
Një prurje e domosdoshme dhe mjaft e duhur e Sokol Demakut për brezat në emigracion
Prof Dr Fatmir Terziu
Sokol Demaku ka grumbulluar vitet dhe ka shtrydhur shekujt për të na prurë neve dhe lexuesve të tij në Kosovë e në Böras të Suedisë një libër me mjaft vlera sikurse ka vetë titullin përcaktor „Skënderaj i Skënderbeut“ (Lena Graphic 2021). në këtë libër interesant me rrëfime, ese, skica lexuesi udhëton në mesin e një miti që ka udhëtuar me shpejtësi dhe zhdërvjelltësi nëpër kolanat e tematikës së ciklit të kreshnikëve, ku faktor themelor në përcaktimin e specifikës së fondit të vjetërsisë së asaj që përket me kreshnikët është roli që luajnë në to qeniet mitologjike. Kështu ndërsa fjala shkon tek Shpati, ku emetorja e lexueshme „…Shpati po ia zë dritën dikujt. Shumë kush ia ka lakmi, po besa, edhe zili“. (2021:8) rrëfen faktorin dhe faktorëzimin e një miti që përkon mes dëshirave të malësorit, ku ende kërkon forcë sikurse Muji, në kohën kur Zanat e konin me „tamël gjini“, e kjo në ndonjë variant me lëng luleshtrydhedhe në kohën kur edhe çobani keqot kthehet në një vigan kreshnik, ngre shkëmbinj një mijë okësh në sup, trend dheun ose dridh majat e bjeshkëve kur shkon e kur vikat. Ndaj dhe Demaku gjen se në „Në mes të tyre qëndrojnë si viganë tre gurë të mëdhenjë, tre gurë kolosalë, që sot nuk ka mundësi njeriu t`i lëvizë nga vendi, aq të mëdhenjë janë. Në Shpat është një legjendë për këta gurë. Një legjendë shumë e vjetër, ndoshta më e vjetër se vetë Shpati.“ (ibid).
Prandaj këtu Muji, jo thjesht si fiksim i rapsodëve popullorë, por si një figurë që ndërtohet dhe përkohet nga miti, zë vendin kryesor në Shpat dhe në rrëfimi për të tashmë zgjat. Zgjat të tregohet edhe sipas Demakut „Flitet se një ditë paskësh kaluar këtu pari karvani i Mujit e Halilit me 30 agot e Jutbinës dhe se qenkan vendosur në livadhet e Shpatit. Aty paskan qëndruar me ditë të tëra. Kanë ngrënë e kanë pirë kreshnikët e Jutbinës, por edhe kanë bërë qejf.“ (ibid) Në këtë zgjatje të mitit në formën e ardhur në ditët tona, kryeherronjtë si Muji e Halili formësojnë akoma më shumë atë që është ndjerë e transmetuar kulturologjikisht dhe folklorisht si portreti moral që përmbledh cilësitë e një heroi popullor. Sikurse dihet dhe sikurse lexohet edhe tek ky libër jeta e tij është një jetë aktive, e mbushur me ndërmarrje dhe gjeste luftarake, ku shpalosen vetitë e tij të larta morale dhe fizike. Kjo duket në atë që mësohet në mitet e ndeshjeve kundër krajlave, kapedanëve e karambashave të palës kundërshtare, ku spikat kudo shpirti heroik, mençuria, urtësia e mjaft të tjera.
Por ndonjëherë sikurse citon vetë Demaku „shpatjanët i shifnin si me zili ata të Lugjeve të Verdha.“ Dhe kjo kishte dhe ka ende arsyen e saj. Ka arsyen e saj se Muji është njëkohësisht një udhëheqës që gëzon besimin dhe nderimin e shokëve. Tridhjetë trimat e Jutbinës janë të fuqishëm dhe të papërmbajtur kur kanë midis tyre kryekreshnikun, si në rastin e mitit të urëve në Shpat. Ndaj për ta përforcuar këtë dhe atë që ka mbetur e duket të mbesë në Shpat bashkë me shqetësimin e autorit e fundmja e dikton se „Nuk ishte vetëm Zana, për të cilën flitej dhe tregohej në kohën e kreshnikëve, por këtu kemi të bëjmë edhe me shtrirjen e trojeve Ilire, që nga veriu e deri në Jug, pra deri në Junan apo në Greqinë e sotme. Eh, Junani ishte një vend ku shumë shpesh do e shkelte Muji me 300 Agallarët e tij në kohën e kreshnikëve. Pra ky territor, që sot është i banuar me kroatë, boshnjakë, shqiptarë dhe grekë, në kohën e kreshnikëve, konkretisht në kohën e lavdishme të Muji Bylykbashit dhe Sokol Halilit, paska qenë territor Ilir.“ (2021:15).
Kjo shkon përtej mitit dhe në ditët tona tek ajo që mban memorja nga rrëfenjat tek Mrizi i Zanave, ku Shpati natyrisht ka ende dihamën e forcën e vetë legjendave. Ashtu sikurse dihet se prania e zanave dhe e orëve dhe e ndonjë figure tjetër të besimit popullor ndihet kudo në atë që ka përcjell trashëgima gojore, edhe tek ky libër tingëllon kështu se „Është ky Shpati me të gjitha karakteristikat e tij, që ende mban gjallë fuqinë e Mujit dhe të bëmat e tij, mban gjallë fuqinë e zanave dhe shtojzavalleve, të cilat me përkushtim dhe ndjenjë mirësie kalërojnë dhe ndihmojnë jetën e shpatjanëve. Ato janë tek Mrizi i Zanave, aty ku kalojnë kohën më të madhe të ditës fëmijët dhe të rinjtë shpatjanë.“
Kështu, këto qenie fantastike nuk veprojne nga ndonjë plan hyjnor, përkundrazi, ato qëndrojnë e rrojnë në një botë të përbashkët me herronjtë në Shpat, bëjnë së bashku me ta një jetë aktive tokësore, duke njohur gjithë ndjenjat intime të njeriut, dashurinë, kujdesin, sedrën, fyerjen, zemërimin. Për këtë Sokol Demaku përmbyll tek ndalesa e fundit e së dytës së shkimeve të tij se „këtu, Zanat bënë atë më të mirën për këta njerëz, me shpresë se edhe nesër do të jetë mirë.“ (2021: 19).

Në këtë rrjedhë përfshihet edhe toponimia e kësaj treve, ku fjalët shkojnë bashkë me legjendat, emërtimet përkojnë me mitet dhe vetë rrjedhat e jetës. Në to është fjala që emeton gjeografikisht dhe rrjedha e vetë jetës që përkon me atë që mabhet mend se ka ndodhur historikisht. Kështu është me vendin e quajtur „Kodra e Thatë“, ku pushtohet vetëm nga gurë e guriçka dhe ndjen thatësinë, madje të asaj që ka provuar edhe këmbën e një pushtuesi të hershëm dhe atë turk që gjeti vendndodhje pushtuese aty. Aty janë bërë bashkë trimëria, vendosmëria dhe bashkimi, si një shkas është dhe „Shpatjanët dhe ata të Kodrës së Thatë për t'i bërë ballë rrezikut nga mysafiri i paftuar, lanë më një anë grindjet e vjetra, kjo ishte me rëndësi dhe jetike për këta banorë“. (2021: 24).
Në këtë libër „Fusha e Drenicës“, kjo fushë që shtrihet mes dy maleve të larta në lindje të Çyçavicës, prej nga, si në pëllembë të dorës, dhe që sheh trojet arbërore deri në kufijët e vllehëve dhe bullgarëve e, në jug ku është mali krenar Kosmaçi legjendar, që të jep shikim deri në Malësi, por edhe në pjesët më të skajshme të Arbërisë, ka një përshkrim të bukur nga autori. Në anën tjetër autori kërkon të na japë më shumë arsye të kuptojmë se pse „Edhe hëna natën djegë këtu çdo gjë“, apo edhe pse „Edhe krojet duhen tharë“, pse tek „Rrrapi i vjetër - Lisat Binakë“ ishte „Vendi ku grykasit dhe shumë banorë të fshatrave fqinjë ndiheshin të sigurt ishte vendi ku ndodheshin Lisat Binakë. Madje, mendohej se ai vend përreth tyre, kishte një forcë magjike, që i mbronte banorët e atyre anëve nga të ligat dhe të këqijat që atyre mund t`u vinin në jetë.“
Autori ndalet me imtësi edhe në detaje të tjera të Shpatit tek „Fusha e Mëllenjave“; „Taborri i Sulltanit në Vendin e Shenjtë“, „Hakmarrja“, „Tradita vëllavrasëse për pushtet“, „Një Tyrbe për Muratin“, „Marshimi kolonial turk në Ballkan“, „Rrugëtimi i Gjergj Kastriotit në trojet arbërore“. Tek kjo e fundit mësojmë se „Pas një qëndrimi një javorë në trojet e Kosovës, Gjergji me 300 ushtarë shqiptarë merr rrugën nga Bjeshkët e Berishës për në Dibër.“ Dhe aty „Sikur edhe në Skënderaj, që kishte mbajtur bisedë më banorët e atjeshëm, por edhe me krerët e vendit, edhe në Dibër me të arritur Skënderbeu ishin mbledhur krerët e këtyre trojeve në një Kuvend së bashku me Gjergjin“ (2021: 98).
Autori na ka prurë mjaft forma të hershme të organizimit shoqëror, me ritregimin e ngjarjeve të periudhës së kapërcimit nga shoqëria fisnore në rendin feudal. Tiparet e lashta, tiparet e shoqërisë fisnore ndjehen edhe në Shpat, ashtu sikurse dhe mitet dhe aluzionet e tjera për luftëra e dhimbje të hershme. Sidoqoftë në subjektet e tyre të thelluara në mite e legjenda të Shpatit, forca e hershme ravijëzohet të sjellë në formën më të mirë diskursive atë që është trashëguar nga trdita artistike mesjetare, si jehonë e ballafaqimit luftarak të botës shqiptare me botën sllave, jehonën e kontradiktave të ndryshme dhe të luftrave që zhvilloheshin midis popullsisë vendase malore dhe sundimtarëve që natyrshëm paraqesin egon e një ane qytetare. Sokol Demaku ka shkruar thjesht, ka mbledhur bukur dhe ka dëshmuar se është në gjendje me penën e tij që të prodhojë akoma më shumë njohuri për brezat që rriten në emigracion, e për ata që tashmë e kanë mjaft të domosdoshme të ndjejnë krenarinë e dikurshme të Shpatit që prodhoi Mujin dhe Halilin e mjaft mite të tjera.
Urime shkrimtarit Dardanas Sokol, pershendetje edhe autorit te ketij shkrimi kaq te bukur e te arire. Libra te tille pasurojne kulturen tone historike dhe letrare. Urime!