top of page

Një nga themeluesit e mësimdhënies së matematikës


Prof. Qazim Turdiu një nga themeluesit e mësimdhënies së matematikës

Prof. Qazim Turdiu, Mësues i Popullit, ishte edukator, metodist dhe autor i shquar shqiptar në fushën e matematikës (1917 - 1989). Prof. Qazim Turdiu, Mësues i Popullit, laureat i Urdhrit Naim Frashëri të Klasit të Parë, qytetar nderi i Tiranës, lindi në Tiranë më 7 qershor 1917, në një familje të vjetër e të dëgjuar tiranase. Pasi kreu Gjimnazin e Tiranës, vazhdoi studimet e larta për matematikë në Universitetin e Montpellier të Francës, ku u diplomua më 1939, me rezultatet më të larta në kursin e tij. U kthye në Shqipëri pas okupacionit italian (1939) si i dyti shqiptar me shkollim të plotë në matematikë, ku u emërua si pedagog në Gjimnazin e Shkodrës (1940 -1942) dhe më vonë në Gjimnazin e Tiranës me detyrën e zëvendësdrejtorit (1943). I përket plejadës së ndritur të pedagogëve shqiptarë të periudhës së pavarësisë, që hodhën themelet e kulturës moderne kombëtare, si Mihal Zallari, Eqerem Çabej, Arshi Pipa, Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Kristaq Fundo, Gjergji Canco, Sali Ceka, Aqif Selfo, Ahmet Gashi, Avni Zajmi, Qamil Bala, Vangjel Gjikondi, Mihal Sherko, Karl Gurakuqi, Hysni Babameto, Safet Butka, Gavril Meksi, Aleko Tashko, Stefan Prifti, Kadri Baboçi, Siri Shapllo, Petraq Pepo, Gaqo Marko, Rudolf Paparisto, Fadil Repishti, Sadete Çuçi, Ibrahim Babamusta, Lazgush Poradeci, Nonda Bulka, Abdurrahim Buza, Skënder Luarasi, Vedat Kokona, Anton Mazreku, Minella Karajani, Mark Gurakuqi, Kostandin Trako, Naun Stralla, Lirak Dodbiba, Skënder Anamali, Nexhat Hakiu, etj., me të cilët ndau marrëdhënie profesionale dhe shoqërore deri në fund të jetës së secilit. Si nacionalist apolitik kundërshtoi okupacionin italian dhe përkrahu idenë për Shqipërinë Etnike. U nderua me detyrën e mbartjes së eshtrave të Naim Frashërit në ceremonitë e rikthimit të tyre në Shqipëri. Ndërhyri te mëkëmbësi i mbretit, Jacomoni, për t'u shpëtuar jetën gjimnazistëve komunistë të kapur nga italianët. Si një nga intelektualët e njohur të kohës, u ftua (me ndërmjetësinë e Abdyl Këllezit) për të marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Refuzoi për shkak të çështjes së Kosovës dhe aleancës së komunistëve shqiptarë me jugosllavët. Me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik (1948) që ndër të parët pedagogë të tij dhe po kështu edhe me hapjen e Universitetit të Tiranës (1957), ku punoi deri më 1983. Në kushtet e mungesës së arsimit të lartë në Shqipëri, që themelues i mësimdhënies së matematikës në shkollat e larta. Në vitet 1958-1960 kreu studime pasuniversitare në Universitetin Lomonosov të Moskës, nën drejtimin e matematikanit të njohur Kollmogorov. Gjatë karrierës së tij 44 vjeçare edukoi me mijëra kuadro dhe fitoi famë për nivelin e komunikimit në auditor dhe objektivitetin në vlerësimin e studentëve. U shqua si didaktist e metodist i matematikës, duke dhënë ndihmesë të madhe në rritjen e nivelit shkencor dhe në kualifikimin profesional të mësuesve të lëndës së matematikës. Njihet si autor i shumë programeve shkollore, teksteve dhe monografive, duke përfshirë ato mbi metodikën e matematikës, gjeometrinë analitike, analizën matematike, trigonometrinë plane, historinë e matematikës, etj. U dallua si mbrojtës i traditës së shkollimit perëndimor dhe influencoi në ruajtjen e objektivitetit profesional të shkollës kundrejt tendencave të sistemit komunist për politizim ekstrem. Niveli i lartë i mësimdhënies në shkencat e sakta, e në përgjithësi profesionalizmi i shkollës shqipe, i detyrohet në një masë të konsiderueshme kontributit të Prof. Qazim Turdiut.

Gjatë periudhës së regjimit komunist punoi dhe jetoi në kushte politike të vështira, të përgjithshme dhe personale. Pësoi sulme të vazhdueshme nga hallkat e regjimit për shkak të origjinës së tij klasore prej ish-shtresave të larta dhe dy vëllezërve të tij të "arratisur" (Dr. Faik Turdiu dhe Dr. Ramazan Turdiu). Në dosjen e Sigurimit të Shtetit për Prof. Eqrem Çabejn figuron se agjenti me pseudonimin “Shigjeta”, më 20 tetor 1957, informonte se "Profesorët e Universitetit të Tiranës Eqrem Çabej, Qazim Turdiu, Minella Karajani e Rrok Zojzi flasin keq për regjimin në Shqipëri". Ish ministri i brendshëm Feçor Shehu, deponoi në hetuesi më 1982, se Qazim Turdiu ishte marrë disa herë nën survejim. Në vitet 1970 pati konflikte të ashpra me tendencat në universitet për të imituar revolucionin kulturor kinez e më pas me shthurjen e disiplinës dhe kërkimllogarisë në kuadrin e "liberalizmit", të cilat i mbijetoi kryesisht falë prestigjit personal që gëzonte me anëtarë të udhëheqjes së regjimit, që ishin të brezit të tij apo ish-nxënës të tij (si Ramiz Alia).

Më 1956 u martua me Asime Pipën (1931-1999), nga familja Pipa e Shkodrës dhe pati dy fëmije (Parid, 1958 dhe Silva, 1961). Fejesa (1981) e bijës së tij, Silva Turdiu, me birin e kryeministrit Mehmet Shehu u dënua nga udhëheqësi komunist Enver Hoxha për arsye të lidhjeve gjinore të familjes së vajzës me antikomunistë të njohur (Ramazan Turdiu, Myzafer dhe Arshi Pipa, etj.) dhe u bë preteksti për fundin tragjik të familjes Shehu. Hakmarrja e regjimit përfshiu edhe Prof. Qazim Turdiun e familjen e tij. Më 1983, pas botimit të librit të Enver Hoxhës "Titistët", ku sulmoheshin familjet Turdiu dhe Pipa si të lidhura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, regjimi e nxori në pension të detyruar. Vdiq në Tiranë, më 8 prill 1989, nga kanceri i mushkërive. Mijëra vetë morën pjesë në varrimin e tij, duke sfiduar stigmën e regjimit. Pas rënies së komunizmit, shteti pluralist shqiptar ia përjetësoi kujtimin duke i dhënë emrin "Qazim Turdiu" një shkollë 9 vjeçare në Tiranë.

39 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page