top of page

NJË POET GJURMËLËNËS


Luan Çipi

MYRTEZA MARA, NJË POET GJURMËLËNËS

Nga Luan Çipi

Myrteza Mara, poeti vlonjat gjurmëlënës, ka lindur në qytetin e Vlorës më 29 Janar 1943 dhe ka fatin të jetë djali i Zoto Marës, i atdhetarit e veprimtarit të shquar shoqëror, ish deputet i Kuvendit Popullor për dy legjislatura dhe shumë vjet kryetar  dhe drejtues i suksesshëm në bujqësinë e rrethit të Vlorës.

Myrteza Mara, pasi kreu Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbe” dhe Akademinë e Lartë Ushtarake Shqiptare, punoi shumë vite si ushtarak karriere, në specialitetin kimist dhe u lirua e doli në pension në vitin 1992, me gradën Kolonel dhe i nderuar me disa urdhra e dekorata. Nisi punën si emigrant në Itali dhe më pas punoi si sipërmarrës ndërtimesh në qytetin e Vlorës.

Edhe pse ka nisur të shkruaj në moshë madhore, Myrteza Mara, qysh në shkrimet e para, u dallua për talentin e tij vetjak, si poet, shkrimtar dhe drejtues plot pasion, në shoqatat e shkrimtarëve në Vlorë, e deri në Itali e Greqi.

Në vazhdën e përpjekjeve dhe veprimtarisë këmbëngulëse krijuese letrare, Myrteza Mara u bë autori i dymbëdhjetë librave me poezi dhe shtatë librave në prozë, nga këto tri romane, dy vëllime me tregime e novela dhe një monografi.

1)  Libra me Poezi:

Ku është Parajsa (1997), Mëkati i Botës (1998), Nisje e Vonuar (2000), Dielli i Puthjes (lirika 2000), Në Portat e Iluzioneve (2003), Dëshmitarja e Verbër (2003), Kur do kthehet Dielli (2004), Nën hijen e një ëndrre të bardhë (2005), Gjurmët e Heshtjes (2005), Qiriri i Penduar (2006), Sytë e Erës (2009), Stina e Pestë (2013)

2) Libra në prozë:

“Semaforët e Thyer”-roman (2007), “Faji i Bukur”–novelë (ribotim Lisiana 2008), “Gruaja e një ëndrre të bardhë”-roman (2008), “Dy dashuri”-roman (2009), “Muzeu i Dhembjes”-novela, tregime (2011), “Gjurmë që s’i fshijnë dot vitet” (2019), “Dy amanete”- tregime e novele, si dhe ka në botim vëllimin me poezi “Nuk kam kohë”.

Ka redaktuar disa libra me poezi të autorëve vlonjat dhe talenteve të reja, duke iu dhënë kështu një shtysë më përpara në rrugën e tyre krijuese.

Myrteza Mara, shpallet “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”, më 20 prill 2010, me motivacionin "Për kontribut të veçantë në fushën e kulturës, për krijimtari të spikatur në fushën e letrave dhe botimeve, duke krijuar një imazh pozitiv për Vlorën dhe komunitetin e saj. Për nxitjen, inkurajimin dhe mbështetjen e vlerave krijuese e artistike të autorëve vlonjatë në fushën e poezisë dhe prozës.

Shpallet gjithashtu “Personalitet i Shquar i Qarkut” Vlorë dhe “Qytetar Nderi” i Komunës Vllahinë-Vlorë, si dhe  për meritë të veçantë, merr titullin Nderi i Shkollës, “Dëshmorët e fshatit Peshkëpi”-të vendlindjes.

Më 9 Mars 2011, poeti vlonjat Myrteza Mara, përfshihet në Grupimin Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve.

Me punën e tij të palodhur dhe aftësitë drejtuese e organizative, arrin të bëhet nismëtar dhe drejtues i Shoqatës së Poetëve dhe Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë në vitin 1998, në fillim Sekretar dhe më pas Kryetar.

Në Shkurt 2006 zgjidhet Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dega Vlorë dhe pak më vonë, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Rizgjidhet  Kryetar i Shoqatës “Petro Marko”, në Prill 2009.

Në Tetor 2010, organizon shndërrimin e Shoqatës Petro Marko, në Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë.

Shpejt del në ballë të krijuesve më të spikatur vlonjat dhe merr njeri pas tjetrit disa çmime nga burime të ndryshme edhe jashtë Vlore:

-Çmimi “Çift & Harmoni”  -nga gazeta “Horoskop” për San Valentino, 2005

-Penda e Artë -nga Klubi “Drita” Athinë, 2006

-Çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar “Poezi për Detin”, Durrës 2006

-Çmimi i tretë në Konkursin Kombëtar, Lushnjë 2007

-Çmimi i Parë në Festivalin Poetik Ballkanik,  Korçë 2010

-Çmimi “Korça” Festivali Netët e Poezisë Korçare, Korçë 2011

-Çmimi i Dytë në Konkursin “Drita e Minatorit”- Mitrovicë, tetor 2012

-Çmimi i Dytë nga Bashkia Vlorë për botimet e vitit- Poezi, dhjetor 2012

-Çmimi “Mitrush Kuteli” -Klubi “Drita” Athinë për “Muzeu i Dhembjes”, Novela e Tregime 2012

-Çmimi i Parë për vëllimin poetik “Stina e Pestë” nga Biblioteka “Sh. Musaraj” dhe Bashkia Vlorë, dhjetor 2013

-Çmimi i Karrierës, Durrës, maj 2014

-“Shkrimtari më i mirë i vitit”-nga shtëpia botuese “Kaskanidis”, Athinë 2016 për novelën “Lisiana” -përkthyer në gjuhën greke.

-Vendi i tretë në konkursin ndërkombëtar të poezisë -Selanik 2017

-Përfshihet në një listë të poetëve botëror, nga Kritika Indiane 2017

-Certifikatë nga Qendra e Kulturës dhe Artit Vlorë për vitin 2017

-Medaljen “Frang Bardhi”, 28 Nëntor 2018, nga Galaktika Poetike ”ATUNIS” me qendër në Bruksel

-Zgjidhet Kryetar i Këshillit Artistiko-Kulturor, Bashkia Vlorë, qershor 2014, detyrë që e ushtron ende.

-Emri dhe krijimtaria e tij përfshihen në pesë Antalogji Poetike si dhe në librin me kritika e vlerësime të Dr. Fatmir Terziut, 2011.

Për poetin, shkrimtarin dhe veprimtarin e shquar, Myrteza Mara, që ka merituar radhë të pafundme çmimesh e vlerësimesh, kanë referuar dhe publikuar mendime entuziaste, në organe të ndryshme të shtypit dhe në promovime të posaçme, shumë figura të njohura të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Midis tyre do përmendja: Prof, Dr. Josif Papagjoni, Prof. Dr. Fatmir Terziu, Shkrimtari dhe poeti Thanas Jani, Poetiti kosovar Adem Zaplluzha, si dhe poetët: Fatime Kulli, Qerim Skënderaj, Raimonda Mojsiu, Xheladin Mjeku, Shpend Topallaj, Agim Bajrami, Agron Shele, Gëzim Llojdia, Idajet Jahaj, Xhemil Lato, Albana Hodaj, Majlinda Rama, Përparim Hysi, Hiqmet Hasko, etj.

Stili tërheqës letrar – lirik në poezi, po dhe mjaft intrigues e kureshtar në prozë, ka qenë gjithnjë tepër i pëlqyer nga lexuesit. Në veprat e tij shfaqen vlera të mirëfillta njerëzore, artistike e letrare të spikatura, që ngelen karakteristika dalluese të nënvizuara, të përzgjedhura e mjaft të çmuara. Këto cilësi janë theksuar shpesh nga lexues të vëmendshëm, si dhe prej krijuesve, analistëve dhe kritikëve letrarë kompetent. Për to është folur e shkruar në paraqitje të veçanta, si dhe në disa promovime të organizuara posaçërisht, ku janë pohuar fakte interesante të çmueshme vlerësuese, për krijimtarinë njëherazi voluminoze e cilësore, po gjithnjë gjurmëlënëse e shumë të kërkuar të Marës.

Përshtypjet e lexuesve, marrin një dimension specifik dhe, sipas disa kritikëve letrarë, vijnë nga shumë faktorë dominues, ku spikatin: dashuria dhe përzgjedhja me finesë e frazeologjisë dhe gjuhës popullore dhe stilistika tërheqëse me delikatesë artistike letrare; larmia dhe zhdërvjelltësia e konceptimit dhe rindërtimi organik në të shprehurit artistik e letrar; ëmbëlsia, bukuria dhe deri guximi për terminologjinë e hulumtuar dhe  të renditur me mjeshtëri në krijimtarinë e tij dhe deri përjetimi e paraqitja filozofike e mendimit dhe mesazhi dobiprurës i veprave të tij.

Në këto drejtime Myrteza Mara spikat ndër poetët dhe shkrimtarët bashkëkohor mbarëkombëtarë, mandej, ndër ta, zë vend nderi. Dhe këtë ai e meriton, aq më shumë kur dallohet nga ide elite e përparimtare, që te ai janë shfaqur herët e që përherë më shumë zënë vend në librat e tij, me kuptim të thellë filozofik e me shtrirje  të gjerë në hapësirë, kohë e vend.

Marrëdhëniet me kolegët krijues të poetit veprimtar Myrteza Mara janë të admirueshme, në respekt e vlerësim të arritjeve të tyre, sidomos në kontributin për ngritjen dhe aftësimin e talenteve të reja, si dhe duke bashkëpunuar me shoqata dhe institucione të tjera.

Vlora tradicionalisht i do dhe i vlerëson poetët, sepse kanë qenë e janë pikërisht ata, me vargjet e tyre, që i kanë ngritur monumente shpirti, historisë e lavdisë së qytetit, bukurisë dhe mikpritjes së tij. Vargjet e Ali Asllanit e Fatos Arapit dhe veprat e Petro Markos, janë bërë himne jo vetëm për Vlorën.

Respektimi i traditës dhe i autorëve që kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë e kulturën vlonjate, është dhe mbetet një nga detyrat kryesore që Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko” dhe kryetari i sajë shumëvjeçar, Myrteza Mara, që e mbajnë të gjallë e të freskët frymëzimin prej tyre, duke bashkërenduar traditën me vazhdimësinë.

Ndenë kujdesin dhe nxitjen e kryetarit Mara, shumë poetë e shkrimtarë vlonjatë edhe pse jetojnë larg, marrëdhëniet dhe bashkëveprimin me Klubin “Petro Marko”  i kanë të pandërprera.

Sigurisht të drejtosh sot një grupim shoqëror, relativisht të madh, aq më tepër letrar, siç është Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko”- Vlorë, duhet pasion e durim, duhet bashkëveprim dhe respekt i ndërsjellët, për cilindo që krijon art letrar, po këto janë cilësi karakterizuese të poetit kryetar Mara, që e ka të pandarë mendimin se krijimtaria është individuale, por, për një rritje cilësore, e ka të domosdoshme bashkëveprimin, shkëmbimin e përvojave dhe të mendimeve kritike përmirësuese, të cilat e nxisin pozitivisht dhe i japin më shumë vlera artit të të shkruarit.

Viti 2020, përkon me jubileun shekullor, 100 vjetorin e Luftës së Vlorës dhe pa mëdyshje autorët vlonjatë, do e thonë fjalën e tyre të artë, për të përjetësuar në vepra cilësore letrare, mbresat poetike artistike, për këtë epope të lavdishme të popullit tonë.

Janë këto disa pikësynyme e motive nga të cilat udhëhiqet dhe punon, kryesia e Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë dhe kryetari i sajë i palodhur,  drejtuesi dhe poeti gjurmëlënës, Myrteza Mara.

Tiranë, më 15 Mars 2020

33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page