1.Një Mbretëreshë në Qiell
Fatmir Terziu
Flokët ngjyen me bojën e reve
ballëmbështetur
krenare në fronin më të ndritshëm,
zemra e Kasiopeas nuk është e lehtë për tu zbutur,
si e tillë, digjet e gjitha brenda syve,
vetëm për t’u tretur, në vuajtjet e Botës,
një Mbretëreshë e urtë,
e bekuar
me sprovën e kohës.
2.Ndërgjegjia
Të gjej atje ku sytë nuk të çojnë dot.
Në errësirë të verbër
ndjej zemrën dhe shpirtin tënd.
Ta dëgjoj zërin tënd të ëmbël,
e ndjej të më thuash,
edhe në ëndërr,
gjithmonë është vetvetja,
në sinkron,
e vetmja gjë që duhet të duash
dhe e vetmja
nga e cila mund të varet
ndërgjegjia.
3. Vetëm me fjalën Nënë!
Dhe me një puthje të fundit në ballë,
u mbollën lulet më të bukura në kopshtin e pafjalë.
Dhe ndjej zbrazëti.
Zbrazëti në shi.
Në lagështi.
Në tërësinë e Ujtë të Njeriut.
Unë e mbush zbrazëtinë me poezi,
më tej ngjyej gjykimin tim me frymë
dhe e tërheq vijën e udhëjetës me një teh nga bekimi yt.
Kam qenë i trishtuar për aq kohë sa nuk mbaj mend se si ndihet të jesh i lumtur ...,
në zgjim e në pazgjim.
Dhe Ju zgjoheni!
Kur zgjoheni, ëndrrat tuaja të këqija mbarojnë.
Kur zgjohem, fillojnë ëndrrat e mia ...
Dhe përsëri filon gjerbja. Piklat dalldisen si në pretencë…
Ato thumbojnë pa mëshirë në dushin e nxehtë
ndërsa uji i nxehtë që digjet laget mbi ta natës së ftohtë.
Pjesa më e vështirë e natës është futja e lotëve në jastëk.
Aty është vetëm një fjalë, e urtë, e butë,
ninullë, mesazh, uratë, bekim…,
shpirti im,
e thënë dhe e pathënë, e gjitha bëhet dritë deri në agim,
vetëm me fjalën Nënë!
Comments