top of page

Një ndërhyrje me shumë vend e Prof.dr. Fatmir Terziut


Prof.dr. Eshref Ymeri



Lexova reagimin e Prof.dr. Fatmir Terziut me titull “Vendi që meriton Faruk Myrtaj, nuk mund të harrohet në shkrimet shqipe”, ndaj shkrimit “Shkrimtarët vlonjatë dhe roli i tyre në letërsinë shqiptare”, me autor Msc. Albert Habazaj, të botuara këto në numrin e sotëm (08 janar) të Portalit të nderuar “Fjala e Lirë”.

Pasqyra që jep Msc Albert Habazaj në shkrimin e vet, është një vlerësim për t’u lavdëruar në nderim të të gjitha atyre penave vlonjate në botën e letrave shqipe. Mua, si vlonjat, më gëzon shpirti dhe më bëhet zemra mal që Vlora me rrethinat është një “gurrë e pashtershme”, prej nga kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin talentte të spikatura me kontribute të ndjeshme në pasurimin e kulturës sonë mbarëkombëtare. Por lënia jashtë listës së krijuesve vlonjatë e shkrimtarit dhe e përkthyesit të talentuar Faruk Myrtaj, është dëshpëruese.

Prof.dr. Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh, një personalitet i shquar i kulturës sonë kombëtare në Perëndimin evropian, në njërin nga metropolet e kulturës botërore, siç është Londra, ka ndërhyrë me shumë të drejtë dhe ka nxjerrë në spikamë emrin dhe krijimtarinë artistike të intelektualit të njohur Faruk Myrtaj, duke mbushur “zbrazëtirën” e listës së Msc Albert Habazaj.

Profesor Fatmir Terziu, në ndërhyrjen e vet, me shumë të drejtë, nënvizon se në shkrimin e autorit duhej të kishte “një theksim më të ndjeshëm për zonjën e nderuar të letrave shqipe, Vilhelme Vranari Haxhiraj”.

Domosdo. Sepse krijimtarisë së kësaj shkrimtareje të shquar i janë bërë vlerësime me mirënjohje dhe me 22 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat veçohen Mirënjohje (Vlorë, Kaninë, Prizren, Greqi, Rumani), Çmimi i parë (Shqipëri, Mali i Zi, Suedi), Çmimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu (Itali), Çmimi “Premio Internazionale di Poezia (Firence, Itali, 2011, ku ishte e vetmja autore shqiptare mes 100 autorëve nga e gjithë bota, të përfshirë në antologjinë italiane në tre vite - 2010-2012), tre Çmime karriere. Ajo është përzgjedhur dy herë personazh i vitit dhe ka marrë medalje argjendi, është vlerësuar me “Penën e Kristaltë” në Suedi, ka marrë “Medalje Ari”me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Penës”.

Mendoj se këto harresa në shkrimin e autorit të nderuar Msc Albert Habazaj janë rastësore, prandaj nuk duhet të mendojmë se janë pasojë e ndikimit ende të “gravitacionit komunist në luftën e klasave”, sepse dihet që diktatura komuniste shkrimtarit Faruk Myrtaj i mohoi për 9 vjet të drejtën për studime universitare, kurse shkrimtares, publicistes dhe studiueses së shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj, ajo diktaturë i mohoi të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësueses për paaftësi në zhvillimin e luftës së klasave dhe të drejtën për të botuar veprat e saj artistike, të drejtë që e fitoi vetëm pas vitit 1990.

Listës së Msc Albert Habazaj i mungon edhe emri i një tjetër shkrimtareje të shquar, emri i zonjës së nderuar Mira Meksi. Të shumta janë vlerësimet që i janë bërë kësaj shkrimtareje për përkthimet artistike nga më shumë se 20 autorë të huaj dhe për veprat artistike origjinale. Ajo është nderuar me 8 Çmime, me një Titull nderi dhe me Urdhrin “Comendadora” i Meritës Civile, i akorduar nga Mbreti i Spanjës Huan Carlos I. Shumë mbresëlënës është Çmimi kombëtar i letërsisë për gjininë e romanit, që ia akordoi Ministria e Kulturës për romanin “Diktatori në kryq”, të prezantuar në Panairin e Librit të vitit 2019.

Ventura, Kaliforni

08 janar 2021

61 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page