top of page

Një poete që mbush suksesshëm vakuumin...


Një poete që mbush suksesshëm vakuumin e krijuar në fondin e letrave nga mungesa e poemave cilësore

LETËRSIA NDRYSHE NË POEZINË E EMMY KROSIT

Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Rudolf Marku - poeti i parë Laureat i Letërsise Shqipe:

“Në qoftë se ky ("Taedum Viate” (Koha tepricë e vetes) është libër poetik shkruar nga ti, atëhere të deklaroj si poeten më të madhe shqiptare, të të gjitha kohnave, dhe librin tënd si njërin ndër librat më të mirë poetik! Nëse është libri yt, duhet të mos konsiderohesh kritike dhe studjuese e letërsisë, por një Poeteshë që, herë pas here, shkruan, për hobi, dhe ndonjë studim mbi libra të veçantë”

 “Një traktat femëror”...Kjo ide përshkon vetëtimthi gjithë poemat e librit "Taedum Viate” (Koha tepricë e vetes) të poetes Emmy Krosi, botuar nga “Klubi i poezisë” Tiranë. Është një libër që të ngërthen e s’të lë pa i shkuar gjer në fund, kur sa nis dhe e lexon….Por që ta kuptosh mendimin e saj të thellë filozofik dhe ligjërimin e saj estetik, në vargje që përçojnë gjithë arsenalin njerëzor në të gjitha kohët, duhen lexuar e rilexuar poemat e saj, që vërtetë janë “kohë tepricë e vetvetes”…

Që në poemën e parë “Tani është kurrkundi, por ty Solomon”, konstatojmë se kemi të bëjmë me një letërsi ndryshe nga ajo e botuar dhe lëvruar gjer sot, nga poetë të ndryshëm.  Sepse referencën nga J. W. Von GOETHE : “Kontradikta midis pamundësisë së qënësishme dhe absolutes së saj”, poetja e shtjellon jo vetëm në vargje krejt ndyshe nga të publikuarat deri sot (në libra të botuar dhe në rrjetet sociale) por edhe nga konstrukti po krejt ndryshe. Sepse në njëzet nokturne ajo përçon në vargje: Hamurabin e saj; ditën; ujin; natën; zjarrin; motivin e (mos)parasë; mësime për jetën; tik-tok; unin e saj; tokën; frymën, dashurinë….

Dhe nëse në nokturnin e parë filozofon në vargje gjer edhe për: “sorrat që glasojnë/ Thinjat e Hamurabit”, në nokturnin e dytë (dita) shkruan edhe “për një kupë ujë që e ka lënë për macen/ Që pas xhamit i heton rrudhat e qafës/ qyshkur s’i ka numëruar të gjitha puthjet/ në sheshin e Republikës…”.



Qoftë edhe vetëm në këto vargje, gjithkush do të konstatonte një poete që tenton dhe arrin të shkrauj një letërsi ndryshe.

Sepse kjo poete, njëherazi dhe aset i çmuar i kritikës letrare (të munguar), jo vetëm që mbush suksesshëm vakuumin e krijuar në fondin e letrave nga mungesa e poemave cilësore, por i përmbahet bindshëm kritereve të analizuara e shtjelluara aq bukur në studimin e saj të thelluar “Poezia çeshtje shkrimi dhe leximi”. Sepse ajo e sendërton botën sipas veçantisë së saj…, veçanti kjo që një studjues i vëmëndhëm i poezisë së saj do ta dallonte qoftë dhe në vargjet: “….vetëm diell të (për)ndezuar/ kanë visoret e këtyre anëve/ ku ka forma pa forma/ ka udhë pa udhë/ ka vend pa mbrritje/ ka kohë pa kohë..” (nokturni i tretë, fq.11) si dhe në nokturnin e gjashtë (zjarri…zjarri), ku: “zjarri, - thotë Buda/ të pastron mëkatin,/se im atë, / oxhakun ndez dhe në verë…”.

A nuk është kjo një poezi ndryshe, e shkrueshme, e lexueshme, ku si poetshkruese ajo lë shenjën e vetë individualiste?! Dhe këtë e bën në një mënyrë krejt të veçantë të vështrimit të gjërave e fenomeneve, me një mënyrë krejt ndryshe të shprehive artistike.

Emmy Krosi e shfaq individualitetin e saj krijues në unin e saj “kur dikush i tha: - të puthsha mendjen” dhe ajo (poetja), “ditë të tëra zhbiroi errësirat e mendjes,/ në të gjitha kthinat e Unit të saj/ në të gjitha skutat ku ishte fshehut/ mandili i kujtimeve…”.




Emmy Krosi përçon mjeshtërisht me poezinë e saj dukuritë më delikate të ekzistencializmit kur: “…. Fryma…si hije e pabindur,/ në zonat erogjene seksuale,/ përflaket tejendanë perëndishëm/ me një rrëfenjë përmallimi…”(nokturni i katërmbëdhjetë, faqe. 22).

Poezia e Emmy Krosit është ndryshe edhe si reflektim i natyralizmit kur: “dashuria..zien gjakun ndër rremba/..si furi njerëzore…” dhe kur “si ujdhesë në shtratin e pendesës”  kur “fjalët, /gërmat dhe ashklat e puthjeve/ gëlltiten në terr/ sa herrë e thërret dashnore….”. Por mbi të gjitha ajo i qëndron me besnikëri strukturës organizative, rimës dhe metrikës.

Edhe poema "Taedum Viate” (Koha tepricë e vetes) është letërsi ndryshe sepse shkruhet në tetëmbjetë kohë, si edhe në kohën e tashme (esenca e dritës); kohën e tashme të pakryer (të klithmës) etj.  Gjejmë në këtë poemë vargje ku poetja  vë në simbolikë  perceptimet më empirike, kur: “futet e lëkurtë/me lulet e zjarrtë tek Adami..”, kur vështron “përballë ballkonit/ një shtyllë me njëmijë tela/ pa dritë të mjaftë/ dhe ashtu si murg grushton yjet…”; kur “bebja …ka filluar të belbëzojë/ dhe të ecë këmbadoras/..çdo gjë fut në gojë/ por telefonin lodër nuk e do/..do…vetëm një galaxy 12 X”…

Poezia e Emmy Krosit është vërtetë  “Një traktat femëror”/ I një dashurie mërgimtare/ Që ecën guximshëm/ Në udhën me trëndafila….”. Ajo është vërtetë “Një traktat femëror”/ Që lëkurën e zemrës e shqyen/ E bën rrugë,/ E bën dritë,/ e bën shtresë….”.

E TILLË SHTROJË ËSHTË E GJITHË POEZIA JOTE EMMY KROSI..

Po . “Ti je lulesë e dashurisë…./ dhe si e tillë “S’ke se çfarë dëshiron më shumë…/ Ti je lulesë e dashurisë…./Kur muzgjet zbresin/ Në tokat e lagunave të vesuara… / Sytë e tu janë sytë e dritës ….prej një fruti magjik/ sa zemra jote….”

Ti je vërtetë “Një traktat femëror”/ Se në avullin e frymës tënde/ Ti mbledh të gjitha blerimet…..

Ti je vërtetë “Një traktat femëror”/ Kur shkruan për kohën e (tej)shkruar/ Të përdhosjes së Republikës!!!

Ti je vërtetë “Një traktat femëror”/ Kur shkruan për Amerikën (Si mirënjohje për presidentin Klinton)..

Ti je vërtetë “Një traktat femëror”/ Kur shkruan për kohën e klithmës së Kosovës (Reflekse nga poezia e Ali Podrimjes….).

Mbi të gjitha  Ti je vetë poezia/ Që ka brenda tërë universin….

Poezia juaj  Emmy Kros, është letërsi ndryshe sepse siç vlerëson Rudolf Marku - poeti i parë Laureat i Letërsise Shqipe: “Në qoftë se ky ("Taedum Viate” (Koha tepricë e vetes) është libër poetik shkruar nga ti, atëhere të deklaroj si poeten më të madhe shqiptare, të të gjitha kohnave, dhe librin tënd si njërin ndër librat më të mirë poetik! Nëse është libri yt, duhet të mos konsiderohesh kritike dhe studjuese e letërsisë, por një Poeteshë që, herë pas here, shkruan, për hobi, dhe ndonjë studim mbi libra të veçantë”.  

51 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page