Një poete që kërkon vëmendjen e duhur


Lola Shehi

Një poete që kërkon vëmendjen e duhur

Fatmir Terziu


Poetja Lola Shehi njihet nga disa botime në zhanre të ndryshme. „Do ta deh Botën“ është njëkohësisht dhe një nga vëllimet e saj poetike, sikurse „Xhelozë jam“ dhe ashtu sikurse janë dhe librat e saj narrativë „Zonja misterioze“, „Me forcën e shpirtit“, e disa projekte të saj në poezi e zhanre të tjera narrative. Kështu ajo gradualisht ka zënë një emër në krijimtarinë e mjaft emrave të shumtë lushnjarë, që natyrshëm mund të cilësohen si një shkollë tipologjike në gjeografinë e tyre. Por, për të qenë më afër asaj që e bën këtë emër më të ndjeshëm, ne do të ndalemi tek disa nga poezitë e saj më të fundit që përbëjnë vëllimin e saj poetik „Mos harro të më zgjosh“, që së shpejti pret dritën e botimit. Dhe pikërisht në një nga poezitë e këtij vëllimi në përgatitje e sipër, Shehi, i qaset kohës. Koha për të është një „Kohë dreqi“. Arsyet i ka poetike, i ka të stiluara me fjalët e saj, i ka të ndjeshme me një ndjenjë të dyfishtë njerëzore, i ka të aresyeshme me arsyen e saj intelektuale.

Me këtë poezi koha e dreqit shkon në detaje të tilla „Shumica e pinë vetëm e fjalosen me veten“, „Shumica mbajnë në duar telefonin“, por koha në atë kohë dreqi“ në atë kafene mposhtet nga thuerrja e rregullave të një çifti“, që vetë koha vetë „Protokollin e thyen me teshtimë“. Për poeten kjo kohë është „Një film me metrazh të shkurtër“. Është një film i tillë që sipas saj „u xhirua në çast“. Por ajo që mbetet më fine është gjuha, figura dhe mesazhi, është kalibri i vargut që të bën të ndjehesh e të ndjesh: „Shikime në formë dallgësh e mbuluan të ngratin/E rrëkeza kafeje vërshuan mbi tavolinë/Askush nuk i tha shëndet/As plaç nuk i tha askush/Në ajër shpërndahen grimca frike/Me sy e kryqëzuan të zinë

E imagjinova të pandehur në bankën e të akuzuarve/O si kamikaz/Që kishte shpërthyer nga trupi një minë.../Kohë dreqi/Tmerrohesh nga një teshtimë.../Ndjehesh i keqi...“ Dhe qartësia mbetet lirike.

Pra, poezia e kësaj autoreje është poezi lirike, sepse fton auditorin të hyjë në perspektivat dhe përvojat e ndjesive dhe ndjeshmërive pa bërë gjykime për to. Kjo pjesëmarrje lirike nxjerr në pah përbërësin mimetik të situatës, por Shehi gjithashtu tërheq vëmendjen për artificialitetin e tyre, statusin e tyre sintetik. Sidoqoftë, së fundi, si përbërësit mimetikë ashtu edhe ato sintetikë të karakterit që shfaqet në mesazhin poetik, i nënshtrohen funksioneve të tyre tematike. Tështimat eksplorojnë diversitetin dhe të përbashkëtën e jetës së realitetit teksa lëviz nga perceptimi, tek frika që udhëton nga lindja në vdekje në një univers kryesisht indiferent me situatën pandemike. Në përgjithësi, vetëdija jonë e dyfishtë për vitalitetin intensiv dhe artificialitetin e dukshëm të ndodhive, perceptimeve dhe ndjesive, i shërben qëllimit të Shehit për të këmbëngulur dhe vënë në dyshim njëkohësisht rëndësinë e jetës individuale dhe asaj në kolektivitet, që përcaktohet dhe nga forma reale dhe sureale, nga ndodhi që përcaktohen dhe nga faktori ndikues i së ndjeshmes, që përbëhet tek „kohë dreqi“ dhe tek vetë ajo që faktohet si frikë nga një teshtimë. Vetë „Kohë dreqi“ e bën të qartë: „E pinë të qetë kafen e mëngjesit në Garden bar/Tavolinat të vendosura në distancë“. E frika është tashmë një armik i padukshëm.

E koha bëhet rutinë. Është kështu poezia „Kronikë mëngjesi“ ajo që na bën të qartë diskursin e vetë situatës të qartë që në vargjet e para: „E njëjta kafene/E njëjta tavolinë, kamarierja, banakierja, punonjësja e higjenës /Të përditshmit/Vetëm klientët tek - tuk ndryshojnë./Mbështjellë me xhupa të trashë doreza e maska/Lana e qetë karshi,/Ka marrë rolin e gazetares/Interviston pemët mbetur cullak/E bredhat e rrallë bregut të saj /Lëpijnë buzët e hapin krahët si dashnorë të devotshëm/Askush nuk e ngre kokën/Mbërthyer sytë në celular/Mendoj që edhe ata si unë/Teksa rrufisin kafen e tymosin ndonjë cigare/Vrasin mendjen se ç'dhuratë do i bëjne covidit për ditëlindje/Po i afrohet një vjetori/Larg qoftë për inerci të/themi urimin klishe " edhe 100"!/Porosis kafe tjetër/Qenka bërë akull e para...“. Shihet se tek poezia e Shehit, është një përvojë e zakonshmedhe e vendosur mirë në mënyrë eksperimentale që situata kohore mund të na përfshijë emocionalisht në një mënyrë bindëse. Mekanizmat në themel të këtyre përvojave poetike tek kjo autore, po arsyetojnë një shqyrtim në rritje. Sidoqoftë, shkalla në të cilën krijimet e tjera të përvojës së tij poetike dhe estetike mund të nxisin në mënyrë të ngjashme emocione të forta është e panjohur. Themi kështu se disa poezi sikurse është „Femër“ vargu dhe mesazhi shkojnë më thellë në diskursin kohor. Koha këtu është jo-përcaktore, por e domosdoshme: „Nëse është dikush që duhet t`i kërkosh falje,/Je vetëm ti!/Nuk e di a do mundet të të falë ndonjëherë!/Nuk e di a do ta shkelësh për një çast krenarinë që t`i thuash më fal./As këtë s’e di/U kujdese për gjithshka e për gjithkënd në këtë jetë!/Vetëm për atë jo!“.

Duke përdorur psikofiziologjinë, neuroimazherin dhe përgjigjet e sjelljes tipologjike rreth „femrës“, ne kuptojmë se poezia e tillë mund të veprojë si një stimul i fuqishëm për të nxitur përgjigje emocionale të pikut, duke përfshirë forma diskursive të matshme që përfshijnë qarkun kryesor të mesazhit poetik. E rëndësishmja, ndërsa këto përgjigje ndaj poezisë së cituar janë kryesisht analoge me ato të gjetura për realitetin, bazat e tyre nervore tregojnë dallime të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me rolin vendimtar të bërthamës së akumuluar së konceptimit dhe perceptimit kohor dhe situator: „Të gjithë pa përjashtim dhe gjithçka ishin në vijën e parë./Ajo jo!/Askush nuk duhej lënë pas dore/Askush s’mund te priste/Ajo po!“ Ne gjithashtu shkojmë përtej përsëritjes së perceptimeve të tjera, duke treguar se kënaqësia ndjesia kohore perceptuese mund të ndodhë me shënuesit narrativë të ndikimit diskursiv. Së fundi, shpërndarja e mesazheve perceptuese nëpër trajektoren e poezive siguron një pasqyrë në parimet kompozicionale të poezisë së kësaj autoreje.

Mjaft poezi të tjera të kësaj poeteje, sikurse janë „Nuk mundem“, apo „Sjell në mendje“ kanë racionime të tjera perceptuese dhe situata kohore është një forcë më vete diskursive. Edhe poezi të tjera kanë një forcë mjaft të ndjeshme të perceptimeve dhe diskursit kohor ku jepen përgjigjë të shumta dhe sqarohen në mënyrë tejet të qartë arsye të ndryshme që variojnë tek perceptimi dhe kuptimi për botën përreth saj, si dhe përvojat e tjera personale. Në këto poezi ndjehet dhe kuptohet më së miri si janë formuluar njohuritë e reja dhe mënyrat e reja të të kuptuarit për të zakonshmen dhe të ndjeshmen.