top of page

Një prej dhije, dy prej vije.


Sefulla Kata


Një prej dhije, dy prej vije.

(Dialog pensionistësh)


Më tha ime shoqe:

⁃ Burro, qumështi vajti dyqind lekë.

⁃ Lajm i mirë, - i thashë.

⁃ U çmende? - ma priti.

⁃ Jo, - i thashë. Po kam një zgjidhje që lajmin tënd të keq e kthen në të mirë.

⁃ E cila na qenka kjo zgjidhje? - më pyeti e habitur.

⁃ Po ja, - i thashë. Blejme një shishe qumësht. Blejmë edhe një shishe ujë. Dhe tani llogaria: 200 lekë qumështi + 60 lekë uji = 260 lekë.

⁃ Nuk po kuptoj asgjë, - këmbënguli ime shoqe.

⁃ Prit, - i thashë. Tani vjen zgjidhja. Përziejmë qumështin dhe ujin në një enë trelitërshe. Na krijohet një masë e bardhë që i ngjan qumështit. ( E bënim gjithmonë këtë gjë në kohën e kooperativave).

⁃ Po pastaj? - vijoi kureshtare, ime shoqe.

⁃ Tani, i mbushim të dyja shishet me lëngun e bardhë. Rivendosim tapat dhe kemi përfundimisht dy shishe qumësht me vlerë 130 lekë secila.

⁃ E kuptove? - e pyeta bashkëvuajtësen time.

⁃ Je i krisur, - m’u përgjigj dhe më ktheu shpinën.

⁃ Nuk jam i krisur, por jam njeri praktik dhe kryefamiljar i mirë. Në vend që ta blej qumështin me 200 lekë, e blej me 130 lekë. Me lekët që teprojnë blej 100 gram djathë.

⁃ Më duket se lajthiti, - mërmëriti nga dhoma tjetër pensionistja ime e shtrenjtë.

⁃ Nuk kam lajthitur unë, e dashur. Kanë lajthitur çmimet bashkë me qeverinë, - iu përgjigja.



29 views4 comments

4 comentarios


Ka një prekje të gjithëgjendjes filozofike që shtjellon thelbi ku humori shkon në pikëtakimin thelbësor të mesazhit logjik.

Mjaft fine pena juaj!

Mu kujtua bariu i Tropojës në kohë tjetër kur shkuan për ta bërë Hero të Punës Socialiste

Me gusta
katasefulla
08 ago 2022
Contestando a

Ju falenderoj shumë për vleresimin dhe faktin që i botoni shkrimet e mia, i nderuar profesor Terziu. Ju jam vërtet shumë mirënjohës. Edhe unë i kam lexuar të gjitha shkrimet tuaja dhe më kanë prekur shumë jo vetëm tematika e tyre shumë e larmishme, por edhe stili juaj i të shkruarit krejt i veçantë.

Edhe njëherë faleminderit që na mirëprisni mua dhe gjithë të tjerët, ndërkohë që sot bëhet gjthmonë e më e vështirë të hapin derën ku troket.

Me shumë respekt për ju,

Sefullai

Me gusta

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
08 ago 2022

Ore zoti Sefulla,

Ju vërtet jeni një tregimtar mjaft i talentuar. Në tregimet tuaja në faqet e këtij Portali shumë të nderuar bien në sy veçanërisht notat e theksuara të humorit. Por kujdes, ose zotëri, mos e teproni me humorin tuaj. Sepse kur unë me time shoqe lexuam këtë tregim, s’i mbajtëm dot lotët së qeshuri. Ime shoqe edhe u përmbajt, kurse mua gati po më pëlcisnin ijet nga të qeshurit. Ime shoqe u shqetësua se mos po më pushonte zemra. Prandaj, herë tjetër, ju lutem, tregohuni më i kujdesshëm me humorin tuaj se më rrezikoni jetën.

Ju uroj shëndet dhe mbarësi dhe presim tregimin e radhës, por kujdes!

Eshref Ymeri

Kaliforni, 07 gusht 2022

Me gusta
katasefulla
08 ago 2022
Contestando a

I nderuar profesor Eshrefi,

ju falenderoj përzemërsisht që i lexoni dhe i vlerësoni shkrimet e mia. Kjo për mua do të thotë shumë. E ndjera nëna ime, kur kur shihte televizor dhe dëgjonte gjëra që nuk i beson as bufi, thoste: “Po këta e bëjnë edhe edhin (kecin) të qeshë me gënjeshtrat që thonë, mor bir!” Tani, duke dëgjuar e parë se çfarë i kanë bërë e po i bëjnë këtij vendi, edhe unë e besoj se mund të qeshë keci.

Ndërkohë, nuk mund t’ju premtoj se herën tjetër do të gajaseni më pak. Thjesht merrni masa që të minimizoni dëmin!

Ju përqafoj me shumë mall.

Sefullai


Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page