top of page

NJË MIQËSI FAMILIARE HISTORIKE


PËLLUMB KULLA – NË ANTOLOGJINË- MIRENJOHJE PËR “ZËRAT QË MË NDJEKIN…” NJË MIQËSI FAMILIARE HISTORIKE…, QË MERR DENJËSISHT MIRËNJOHJEN E GJITHË FAMILJES SIME. NJË SHKOLLË, KU MËSOHET JO VETËM ARTI I TË SHKRUARIT, POR ARTI QË I JEP KUPTIM JETËS SË ÇDO INDIVIDI TË ÇDO PROFESIONI - SI NDËRTOHET, MBROHET DHE TRASHËGOHET E PALËKUNDUR NJË MIQËSI, NJË KOMUNIKIM ME TË GJITHA FORMAT, PAVARËSISHT JE PRANË APO LARG. PËLLUMB KULLA( ose më saktë, çifti KULLA), NJË SHTËPI ME DERË TË HAPUR, KU JANË PRITUR MIQ, KOLEGË…, TË ARDHUR NË AMERIKË. NJË ÇIFT QË DIJNË TË BËJNË ME KORREKTËSINË MË SHEMBËLLORE QOKA E PËRQOKJE ( Urime dhe ngushëllime)…PIKËRISHT KJO MARRËDHËNIE ME MIQTË E TIJ I KA DHËNË TË DREJTËN MORALE TË SHKRUAJ LETRAT E LAMTUMIRËS PËR ATO QË TASHMË JANË NË PARAJSË. LETRA, JO THJESHT NGUSHËLLIMI, POR NJË VLERËSIM TË ADMIRUESHËM PËR JETËN DHE VEPRËN E TYRE, NJË PËRKUSHTIM PËRJETËSIE. KËTO LETRA TË KUJTOJNË KËNGËT E VAJIT, KU LIGJËROHEJ JETA E NJERIUT NË PRAG TË PËRCJELLJES PËR NË BANESËN E FUNDIT…, VEÇSE KËTO LETRA LAMTUMIRE, NUK PËRCJELLIN VAJ, POR SIMFONI PËRJETËSIE… PËLLUMB KULLA , SHKRIMTARI QË GDHENDI DHJETRA E DHJETRA FYTYRA PERSONAZHESH DHE KA VETËM NJË FYTYRË, ATË TË SHKRIMTARIT - NJERI, TË FJALËS DHE MIKUT TË VËRTETË.

FALEMINDERIT, PËLLUMB DHE XHULIETA KULLA, PËR ARTIN QË I KENI DHURUAR KOMBIT TUAJ, PËR VLERAT HUMANE QË PËRCILLNI DHE MIQËSINË QË NA KENI DHURUAR SI FAMILJE, PA ASNJË KUSHT!

*** PËLLUMB XHEVAIR KULLA - MJESHTËR I MADH Ka përfunduar studimet e larta për artin skenik në vitin 1964 dhe emërohet në teatrin e qytetit të Vlorës,ku punoi dy vjet e gjysëm, deri në dënimin me kalim në punë prodhuese. Vjen në Teatrin e Fierit, në fund të vitit 1971, mbas dënimit në një nga guroret e Vlorës, si pasojë e luftës së klasave. Në Fier, me artistët eksiztues dhe me ata që iu bashkuan atyre më pas, u dhanë një emër të shquar Teatrit dhe Estradës së këtij qyteti. -Dekan i Fakultetit të Dramës, në Akademinë e Arteve, (1991 – 1992). -Sekretar i ambasadës tonë për Kulturën dhe Shtypin në R. F. të Gjermanisë. (1993) -Ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë OKB, Nju Jork, ShBA (1993 – 1997). -Editor – menaxher i gazetës shqiptaro – amerikane “Iliria” Nju Jork (1998 – 2000). Aktualisht është në pension, por me krijimtari të pandërprerë. Vazhdon të shkruajë në shtypin periodik dhe të angazhohet në veprimtarinë skenike. Ka një përvojë 35 vjeçare në punën nëpër spektaklet e humorit, qëkur ka kryer studimet e Akademisë së Arteve e më pas si drejtues, pedagog dhe shkrimtar i gjinisë së humorit. Në cilësi të aktorit dhe regjisorit, ka punuar me trupat profesioniste të Vlorës, Fierit, Tiranës dhe në programet e posaçme të RTV Shqiptar. Ka punuar thuajse me gjithë aktorët më në zë të dramës dhe komedisë shqiptare të brezit të tij dhe brezave që vijojnë.

Nga pena e tij mund të përmendim: Shumë drama, komedi të vëna nëpër të gjithë teatrot e hapësirës shqiptare. Janë përmbi treqind komedijza, të shkurtra dhe të gjata si dhe skenarë filmash të ekranizuar. Do të dallonim “ Shoku Niqifor”, “Dy krisma në Paris”, “E bukur shtëpi e vjetër”, “Telefoni i ri në shtëpi”, “Po martojme Malon”, “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”,“Tela për violinë”, “Kërcuri”, “Milioneri”, “Dikush duhet të vdesë” dhe “Një shtëpi ku është ende dje”. Të gjitha këto, gjenden në një prani permanente në repertoret e kanaleve televizive, të sotëm dhe të djeshëm. Meriton të theksohet puna e tij shumëvjeçare në hulumtimin e humorit popullor dhe prurjes së tij në skenë dhe ekran. E gjithe letërsia e tij kushtuar skenës dhe problemeve të saj është përmbledhur në gjashtë vëllime me titullin “Teatri kjo lojë magjepsëse”, botuar nën kujdesin dhe financimin e Këshillit Bashkiak të Fierit, (2007-2019). Penës së tij i përkasin edhe një sërë tregimesh të përmbledhur në pesë vëllimet që janë botuar deri më sot. Këtyre u shtohen dhe tre romane: “Rrëfenja nga Amerika”, “Lejlekët nuk vijnë më”, “Vdekja e Enver Hoxhës”. “Si qeshnim nën diktaturë”, është një vepër esseistike në formën origjinale zbavitëse të një studimi serioz, ku i bëhet autopsia sistemit diktatorial. “Vdekja e Stalinit” është një tregim satirik i futur në tekstin e letërsisë në arsimin 9 vjeçar. Në fushën e publicistikës këtij autori i përkasin një numër shumë i gjërë artikujsh, analizash dhe essesh mbi problemet e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Shkrimet shquhen për mprehtësinë e temave, ndër të cilat më të parapëlqyerat janë ato që theksojnë nevojën e mentalitetit të ri demokratik dhe shigjetojnë grykësinë pasurore, që ashpërson sot klimën politike shqiptare.

Për drejtimin regjisorial: Janë një sërë spektaklesh dramatikë dhe komikë qe janë vlerësuar dhe nderuar me çmime festivalesh e konkursesh. Të tillë janë: “Dy krisma në Paris”, “Çobo Rrapushi me shokë”, “Kënga dhe arti i buzëqeshjes”, “E bukur shtëpi e vjetër”, “Kërcuri” dhe “Milioneri” e tjerë Vlen të theksohet që pavarësisht nga koha kur janë sendërtuar këto spektakle, ruajnë mesazhe dhe vlera estetike, që tingëllojnë bukur gjithënjë.

Ligjërata në foltore të huaja: “Bashkekzistenca e artistit me çensurën”, 23 janar 1991, Universitet i Lecces, Itali. “Grotesku i të Qeshurës së Ndaluar - Humori në një Diktaturë Komuniste”, 9 tetor 2009, Biblioteka e Kongresit Amerikan, Uashington, ShBA “Welcome Capitalism! – Albania, il paese vicino, oggi” dy ligjërata 19-20 prill 2017 Universiteti i Lecces,Itali Katedra e Filosofisë së të Drejtës

Çmime të veçanta: Laureat i Urdhërit “Naim Frashëri” klasit të II–të për lëvrimet në gjinitë e humorit, 1984. Mbajtës i titullit “Mjeshtër i Madh” me dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, 2003. Qarku i Fierit (Fier, Lushnjë, Mallakastër) e ka përfshirë Pëllumb Kullën në 12 figurat më të shquara të kulturës dhe artit për shek. XX duke e vlerësuar me titullin “Nder i Qarkut”, 2005. ~~~ NGA PËLLUMB KULLA - NGAQË NUK LEXONIM GAZETAT -Vëzhgim satirik - …Në doni ta dini saktë, tërë të zezat ne na kanë ardhur, ja, vetëm nga mosleximi I gazetave! Shqipëria ishte hapësira më e lumtur në botë. Por, kokëtrashët e asaj hapësire, në vend që të lexonin gazetat e ta mësonin këtë gjë, i dorëzoheshin dëshpërimit. Po sikur ish vetëm populli, që nuk lexonte!.. Tek ne, përshembull, asnjëherë nuk pat qenë e hequr liria e fjalës, por policët dhe ata, larot e Sigurimit, gazeta nuk lexonin dhe fjalimeve nuk ua vinin veshin. E nuk e ditën kurrë, që ajo e shkretë liri e shprehjes, ishte! E drejta e fjalës qe e lejuar! Kurse ata, për një llaf, të hidhnin hekurat! Tek ne ka pasur vazhdimisht ulje çmimesh. Mallrat dhe ushqimet pësuan tridhjetë herë zbritje të çmimeve. Por, as drejtuesit e tregtisë, as shitësit dhe as ata idiotët, blerësit, nuk lexonin lajmet. Dhe çmimet mbetën tërë jetën lart. Të vjen të pëlcasësh! Bota përtej kufijve tanë, kish vetëm kalbëzim e papunësi. Njerëzit andej flinin poshtë urave dhe nëpër hendeqe. Lypsat e rreckosur numëroheshin miliona. Këtë gazetat tona e thoshin përditë, të mos u hamë hakun! Por këta, djemtë dhe vashat tona, nuk i lexuan kurrë ato dhe u vërsuleshin telave me gjemba, që mbyllnin kufirin, që t’i kapërcenin. Kufitarët kokëgdhënj hapnin zjarr, të mos i linin të hidheshin matanë. Shpenzonin fishekët kot, se ata të rinj të çmendur, do të vdisnin që do vdisnin andej tutje, në atë ferrin kapitalist, për ku ishin nisur! Le të ngordhnin në Itali e Amerikë, ku gazetat thoshin që vdekja qe e sigurtë! Por edhe kufitarët nuk e dinin këtë, ngaqë nuk lexonin gazetat! Në vendin tonë jetëgjatësia mesatare erdhi duke u rritur, deri në shifrën rekord të 72 vjetëve! Injorantët nuk e morën vesh kurrë këtë arritje socialiste dhe mbyllnin sytë, që sapo mbushnin 48 vjeç! Kush ua pat fajin? Në gazeta qe e caktuar mosha! Le t’i pëlcisnin sytë!...... Të vetmit që lexonin gazetat shqiptare ishin armiqtë tanë përtej kufijve, që deshin të na hanin me gjithë lecka! Por gazetat tona ua përmbanin vrullin. Armiqtë mësonin prej faqeve të gazetave që botoheshin tek ne, që ne ishim pëllëmbë e çelik, të mëdhenj e të vegjël të armatosur gjer në dhëmbë! Ata lexonin aty, se ne ishim kala e pamposhtur, ku ata do të thyenin hundët e do të gjenin fundin e tyre të turpshëm. Në fakt, këtë e bëmë gabim që u a thamë! T’i kishim lënë të na dinin të dobët e të vinin pastaj këtu që të hanin kokën e të gjenin fundin! Por, aha, iku ai shans! Dhe ata nuk e provuan kurrë! Ama, dyzetepesë vjet, i tërë populli i priste që të vinin! Një vezë do të thyhej: e tyrja!

Në tërë këta vite, pra, gazetat u kanë shërbyer vetëm të huajve. Brenda në Shqipëri nuk bënë dot asnjë efekt. Pse të mos e themi troç këtë dhe ta pranojmë hapur, komunistçe: nuk arritëm ta bëjmë shqiptarin lexues të gazetave tona!

Nga “Luftë pa Fund”, Botimet UET. Shkruar më 1990. ~~~~~

2. PUSHTIMI I AMERIKËS Shqiptarët po pushtojnë Amerikën!… Është një pushtim që po bëhet ngadalë me dhelpërinë më të madhe. Në historinë e njerëzimit, pushtimi më djallëzor mbahej ai i Trojës, me atë dhurimin e Kalit të Drunjtë, që e kish barkun mbushur me grekë. Okupimi i Amerikës nga shqiptarët e bën legjendën trojane të duket një kukamshefthi prej kalamanësh. U bënë vite që plani po zbatohet me përsosmëri: sikur gjoja për shqiptarët në Ballkan nuk ka klimë të mirë e aty ata nuk gjejnë rehat e i janë vërsulur Amerikës. I shpikën arsyet: gjoja në Shqipëri nuk bëjnë pushim diktaturat ndjekin njëra-tjetrën; jo po hallet e ekonomisë s’mbarojnë; jo po ka armë pa kontroll nëpër duar të kriminelëve; jo po gjoja nuk ka ujë dhe drita… Pallavra! Nuk ka ujë Shqipëria! Ha-ha-ha! Kush e gëlltit këtë? Vetëm syleshët amerikanë! Është hapur me dashje nami, se politikanët në Shqipëri nuk gjejnë gjuhë të përbashkët; gjoja ministrat janë hajdutë dhe vjedhin edhe të djelave; gjoja partitë zihen e përfyten kush-e-kush të zerë vend nën sisët e lopës mëmëdhé; e njëmijë e një të zeza! Vetëm si e si të mbulojnë dërgimin e divizioneve! Edhe më i humburi, - (veç amerikanëve! E thamë këtë!), - edhe më i shushaturi e kupton, që këto janë inskenime djallëzore për të justifikuar armatën shqiptare të pushtimit të Shteteve të Bashkuara, këtë mësymje moderne, që bota s’e pat parë. Shqiptarët njohin mbi kurrizin e tyre shumë robërira, por dale, dale!... Ta shohë tani, bota, robërinë nga shqiptarët! O nëne, o nëne! Dhe ushtarët, tani nuk janë më si dikur, me uniforma dhe helmeta. As që bëhet fjalë për kryqëzorë e aeroplanëmbajtëse. E shumta shqipot përdorin ca skafe që i hedhin deri në Itali. Skafe, ore, skafe! Barka, që fusin ujë! Në Amerikë shqipot nuk hyjnë kurrë të grupuar, në korparmata, por një nga një: ca me viza të sajuara, ca nga përrenjtë e Kanadasë, ca nga malet e Meksikës e ca të tjerë fshehur nëpër vapora tregëtarë grekë. Ka ikur koha e zbarkimit me aeroplanë ushtarakë dhe me parashuta! Jooooooo! Vetë vendi që pushtohet nuk e merr vesh se si i sjell pushtuesit me aeroplanët e vet të pasagjerëve, me Dellta Erllajns, me Junajtid, Xhetbllu, Xhetrozë e bojë jargavani!... E kompani të tjera ajrore me emra të ngatërruar, që luftëtarët trima shqiptarë, më mirë vriten se s’i shqiptojnë dot!

Ushtarët shqiptarë tani maskohen e shndërrohen në hallexhinj, si qënie të rraskapitura nga diktaturat e gjata dhe nga pasdiktatura e stërmundimshme. Hiqen si të persekutuar, që gjoja nuk e kanë marrë këstin e dytë të përndjekjes dhe pronat që kanë pasur… Ca e ca, me mjete shkencore të sofistikuara, transformohen në pleq e plaka, deri dhe kalamaj katër a pesë vjeçarë! Ca, bile, fshihen brenda në barqet e grave shtatzëna, - u merr të keqen Kali i Trojës! - e dalin në dritë, fuuup!... nëpër maternitete amerikane! Janë që të gjithë ushtarë. Ushtarë, or ushtarë! Shtiren si bebe, por janë ushtarë të stërvitur të pushtimit! CIA amerikane tanimë ka dhënë prova, që po i ha mashtrimet njërin pas tjetrit. Ja, fjala vjen, kuturis e paraqitet në aeroportin e Nju Jorkut një plak azmatik. E thotë që ka lënë Shqipërinë, se atje megjithëse pat shkrirë tërë energjitë thellë në miniera, tani i japin një pension prej as 100 dollarësh në muaj! I bien lapsit shërbimet sekrete amerikane dhe gjejnë se me çmimet shqiptare, laboratorikisht, me ato para, ky njeri, ëhë! - mund të jetojë vetëm 15 ditë të muajit e 15 të tjerat duhet të rrijë pa ngrënë, gjë që, jo ditën e tridhjetë, por që në të gjashtëmbëdhjetën, duhet t’i kthejë këmbët nga dielli. Dërgohen agjentët amerikanë në Shqipëri, pyesin në zyrat e pensioneve e marrin përgjigjen, se pohimet e plakut janë të sakta! Zbuluesit amerikanë mbledhin supet e ngrejnë duart. Ooo, maj Gad! Shumë i kokolepsur lëmshi! Po si është e vërteta, asëll-asëll? E vërteta është se zyrat e pensioneve, ku kanë pyetur amerikanët, janë çerdhe të kundërzbulimit ushtarak shqiptar, se plaku azmatik nuk është hiç azmatik, bile nuk është as plak, oreee!.. por një burrë i fuqishëm tridhjetë vjeçar, komandant i njërit prej divizioneve! Është fillimi i një epoke të re. Epërsia amerikane, si të gjitha epërsitë, do ta kishte dhe ajo një fund. Po na e merr të keqen! Ja, këtë po e bën pushtimi shqiptar, kjo mrekulli e kohërave moderne.

“ILLYRIA” , 21 janar 2000

~~~~ NËPËR SHKRIME, NËPËR VITE…

Çdo natë, komshinjtë tanë ngrejnë në këmbë pallatin kur i bërtasin gjyshit të zgjohet, për t’i dhënë ilaçin e gjumit! *** Të armatosemi për një revolucion paqësor, por ama, të jetë aq paqësor, sa të dridhet edhe foshnja në bark të nënës! *** E vetmja industri që kanë zhvilluar qeveritë tona në gjithë krahinat vendit, është industria e mërgimit. *** Ka dy lloj ziliqarësh: ca që duan që të kenë një makinë si e jotja dhe ca të tjerë që duan që as ti të mos e kesh veturën që ke. *** Të këput shpirtin duke treguar, se dyzet e pesë vjet të diktaturës së poshtër, vitet më të mirë të jetës së tij, ai i kaloi në burg! Por nuk thotë asnjëherë që ka qenë komandant i atij burgu! *** Pritjet për lirinë paskëshin qenë më të bukura nga vetë liria. *** Për atë krim zakonisht japin një dënim prej 25 vjetësh burg. Me gjykim të përshpejtuar, mund të dënohesh vetëm 12 vjet. Por njëri nga kriminelët e kërkoi gjykimin urgjent dhe atë jo vetëm e falën fare, por e bënë edhe deputet *** Shqipërisë më mirë t'i kishte mbetur komunizmi, se sa i mbetën komunistët. *** Është më mirë kur punët e shtetit i drejtojnë pasanikët. Për këtë ka dy rrugë: ose pasanikët të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen pasanikë! Në vendin tonë po ndodh kjo e dyta: vjedhjet tek ne bëhen me pikësynime të ndershme. *** Skleroza është një sëmundje fantastike që të sjell vetëm lumturi. Ajo bën që ti çdo mëngjes, të gdhihesh në krevat me një grua tjetër!.. (Megjithëse është gjithmonë po ajo, e njëjta!) *** Paraja i prish njerëzit, i bën të këqinj. Është për këtë arsye që shqiptarët, sot, mbahen si njerëzit më të mirë në botë *** Njëherë vaktit, shteti i rripte lëkurën individit, për të mirën e përgjithshme. Sot, për të mirë të tyre, ca individë po i rrjepin lëkurën e përgjithshme shtetit! *** Politikanët shqiptarë i shohin milionat e grumbulluara nga kundërshtarët, jo si objekte për t’i hetuar, por si objektiva për t’i tejkaluar. *** Demokracia tek ne po vonon të shfaqet. Shënjat që ajo do të ketë ardhur do të jenë ato ditë, kur teksa na ndërrohen qeveritë, nuk do të na ndërrohen doganierët. *** Sa mirë që gazetat i kemi të pavarura! Botuesit, ama, duhen varur. ~~~ ***

MAKU PONE : - poet, prozator dhe dramaturg shqiptar ( 1 Mars 1939 - 08 Korrik 2019 ), për PËLLUMB KULLËN:

“Biblioteka krijuese e Pëllumb Kullës meriton një bibliografi më vete. Dhjetëra skeçe, komedi, tregime, monologë, skica e thërrime, drama, romane apo publicistikë që shënojnë historinë e satirës, letërsisë, apo dramaturgjisë shqipe, në më shumë se gjysmë shekulli. Janë dhjetëra botime të cilat bashkë me vlerat që përcjellin tregojnë nga ana tjetër dhe vetë kohën. Kulla është padyshim Mark Tueni i letrave shqipe, i cili me ndjeshmërinë e stilit arriti ta shndërronte tragjizmin në humor, e në të njëjtën kohë të dokumentonte në dhjetëra vepra, evolimin e shoqërisë shqiptare përmes fabulave të marra nga jeta… E kam parë këtë njeri të vuajë e të ngazëllejë. E kam parë të luftojë me të keqen e kohës, të mos epet dhe të triumfojë. Shpëtuar pa u djegur në vitin 1995 dolën në dritë ca lista , hartuar në kohërat më të errëtat diktatoriale. Ato lista kishin emra njerëzish të planifikuar për pushkatim, në rastin e një krize të mundshme të pushtetit popullor. Ishin 132 veta në listat e Fierit… dhe emri i Pëllumb Kullës figuronte në listat e vdekjes me numrin 32. Këto kundërthënie kaq flagrante nuk i shihje dot atëherë. Unë atëherë po shihja tjetër gjë. Unë shihja shkrimtarin regjisor… Të gjithë kanë historinë e tyre me komunizmin, por Kulla arriti ta shndërronte historinë e tij në një histori shkrimi e suksesi, që sot numëron dhjetëra tituj librash që përbëjnë historinë tonë krenare të satirës në vend. Kulla është mjeshtri i madh i kësaj historie…

PËLLUMB KULLA, PËR KOHËN E VET DHE PËR TË GJITHA KOHËT

Kur ke kundruall një vepër të plotë, unike në llojin e saj e të papërsëritshme, befas të sillet rrotull pyetja: “Nga t’ia fillojmë?” E pra, kjo është dhe vështirësia e parë me të cilën u hasëm përpara se të merreshim me korpusin letrar të Pëllumb Kullës, një prej dramaturgëve të shquar të letërsisë shqiptare bashkëkohore, në mos më i shquari, po të mos druheshim për t’i vështruar më realisht bashkëkohësit e tij. Le t’ia fillojmë nga përqasjet. Duke qenë se Pëllumb Kulla shquhet për sensin e tij regjisorial dhe atë të pedagogjisë aktoriale, e kemi më lehtë të gjejmë shëmbëlltyrën e tij në disa pararendës të teatrit ndërkombëtar, që sikurse autori i veprës që kemi në dorë, provojnë pa fund kënaqësinë e skenës së teatrit dhe sillen lirshëm mbi të, në shumë funksione. Nuk shkojmë larg dhe i pari që na vjen ndërmend është një fqinj nga përtej deti, italiani Dario Fo, autor, regjisor, aktor, skenograf… Nuk duam të marrim përsipër krahasimet e vlerave, zoti na ruajtë nga kjo ndërmarrje! Fjalën e kishim tek shtyllat ku qëndron përqasja. Dario Fo thotë: “Autorët mohojnë që unë të jem një autor. Aktorët mohojnë që unë të jem një aktor… Më tolerojnë veçse skenografët.” Pyetjes së bërë në një intervistë: “Ti, si e përcakton veten më mirë…autor apo regjisor?”, Kulla i përgjigjet: “Le ta quaj veten një regjisor, që bashkëpunon shkëlqyeshëm me autorin, ngaqë është i njëjti njeri.” Dhe vijon sikur të ishte Dario Fo: “Unë nuk e di ku mbaron tek unë autori dhe ku fillon regjisori.” Pëllumb Kulla as që mund të ëndërronte për të themeluar një kompani teatrale si fqinji Fo. Në ato kohëra në atdheun tonë të bekuar, nuk të linin të hapje një pikë për të shitur pafta e kuleçë, pale, të kishe trupën tënde! Në trivëllimëshin e tij “Teatri kjo lojë magjepsëse” autori rrëfen për fatet tragjike të artistëve: të Maria dhe Stavri Rafaelit, të Minush Jeros, Mihallaq dhe Edi Luarasit, Kujtim Spahivoglit. Vetë, ky krijues i palodhur i kësaj loje plot magji, e provoi fatin e hidhur në guroret e Vlorës, kur mund të kishte ngjitur në skenë, po në atë qytet, disa nga veprat e tij mjaft premtuese të djalërisë. (Ai vetë tregon sesi pat përkthyer “Vizitën e damës plakë” të Dyrenmattit, në moshën 27 vjeç. Dhe do ta kishte vënë në skenë qysh atëherë, po të mos e kishin çuar në një tjetër dekor për t’i shkatërruar talentin dhe të ardhmen). Po le t’i shtyjmë për më pas, për kur të na duhen, këto penelata të zymta e le të mundohemi të zbërthejmë autorin dhe veprën në përbërësat e tyre.

1. Portreti i shkrimtarit Letërsia e Pëllumb Kullës është një letërsi e klasit të parë. Në lëndinat e letërsisë së tij i gjen që të gjitha lulet: rrëfimin e pastër, figurshmërinë, krahasimet e goditura, lirizmin, të papriturat, paradokset, ironinë, abstragimin, një mori burimesh të kristaltë për të ushqyer imagjinatën e gjithçka, gjithçka që e bën letërsinë të pëlqyeshme. Në faqet me tekst të rralluar, siç i ka zakonisht faqet letërsia skenike, këtij autori do t’i gjesh megjithatë, një dialog të ngjeshur, një ritëm të saktë dhe një strukturim të përsosur të pjesëve, të gjata apo të shkurtëra qofshin ato. Vetë Kulla, në shënimet e tij të botuara, e veçon Kol Jakovën, si mjeshtër të kompozimit dramaturgjik, por ne mund të themi se edhe ky vetë është jo më pak i tillë në letërsinë e tij për skenën. Letërsia e madhe botërore na ka mësuar, që prurjet më të mëdha e më të çmuara në lëmin e saj janë karakteret. Janë miliona e miliarda faqe në ditë që dalin nga shtypshkronjat e botës, me po aq historira nga më aventurozet, romane policeskë, novela me tmerre e ankthe, me lotë e psherëtima, histori të panumurta dashurish me funde të lumtur e pa funde fare, por nuk maten për nga vlerat me një figurë të vetme, si Antigona, Odhiseu, Elena e Trojës, Don Kishoti, Otelloja, Tartufi, Harpagoni, Tartarini, Shvejku, Ana Karenina, Idioti, Xhaxha Vanja, Tom Sojeri, Baj Gano e shumë të tjerë. Vihet re menjëherë tendenca e autorit, që kemi në dorë, për të shkuar i ngarkuar në rrugën e gjatë drejt atij lëmi të madh, duke kaluar nga lëmi ynë kombëtar, ku para tij mjeshtrat të shquar kanë shpënë krijesat e tyre; Adhamudhin, Bajlozin, Malcorin, Hajrien, Zylon, Plakën Nicë, Nihilistin... Me drojen e mysafirit të ri në këtë lëmë, ai kërkon vëmendje tek shtyn të shfaqen ca figura interesante bashkëkohësish, Rushkën (“Shoku Niqifor”), atë njeriun në mes të dallgëve të prepotencës eprore; një Dule mjaft tërheqës, (“Flokë dëbore në prill”), që përfaqëson regjimente Dulesh, të cilët vadisin bimët e rëndësisë së tyre brenda sistemit shoqëror; Lipen, (“Lipe Shtogu në listë”), atë oportunistin e vockël socialist, që u bë më i njohur se antarët e dikurshëm të Byrosë Politike; Zelihanë, (“Telefoni i ri në shtëpi”), koketën pacipë, që zdërhallet në dialogët e saj të dashurisë nëpër telefonat e gjitonëve; Selon, (“A doni më për Belulin”), që pranë shtatores së Belulit, po ngre një shtatore më të madhe akoma, të tijën; Fatbardhën (“Ujku i përrallës”), vajzën që mezi pret të përballet me ujqërit; Asafin, (“Asaf Lala kërkon largimin”), nëpunësin korrekt, që ka humbur nga vëmendja e përgjithëshme dhe bën kërkesë largimi duke drithëruar tek përfytyron çastin,kur shefat t’i ulërijnë: “je në vete, si mund të të lemë të na largohesh ti?!”… Pastaj, pleqtë! Pleqtë e Kullës janë nga më origjinalët. Ata janë të ngrohtë e plot nerv, të rrahur nga vitet, fjalëmbël e hazërxhevapë, sikur të kishin jetuar në një rrugicë me Nastradinin. Në trivëllimshin që na paraqet sot Pëllumb Kulla, duket sikur janë rreshtuar të gjithë të njohurit e jetës së tij, që rastësisht meritokshin vend në letërsi dhe në skenë. Dhe ky i pruri. Janë tërë ata që e frymëzuan, ata që e bënë të vuajë dhe sidomos ata që e bënë të qeshë. Autori ynë rreshton para nesh pjesët e tij të plota, që me t’u shkruar, e panë dritën e skenës falë temave të rëndësishme, mjeshtërisë kompozicionale dhe vlerave spektakulare. Si në skeçe, ashtu edhe në pjesët e plota, autori thotë më shumë nga sa flet. Një figurshmëri paralele, një simbolikë e pandjerë, e padhunshme për rrëfimin realist, shoqëron shumicën e veprës së tij. Nuk ka nevojë për ndonjë mprehtësi akademike ta shohësh Shqipërinë e kohës tek “Ishulli i çmendur”, ku një dorë e egër, një spekullator demagog, sundon me zjarr e hekur e i mundon të gjithë duke mashtruar me idealin e kapërcimit të vështirësive, për të mbijetuar egërsisë së jetës në ishull e për të arritur një ditë në botën e madhe. Anijet që do t’i shpien atje befas nisin e kalojnë para syve dhe të gjithë e kuptojnë, se tirani ka gënjyer, pasi zgjidhja e tij është të jetojë në këtë ishull. Në botën e madhe ai nuk guxon të shkelë, ngaqë do të ndëshkohet për tërë gjakun që ka derdhur në emër të mbërritjes në atë botë. “E bukur shtëpi e vjetër”, nuk është veçse i bukuri atdheu ynë, me vlerat shekullore, objekt studimi për shkencëtarë e soditjeje për turistë. Por tani njeriu në krye të vendit, plaku i shtëpisë, bën shurdhin, djali i shtëpisë rron e dëfren me djersën e motrave dhe të gjithë antarët e familjes, meqë flitet se po hapen dyert, gjallojnë dhe presin xhaxhanë e zakonshëm nga Amerika. Alegorinë e has në një numër shumë të madh skeçesh dhe komedish. Alegorike është e tërë situate paralele e “ndërrimit të qiejve”, tek “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”. Dyzet e ca vjet më vonë nga ç’tregon komedia, në prag të përmbysjes së komunizmit, kur po frynin erërat e perestrojkës, në Shqipëri u pa një përgatitje masive valixhesh e, gati gati, po quhej gjëmë të të thërrisnin atë çast për të të ngarkuar detyra ministrore. Kur autori nisi të shkruante komedinë, monumentet kishin nisur të lëkundeshin megjithë piedestale… Alegorike janë shtjellat edhe tek “Na e ngarkojnë, do ta bëjmë”, “Kontakte dhe izolatorë” dhe mrekullisht e gjetur është situata alegorike tek “Klientët e urtë në banak”, ku një banakier prepotent u ul gramaturën klientëve e ata nuk guxojnë të protestojnë se shohin se si rrihen ata që e bëjnë këtë gjë. Kështu arrijnë deri aty sa të trokasin e të urojnë njëri tjetrin me gotat bosh. Edhe këtu, në libra, pra e shkëputur nga realizimi skenik, dramaturgjia e Pëllumb Kullës ruan po ato vlera. Të ngazëllen kur e lexon. Të mbush shtatin me mornica. Të deh me atë lirizëm të hollë e të pashoq. Ka monologë apo batuta të tëra, që gëlojnë nga poezia. Po të kishte patur pak më shumë zell e kurajë, e të mos kish ndeshur skenën në rrugën e tij, themi se fati do ta kishte pasuruar letërsinë shqipe me një poet tjetër në vazhdën e Poradecit, Kutelit, Jorgo Bllacit e Frederik Reshpjes. Hidhi sytë e shfleto “Kërcurin”, ndalu pak tek “Ujku i përrallës”, kërko “Ishullin e çmendur”, “Shumë roja e shumë vjedhje” e vazhdo deri te “Gjyshi dhe nipi” e bile deri te intervistat e tij të ngjeshura me pajë profesionale e sidomos me limfë poezie. Nga proza më e thatë ky autor di të nxjerrë poezinë më të freskët. Familjar me teknikat televizive, i afërt gjithmonë me programet satiriko-humoristike për ekranin, prodhimtaria letrare e autorit tonë në fushën e problemeve ekonomike e politike të ditës është mjaft e mprehtë dhe mbresëlënëse. Edhe gjatë viteve të fundit të erës komuniste, por sidomos pas saj, krahas angazhimit të tij të përkohshëm në politikë, ai ka arritur disa kulme në gjininë e komedisë së shkurtër si “Gjumi i gjatë” e veçanërisht me “Kanani kërkon sy” ku portretizohet pushtetari i vërtetë i paskomunizmit, skafisti. Pena e tij është endur hera herës edhe në fushën e pamfletit, të parodisë politike dhe të angazhimit polemik. Këtë e ve re menjëherë te artikujt e tij mbi teatrin dhe në publicistikën me aromë teatrale të botuar në gazetat ditore. Vihet re menjëherë figurshmëria e goditur, kthjelltësia, sarkazma, ironia e mprehtë, përqeshja e militantizmave partiake. E ve re pjesën përmbyllëse të vëllimeve, në skicat dhe monologët, në thërrimet “nga sofra” që kanë vlerë aforizmash të goditura e më së shumti, në intervistat, që ia kërkojnë mediat nga atdheu, shkrimtarit, që po jeton në mërgim dhe njëhohësisht “mu në mes të Shqipërisë”, po të huanim një përkufizim nga ai. Tani le të përpiqemi për t’iu përqasur burimeve të krijimtarisë. Na pat qëlluar ne, miqve e shokëve letrarë të Pëllumbit, që në bisedë e sipër ai të na tregonte ndonjë fletorkë, apo bllok shënimesh të viteve-e-viteve më parë. Aty do të gjeje subjekte, karaktere apo shënime të shkurtra rreth diçkaje të madhe e të plotë, që do të merrte jetë më vonë (siç edhe kishin marrë dhjetëra të tilla). Por ajo çka duhet nënvizuar është fakti, që ai nga diçka e thjeshtë, nga një pikë nisjeje apo shtysë, arrin pastaj të ndërtojë një makinë të përsosur të komikes. Të komikes në komeditë e veta, por dhe tek dramat, ku edhe pse mjedisi është i zymtë e shpesh tragjik, komikja gjithsesi nxjerr krye; në komeditë me një veprim apo dhe tek skeçet aq të thjeshta në dukje. Veçse sa mund i është dashur për të ndezur motorin e kësaj makine, ai e di! Nga shënimet e tij bindesh se Pëllumb Kulla e njeh në thellësi thesarin e humorit popullor, të shkruarin dhe rrëfimet gojore. Ai na tregonte dhjetëra bëma të aktorit të shquar të estradës së Fierit, Nestor Pogaçe (dhe në mënyrën e të treguarit Kulla s’ka shok që t’i ngjajë) të gjitha të sjella nga turnetë e gjata në fshatra e të mbushura me lëndën e atjeshme. Këtë tërheqje manjetike drejt trashëgimisë të humorit popullor, ai duket se e ka marrë tok me qumështin e nënës. Dhe ky mëkim, në Zëmblak a Tiranë, Vlorë a Fier, pak e nga pak u kthye në “zhenj – shenj”, siç thonë kinezët – rrënjë e jetës, rrënjë e humorit. Kulla ka lëvruar në mënyrë të përsosur farsën për t’u rikthyer më pas në zanafillë të traditës popullore në humor e satirë. Ato burime kanë qenë nga më të kërkuarat për etjen e tij. Ndaj pjesët më brilante, më përfaqësuese e më të paarritshme, janë ato që marrin shtysë nga humori i traditës, shtysa me të cilat ai realizoi një nga spektaklet më të paharruara në varietenë e Fierit në vitet 80 – të. Pastaj në mbështetje të mendimit tonë, vjen “Kërcuri”, një ndër veprat më emblematike të tij. Kjo komedi mban në botim, (vëllimi i tretë), këtë shënim: “Shkruar mbi motivet e një legjende myzeqare”. Dhe pa shihni, nga një legjendë, nga ato, që tregohen rreth vatrës me pak fjalë, mjeshtëri i lojërave magjepsëse të skenës ngre një godinë dramaturgjike, që do ta kishte zili çdo autor që punon për teatrin. Ajo legjendë i ofron atij motivet për komedinë e shantazhit, situatën e të zënit peng. Kjo legjendë duket sikur ka ardhur të ndihmojë në ridikulizimin e hapje-moshapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, temë që sot e shtatëmbëdhjetë vjet e bluajnë pa fund mokrat e mediave të vendit… Të mos harrojmë pastaj “Fshatarët dhe kadiu”, “Po ai që vodhi lopën?” e përralla të tjera me vlera rrezatuese. O Zot, çfarë mrekullie, çfarë fuqie hyjnore artistike, ç’struktura të papërfytyrueshme larg frymës së një letërsie mediokre, me të cilën na ndodhte, ashtu siç na ndodh edhe sot e kësaj dite, ta shohim ende në skenë. Tek Pëllumb Kulla realiteti sillet nga e largëta e i përqaset realitetit të sotëm. Dhe tani le të soditim pak strukturën e këtij korpusi letrar në të tri vëllimet. Një strukturë që mund ta kishte përfytyruar një arkitekt i madh. Drama. Komedi. Komedi me një veprim. Skeçe dhe dialogë. Monologë, skica dhe thërrime. Intervista. Publicistikë me lëndën e teatrit. Të tri vëllimet njësoj. Të ngjajnë si me tri piramida të përmbysura. Bazamentet janë lart e kulmet poshtë. Po përse kështu, - do të pyesnim. E pastaj do ta pranonim se është pakëz dredharak e hileqar ky autori ynë i dashur, sikur na thotë të shijojmë më parë ato kokrrat më të mëdha në pemë e në s’u ngopshim, le të qëmtojmë ato më të voglat. Dhe kështu, pasi shijojmë komeditë dhe dramat, të pashoqe në letërsinë tonë, themi: “Pa t’iu hedhim një sy edhe këtyre “thërrimeve”…” Dhe po këtu kemi rënë në kurth për mirë, sepse këto “të voglat” na shijojnë po aq sa dhe të mëdhatë, ndoshta diku dhe më shumë. Dhelpërore është edhe zgjidhja e mbështetur nga vëzhgimet, se një vëllim vetëm me pjesë teatrale nuk është aq i kërkueshëm. Akademikët, regjisorët dhe studentët e fushës janë të paktë për të qenë konsumatorët e këtij lloj libri. Megjithë diferencën e madhe të vlerave, me keqardhje e themi, se tërë jetën, masa e gjërë e lexuesve një Remark e ka preferuar ta lexojë më shumë se një Shekspir. Kjo me sa duket e ka shtytur hartuesin e këtyre vëllimeve, Kullën vetë, që t’i shpërndajë pjesët e gjata në të tre librat dhe të mbyllë secilin nga vëllimet me skica e shënime të shkurtëra, mjaft tërheqëse, të tipit “Ngaqë nuk lexonim gazetat”, që është një perlë e rrallë e satirës. Bëjmë këtu një parantezë, por jo me synimin për letërsi të krahasuar. Le të kujtojmë për një çast Çehovin, idhullin e përjetshëm të Pëllumb Kullës. Çehovi kudo është Çehov…edhe tek “Vdekja e një nëpunësi”, edhe tek “Korija me rrush toke”, po aq sa ç’është tek novelat “Pavioni numër 6”, “Pilivricka”, “Zonja me kone”. Çehovi është Çehov në të gjithë dramaturgjinë e tij. “Xhaxha Vanja”, “Tri motrat”, “Pulëbardha” dhe “Kopshti i qershive” do të vihen në skenë edhe në fund të këtij mijëvjeçari, edhe në mijëvjeçarin tjetër, sepse ato janë unikale. Unikale është edhe e gjithë dramaturgjia e paraqitur në këtë trivëllimësh me titull “Teatri, kjo lojë magjepsëse” dhe e gjitha pa përjashtim mund të vihet sot, mund të vihet dhe pas njëqind vjetësh në skenë, pasi ato janë të mbarsura me energji të brendshme, si të gjitha veprat serioze. Veprat e mëdha lëvizin në kohë, falë këtyre energjive të pashuara. Pëllumb Kulla gjithmonë ka arritur të shohë në brendi dhe jo në sipërfaqe të ngjarjeve. Dhe kjo ka bërë që vepra e tij në tërësinë e vet premton të jetë e gjithëkohshme. Merreni “Shokun Niqifor” dhe e vini në skenë! Shikoni po nuk u bindët që aty s’ka kurrgjë socialiste, përveç fjalës “shoku”. Lexoni komeditë tërheqëse “Flokë dëbore në prill” dhe “E bukur shtëpi e vjetër” dhe shihni po nuk ju tingëlluan sikur janë shkruar sot! Vepra e viteve të rinisë, “Ujku i përrallës” të habit me freskinë e syzhetit dramaturgjik dhe me ato tri karaktere të papërsëritshme. Por meqë fjalën e kishim për strukturën, do të donim të shtonim dhe një mendim tjetër, paksa të çuditshëm, ndoshta. Duke i hedhur një sy lëndës së “Teatri, kjo lojë magjepsëse”, se si na jepet përshtypja, që e tëra, si strukturë është menduar nga autori, së paku 40 – 50 vjet më parë dhe ai s’ka bërë tjetër gjatë jetës së vet krijuese, veçse e ka mbushur, sikurse Mendelejevi tabelën e tij për ato elemente që ende nuk ishin, por që do të zbuloheshin një ditë. Sikur ende qysh në bangat e shkollës ai e dinte për “Kërcurin”, por s’ mund ta përcaktonte se kur do të shkruhej. Ashtu sikurse e konceptoi “Ishullin e çmendur” dhe priti me heshtje dhe durim kohën e përshtatëshme.

2. Regjisori Një ditë të bukur vjeshte, Presidenti i Republikës akordoi për Pëllumb Kullën dekoratën e lartë “Mjeshtër i Madh” në fushën e regjisurës. Na pëlqen, por po e kyçim ndër buzë pyetjen, se përse vallë ai vlerësohet në regjisurë, kur vetë i interesuari na thotë “nuk e di ku mbaron tek unë autori dhe ku fillon regjisori”? Le ta respektojmë motivacionin e përcaktuar nga i Pari i Vendit dhe le t’i dalim krah atij në këtë vlerësim të lartë e të merituar. Le ta kthejmë kokëposhtë fandin spathi e le ta shohim Pëllumb Kullën si regjisor!… …Hapet perdja. Një kafene e vjetër është mbushur me klientë burra, që sodisin hiret e kafexheshës, një femër e pashme, që gjarpëron mes tryezave, e vetëdijshme që ka mbi vete shikimet e tërë klientëve. Gjarpërimi shkel skajet dhe thellësitë e kafenesë. Burrat kthehen, lëvizin të ndënjurat përmbi stola, bëjnë rrotullime të plota aty ku janë, ashtu siç ua urdhërojnë sytë, sy që nuk u ndahen hireve të zonjëzës që shërben. Ajo shkon në thellësi e ne nga salla, u shohim burrave vetëm zverqet. Ajo vjen në plan të parë e ne u shohim meshkujve fytyrat e ndritura që duken si ca luledjelli rrumbullake, që vërtiten ngado që i thërret dielli i ndritshëm. Ky është fillimi i “Kërcurit”, pa nisur ende fjala, pa nisur ende intriga e bukur e komedisë. Ky etyd i ndërtuar me një mjeshtëri të rrallë, që dukej thjesht si aperitiv e që përfundonte gjithnjë me duartrokitjet e shikuesve, është një nga dëshmitë më të freskëta të shprehjeve regjisoriale të Pëllumb Kullës me masa aktorësh. Shpesh Kulla e përdorte masën e aktorëve për mprehjen e konfliktit, për nënvizime, e veçanërisht për lajmërime “fatale”. Dy të tillë efekte mbahen mend gjatë. I pari është lajmërimi i ardhjes së beut, në një fragment nga “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxës: i tërë sheshi skenik është mbushur me myzeqarë, veshur me ata jelekët e tyre të zinj e me takiet e bardha të vëna mbi koka. Sejmenët e beut,që janë në skajin e majtë të skenës çirren e ulërijnë. Fshatarët janë kthyer nga ata. I dëgjojnë me respekt dhe sidomos me frikë. Fshatari i fundit, në skajin e djathtë, në skajin e kundërt me sejmenët, kthen rastësisht kokën pas dhe e kthen përsëri me vërtik, sapo ndërgjegjësohet se ka parë diçka të tmerrëshme, që ai, “i humburi”, e kaloi thjesht, pa vëmendje. Ai tani u ka kthyer kurrizin sejmenëve dhe po shikon me tmerr atë që po vjen në drejtimin e kundërt me ta. Njeriu që sheh ai nuk duket nga salla, por përfytyrohet të jetë në atë që quhet “xhep” i skenës. Pa ia ndarë sytë njeriut që po vjen, myzeqari i ngratë zgjat dorën pas dhe tërheq nga mënga shokun që ka më pranë. Dhe ky i dyti, le sejmenët që po bërtasin dhe pasi ve re se kush po vjen, kthehet dhe ai andej duke zgjatur dorën prapa, për të lajmëruar me alarm shokun e tretë. Kështu, me reaksion zinxhir, myzeqarët u kthejnë pa droje shpinat sejmenëve dhe e tërë masa tani sheh në drejtim të kundërt , atë, njeriun që po vjen. Sejmenët, dhe ata, e ndërpresin fjalën që po mbanin. Heshtje. E tëra masa e myzeqarëve ngre dorën drejt kokave. Në shesh të gjithë heqin takijet. Në atë çast shfaqet njeriu që pritet e që Xoxa e nënvizon me një frazë të prerë: “Ishte beu, mortja vetë!” I dyti efekt është nga “Dy Krisma në Paris” dhe zhvillohet te dera e madhe ballore e Hotelit Kontinental, para së cilës Avni Rustemi kryen atentatin historik. Avniu po shëtit para kollonave dhe në pritje, sytë i mban nga porta e madhe. Para portës, për të turbulluar shikimin e djalit libohovit, regjisori ynë ka vendosur një turmë damash dhe kavaljerësh, të cilët duken të shkujdesur dhe nuk dihet se çfarë presin. Në një moment e tërë kjo turmë vendos të futet në hotel. Ashtu bëjnë, por pas një thyesë sekonde, çiftet e para që janë futur, dalin përsëri duke u tërhequr mbrapsht me respekt. Grupi ndahet më të dy anët e portës duke lënë të lirë daljen e personit të shquar, mbi të cilin kanë mbërthyer vështrimet që kur ai është ende brenda hollit dhe ne e ndjejmë se ja, ja, ai po shfaqet. Dhe Esat Toptani del në shoqërinë e dashnores së vet. Tërheqja me respekt e tërë grupit dhe lënia e lirë e hapësirës së portës, i shërben regjisorit për pregatitjen e çastit fatal, historik të rënies së Esat Pashës në pritën e Avni Rustemit... Me këta dy-tri shëmbuj të krijohet përshtypja se regjisori Kulla, parapëlqimisht, e përdor masën e figurantëve dhe aktorëve për konfiguracione dhe lëvizje shprehëse. Pa mohuar parapëlqimin, një opinion krejt të kundërt me këtë, të jep Artisti Popullit Pirro Mani, kur analizon pjesën e dytë të spektaklit, që sapo përmendëm. “Është vërtet e një bukurie të rrallë”, - thotë Pirro Mani, regjisori më i shquar në historinë e teatrit shiptar, “kjo regjisurë me lëvizje koprace, që din të na e bëjë gjyqin për një orë resht, interesant dhe tërheqës, me ata personazhe më shumë ulur se ngritur në këmbë, por ama të palëvizshëm, të mbërthyer një orë të tërë nëpër vendet e tyre! Në plan të parë këtu ka dalë, fjala, argumenti, mënçuria. Vetëm një mjeshtër i ndërtimit të konfliktit të fjalës, mund ta bëjë këtë!” Mund të arrijmë në përfundimin se më parë idetë, pastaj kompozimi i tyre letrar, shpërndarja e saktë e roleve dhe asgjësimi vetjak i regjisorit prapa aktorëve, kanë qenë vite me rradhë kyçet e suksesit të Pëllumb Kullës në spektaklet me trupat e teatrit Bylis të Fierit. Duhet të themi se ardhja e Pëllumb Kullës në Fier u ushqye me një dukuri reversibile: teatrit i erdhi autor – regjisori, kurse autor – regjisorit i erdhën trupat e estradës e të teatrit e ato u bënë shtratet, ku morën jetë pjesët më të bukura. E një nga burimet e tjera me rëndësi të dorës së parë për Pëllumb Kullën, që enkas e lamë pa thënë më lart për ta thënë këtu, është realiteti krijues që iu hap në trupat e teatrit dhe të varietesë së qytetit të Fierit, është frymëzimi që i ngjallën artistët që gjendeshin në to. Fieri dhe Pëllumb Kulla u shkrinë në një të vetëm. Nëse ai nuk pati fatin për të ngritur një kompani humori, si Dario Fo, - me që na pëlqen kjo pikë referimi, - në njëfarë mënyre, trupat e Fierit u bënë si të tijat. Edhe ai gjeti në këto trupa talente të mëdha aktorësh. Nga zbërthimet e tij regjisoriale, ai i bënte aktorët tanë të vyer; Luftar Paja, Fuat Boçi, Fatos Sela, Todi Llupi e Arqile Lipe e deri tek Zhuljeta Kulla e Hajrie Rondo, të bëheshin edhe më të vyer. Për vite me radhë kështu. Sepse të gjithë këta besonin tek letërsia dhe regjisura e tij. Dhe këtë e shpreh më së miri vetë ai, kur thotë: “Aktor i mirë është ai që beson tek ty, që nuk përton të të vijë pas në kërkesat e tua, që të bezdis vazhdimisht duke pyetur, që vuan dhe drithëron tok me ty” Dhe e ilustron këtë me një shembull: “Unë Luftarin e shihja në rol, që sapo vija para vetes një fletë të bardhë dhe hapja kapakun e stilografit.” Epo, kuptohet, kështu do ta ketë parë si Shaqo tek “Telefoni i ri në shtëpi”, tek fshatari Cane, tek Dulja tek Rakoja e dhjetëra personazhe të tjerë. Avni Rustemin me siguri do ta ketë parë qëkurse iu përvesh punës tek Fatos Sela dhe vetëm tek Fatos Sela. E po kështu edhe Esatin tek aktori i ndjerë Dhimitër Jano e me radhë Vladimir Muzhën, Dervish Bibën… Në ansamblin e aktorëve të “Dy krismave në Paris“ ishin të shumtë aktorët që shënuan në karrierë arritjet e tyre kulmore. Mjeshtri ynë i Madh nuk e kish atëhere as titullin e sotëm e as autoritetin zyrtar t’i kërkonte aktorët nga jashtë teatrit e të mundohej t’i sillte rreth tryezës ku punonte. Ai filloi punë me aktorët ekzistues dhe me ata që vinin të dërguar nga qendra, nga zyrat e kuadrit. Pra Kullës nuk i mbetej veç ta njihte mirë “materialin njerëzor” me të cilin duheshin ndërtuar shfaqjet dhe figurat. Dhe këtë punë ai e bëri më së miri, i ndihmuar nga dhuntitë vetjake psikologjisëse dhe pedagogjike. E ndodhi çuditërisht një fenomen mjaft interesant: në kohën, që për ca arsye joprofesionale, inkurajimi shtetëror për të vlerësuar regjisorin Kulla, ishte zero, - në mos më poshtë! – autoriteti i tij erdhi gjithnjë duke u rritur! Besimi i aktorëve ndaj projekteve të udhëhequr nga Kulla u bë gati fanatizëm. Aktorë të rinj që Tirana i emëronte në Fier vinin të lumturuar, se do të bënin pjesë në laboratorin krijues të mjeshtrit Pëllumb Kulla. Ky njeri bëri për vete artistët më të shquar dhe ata më pak të shquar. Një gjeneratë e tërë aktorësh të rinj u mblodhën rreth e qark këtij pedagogu-regjisor dhe iu bënë atij një gardh mbrojtës nga tërë risqet banalë dhe jo banalë. Antarë të Organizatës Bazë, nisën ta shihnin me simpati dhe respekt këtë punëtor të palodhur të skenës, këtë autoritet të padiskutueshëm. Disiplina artistike në teatrin Bylis të Fierit arriti shkallët sipërore. Në përzgjedhjen e botimit që kemi përpara duket qartë se regjisori e ka ndihmuar pa kursim shkrimtarin. Kështu ata që kanë ndjekur nga afër shfaqjet e komikëve të Fierit, nuk do shohin të përmbledhur në këtë botim shumë nga pjesët që kanë entuzjazmuar sallat. Dhe kjo mospërfshirje ndodh ngaqë në ato pjesëza, letërsia nuk e arrin dot nivelin e regjisë. Spektatori nuk është i detyruar të dijë se ku ndahen ato, kurse fandi spathi me dy koka, e di se ku dhe se si ndahen! Psh, Arqile Lipe luante një fizarmoniçist në një mbrëmje vallëzimi, në aksionet e rinisë. Atij “rastësisht” i prishej fizarmonika, sapo dikush nga djemtë shkonte dhe i ftonte në vallzim çupën që dashuronte ai. E gjitha ishte ndërtuar në mënyrë të përsosur, efekti ishte i jashtzakonshëm, por tema ishte mjaft e lehtë dhe teksti i kupletit, në vetvete, nuk kish vlerat letrare për t’u futur në këtë libër. Një shëmbull tjetër më i bujshëm. Dyshja e njohur Llupi-Lipe, në rolin e dy amatorëve kooperativistë, kërkojnë të pregatisin një program këngësh për fundin e vitit. Në sallë do të jetë kryetari i madh i Komitetit Ekzekutiv, të cilin, në kryeqytet, burrat sipër tij, e kanë shkundur mire e mirë për mos realizimin e planit të frutave dhe agrumeve. Aktorët, për të mos lënduar spektatorin e pushtetshëm, gjejnë një zgjidhje: ata zotohen, që në këngët e tyre të mos përmendin ato fruta e agrume që mungojnë. Ata do të bëjnë një pauzë me gojë mbyllur, kur gjatë këngës t’u dalin fjalët “limon”, “portokall” “qershi” apo të tjera si këto. Mirëpo me që në këngët tona frutat e tilla përmenden në çdo dy vargje, efekti kur aktorët zinin gojën ishte mjaft grotesk dhe salla që i parakëndonte me mend vargjet e njohur të atyre këngëve, buçiste, si të binte tërmet. (Fare kollaj mund të përfytyrohen këngët e shumta me “liri” dhe “lumturi” që ne i kishim në çdo varg dhe të pranohej që këto dy fjalë t’i shtoheshin listës së gjërave që mungonin). Kuptohet që efekti letrar i këtij numri të bukur është i mjerë, para efektit skenik, kështu që edhe “Këngët e fundit të vitit” i shtohen listës së të përjashtuarave nga botimi, megjithëse të pritura me ovacione në jetën e tyre skenike. Mjeshtri i Madh, Pëllumb Kulla, na ka ofruar dhe mjaft momente të tjerë të me spikatje regjisoriale, por kryet e vendit në këtë përmbledhje e ka shkrimtari dhe ne po e mbyllim me të.

3. Artisti dhe koha “Unë jam frikacak. Të trembem shumë, o shoku ministër dhe për këtë djall frike, nuk di kush duhet të skuqet, unë apo ti?” Kështu fillon një nga tregimet e autorit tonë, nga ata tregime që bëjnë pjesë në romanin “Lejlekët nuk vijnë më” , botuar në vitin 2005. Është një personazh i trembur, që nga bodrumi i tij, i dërgon të tilla letra ministrit të Punëve të Brendshme, gjatë viteve të errët të diktaturës. Zor të gjendet tek ne, në gjysmën e dytë të shekullit që kaloi, një shkrimtar që të mos jetë ulur në tryezën e tij të shkrimit pa praninë e padukshme të këtij lloj ministri, të kësaj mostre, që ka bërë masakrën e shkrimtarëve dhe artistëve në Shqipërinë staliniste: i ka pushkatuar, varur, burgosur, internuar. Ndaj një pjese prej tyre, ky ministër, pat kryer krimin e krimeve: i pat çbërë! Ky kryezot i vendit, desh nga shkrimtarët dhe artistët që ata të mos thyenin disiplinën socialiste: jo disfatizëm, jo thirrje për rrebelim, jo art të komplikuar që ta lodhte ministrin me gjë e gjëza pa fund. Kush do të angazhohej krah ministrit për t’i bërë masat të mobilizoheshin, për t’i bërë fshatarët të ndjeheshin të lumtur, kush punonte për të përhapur besim në të ardhmen e ndritur komuniste, do të kishte përkrahjen e plotë të udhëheqjes së vendit! E tërë aradha e letrarëve dhe artistëve u deklarua me këtë misionin e dytë, por edhe kjo nuk ishte e lehtë, pasi heronjtë e mesjetës e të rilindjes, martirët e historisë botërore, idealistët e çartur të shekujve bënë punën e tyre: cave u prishën mendjen dhe i morën në qafë, ca të tjerëve u mësuan dhelpëritë, gjuhën e Ezopit dhe marifete të tjera, që u a përzunë gjumin nga jastëkët. Po që të ezaurohet kjo temë do libra të tërë, ndaj me lejën tuaj, le të ndalemi tek artisti ynë. Pëllumb Kulla e siguroi ministrin se do të shkrinte tërë dijet e talentin, që t’i bënte shqiptarët të ishin fytyrëçelur, të qeshur dhe optimistë. Ish e mundur kjo? Pa dyshim që ishte. Qenë dy rrugë për të arritur atje: njëra duke pikturuar një realitet të bukur por të rremë, ku as ata që do ta sodisnin pikturën dhe as kritikët profesionistë të asaj pikture, nuk do të guxonin të thonin asgjë, kurse tjetra ishte tallja e përqeshja, ridikulizimi i fenomeneve, karaktereve, zakoneve, praktikave. Ishte plotësisht e mundshme ujdia. Edhe ministri qe i interesuar për këtë udhë. Natyrisht ai nuk do të lejonte që shënjestra e goditjes të ngrihej lart, por nuk kish nevojë të jepte porosira. Pëllumb Kulla dhe shokët e tij e dinin mirë këtë. Rruga e parë, ajo e pikturës së ndritur, e pat të garantuar suksesin, nderimet, dekoratat dhe duartrokitjet e pareshtura. Të shumtë ishin ata që bënë këtë zgjedhje. Në sallat e galeritë e tyre duartrokitjet qenë haraç dhe modë. Të bëje zgjedhjen e dytë, do të thosh që kritikën profesioniste ta kishe mbi vete të ashpër, përbuzëse. Por si shpërblim të menjëhershëm këtu, sallat e galeritë e ndeshjes me spektatorin kishin më shumë frymëmarrje, ishin më demokratike. Nga këto salla publiku ishte i lirë të largohej edhe i pakënaqur edhe i zymtë. Ish një pazar i shtrenjtë por i ndershëm. Ja si shprehet Kulla në një shkrim për dy nga miqtë e tij, tok me të cilët bënë zgjedhjen e vështirë: “Kallamata dhe Buxheli u bënë nga shtyllat më solide të satirës në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi. Si stile të shkruari, ata ndryshonin mjaft, por, - o dreq! - sa goditje të ngjashme morën në jetën e tyre!” Dhe sa i vërtetë dhe prekës është ky nënvizim më poshtë: “Nuk gjen te faqet e shkruara nga këta dy mjeshtra, as Sekretarë të Parë, as heronj të lavdishëm e sidomos asnjë kooperativist të lumtur! Ata dëshmuan atë pjesë të jetës socialiste, që ish e vërtetë: burokratike deri në palcë dhe qesharake, sa nuk bëhej më!” Vetë Kulla në rreth njëmijë faqe të letërsisë së zgjedhur të skenës, nuk ka asnjë vepër (të përmasës së gjatë apo të shkurtër) që të vijë erë konformizëm. Madje dhe kur fut ndonjë sekretar partie, si Shefqeti, tek “Shoku Niqifor”, ai vetëm sekretar partie nuk është! Pastaj, një studiues i vëmendshëm i veprës së këtij autori të shquar, do të vërejë sa korrekt dhe sa i ndershëm vjen para nesh ai, duke na e sjellë letërsinë e tij, ashtu siç është shkruar kur është shkruar. Dhe ky autor, kurrë nuk është vënë në dritë të keqe nga letërsia e tij. Sepse gjithmonë ka ditur ç’të thotë, ashtu siç ka qenë pak zevzek në atë korpus që e ngriti vite pas vitesh përmes dhimbjesh, durimi, vullneti, përmes një kulture të gjerë e të thellë. Ai shkroi për dashurinë për atdheun, për gruan, për nënën, për fëmijët e për gjithçka që atë vërtet e frymëzonte. Ai i krijoi vetes një hapësirë të madhe, liria e tij fitonte për ditë sinorë të rinj. Spektatorët që dilnin nga shfaqjet e tij dilnin të qeshur, por autori, siç na thotë edhe në librin e tij të bukur esseistik “Si qeshnim nën diktaturë”, e dinte fare e mirë se e qeshura nuk është shënjë e lumturisë, por shënjë e shëndetit. Bile, jo thjesht për fjala nxjerr fjalën, në një intervistë tjetër, dhënë Radio Tiranës, me rastin e dekorimit të parodistëve vlonjatë, në vitin 1986, pat thënë: “thonë që e qeshura ndihmon shëndetin. Nuk di ta them se si bëhet kjo shkencërisht. E shpjegojnë këtë me prodhimin e disa antikorpeve, a ku di unë!… Mrekulli! Po të jetë e vërtetë kjo, atëherë ne duhet të na përfshijnë në listat e mjekëve. Le të na heqin nga ministria e Kulturës e le të na marrë ministria e Shëndetësisë! Mbase ata do të na trajtojnë më mirë.” Edhe vetë mund ta shohim duke shfletuar librin, por në intervistat e tij Kulla na tregon më hapur frikën ndaj ministrit të tij. Por ish i bindur ama, që i takonte ministrit të skuqej. Ai edhe me frikën sillej si duke bërë shaka. E sado frikë, qoftë me gjuhën e Ezopit, qoftë duke ndënjur në përgjim sa lejohej, ai nuk hezitoi të shkruajë atë për të cilën vetë drithëronte. Sa bukur del atmosfera e survejimit e shkeljes së botës intime, tek “Një grua del me shërbim”! Ende duket e pabesueshme se si në vitin 1985, të mund të shfaqej (e shfaqet edhe sot!), “Kontakte dhe izolatorë”, ku një i dërguar nga maja e piramidës vjen në terren të pyesë popullin, në janë të kënaqur me pagesën, në e ndjejnë veten të lumtur, në ju pëlqejnë njerëzit, që partia ua ka vënë t’i drejtojnë. I dërguari bën pyetjet dhe përgjigjet i merr nga ai që vetë ua ka vënë fshatërëve mbi kokë. E nga ai që ua ka vënë mbi kokë, i dërguari nga Tirana dëgjon se fshatarët janë të lumtur, se paga që marrin është e mjaftë… Afrohen ditët e përmbysjes, ministri hungëron, por nuk kafshon. Megjithatë, ku i dihet? Është ende viti 1989! E në skenën e Fierit ne shohim se si autor-regjisori ynë përqesh shtyllën vertebrale të diktaturës, luftën klasore. Me një lojë brilante aktorët Fatmir Xhelili e Todi Llupi shfaqin komedijzën “Farat e Shalqinit”! Kështu jetoi mjeshtri Kulla mes turmës së personazheve të tij. Mes tyre nuk pat vend për heronjtë e pjellë nga ideologjia. Pëllumb Kullën e thërriste fari i tij në bregdetin e shkretë të asaj kohe dhe ai gjithnjë shkonte drejt atij fari me talentin e tij të madh e me barrën që mbante në laboratorin krijues, me studimet e kërkimet në të gjitha gjuhët e huaja që zotëronte. Për afro dy dekada me radhe këtë autor-regjisor, të vetmin e këtij lloji në viset tona, unë, si mik e bashkëpunëtor, kam patur nderin dhe kënaqësinë ta kundroja nga afër në përpjekjet, në kërkimet, në eksperimentimet e tij, në teatrin Bylis të Fierit. E kam parë këtë njeri të vuajë dhe të ngazëllejë. E kam parë të luftojë me të keqen e kohës, të mos epet dhe të triumfojë. Shpëtuar pa u djegur, në vitin 1995, dolën në dritë ca lista, hartuar në kohërat më të errta diktatoriale. Ato lista kishin emra njerëzish të planifikuar për pushkatim “në rastin e një krize të mundshme të pushtetit popullor” Ishin 132 veta në listat e Fierit. Ishin të pafajshëm. Asnjë veprimtari armiqësore nuk u ishte faturuar. Vetëm thjesht ashtu, do të asgjësoheshin, ndofta për të mos ndjerë gëzimin e përmbysjes së komunizmit. Disa ishin artistë. Dihen natyrat paqësore të artistëve. Lexojmë: bri numërit 39, Stavri Kristo Rafael, (për ata që nuk e dinë, tenori i rrallë i operas kombëtare); në numrin 40. Maria Ferenc Rafael, (pianistja hungareze, që pat lënë Budapestin për bashkëshortin e saj, Stavrin); numri 119, Dhora Andrea Leka, (kompozitorja e shquar e atyre qindra këngëve partizane, që nisën të ushtonin që maleve me dëborë)… Është një koinçidencë e çmuar, që në kohën e hartimit të këtyre listave, Enver Hoxha i pat dërguar teatrit të Fierit një mesazh përgëzimi për koncertin “Kënga e buzëqeshjes” … “Ja, seç bëhet” – pat thënë i Pari i Partisë, “kur njeriu di të punojë, të kërkojë dhe të krijojë! I lumtë atij djalit, që ka qëmtuar e na ka dhënë këtë shfaqje të bukur me humorin e Dritëroit”. E ky djalë, që i Madhi i Vendit nuk i kujtonte dot emrin, ishte Pëllumb Kulla. Dhe emri i Pëllumb Xhevahir Kullës, ndërkohë, figuronte në listat e vdekjes, në numrin 32! Këto kundërthënie kaq flagrante nuk i shquaje dot atëherë. Une atëherë po shihja tjetër gjë. Unë shihja shkrimtarin-regjisor, për të cilin po flasim, njëherë ta mënjanonin fare dhe muaj më pas, t’i lëshonin me kënaqësi kryet e vendit në realizimin e dramave historike, të komedive brilante, të varieteve me gjini të shkurtëra të humorit, me grimcat e mprehta në skenë dhe ekranin televiziv. Shihja me vemendje se si ai, porsi një skulptor me daltëz të hollë në atë skenë të ftohtë e gjysëm të ndriçuar, bashkëpunonte me aktorët për ngjizjen e skalitjen e ca karaktereve që kanë mbetur të pavdekshëm. Ishte një punë që nuk e lodhte kurrë, me ato tekste e ato fraza që ua sillte artistëve nga shtëpia e që pas provash raskapitëse, por të këndëshme, bëheshin të thënme të natyrshme, mbeteshin në gojën e interpretëve dhe mbeten akoma edhe sot në gojë, sa të fshatarëve, aq dhe të parlamentarëve. Ishte një nga mrekullitë e atyre kohëve, se si një nga njerëzit që duhet të ishte nga më të zymtët, mundi të kërkonte me ngulm t’i bënte të qeshur dhe optimistë qindramijët dhe milionat e shqiptarëve rreth e rrotull Fierit, deri në skajet e vendit e përtej kufijve të republikës. Me që listat e kanë shumë për zemër Pëllumb Kullën, duke nisur që nga ajo e mjekëve dhe pastaj kjo e “vdekjes”, unë e shoh atë edhe në një listë tjetër: në atë të minatorëve! Nga minierat njerëzore, ky minator i mirë ka ditur të nxjerrë një mineral të çmuar, më të çmuar se ari: dritën, të qeshurën. Mision i madh, i kryer më së miri. Por Pëllumb Kulla nuk është i vetëdijshëm. Më mirë që ndodh kështu, se pikërisht kjo do ta bëjë atë të shkruajë akoma” ***

Për XHULIETA KULLI dhe lexuesin tonë të përbashkët. ( I.S )

E shtrenjta mike, jo vetëm si aktore, jo vetëm si nënë apo gjyshe, por si një bashkëshorte e denjë, etalon i një femre , bashkëudhëtare në elektrokardiogramën e jetës. Bashkëshortësia dhe bashkëkrijimtaria juaj është nga të rrallat që lezojmë, shohim dhe ndjejmë. … Xhuli, e dashur, je e admirueshme ndaj vemendjes qe i kushton Ditëlindjes së Pëllumbit, por, “ç’më duhet mua” sa vjet i kaluan “mbi shpinë” Pëllumbit tënd? Mua dhe ne na duhet Fluturimi i Pëllumbit tonë. Ato fluturime”kozmike” , që nga njeri kontinent në tjetrin, ai bëri të “fluturojnë” në kohë dhe hapësirë, personazhet e tij me humorin , sarkazmën , alegorinë… , dashurinë dhe dhimbjen …,duke na bërë të qeshim (…, duke qarë brenda vetes… ) . E dashur Xhuli, po të rikujtoj diçka qe Pëllumbi yt ka thënë për ty, në një nga intervistat e shumta : - Unë kam shkruar 80 deri 85 përqind të roleve për të. Ne me Xhuljetën kemi opinione edhe të ndryshme, por për rolet e saj bashkohemi në vlerësime në dy prej tyre: Kryeneçja Katerinë, tek komedia “Zbutja e Kryeneçes” e Shekspirit dhe Poleska, fallxhorja me gjuhë të partishme në dramën-satirë “E Bukur Shtëpi e Vjetër”, shkruar nga unë në vitin 1989. … Kësisoj , mendoj se ju keni një datëlindje dhe Fluturoni sëbashku në krahët e njeri-tjetrit. Për kënaqësinë time por edhe për lexuesin dhe dashamirësit tuaj po hedh pak vargje, të shkruara, kohë më parë, pasi lezova librin “Lejlekët nuk vijnë më”, të dhuruar nga Ju të dy.

“Lejlekët nuk vijnë më…” -autorit të librit me titullin e sipërm- . O, shpend i bukur, Me flatra e shpirt deliri... Hapësirë më hapësirë- Vajtje- ardhje zjarr-ore....

Po të duash, edhe unë, mund të kthehem në Kumuri. Një folezë, ku të çlodhen të ikurit, mund ta ndërtojmë nëpër hoje..

(...edhe pa-fluturim..., një mrekulli do të jetë- nëse Fjala-frymon në Vendlindje...) ~~~~~~

Iliriana Sulkuqi -MIRËNJOHJE PËR “ZËRAT QË MË NDJEKIN…” Sot e përgjithmonë, BROOKLYN, NY

35 views1 comment

1 comentario


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
14 ago 2022

Pata kënaqësinë e veçant të lexoja këtë lëndë informuese, studimore e letrare tejet cilësore nga Znj. I.Sulkuqi, i ndjeri Z.M.Pone dhe nën kujdesin e Prof. Terziut për artistin e shquar të letrave dhe skenës e ekranit, Z.Pëllumb Kulla.

Si një ndër miqtë e simpatizantët e shumtë fierakë u ngacmova të rikujtoja mjaft nga arritjet e mrekullueshme të Tija skenike e letrare. Dhe them se trupa skenike e Fierit qe vërtetë me fat që gjeti te ky Artist me gërmë të madhe "Gjeneralin", ashtu si dhe ai "Luftëtarët" për të realizuar disa nga "betejat" artistike më të shkëlqyera.

Duket, pikrisht këtu e ka burimin tërë ai konsesus i gjërë i të gjithë spektrit politikë që i akordoi Z.Pëllumb titullin …

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page