top of page

NJË PROFIL POETIK BEFASUES



Kur përmendet rastësisht fjala “poet”, mendja të shkon së pari, për një qenie disi hyjnore, të dalë nga sfera të larta njerëzore. Por është krejt e kundërta. Poeti vjen nga thellësitë tokësore, nga balta pjellore e fushës dhe maleve të thepisur, ku jeta e vështirë, krijon njeriun e vuajtjes fizike e shpirtërore, të ardhur mbi tokë, për të sjellë frymën e protestës ndaj së keqes dhe për t’i kënduar dashurisë, për jetën dhe njerëzit e vërtetë me anë të sinqeritetit poetik.

Poetët e mëdhenj që njeh arti botëror i letërsisë, kanë ardhur pikërisht nga zonat e komuniteteve të punëve të rënda. Poeti i madh Amerikan, Walt Whitman, lindi në shtresat e ulëta shoqërore në West Hill të NjyYorkut. Robert Bërnsin e nxori balta e fermës fshatare në Allovey të Skocisë së largët dhe Eseninin e vargjeve të ëmbla lirike, e lindi nëna fshatare, në izbën e fshatit Konstantinovo të Rusisë.

Po ashtu Eseninin shqiptar të Myzeqesë, Hamit Greca, e nxori balta e ëmbël e Darsisë lushnjare. Ai përjetoi heshtjen e ujit të kulluar të një gurre të thellë, që shpërtheu habitshëm në moshë madhore. Dikush mund të habitet me këtë emër të panjohur, që nxori nga shtypi vetëm para pak kohësh, librin voluminoz me poezi lirike: “ Darsia me sytë e mi”. Por po të lexosh atë libër dhe ketë libër të dytë, të titulluar: “Ditë vere në Darsi”, atëherë do të bindesh se ke të bësh, pikërisht me një Esenin shqiptar, të shfaqur vonë në lirikën e mirëfilltë bashkëkohore, duke sjellë në dritë risinë e tij origjinale:

Thonë tek ti banonin zotat,/Nëpër lisa flinin zanat,/Bashkë me zotat dhe darsiotët,/Këngë ninullash këndonin nënat.”

Në lirikat e poetit të talentuar Hamit Greca, nën breshërimat e tetërrokëshit të tij të rimuar ACBD, ndjehet aroma e tokës myzeqare, fëshfërima e barit pranveror, flladi i ngrohtë i erës fushore, ligjërimet e bilbilave të ëmbël të Darsisë, zukatjet e gjinkallave të vapës nëpër drurë dhe aroma e bukës së djersitur, që kanë nxjerrë nënat duararta nga saçi.

“Unë e dua zërin tënd,/Ai zë, më rrëqeth,/Brenda meje ka zënë vend,/Bashkë me zemrën, loz e bredh./O, sa mirë, që të njoha,/Po ti ende, s’po më sheh!/Serish dorën mbi flokë ta shkova,/Oh!... sa keq, që ti s’më njeh!...

Në këtë përmbledhje të re poetike dhe në botimin e mëparshëm, poeti i talentuar Hamit Greca, derdh një ujëvarë shpirti të përmalluar, me një dashuri gati hyjnore, për vendlindjen e tij, Darsinë, me një pasuri të jashtëzakonshme ndjenjash dhe përjetimesh, me një spontanitet dhe dendësi mesazhesh jetësore, ndërtuar mbi një figuracion të pasur dhe stilistikë poetike brilante. Poezitë e tij kanë një spiritualitet dhe transparencë jete të gjallë, ndjesi të thella, nga koha e djeshme dhe nga e sotmja njerëzore e atij komuniteti fshatar, në të cilin ka lindur dhe vegjeton vet poeti prej shume vitesh, me një aftësi njohëse për t’u admiruar.

“Erë Darsie, ai dhe’ mban,/E më fut thellë në mendime./

Ndihem mirë, kur pran e kam,/Kur ndjej aromën e tokës sime.”

Në të dy vëllimet e botuara, ndjehet rritja artistike e poetit, zgjerimi i konfigurimeve të tij poetike, pasurimi i figurave të personazheve lirike dhe zhdërvjelltësia e mesazheve për lexuesit. Kodifikimi dhe thjeshtëzimi i fjalës, bëhet si një çelës për zbardhjen e kohës së shkuar dhe të bashkëkohësve të sotëm, duke i dhënë përparësi tekstit dhe nëntekstit.

Poeti Greca ulet të shkruaj, jo se duhet shkruar për një temë të caktuar, siç bëjnë disa pa talent, por se nuk mund të mbajë brenda vetes, peshën e kujtesave, përjetimeve dhe emocionet e shumta, që i gëlojnë në shpirt.

“E ti zhytem pyllit tatëpjetë,/Shkojmë në mes të mrekullisë./

Tjetër pamje, tjetër jetë,/Larg tymnajës, papastërtisë./ Po na dukej vetja mbretër,/Kur preknim vidha e shkoza./Atë ditë ishim në botë tjetër,/Larg nga tymi, larg nga bloza.”

Duke i derdhur vargjet, me struktura ritmesh dhe trajtash poetike të gjetura, të freskëta e gjithë lëng jete, ndjen një parakalim trajtash, gjendje figurash dhe mesazhesh të ndërtuara me elegancë të natyrshme.

Heshtja flet, më shumë se fjala,/I thotë gojës, mos u rrëmbe!/Ajo ecën, në vija të bardha,/Gjithmonë me të mirën fle.”

Nga vëllim i parë në të dytin, lëvrin gjeografia e një hapësire të gjerë, nga fshatrat e Darsisë lushnjare, deri në brigjet e Greqisë, në Lagonisi, ku kanë emigruar njerëz të tij.

“Kodrat e tua, gjelbëruar,/Syt i mbajnë gjithmonë tek retë/Ullinj me kokrra renduar,/Vështrojnë dallgët përmbi det./Verë e nxehtë, rënkon plisi,/Për pak shi, i etur është dheu,/Por i lagur është Lagonisi,/Pa pushim e puth Egjeu...”

Me relieve dhimbjesh e plagësh nga e kaluara e “botës së vjetër” siç e quan poeti, e një brezi të keqtrajtuar e të persekutuar, deri në të sotmen, sa romantike e idilike, aq dhe dramatike, derdhen vargjet që zbardhin të vërtetat e hidhura .

“Të tjerëve jetën ua nxinin,/Edhe kur loti, u bëhej det./Kështu ndodhi me xha Qazimin,/Vellai i tij Isufi, e pagoi shtrenjtë./Brenda shtëpisë, të gjithë klithën,/Aty ishte dhe xha Qazimi,/E pa vëllanë, kur duart ia lidhën,/E më pas, erdhi burgimi.”

Poeti Greca, të deh e të entuziazmon, me dyzimet, kumtet dhe të vërtetat që përcjellin vargjet e tij lirik.

“Edhe gurët, zgjohen nga gjumi,/Kur shiu bie, për qejf të vet./Fryhet dhe vërshon lumi,/Dhe ëndrrat, t’i derdh në det./Në ëndërr, bredh nëpër shi,/E kam bërë, dhe herë të tjera./E bëj, kur më kujtohesh ti,/Se zemra, ka urdhra të prera.”

Qashtërsia dhe spontaniteti, të shoqëruar me një lirizëm të hollë dhe figuracion të ngjeshur, me epitete te shumta e të befasishme, janë tiparet më të qenësishme të artit poetik të poetit Hamit Greca:

Mbi këta drurë dielli ndalej,/Hëna vinte edhe falej,/Bilbilat aty banonin,/Gjatë gjithë natës ligjëronin. /Ishin katedralet e Darsisë, Ishin vendi i kurorës,/ Ishin shtrati i bukurisë,Dukej deti në pëllëmbë të dorës.”

Antiteza dhe kontrapunkti, mbajnë gjallë një arkitekturë poetike rrezatuese të një dendësie mesazhesh dhe emocionesh njerëzore. Guximi poetik për t’u shkuar deri në fund të vërtetave, të dëgjuara ose përjetuara, e bëjnë atë të ngjitet në majat e artit poetik, befasues për lexuesit që nuk e kanë njohur e lexuar, për shkak të heshtjes së tij të gjatë.

Loti më doli nga i shkreti sy,/Kur ula kokën, më ra mbi ty./Këtë beri dje, këtë bëri dhe sot,/Më ra mbi ballin tënd, si hëna e plotë./Kur loti ra mbi ballë, tha një fjalë:/O im zot, ngriva e thava,/Balli qenka akull, kurse unë valë!/E unë mendjen, sërish, s’e ndava.”

Atmosfera lirike, gati parajsore, me koloritin fantastik të bukurive të fshatrave të Darsisë, të lë me gojë hapur, me fuqinë përshkruese të penës së tij.

“Vederik, s’kam se ç’të them,/Ti je një mrekulli,/ Për darsiotët, je melhem,/Faleminderit që je në Darsi!.../Sa herë tek ti zhytem,/Më i lumturi i botës jam,/Me pështymën time mbytem,/Të gjithë botën para syve kam.”

Të mahnit gjetja artistike, për të na dhenë degradimin dhe shkatërrimin ekonomik të bujkut myzeqar, nga dje te parmenda, deri sot te emigrimi i tij:

Njëqind vjet me mëngë të shqyer/Dhe pse flije përmbi ar,/Të kanë thithur, të kanë gërryer,/Dhe sërish je hyzmeqar./... Qetë në rrugë t’i la zetori,/Ndaj i çove në thertore,/Po më thellë t’u ngul plori,/Me këmbë rrugët e botës more.”

Bukuria e femrës myzeqare, merr ngjyrime dhe konfigurime, që të nguliten në mendje, me këto vargje perlë:

Dymbëdhjetë sy, rrinë te sytë e tu./Erdhe e bukur, si një pranverë,/Me atë shpirt engjëllor,/Erdhe si manushaqe plot me erë,/Zoti të kish rregulluar me dorë.”

Të dy librat e botuar brenda pak muajsh, prezantojnë plotësisht profilin befasues të këtij poeti, që e ftojnë lexuesin të shijojë magjinë e vërteta të artit të tij poetik.

Vullnet Mato – shkrimtar, “Personalitet i Shquar”

40 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page