top of page

Një libër vezullues


Shkruan Viron KONA



Një libër vezullues në krijimtarinë e Sokol Demakut


Poeti, publicisti dhe përkthyesi i njohur Sokol Demaku shfaqet kësaj here përpara lexuesit me vëllimin artistik me skica, ese dhe tregime të titulluar “Skënderaj i Skënderbeut”. Aty përfshihen 14 krijime me vlera, sa letrare – folklorike, aq edhe atdhetare, frymëzimin e të cilave, ai e ka marrë në trevën e vendlindjes së tij, në Drenicën legjendare dhe te populli i saj i mençur. Krijimet e paraqitura, autori i ka përpunuar mjeshtërisht në imagjinatën e tij krijuese, duke u dhënë atyre origjinalitet, formë të përkryer artistike si dhe vlera përgjithësuese, estetike dhe edukative.


Rrëfime impresionuese që të mbeten thellë në mendje


Ky botim i ri i Sokol Demakut është nga ata libra, që e nis dhe e çon deri në fund pa e ndërprerë leximin dhe, kur mbyll faqen e fundit vihesh në mendime. Shumë gjëra të rëndësishme të kanë mbetur në mendje, ndaj nxitesh nga dëshira ta marrësh përsëri librin në dorë, ta shfletosh, duke rilexuar, herë fragmente të veçanta dhe herë rrëfime të plota të tij.

Nis libri me rrëfimin “Shpati”, ku autori zhvillon artistikisht dhe me një vizion disi ndryshe njërën nga legjendat apo rrëfimet popullore të Mujit dhe të Halilit. Duke përdorur një gjuhë plotë gjallëri, stil dhe mjete figurative tërheqëse, z. Demaku, ia arrin të na e sjellë këtë rrëfim me realizëm dhe me origjinalitet, por dhe me bukuri e vlerë, duke e nxitur edhe lexuesin drejt njohjes më të plotë të asaj pasurie të jashtëzakonshme, që përmban brenda tij shpirti dhe folklori i pasur i popullit shqiptar. Lexuesi i ndjen të natyrshme personazhet e rrëfimit për Mujin dhe Halilin, por edhe figurat mitologjike shqiptare të njohura me emrat zana e shtojzovalle, krijesa të padukshme me fuqi të mbinatyrshme, me bukuri të jashtëzakonshme, e që shfaqen shumë rrallë, duke kënduar e duke vallëzuar. Ato i japin fuqi të mbinatyrshme djaloshit malësorë, që ai të kryej vepra të mëdha e të dobishme për popullin. Sokol Demaku ia arrin që, mjeshtërisht, të bëj të njohura vlerat e vendlindjes së tij, Drenicës, duke e veçuar atë si njërën nga trevat më të spikatura e të përmendura në historinë shekullore ilire–arbërore-shqiptare. Aty, në hapësirën e asaj treve, ai hulumton, zbulon e përzgjedh episode dhe ngjarje, të cilat ia ofron lexuesit me freski e bukuri artistike, që të mbetet në mendje. Me kulturën e tij të gjerë z.Demaku bënë të njohura edhe një sërë toponimesh të krahinës, të cilat, duke i zbërthyer e paraqitur artistikisht, por dhe nga pikpamja etimologjike, nxjerr në sipërfaqe atë pasuri shpirtërore shekullore të popullit, atë trashëgimi që vjen nga shekujt, por dhe shfaq mësime dhe mesazhe me shumë vlerë, që i kanë shërbyer këtij populli për të mbijetuar, ashtu dhe për të zhvilluar në çdo situatë jetën dhe veprimtarinë e tij. Në mendjen e lexuesit ndiçohen disa nga vlerat më të vyera shqiptare si: karakteri, ndershmëria, besa, mikpritja, fisnikëria, bujaria, humanizmi etj., që populli shqiptar i ka përcjellë nga njëri brez tek tjetri. Në këtë drejtim, z. Demaku bëhet edhe një shembull për studiuesit, historianët, gjuhëtarët dhe arkeologët, për thellime të mëtejshme studimore e shkencore të toponimeve por dhe të trevave tona ku shpesh herë ngjarje me bukuri të jashtëzakonshme qëndrojnë të fshehura apo “humbasin” në gjirin e këtij populli dhe të kësaj toke të begatë. Duke i ndriçuar toponimet, me të cilat vendlindja e tij Drenica është shumë e pasur, ai zbulon kuptimet e tyre dhe prejardhjen, zbulon përmes tyre episode, histori, ngjarje, origjinën e disa emrave të përveçëm, emra fisesh, emra të mjedisit, të kodrave, maleve, fushave, lumenjve, livadheve, përrenjve, pyjeve, pemëve që shfaqen të thjeshta në dukje, por që në brendësinë e tyre shfaqin një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore e folklorike. Shkrimtari Demaku, jo vetëm na i paraqet episodet, ndodhitë dhe rrëfimet popullore besueshëm, por edhe krijon te lexuesi vizione të reja, kureshtje për të ditur edhe më shumë për dukuri dhe fenomene të veçanta. Kështu ndodh me rrëfimin “Kodrën e Thatë”, e cila ka atë emër se atje nuk ka ujë, gjithçka është e shkretë, veçanërisht në periudha thatësire vere, kur shterr edhe pika e fundit e ujit në burime. Por, duke u thelluar më tej, ai arrin të zbulojë përse ajo kodër ka pikërisht atë emër dhe përse ka ndodhur që të jetë e atillë. Këtë, shkrimtari na e sjellë në mënyrë tërheqëse, duke na lënë mbresa të pashlyeshme por dhe duke na përfshirë në meditime, teksa na jep natyrshëm dhe si pakuptuar mësime të vlefshme rreth përmbajtjeve të shprehjeve frazeologjike, fjalëve të urta, rrëfimeve të njerëzve të urtë dhe të mençur drenicar, batuta, dialogë, që përdoren, shpesh herë dhe zkonshëm në fjalorin e përditshëm të krahinës së Drenicës.

Është e njohur legenda e Bjeshkëve të Nëmura, por në krijimin e z. Demaku lexuesi përjeton një emocion të thellë dhe tronditës, duke përfytyruar deri në detaje elementët letrarë e historikë të legjendës si dhe rrënjët e saj sociale e filozofike. Në këtë atmosferë zgjon emocione të thella, të dhimbshme dhe të paharrueshme drama që rrëfehet për familjen e vogël drenicare, që ka në përbërjen e saj Metin, bashkëshort trim dhe punëtor; Buqen, burrëneshë dhe nënë të dy fëmijëve të vegjël, të cilët, familjarisht, për shkak të mizorisë së sunduesit të egër turk, përjetojnë një tragjedi të rëndë familjare, duke u shuar njëri pas tjetrit. Si në një skenë të dhimshme, përpara lexuesit shfaqen e portretizohen në atë familje fisnike të dy bashkëshortët e përkushtuar dhe me dashuri të madhe për njëri-tjetrin;ata i gëzoheshin rritjes së dy fëmijëve të tyre si pëllumba të bukur. Ndonëse në vështirësi, ata punonin dhe jetonin të lumtur, deri sa një ditë në fshatin e tyre pllakosi barbari mizor turk. Aty nis drama, që hap pas hapi shndërrohet në një tragjedi shqiptare, dhe që në kulmin e saj shfaqet edhe si një përgjithësim i vuajtjeve të mëdha shpirtërore e fizike të popullit shqiptar në shekuj. Buqja, heroina kryesore e rrëfimit, nuk mund të duronte provokimet dhe ngacmimet e ushtarëve osmanë, që për t`u argëtuar dhe poshtëruar një femër, i zënë rrugën dhe përpiqen të abuzojnë me të. Përballë qëndrimit të asaj burrneshe dhe virtyteve e ndershmërisë së femrës shqiptare, turqit e zinj tërhiqen përkohësisht, por nuk heqin dorë nga qëllimi i tyre i ligë. Të nesërmen i zënë pritë të gjithë familjes: Buqes, Metit dhe fëmijëve të tyre të mitur. Kur Meti, bashkëshorti i Buqes, si çdo shqiptar, me karakter të lartë nuk lejon që ata barbarë të abuzojnë me bashkëshorten e tij të shtrenjtë, ata e godasin me hanxharë dhe e lënë për tokë të vdekur. Atëherë, Buqja, kjo burneshë shqiptare, që është njëherazi edhe një Shotë, Tringë, Norë e Kelmenit, gjen fuqi dhe i asgjëson disa nga mizorët osmanë me drapërin e saj dhe mundi të arratiset me të dy fëmijët. Prej atij çasti, nis rrugën një tjetër tragjedi. Buqja kërkon të shpëtojë nga ushtarët turq, veçanërisht të dy fëmijët e mitur. Turqit i janë vënë pas dhe s`i ndahen. Ajo i ngjitet bjeshkëve, që për fatin e keq të të nxehtit, nuk kishte as edhe një pikë ujë. Pas shumë peripecive të udhëtimit dhe ndjekjes që u bëhet nga ushtarët barbarë turq, por edhe për shkak të mungesës së ujit dhe ushqimit, Buqja dhe fëmijët e saj nuk arrinë të mbijetojnë dot...Teksa autori, përmes saj, në kulmin e dhembjes e dëshpërimit duke përjetuar thellë atë dhembje dhe histori tronditëse, gjen rast edhe të shpjegojë përmbajtjen dhe kuptimine emrit Bjeshkët e Nëmura...

Interesant është edhe tregimi ”Edhe krojet duhen tharë”, ku tregohet rezistenca e jashtëzakonshme e popullit të Drenicës për t`iu mos i bindur sundimit të Sulltanit. Pushtuesi përdorte të gjitha mënyrat e mundshme ç`njerëzore që populli të pranonte sundimin, por gjithçka ishte e kotë, shqiptarët nuk mund ta pranonin të huajin mbi shpinë, ata më shumë se gjithçka donin lirinë. Përballë kësaj qëndrese, Sulltani dhe pashallarët osmanë vendosën që të shkretonin gjithçka, madje të thanin edhe të gjitha burimet e ujit, që rridhnin në bjeshkët e Drenicës. E, aty, autori në mënyrë mjeshtërore, rrëfen se jo vetëm populli shqiptar, por edhe natyra, edhe gjithçka tjetër shqiptare ishte kundër armiqve dhe pushtuesve të egër e barbarë. Ata, krahas popullit të pamposhtur, nuk i pranonte as toka që u digjej nënë këmbë, as lisat, simbole të fuqisë së atdheut nuk i duronin dot, pasi ata ishin të shenjtë dhe nuk duronin zgjedhën e bajlozëve të zinj. Toka, lisat dhe gjithçka tjetër nuk mund të duronin mizoritë dhe të zezat që ata i bënin popullit dhe, ato, ashtu si dhe njerëzit, hakmerreshin në mënyrën e tyre kundër pushtuesve.


Art dhe histori, mesazhe të vyera artistike


Tregimete z.Demaku, janë të lidhura edhe me emrat e heronjve të vendlindjes, ku, në këtë libër vend kryesor zë figura e heroit legjendar dhe popullor drenicarë Milosh Kopiliqit, i cili me aktin e tij heroik, vrau njërin ndër sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, Sulltan Muratin I. Ai me një plan të studiuar mirë hyri në çadrën e Sulltan Muratit dhe e la atë të vdekur. Akti i tij trimëror përcillet ndër breza dhe ka hyrë në legjendë. Për të shkruhen libra, bëhen filma, ai është në rrëfimet popullore, në tekstet shkollore, në këngët e popullit,në skica dhe piktura. Akti i tij shquan si një histori rrëfimi heroik e dramatik, që tregon se shqiptari nuk pranon dhe nuk e lejon të huajin në truallin e tij, ai nuk pranon përbuzje, fyerje dhe arogancë.

Sulltan Murati I, duke menduar se Milloshi kishte kërkuar që ta takonte, me qëllim që ta uronte për fitoren, duke dashur të tregoj madhështi dhe përbuzje, në vend që t`i jepte dorën trimit shqiptar, i zgjati këmbën që t`ia puthte, pra që trimi të tregonte përulje ndaj sundimit poshtërues e mizor të Sulltanit.

Por, Milloshi, i cili e kishte përgatitur aktin e tij trimëror, ato çaste kishte ndjerë t`i rritej edhe më shumë përbuzja dhe zemërimi dhe, me një shpejtësi vetëtimë, kishte nxjerrë thikën e fshehur dhe ia nguli atë Sulltanit m`u në zemër....

Rrëfimi “Hakmarrja” është një përshkrim dhe meditim i autorit rreth krimeve të papërshkrueshme, që bënin ushtarët dhe jeniçerët osmanë në Drenicë, si hakmarrje ndaj aktit liridashës të heroit të madh drenicas Millosh Kopiliqit.

Interesant këtu janë përshkrimet e autorit, kur rrëfen sesi shqiptarët detyroheshin të ndërronin fenë, që të mund të shpëtonin jetën dhe pronat e tyre. Po aq me realizëm dhe në mënyrë tërheqëse, autori përshkruan dhe argumenton nëpërmjet toponimeve se Millosh Kopiliqi ishte nga Kopiliqi i Drenicës, dhe, kësisoj studiiuesi dhe shkrimtari Demaku, i kundërvihet opinioneve, tezave dhe përrallave serbe se Milloshi ishte serb dhe jo shqiptar. “Kur fshatarët pyesin njëri-tjetrin se ku do të shkojnë sot për të bluar, ata përgjigjen: -Po ku tjetër more, po në ”Mullinin e Hyskut”(vëllai i Millosh Kopiliqit). Ose, ku ishe sot që herët: ”Po ja, kisha pak punë në mëhallën e Hyskëve”, në “Vreshtat e Miloshit” apo dhe te ”Kisha e Miloshit”. Po kështu, kaq interesant është rrëfimi i mbylljes së vëllait të Milloshit, Hillit, në kalanë e Vushtrisë dhe masat shtrënguese osmane ndaj tij, që ai të ndërronte fenë, se përndryshe, vajzat e tij do t`i çonin nën haremin e Sulltanit, kurse djemtë do t`ia dërgonin ushtarë në shërbim të Perandorisë Osmane.


Rezistenca popullore kundër pushtuesve osmanë, i detyronte shpesh ata, të linin kokat në këto treva. Ky fat ishte edhe për vartësit e tyre të bindur, oficerët dhe ushtarët turq, të cilët, duke mbajtur të rrethuar zona të tëra shqiptare, si për shembull Drenicën, gjenin vdekjen ose nga kryengritjet e trimave të Drenicës, ose nga vetë natyra. Ja sesi e përshkruan autori këtë dukuri: “Jeniçerët dhe ushtarët, që mbanin nën rrethim fushën e Drenicës, ndiheshin të lodhur, të raskapitur, pasi kishin javë që mbanin shpirtin e tyre vetëm me kunguj nga arat e fshatarëve. Flitej, gjithashtu, se shumë prej tyre, ato ditë ishin bërë ushqim për korbat dhe sorrat. Këtë e dëshmojnë edhe shumë topinime, të cilat edhe sot e kësaj dite janë gjallë dhe jetojnë në këto troje heroike si “Lugu i Korbave” apo edhe “Kodra e Kungujve”. Janë toponime që vijnë gojë më gojë që nga ato kohë kur barbarët osmanë vinin si pushtues triumfatorë,por linin eshtrat dhe varret e tyre në këto krahina.


Mjeshtërisht, autori sjellë në vëmendjen e lexuesit edhe luftën për fron e pushtet që bënin sulltanët, perandorët, mbretërit, njerëzit që pushtetin e konsideronin si një post e privilegj të tyre dhe jo si një vend për të drejtuar me ndershmëri jetën e një populli. Kjo luftë për fron e pushtet, jo vetëm ka ngrënë koka njerëzish, por ajo ka krijuar edhe trazira të përgjakëshme mes pasuesve të tyre. Rasti i vrasjes së Jakupit, nga i vëllai tjetër i tij, Bajaziti, e vërteton më së miri këtë luftë dhe konkurrencë barbare e të egër për pushtet, që bëhej veçanërisht në Perandoritë më të fuqishme të kohërave, atë Romake, të Bizantit dhe Perandorisë Osmane.

Nga leximi i librit të mbetet në mendje gjithashtu edhe “Tyrbeja e Sulltan Muratit”, ku, autori, me një rrëfim të thjeshtë dhe me një penë të hollë, na tregon se cili është fati dhe fundi i çdo pushtuesi në tokën shqiptare. Sulltan Murati mendoi se korri një fitore të jashtëzakonshme kundër forcave të koalicionit Ballkanik, por ndërkaq pati edhe një fund të palavdishëm, sepse la kokën e tij në atë betejë. Është intrigues ky rrëfim edhe kur lexon se ajo Tyrbe, nga një pjesë e popullësisë, përkujtohej si një vend i shenjtë, mendohej se shkuarja atje të sillte mbarësi dhe të shëronte nga sëmundje të ndryshme. Kurse, në fakt, ajo Tyrbe është thjesht një objekt arkeologjik dhe historik, që, tek e fundit tregon se aty u zhvillua një betejë për jetë a vdekje.


Fakte historike që nuk i kemi njohur më parë


Duke i analizuar toponimet, por edhe duke shfrytëzuar dijet e tij të thella si rezultat i leximeve të dokumenteve të vjetra, z. Demaku na sjellë artistikisht por dhe të mbështetur me fakte historike ndalesën e Gjergj Kastriotit në Drenicë, bashkëbisedat me banorët, me fshatarët e zonës dhe prijësat shqiptarë, dhe, këtu, autori gjen rastin të shpjegojë edhe etimologjinë e emrit të qytezës Skënderaj të Drenicës, duke shpjeguar se Skënderaj është emri i Skënder-beut, emër që, siç del në libër, është venë nga vetë heroi ynë kombëtar gjatë mikpritjes që ai përjetoi në atë zonë, së bashku me 300 kalorësit e tij kur vinte nga beteja e Nishit dhe shkonte me shpejtësi drejt Krujës për të ngritur atje flamurin me shqiponjën me dy krerë. Me përshkrimin mjeshtëror të rrugëtimit të Kryetrimit tonë legjendar, autori Demaku rrëfen artistikisht gjurmët e marshimit të tij, që sot, duke qenë pjesë e legjendave skënderbejane, përmenden me nderim dhe natyrshmëri nga populli, madje edhe nëpërmjet toponimeve, që shquhen sot në Drenicë si “Kroi i Mbretit - Kroi i Skënderbeut” etj....

Libri ka një mbyllje dinjitoze me përshkrimin që i bënë shkrimtari Demaku jehonës së madhe që pati ardhja e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut si një udhëheqës shpëtimtarë nga zgjedha e rëndë e Turqisë. “Sikur edhe në Skënderaj, që kishte mbajtur bisedë më banorët e atjeshëm, por edhe me krerët e vendit, edhe në Dibër me të arritur Skënderbeu ishin mbledhur krerët e këtyre trojeve në një Kuvend...Lajmi mori dhenë si rrufeja... Nga të gjitha anët, në agimin e ditës së re, njerëzit zbritnin nga të gjitha anët për të takuar dhe biseduar me Princin e tyre. Njerëzve u rridhnin lotë të ngrohtë gëzimi, shumkush i përkdhelte faqet, mjekrrën, kokën, këmbët, i puthinin duart dhe i dhuronin përqafime të panumërta. Të gëzuar pa masë i flisnin Kryetrimit për jetën, vuajtjet, atdheun, punën, familjet, fëmijët e tyre, për besimin në vetvete dhe vazhdimësinë e pandalshme të jetës në trojet arbërore... Po binin kambanat e lirisë për popullit shqiptar...


Urime poetit, shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit Sokol Demaku, i cili me këtë libër, pasuron më tej jo vetëm krijimtarinë e tij të vyer e shumëplanëshe, por përcjellë për lexuesit e të gjitha moshave mesazhe të rëndësishme e me rrezatim të gjerë, ku spikatin me bukuri të veçantë artistike vlera si: humanizmi, liria, pavarësia, por edhe dëshirat për zhvillime të reja shoqërore, kulturore dhe atdhetare...

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page