komunikimit midis tematikave dhe ngjarjeve; metodat e komunikimit me pjesëmarrje të njohur e të panjour; zhanret që përcaktojnë grupin me të cilin ndërtohen gjetjet dhe prurjet për lexuesit; një leksik i përshtashëm; dhe një standard njohurish të nevojshme për tërë vlerën dhe arritjet në kohë, hapësirë dhe vend.

227 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page