top of page

NJË PORTRET NGA DUKATI


NJË PORTRET NGA DUKATI

A. Y


Mbaj mënd veç ninullat e nënës

Por jo tim At', më la kërthi

Mbi djepin tim, trishtim i hënës

Pikonte lotët brenda këngës

Dhe s’gjeta prehje kurrsesi

Më grish nga larg portret i tij


Duart e ashpra nëpër flokë

M’i shkonte shpesh? S’e di, o nënë!

Kur ecja zvarrë, kur ishim tok

Më mbante pranë, si djalë e shok

M’i puthte sytë, dhe çfarë ka thënë?

Por nëna dhimbjen mban ndër dhëmbë!


Si dorë e zgjatur mbi dritare

Trokiste lehtë një degë ulliri

Humbiste hëna përgjimtare

Dhe shfaqej prapë si lozonjare

Unë ende pres, dhe ndjej tek gjiri

Një zjarr që djeg, një mall prej biri


E zgjedh një shkëmb të sertë Dukati

T'a lë ashtu, apo t’a gdhend?

Dhe befas më rrëmben inati

Tamam si lumë që del nga shtrati

Kërkoj me ngulm portretin tënd

Jam thinjur, brenga po më çmënd!


Më shkund nga gjumi i mërguar

Një zë i largët më rrëmben

Nga Llogaraja zbret harbuar

Një re me breshër e ngarkuar

-Je lodhur kot, dhe prapë s’e gjen

Është brenda teje, nuk e ndjen?




P.S: Sipas rrëfimit të Aredin Ymeraj

Llogara, Gusht 2016.

27 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page