top of page

Një model që sfidon zhurmën britanike të politikës

Updated: Mar 16, 2023


Një bisedë që sfidon zhurmën britanike të politikës


Prof Dr Fatmir Terziu


Këto ditë janë mjaft të zhurmshme për shqiptarët në Britani të Madhe. Mediat kanë kohë që i piketojnë, dhe gjithnjë një pjesë e politikës i cilëson si delja e zezë në disa pika, që lidhen dhe me problematikën e ardhjes me gomone në kohët e fundit. Por kjo është vetëm një gjilpërë në kashtë krahasuar me atë që shqiptarët bëjnë në këtë vend, ku mjaft emra, kompani dhe organizma bëjnë emrin më të mirë e më të integruar. Në këto ditë ka shumë emra të nderuar. Por, ndalesa për biznesin shqiptar të ndërtimeve dhe profesioneve të tjera që lidhen me të janë një shembull i rallë i asaj që njeriu bën edhe në kushte të tilla të vështira. Modeli i mjaft biznesmenëve shqiptarë në fushën e ndërtimit natyrisht na bën krenarë, edhe kur ne i ndjekim nga larg, edhe kur ata na bëjnë të nderuar me veprimet e tyre dhe me humanizmin njerëzor mbi të gjitha. Janë të shumtë.

Por në radhën e parë është ai që flet pak, mbetet modest në tërë arsyetoren e përkushtimit, ai që ndjen punën dhe përkushtimin në vend të fjalës, ai që vetë britanikët e kanë nderuar disa herë në përmasat më të larta. Është pikërisht i mirënjohuri i komunitetit, jo thjesht si biznesmen, por dhe si aktivist e drejtues i tij, si shqiptaro-britaniku model i familjes dhe integrimit, dhe ai është specialisti i kësaj fushe, i vlerësuari edhe në ditë të vështira, Aqif Neli. Kemi shkruar gjerë e gjatë për këtë figurë të respektuar, ndaj po e risjellim në vëmendjen e lexuesve e më gjerë edhe si një shembull tjetër. Shembulli vjen nga dhimbshuria e tij për mjaft nerëz në nevojë, gjendja afër tyre, ndihma konkrete për dhjetëra e dhjetëra të tjerë, paisja e punonjësve të tij dhe mjaft kolegëve të tjerë me të gjitha mjetet mbrojtëse që në kohën ndaj Covid – 19. Dhe Aqif Neli natyrshëm meriton respektin tonë e të gjithë atyre, që e kanë njohur dhe që nuk e njohin, por që do ta respektojnë pa masë pasi ta ndjejnë këtë mes shkrimit tonë.


Në një kohë ndryshe


Është e vështirë ta gjesh në zyrën e “AN Construction Solution Limited”, kompanisë së tij, drejtuesin e saj Aqif Neli, pasi ai është gjithnjë në mesin e të punësuarve të shumtë të tij, në mesin e fronteve të reja të punës. Por në një orar të tillë të gjithë thonë se e gjen vetëm aty. E gjen por në krye të një paneli ku ai ka pikënisjen parësore të punës me tre elementët kryesorë e të domosdoshhëm të një suksesi: Shëndeti dhe siguria, Produkti dhe Cilësia.

Ndërsa sheh pamjen estetike të zyrave, qasjen profesionale e dikton me tërë dokumentacionin që mbetet në sytë e tu një model më vete. Pastaj me respektin e stafit dhe të vetë drejtuesit, natyrisht. E gjitha është një vizitë dhe një bisedë që shkon në shtratin e saj, pas disa vitesh njohjeje të largët nga kjo zyrë…

1.

Jo më kot thuhet se një rastësi mund të udhëtojë gjysmën e botës, ndërsa një sukses është duke veshur çizmet e veta. Sa e vërtetë që është sot kjo në epokën e mediave sociale, në epokën kur fjalët e trashëguara dhe ata gjëra që na kanë rritur e edukuar tashmë janë në një hapësirë të gjerë e të bollshme digjitale. Konsideroni stuhinë e vrullshme të njerëzve të përqafuar mes suksesit dhe talentit, mes një disipline nga fëmijëria dhe disiplinës në rritje të përditshme. Dhe fare thjesht, mjaft lehtë ajo që shkon në një bisedë është pikërisht lidhja me të cilën njeriu kupton, se susksesi është tek ai që krijon dhe forcon personalitetin e tij. Kështu ndodh në jo pak raste. Ndodh kështu pasi në mjaft raste gjëja e parë që njerëzit vërejnë për njerëzit e suksesshëm është, veshja e shtrenjtë, makina luksoze, jetë të ndryshuar, familje me teprica shpenzimesh etj. Kur njerëzit nuk ulin sytë të shohin se njeriu i suksesshëm është vetë ai që ka lindur dhe ardhur në këtë pikë nga puna, disiplina dhe angazhimi i përditshëm me bindjen për të bërë më të mirën për veten, familjen dhe tërë shoqërinë. Dhe kur ndodh ndryshe vërtet edhe shkrimi shkon më gjerë në shtratin e duhur…

2.

Dhe këtë e mëson mjaft mirë, qoftë edhe në pak minuta. Pra, në disa minuta me biznesmenin e suksesshëm shqiptar, Aqif Neli, intelektualin që në jo pak raste ka merituar fjalët dhe respektin më të lartë komunitar dhe britanik në fushën ku ai tashmë operon me kompaninë e tij prej vitesh. Në një ambient pune ku diskursi i gjërave rrek estetiken e të gjithë panoramës dhe me një modesti të shtjellët respekti kupton se njeriu i suksesshëm mësohet nga udhëtimi i tij, jo nga destinacioni. Mësojmë se si arriti atje, pikërisht në majën e suksesit, duke kuptuar gjatë bisedës se sa vështirësi i është dashur të kalojë e kapërcejë me durim e përkushtim për të arritur ku është sot me një stendë që flet vetëm për certifikata, vlerësime, dedikime dhe mbi të gjitha për rezultate e cilësi. Në atë bisedë mëson mes qetësisë se çfarë bëjnë njerëzit e suksesshëm si intelektuali i plotësuar Aqif Neli. Në atë bisedë të sinqertë mëson pse disa njerëz janë më të suksesshëm se të tjerët. Dhe në atë bisedë dalin në pah disa nga karakteristikat me të cilat fare lehtë kuptohen historitë e njerëzve të suksesshëm.

3.

Teksa një bisedë e tillë shkon fjala tek vizioni. Dhe në këtë pikë vizionari nuk është aspak ndryshe nga biznesmeni shqiptar, Aqif Neli, pasi thjesht dhe qartë kupton se njerëzit e suksesshëm gjithmonë mund të parashikojnë, se çfarë do të jetë udha e tyre, si do të shkohet në atë udhë dhe cili do të jetë rezultati i asaj udhe. Kupton fare qartë se të tillët mund të vizatojnë një pamje të qartë të asaj, që do të jetë jeta e tyre dhe çfarë duan të arrijnë. Në këtë rast mes bisedës të shoqëron pyetja: “Kur mbyllni sytë, cila është jeta që fotografoni për veten tuaj?”

Dhe për Aqif Nelin është jeta që nis larg në Atdhe me bukuritë e memorjet mes gjashtë fëmijëve vëllezër e motra të një familjeje me gene patriotike dhe disiplinore atdhedashëse, ku u rrit vetë protagonisti, që babai i tij Nel dhe nëna i rritën të mbeten modele për të gjithë. Aty, Aqif Nelit, i kujtohen mjaft gjëra që ushqyen vizionin e tij që në fëmijëri. I kujtohen të gjitha dhe në disa raste edhe përlotet. E ndjen se ende ka për të shkuar më tej mes këshillave të vlefshme familjare. E ndjen se ai tashmë duhet të shkojë në atë që ka mbajtur në zemër e në mendje.

4.

E më tej ai e di se qëndrimi i përqendruar, kërkon që njerëzit e suksesshëm të marrin hapat e nevojshëm për t’i ndihmuar ata të qëndrojnë në rrugën e duhur, të shmangin shpërqendrimet. Ata nuk bëjnë justifikime. Ata marrin një detyrë dhe e mbajnë atë deri sa të kenë arritur rezultatet e dëshiruara. Rezultatet nisin qëkur dhjetat e shoqëronin përditë në shkollën e vendlindjes dhe më pas e ngritën deri në nivele të larta specializimesh. Studenti i shkëlqyer, kandidati për pedagog në një nga universitetet më prestigjioze të kohës, i mirëspecializuari në një vend mik të NATO’s ndoshta dhe deri tek niveli më i lartë i kualifikimit Degree në fushën e konstruksionit në Britani të Madhe etj. Duke shkuar më tej të gjitha që janë në dosjet e vlerësimeve të kompanisë janë faktor dhe rezultat i gjatë dhe i ndjeshëm.

5.

Pasionant, nuk është vetëm një pjesë që e shtyn tek suksesi biznesmenin Aqif Neli. Janë shumë arsye që nisin nga elementi më i thjeshtë, njeriu intelektual i specializuar në personel, rezultatet e larta, puna si manaxher, kontraktor, disa nga pasionet që e kanë shtyrë në jetë jo vetëm që të jetë i suksesshëm, por dhe një model komunitar. Kur flasin për punën ose jetën e tij, fytyra e tij ndizet dhe na tregon se ai vetë nuk mund të flasë për veten, por për pasionet e tij. Ai është si të gjithë ata që e duan atë që bëjnë. Ata kanë një sens të fortë të përkatësisë në punën e tyre, familjeve të tyre në çdo sferë të jetës. Ndaj dhe kanë edhe familje model. Në rastin konkret një dashuri e largët bashkëshortore dhe një familje me dy fëmijë të talentuar dhe model në jetën e tyre. Bashkëshortja e tij, doktoreshë Vali, natyrisht është një pjesë e suksesit që bashkohet përtej pasionit të kësaj familjeje të nderuar komunitare.

6.

Për Aqif Nelin në bisedë gjithnjë është shembull vetë adekuatja “Qëndroni pozitiv!”. Dhe ai e thotë qartë këtë “ju nuk mund të jeni të suksesshëm, nëse mendoni se suksesi nuk mund të arrihet. Një person pozitiv gjithmonë beson se ka një mënyrë dhe se gjërat do të përfundojnë punën në fund. Në shumicën e rasteve ju jeni armiku juaj më i keq duke strehuar mendime negative, se pse gjërat nuk mund të bëhen në vend që të përqendroheni dhe një gjë e vogël që do t’ju çojë atje ku duhet të jeni”.

Ai e nisi me punën, përkushtimin, gjuhën angleze dhe më tej me marrjen e një qëndrimi pozitiv për suksesin e sotëm të “AN Construction Solution Limited”, si një kompani model dhe mjaft e vlerësuar. Më parë ishin pedagogët e tij në Atdhe dhe këtu në BM që shihnin tek ai pozitivitetin mbi të cilin edhe e vlerësonin dhe e propozonin më lart.

7.

Ndërsa bisedojmë dhe fjala shkon në shtratin e saj, shohim se Aqif Neli është vetë nxënësi për jetën, që nënkupton se njerëzit e suksesshëm nuk pranojnë të qëndrojnë i njëjti person që ishin dje. Ata vazhdimisht përpiqen të rriten në punë, mbi veten e tyre, në marrëdhënie, në intelekt, në njohuri, në vlerat shpirtërore. Ata kanë njohuri dhe për ngjarjet çfarë po ndodhin në qytetin e tyre, vendin, botën dhe universin përreth tyre.

Aqif Neli lexon përditë, dëgjon përditë, jep mendime dhe shënon të gjitha gjërat, ai madje lexon 500 faqe çdo ditë. Dhe është dashamirësi i medias, librave (edhe librave të mi, pasi ka blerë disa prej tyre). Ai është mjaft aktiv dhe me komunitetin pasi edhe kjo e bën të jetë i tillë. Ai është për një kohë të gjatë Kryetar i Bordit të “Mother Tereza Albanian Union”.

8.

Dështimi, nuk është një arsye që e shqetëson. Aqif Neli e di se “Njerëzit e suksesshëm nuk kanë frikë të dështojnë. Njerëzit e suksesshëm pranojnë dështimin dhe ecin përpara. Ata nuk heqin dorë pa marrë parasysh rrethanat. Ata mësojnë nga gabimet e tyre, por kurrë mos harroni atë që u mësoi atyre.” A nuk tha Steve Jobs se ideja e vdekjes e motivoi atë të mos i frikësohej kurrë dështimit?

9.

Asnjë zëvendësim për punën e vështirë, është një moto e kompanisë që ai drejton. Dhe na thotë: “Ju mund të mendoni se njerëzit e suksesshëm kanë pak fat me ta, por ata krijojnë fatin e tyre duke punuar shumë. Ata besojnë nëse punojnë shumë, nuk kërkojnë fat. Ata besojnë në krijimin e fatit të tyre, në vend që të presin që gjërat të ndodhin. Ata e dinë që nuk ka asnjë zëvendësim të punës së palodhur. Ata vendosin ditën e tyre më të mirë të ditës, derisa të marrin rezultatet e dëshiruara.”

10.

Në tërë atë që ai ndikon dhe u mëson të tjerëve është modeli: “Ndihmoni të tjerët të jenë të suksesshëm”. Njerëzit e suksesshëm i shtyjnë të tjerët drejt suksesit. Ata kurrë nuk kërcënohen nga suksesi i të tjerëve; në vend të kësaj ata motivojnë njerëzit të jenë versioni më i mirë i vetvetes. Kur është hera e fundit që keni ndihmuar dikë të jetë i suksesshëm? Kjo pyetje i bën të gjithë krenarë tek “AN Construction Solution Limited”.

11.

Një ëndërrimtar, nuk është thjesht një rastësi. Ndërsa shumica e njerëzve janë të qetë duke qenë në një rutinë, njerëzit e suksesshëm si Aqif Neli, guxojnë të ëndërrojnë. Ata marrin rreziqe të llogaritura për të realizuar ëndrrat e tyre. “Nëse mund ta ëndërroni, mund ta bëni atë”, na ka mësuar Ualt Disney.

12.

Integriteti, ëshë themeli ku “AN Construction Solution Limited” ka një nga atributet më të vlerësuara të një personi të suksesshëm. Kur ju vetë keni Parime të larta morale dhe etike është ajo që ju përcakton, mbetet efikase na thotë Aqif Neli. “Integriteti është thelbi i gjithçkaje të suksesshme.”, thotë R. Buckminster Fuller, ndërsa C.S Leuis shprehet se “Integriteti po bën gjënë e duhur edhe kur askush nuk po shikon”.

13.

E fundit në këtë bisedë, që sapo ka nisur dhe që do të vazhdojë më gjatë në disa pika të tjera është terminologjia “Mirënjohje”. Njerëzit e suksesshëm, sikurse është tashmë z Aqif Neli prej disa vitesh, janë gjithmonë falënderues për marrëdhëniet, jetën e tyre, mirëqenien e tyre, familjen, punën e tyre dhe lumturinë e tyre. Ata kthehen pasi janë falënderues për atë që kanë marrë. “Kur është hera e fundit që falënderove dikë?”, vjen pyetja e fundit për Aqif Nelin ishte kur ai u vlerësua Ambasador i Paqes në Londër, nga Federata e Paqes Universale (FPU), në një ceremoni solemne e festive, ku ai midis disa të tjerëve u vlerësua për arritje e merita të tij përkushtimore e përmbushëse në kriteret e përcaktuara nga kjo OJF Ndërkombëtare me Status Special Konsultativ pranë Këshillit Social-Ekonomik në OKB.

20 views2 comments

2 comentarios


Ambasadori Qirjako Qirko shkruan: Shkrim i bukur dhe realist. Bashkohem me cdo fjale te shkrimit Kemi nevoje për te tilla mesazhe.

Me gusta

http://www.panorama.com.al/nje-model-qe-sfidon-zhurmen-britanike-te-politikes/

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page