top of page

NJË PAMFLET DEMASKUES PËR DIKTATURËN


“PËRJETËSI PA KOHË” I ROBERT MARTIKOS, NJË PAMFLET

DEMASKUES PËR DIKTATURËN


Romanin “Përjetësi pa kohë” nuk e ka shkruar Aleksandër Sollzhenjicini dhe as sekretari i Stalinit, Bazhanovi, por Robert Martiko; e megjithatë kushdo që e lexon, përveç mahnitjes, po t`i thoshin se autori është një shkrimtar rus, do ta besonte pa asnjë mëdyshje. Pak të thuash i jashtëzakonshëm ky krijim letrar voluminoz i një shqiptari që i nis ngjarjet qysh nga 5 nëntori i vitit 1932, pra dy ditë para se në të famshmin Sheshi i Kuq të zhvillohet parada e fitores së revolucionit të Tetorit. “Oh Liri, sa krime janë bërë në emrin tënd” ishin fjalët që tha madama Roland në 8 nëntor të vitit 1793, pra 139 vjet më parë, teksa karroca po e çonte nga burgu Sainte - Pelagie (Conciergerie), drejt Sheshit La Place de la Revolution, ku te gijotina e ngritur e priste xhelati dhe entuziazmi e brohoritjet, për të mos thënë, gëzimi i popullit. Pikërisht këtë ditë, një grua e thjeshtë që ishte bashkëshortja e Stalinit, pra Nadjezhda Allijueva e cila shkoi me këmbët e veta dhe dëshirën e saj drejt vdekjes, duke mbetur pa kaq e lakuar në histori, kishte zgjedhur për të bërë një vizitë në shtëpinë e shoqes së saj të punës, atje në administratën e Institutit Bujqësor, francezes Natali Vilnëv. Kjo e fundit qe martuar me intelektualin me origjinë kozake, burrin me karakter të pathyer Igor Mihailoviç Gruzinski. Edhe ata si gjithë të tjerë kishin besuar te premtimet e revolucionarëve bolshevikë me gjeniun e së keqes në krye V.I. Lenin. Por, po zhgënjehshin dhe kërkonin rrugë legale për t`u kthyer në Marsejë. Ata kishin një djalë adoleshent, tmerrsisht të zgjuar e të kulturuar që i referohej për ato që nuk dinte, larusit të vjetëruar. Dhe, pikërisht këtë ka zgjedhur autori i librit, për të na rrëfyer histori rrëqethëse. Dhe jo histori njerëzish të zakonshëm, por nga ato makbethjanet, gati - gati të pabesueshme që ngjasin atje në kupolën e lartë të partisë - shtet, brenda asaj kështjellës të trashëguar qysh nga koha e Carit Ivani i Tmerrshëm që quhet Kremlin, ku nuk njihet as nderi, as mirënjohja dhe as besnikëria. Carit të ri, Vozhdit ose Kobas siç e thërrasin përbindëshin e kuq me fytyrën vrarë lije, dhe që e shoqja në intimitet e quan “një egoist i tërbuar, kryelartë, një harbut e xhahil i pashoq...”, nuk i dhimbset askush veç pushtetit të tij absolut, ia bën biografinë ai djali i vogël Serzhi, që banon në atë dhomëzën e quajtur komunalka të cilën prindët e kanë ndarë me një perde. Ai, natyrisht kureshtar, dëgjon e përgjon bisedat e të rriturve, por edhe sheh vetë kur e thërrasin në ndonjë kremtim solemn me pionierët e dalluar, ku ka miqësi edhe me vajzën e Stalinit Svjetllanën. Ai sheh nga afër personazhet e tij, anëtarë të Politbyrosë, burra shteti me autoritet të padiskutueshëm, sa mizorë me popullin, ku nënshkruajnë pa pikë mëshire lista me emra qyqarësh të pafaj për pushkatime, burgime, internime, po aq servilë të pështirë e pa personalitet para udhëheqësit. Jemi mësuar që emrat e Xherxhinskit, Molotovit, Kaganoviçit, Kalininit, Kirovit, Sergos, Kujbishevit, Voroshillovit, Mikojanit e më tej Zinovjevit, Kamenievit, Trockit, Buharinit, Rikovit, Pjatakovit, Enukidzes, Jagodës, Jezhovit, Berias, Hrushovit e shejtanit, t`i gjykojmë ashtu siç pak a shumë historianët na i kanë paraqitur. Mirëpo, këndvështrimi i një fëmije duket edhe më i besueshëm në të vërtetat e tij, çka është një meritë e padiskutueshme e Robert Martikos, në kompozimin e këtij libri nga më interesantët. Lexon aty dhe dashje pa dashje të parakalon në Sheshin “Dëshmorët e Kombit” aradha e Politbyroistëve tanë, me kriminelin “legjendar” E. Hoxha në krye. Dikur si derra të kënaqur përshëndesnin turmat me kapelet e tyre republike e lule ndër duar, pa e shkuar kurrë ndër mend se do të përfundonin pas intrigash që i kishin përdorur vetë me të tjerët, me ndonjë plumb pas koke dhe pa varr. Askush nuk ka pse të çuditet as me triumfin e komunizmit i cili gjen shtrat atje ku ka varfëri e injorancë, atje ku as që kishin dëgjuar ndonjëherë për zengjinët e pamoral Marks e Engels dhe as me mizoritë e atij sistemi. Gianfranko Fini e ka thënë mjaft qartë: “Komunizmi është iluzioni më i madh e më i përgjakshëm që njerëzimi ka nxjerrë në dritë”. Dhe e keqja më e madhe është se këtij iluzioni, kësaj utopie katërcipërisht të vërtetuar, i besojnë shumë edhe sot e kësaj dite. Kurse Roberti, me mendjemprehtësi e gjykim të shëndoshë në çdo faqe të librit të tij, sikur kërkon të kujtojë me gojën e babait të Serzhit që pret arrestimin: “Do të vijë një ditë që gjërat në Rusi do të kthjellohen. Njerëzit do të dalin nga gjendja e frikës. Do kuptojnë jo vetëm në Rusi por edhe në Francë e gjetkë, se ne u qeverisëm, për vite të tëra prej bandës më kriminele, më psikopate, më të paaftë dhe më të korruptuar, që u shfaq ndonjëherë në rruzullin e Tokës”. Ato që ngjanë në Rusinë e atyre viteve, nuk mund t`i balanconte as pesha e gjithë atij të ashtuquajturit industrializim socialist. Një popull i tërë jo vetëm i varfëruar ekstremisht, por edhe i kërcënuar nga survejimi e dyshimi për një fjalë goje, dhe përfundimi në gulagët e tmerrshëm. Kudo do të gjendej dora e GPU - së që vetëm emrat dhe drejtuesit ndryshonte, por synimet e poshtra kurrë. Fjala shok e ka humbur me kohë kuptimin si dhe ajo tjetra; besnikëri. Vritet me vello misteri Kirovi në Leningrad dhe Sergoja detyrohet të vrasë veten ashtu sikurse Nako Spiru etj. deri tek ish kryeministri në Shqipëri. Dhe hipokrizia e njëllojtë. Në mëngjes hero, në darkë agjent e akoma më shumë, poliagjent. Ja si shprehet autori i romanit: “Në Sheshin e Kuq u organizua e njëjta ceremoni me pompë të madhe, si në rastin e lamtumirës së Kirovit. Përfundoi me Stalinin i cili udhëhoqi bolshevikët e lartë drejt mureve të kuq, për të vendosur përbri urnës së Kirovit, një tjetër urnë, me hi të freskët. Dy miqtë e dikurshëm u takuan përsëri. Këtë radhë në trajtë hiri”. Por këta ndofta qenë më me fat, se shpirti i atyre që përfunduan në Lubjanka e dinë se ç`kanë hequr. E si mund ta harronte Stalini akuzën që i bëri Aleksandër Rikovi, kur ishte kryeministër se “ti duhet të përgjigjesh një për një, për të këqiat që je duke i bërë popullit sovjetik”? Tortura të llahtarshme për heronjtë e dikurshëm, humbje personaliteti, akuza ndaj njëri - tjetrit, kërkim mëshire. O Zot! Ku vajti kontributi i atyre që s`të besuan dhe rritën e mbronin një vagabond Gjeorgjie. Ja pse gjithmonë Enveri ynë përsëriste e betohej se qe nxënës besnik i Stalinit. Nuk kishte sesi të përligjeshin tjetërsoj ato vrasje shokësh e armiqsh imagjinarë, burgjezë, kulakë, nacionalistë, klerikë, fraksionistë, intelektualë e të tjerë apo të shkatërroheshin me themel familjet e tyre. Çfarë ngjashmërie mes dy diktaturave edhe pse njëri në një të gjashtën botës e tjetri në një vend që zor se e njihte bota. Dy vende ku gjithçka e kontrollonte sigurimi, policia e fshehtë që kishte instaluar institucionin e spiunimit, deri edhe si ai i Pavlik Morozovit që denoncoi babanë e tij. Mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e sidomos Moska, nga ana e autorit na jepet me saktësinë e atij që ka jetuar vite me radhë në ato kohëra. E folura, psikologjia, devotshmëria, shtirja, propaganda, përrallat e deri fjalët e urta si p.sh. kur Vilnëvi thotë: “Për fat të keq, erdhëm me rregullat tona, në manastirin e të tjerëve”, i japin atij kolorin e asaj zymtësie gri. Autori falë kulturës së spikatur na fut edhe neve në atë realitet të gënjeshtërt. Asgjë nuk dallon nga “Arkipelagu...” i Sollzhenjicinit. Varfëria po ajo, frika po ajo, egërsia e pasuesve të Feliksit po ajo, torturat po ato, urrejtja për komshiun po ajo, akuzat për gjoja trockizëm të njëjta, kulti i individit dhe glorifikimi po ai, shkëputja e udhëheqësve nga hallet e popullit dhe darkat me orgji nëpër daça, gjithashtu. Ja, kjo është klima në Rusinë e asaj periudhe që duam s`duam ishte shumë më liberale në kohën e Romanovëve. Robert Martiko ka përdorur me sukses edhe legjendat si ajo e Vihelm Telit apo histori si ato të Mazanielos e Taras Bulbës, si dhe fragmente nga mitologjia a filozofia që nga Platoni e Aristoteli e deri te Niçja. Ato futen natyrshëm si paralele në rrëfimin e tij dhe shërbejnë si sheshpushime nga ngarkesa e ligësive të përditshmërisë sovjetike. Edhe ajo që mund ta quajmë dashuri e rrëfimtarit me Raisën, babai i të cilës është hetues në Lubjankë, jo vetëm i duhet romanit, por vjen edhe si thyerje e monotonisë dhe si shpresë. Në përgjithësi, fëmijët janë më të sinqertët dhe pa paragjykime. Mes atyre nuk ka djallëzi, ndaj të vjen keq kur mendon sesi do të bëhen ata kur të rriten. A do ta arrijnë dot atë që thuhet në libër se: “Liria e lindur nga ndërgjegja e qetë është e aftë të përballojë të keqen me dinjitet. Nuk ka gjë më të mrekullueshme nga liria me përmbajtje lartësuese. Jo për të arritur përsosmërinë, por për të mundësuar që njeriu me piksynim më të lartën, të tejkalojë vetveten”. Përmenda më sipër Bazhanovin e arratisur nga ai realitet dhe nuk mund të lë pa përmendur edhe një konkluzion të tijin: “Stalini ishte pjellë e sistemit komunist. Sistemi komunist krijoi një klimë të tillë, në të cilën pushtetmbajtësit tërë veprimtarinë e tyre e konceptonin si një luftë të pandërprerë me kundërshtarët e trilluar, me klasat dhe grupet armiqësore, me kundërrevolucionarë, me sabotatorë, duke ua hedhur fajin e dështimeve të tyre të njëpasnjëshme armiqve imagjinarë, ndaj dhe vazhdimisht bënin thirrje për represione, për vrasje dhe për shtypjen e të gjitha të drejtave dhe ndjenjave njerëzore. Në një truall të tillë, Stalinët mund të mbijnë dhe të lulëzojnë në çdo kohë”. E pra, këto fjalë të arta nuk i kam thënë as unë e as Robert Martiko, por sekretari i Stalinit, njeriu më i besuar i tij. Unë vetëm desha të kujtoj se shoqëria jonë sot më shumë se kurrë, ka nevojë të domosdoshme të njihet me libra të tillë, si ky i mjeshtrit të dijes dhe penës Robert Martiko, nga më të mirët e viteve të demokracisë, ku i bëhet thirrje llogjikës, ta njohë atë që ka ngjarë dhe ta dënojë me ashpërsi morale, pa nostalgjira që vetëm pengesë janë në ecjen tonë drejt Evropës.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page