NJË NDARJE E DHIMBSHME NË NJË KOHË TË DHIMBSHME



Ali Barjamaj

Më 28 Mars 2020 u nda nga jeta Selim Beqir Beqiraj. Vdekja e Selimit u bë për të gjithë ne, një ndarje më se e dhimbshme edhe për situatën dhe rrethanate e veçanta në të cilat ndodhet mbarë vendi dhe bota tërë. Familja, fisi, miqtë dhe dashamirësit humbën njeriun e tyre të dashur, kurse Tërbaçi dhe institucionet shkencore humbën njeriun që mbarte vlera të veçanta e ndihmesë të rëndësishme në evidentimin e trashëgimisë sonë kulturore.

Selim Beqiri u lind në Tërbaç të Vlorës, më 15 Maj 1936. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Tërbaç, kurse të mesmen në shkollën pedagogjike të Elbasanit. Studimet e larta i nisi në Bashkimin Sovjetik, në Fakultetin e Gazetarisë të Universitetit “Lomonosov” të Moskës dhe i përfundoi në Tiranë në Fakultetin Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi Angleze. Në vitin 1967-1968 kreu kursin e filozofisë. E nisi punën si mësues në disa fshatra e më pas në Komitetin Ekzekutiv të Vlorës, për të kaluar pastaj si punonjës shkencor e shef sektori në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste. Nga viti 1982 deri në 1991 kreu detyrën e Drejtorit të Arkivit Qëndror të Partisë, pranë KQPPSH. Ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe zotëronte shumë mirë dy gjuhë të huaja. U martua me Salibe Tahir Xhyvelaj, nga Tërbaçi dhe lindën, rritën dhe martuan dy çupa: Linditën dhe Aulonën.

Selim Beqiri bën pjesë tek njerëzit e njohur, me emër dhe të dëgjuar me kohë, të vlerësuar për ndihmesën dhe punën e tij studimore, për mendimin e tij të thelluar dhe studimet e kryera, me tregues të lartë e kërkesa shkencore.

Do të mbetet model i njeriut të shkolluar, të kulturuar dhe tejet të edukuar, një intelektual i çmuar që na jep nder e na bën krenarë. Sot ne nderojmë e respektojmë gazetarin, shkrimtarin, redaktorin, mësuesin, etnologun dhe studiuesin shkencor.

Nga dora dhe mendja e Selimit sot kemi të botuara: 54 artikuj, 4 kumtesa, disa tema dhe mbi shtatë libra të zhanereve të ndryshëm. Në monografitë e tij e shohim Selimin si një shkrimtar të kompletuar. Librat e tij shquhen për vërtetësinë e figurave që ka trajtuar, për saktësinë e të dhënave, duke treguar se kush ka qënë, ç’ka bërë dhe cila ka qënë ndihmesa e secilit prej këtyre figurave.

Portrete të tilla si “Gjenerali Fisnik” për Vehbi Hoxhën, “Bana” për Rabihanë Skëndaj apo “Merkoselimajt” duket dora e një ustai të vërtetë, ku bie në sy stili i zgjedhur, fjalët e kërkuara, qëllimet e përcaktuara, vlerësimet e peshuara dhe mendimet e mençura, të shprehura me kulturë e të përcjella bukur me një gjuhë standarde, të thjeshtë, të kuptueshme dhe të përdorueshme nga lexuesi i thjeshtë.

Në punime të tilla si: “Besa dhe Besëlidhjet” kemi të bëjmë me një studim shkencor që ngrihet në shkallën e sferave universitare dhe akademike dhe vetë Selimi në pozicionin e një studiuesi serioz e me dije të gjera që flet nëpërmjet hulumtimeve dhe argumenteve shkencorë.

Në librin “Trashëgimia” apo “Si u Krijua e Mbijetoi Tërbaçi” jepen të dhëna për prejardhjen, historinë, ekonominë, demografinë, zakonet, kulturën, arsimin, antroponiminë dhe toponiminë e Tërbaçit, duke e radhitur Selimin në rangun e një etnologu të formuar.

Askush nuk e njeh dhe askush nuk ka folur, e jo më të analizojë punën e tij si punonjës shkencor dhe si një nga redaktorët kryesorë e të afirmuar të institucionit ku punoi. Është në punë e tërë voluminoze dhe e gjithanëshme ku Selimi ka kontributin e tij si dhe meritat e veçanta për punë shkencore.

Pas një pune të gjatë gjurmuese, kërkuese dhe hulumtuese, Selimi ka lënë pas një krijimtari të pasur me të dhëna për pemën gjenealogjike të Tërbaçit, për nëntë mëhallë e dy vëllezëri, të shtrira në kohë që shkon, jo pak, por njëzet breza. Në krijimtarinë e tij të bie në sy jo vetëm vullneti dhe këmbëngulja por edhe zotërimi i aftësive dhe mjeteve që i takojnë një shkencëtari.

Me punën, studimet dhe qëndrimin e mbajtur, Selim Beqiri, bën pjesë tek njerëzit e kulturuar e të ditur që e deshën dukshëm dhe punuan me shpirt për vendin dhe popullin, hyn tek ata që dhanë ndihmesë në ndriçimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë shqiptare. Si një personalitet, Selim Beqiri, ka qënë i pranishëm dhe i kërkuar në mjediset shoqërore e ato shkencore. Te Selimi të binte në sy edhe portreti i tij: i pashëm e i depërtueshëm, i lexueshëm edhe kur nuk fliste, portreti i njeriut të mirë, gjithnjë i sjellshëm e kurdoherë i matur, i komunikueshëm me të gjitha nivelet e shoqërisë, gjithnjë korrekt e i përpiktë, i thjeshtë e shumë modest, me një stil të tijin dialogimi e asnjëherë konfliktual, i butë e gjithnjë miqësor. Burrëror në fjalë, kurrë nuk dredhonte, i qëndronte besnik e me fanatizëm asaj që kishte premtuar a shprehur, njeri i bërë e i dashur me të gjithë që të rrëmbente me gjërësinë e botës së tij shpirtërore. Ishte i urtë, i ditur, i sinqertë dhe i ndershëm e po ta nderoje një herë do të bënte çdo gjë për të ta shpërblyer dyfish.

Vdekja e Selimit është një humbje dhe peshë e rëndë prë bashkëshorten, Salibenë, dy vajzat: Linditën dhe Aulonën, për vëllain dhe motrat e tij, por edhe për Tërbaçin e më gjerë për Labërinë dhe institucionet tona kulturore e shkencore. Në këto kushte e rrethana të veçanta shkojmë, me mendje e zemër pranë tyre, për të shprehur ngushëllimet tona më të sinqerta. Jeta dhe vepra e tij u bëftë një shembull për brezat që do vijnë.

Tiranë, më 30.03.2020                           

45 views

Shkrimet e fundit