Një libër, që gërvisht mbi historinë e një nëne labe, e cila shpëtoi nga vdekja banorët e një fshati të tërë
( Shënime për romanin ‘’Puthja mahnitëse’’, të shkrimtarit Hektor Veshi)
Nga SEJDO HARKA
Të shkruash për romanin ‘’Puthja mahnitëse’’ të prozatorit, prof. dr. Hektor Veshi’’, është si të gërvishtësh për të zbuluar, jo vetëm plagët e luftës së popullit shqiptar për liri dhe përpjekjet e vuajtjet për mbijetesë e zhvillim shoqëror, por edhe për të evidentuar virtytet e larta morale e njerëzore , me të cilat ai ka detyruar edhe pushtuesit më të egër, të përkulen para tyre duke kërkuar falje. Dhe për të argumentuar këtë fakt të padiskutueshëm, mjafton që të përmendim historinë e një nëne labe, e cila me gjestin e saj, sa të mençur, aq dhe human e paqësor, shpëtoi jetën e banorëve të pafajshëm të një fshati të tërë. Tharmin e subjektit të këtij romani shkrimtari Hektor Veshi e ka marrë nga një ngjarje reale, që ka ndodhur në ditët e Luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit, në një nga fshatrat e Labërisë. Por, që, autori t’i japë brendisë dhe karaktereve të këtij romani vlera dhe hapësira universale, nuk ka përdorur emrat e vërtetë, as të fshatit ku ndodhin ngjarjet, as të aktorëve realë që marrin pjesë në to. Vlerat e papërsëritshme të këtij romani qëndrojnë, jo vetëm tek fakti që në qendër të brendisë së tij ka vendosur temën e Luftës, por edhe tek fakti, që, këtë temë ai e trajton me një këndvështrim të ri, tepër human. Fantazia dhe trilli krijues që përdor autori në këtë roman, e bën lexuesin ta lexojë me kënaqësi. Para se të ndalemi tek brendia dhe vlerat e këtij libri, do të themi, me pak fjalë, se kush është Hektor Veshi:
Ai ka lindur në vitin1942 në Çorraj të Sarandës, në një familje atdhetare e arsimdashëse. Mbasi mori mësimet e para në vendlindje, arsimin universitar për agronomi dhe specializimin e mëtejshëm për pedagogji, didaktikë dhe arsimin Teknik, i kreu në Tiranë. Gjatë jetës së tij, ai ka kryer detyra të rëndësishme, si pedagog i agronomisë, redaktor i gazetës ‘’Puna’’, për mbi 10 vite me radhë. Për një kohë të gjatë ka punuar specialist në Institutin e Studimeve Pedagogjike, ku ka kryer edhe detyrën e sekretarit të Këshillit Shkencor të këtij Instituti, anëtar i këshillit botues të ‘’Revistës pedagogjike‘’ dhe revistës ‘’Arsimi profesional’’. Hektor Veshi është ndër të parët, që ka marrë titujt e lartë shkencorë ‘’doktor’’ dhe ‘’profesor’’. Një ndihmesë të veçantë ka dhënë ai, edhe për konsolidimin e gazetës’’Mësuesi’’, me shkrimet e tij problemore. Ka botuar disa libra në dobi të arsimit profesional. Ka nxitur punën hulumtuese e studimore tek studentët e brezat e rinj dhe ka udhëhequr disa doktoratura të studentëve dhe bashkëpuntorëve të tij më të mirë. Prof. dr. Hektor Veshi është shquar edhe si veprimtar i rrallë shoqëror, sidomos në Shoqatën e Arsimtarëve të Shqipërisë. Ai dallohet edhe si njeri me shpirt të gjerë, i lidhur ngusht me njerëzit, miqtë dhe shokët e tij. Këtë cilësi ai e shpreh edhe vet, në këto fjalë, që ai shkruan në librin e tij, ‘’Fjalëmjaltë:’’Njerëzit nuk i lidh vetëm gjaku, mosha, apo profesioni, por më shumë i lidh ideali dhe zemra e artë’’. Ndaj, ai ka miq dhe shokë shumë. Për veprimtari të frytshme në fushën e arsimit, Hektor Veshi, në vitin 1987 është nderuar me urdhërin’’Naim Frashëri të Klasit të III’’. Por, ai, tërë jetën, krahas pasionit të tij për shkencën, publicistikën dhe pedagogjinë, ka ruajtur në shpirt, si gjënë më të shtrenjtë edhe pasionin krijues në fushën e artit dhe të letërsisë. Duke mbledhur dhe seleksionuar çdo ditë e më shumë materjale jetësore nga realiteti ynë i përditshëm për një kohë të gjatë, ai ,ashtu si bleta punëtore që mbledh eliksirën e luleve, erdhi një ditë që këtë ‘’eliksirë’’ metaforike jetësore, ta zbrazë atë në ‘’hojet’’ e veprave të tij letrare. Për mbi 30 vjetë me radhë, duke filluar nga viti 1990, ai ka shkruar mbi 10 libra artistike, kryesisht me tregime e romane, dhe vazhdon të shkruajë e të botojë pa mbarim. Disa nga librat e tij më të pëlqyera nga lexuesit janë:’’Kryefjalë për vendlindjen’’, ’’ Zjarri pa prush…’’, ‘’Përballë gjakmarrjes’’, ‘’Legjenda e dashurisë së përjetshme’’, ‘’Fjalëmjaltë…’’ etj . Krijimtaria e tij artistike dallohet për tematikën e gjetur, karakteret e spikatura dhe gjuhën e bukur metaforike, nëpërmjet së cilës transmenton ide dhe mesazhe të mëdha për kohën. Krijimtaria e Hektor Veshit, shkruante në shtypin letrar të kohës prof. dr. Shefik Osmani, nuk përshkruan figura bajraktarësh e heronjësh që bien nga qielli, por njërëz të thjeshtë, të cilët me gjestet e tyre mahnisin edhe kundërshtarin e pushtuesin.
‘’ Puthja magjike’’, ngjarje dhe karaktere
Shkrimtari H. Veshi ka shkruar shumë libra, por ai që e bëri më të njohur është romani ’’Puthja magjike’’, i cili ka dalë në qarkullim këto ditë. Për vlerat e tij të veçanta njohëse, edukative dhe artistike, këtë libër, sa artistik, aq dhe historik, e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve tona të shkurtëra. Ngjarjet e këtij romani, sa të vërteta, aq dhe pjellë e fantazisë krijuese të naratorit Hektor Veshi, zhvillohen në fillimet e viteve 1940…, në krahinën e Labërisë, ku edhe gruaja, duke qëndruar krah për krah me burrin, ka dhënë kontributin e saj të pa diskutueshëm, si gjatë Luftës kundër pushtuesit gjerman, ashtu edhe pë rritjen e mirëqenies, ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit e kulturës, dhe veçanrisht për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të shëndetshëm dhe të zotë për vehten dhe shoqërinë. Ja si e nis autori brendinë e kësaj ngjarjeje, që do të ‘’vriste’’ edhe egërsinë e pushtuesit: - Pushtuesit, që erdhën, atë mbasdite të lagësht, në këtë fshat, me makina dhe të armatosur gjer në dhëmbë, ishin të shumtë. Ata, tregojnë dëshmitarët, sa zbritën, kërkuan të merreshin vesh me vendasit. Pasi diskutuan së bashku me të zotët e shtëpisë, pranuan kushtet e marrveshjes. Por, pa mbaruar mirë biseda, një breshëri e papritur pushkësh, kishte krijuar panik dhe mosbesim mes të dyja palëve kundërshtare. Breshëria e armëve kishte shkaktuar viktima. Askush nuk e mori vesh të vërtetën, se kush ishte i pari, që shkaktoi viktima, duke vrarë mirëkuptimin paqësor dypalësh, që sapo kishte përfunduar. Në se të huajët mendonin se, paqen e kishin goditur djallëzisht vendasit, të zotët e shtëpisë i brente shqetësimi për të gjetur, se kush ishin ata, që e kishin njollosur nderin dhe moralin shqiptar, ndaj dikujt që i pati dhënë besën e paqes, pa imponim. Në ato çaste paniku, kur fjalën e kishin marrë armët, pushtuesit, të egërsuar, nisën të kapin rob dhe të vrisnin këdo që gjenin përpara. Kur të huajët panë, se nga ana e tyre ishin vrarë 9 ushtarë, komandanti Fric, i egërsuar tha: ‘’Një ushtar i vrarë nga forcat tona, do të shpaguhet nga dhjetë vendas. Nëndëdhjetë fshatarë duhen kapur për t’u pushkatuar, as më pak, as më shumë, urdhëroi ai, gjithë nerva’’.(18) Në ato çaste të vështira tragjike, shkruan naratori, shfaqet si e zbritur nga qielli nënë Mira, e cila ecën, pa iu trembur syri drejt 9 kufomave të ushtarëve gjermanë të vrarë, në atë katraurë të papritur. Pasi u afrohet trupave pa jetë, që rrinin shtrirë përkrah njeri-tjetrit, ndalet tek i pari dhe, ashtu si nëna para bijve të saj të vrarë në fushën e betejës, përkulet për ta puthur në ballë ushtarin e parë dhe pastaj zë të qajë me lot e ligje. Ndërsa komandanti Fric, i çuditur me veprimet e kësaj nëne shqiptare, pyet përkthyesin, se ç’kishte ndërmend të bënte kjo plakë e marrosur mbi trupat e ushtarëve të tij pa jetë. Kur komandanti u bind se nënat labe e kanë zakon që kushdo që vdes apo vritet në këto troje, qahet me lotë e legje nga gratë profesioniste të vendit, ai nis të qajë bashkë me të, për fatin e keq të ushtarëve të tij të vrarë, në trojet e huaja, larg nënave të tyre, që i lindën dhe i rritën me dashuri e mundime. Komandanti Fric, i prekur thellë nga ky gjest, sa human, aq dhe i mençur i kësaj nëne labe, urdhëron largimin pa kushte nga fshati dhe lirimin menjëherë të 60 burrave, grave, fëmijëve dhe djemëve e vajzave të mbledhur nga ky fshat për t’i pushkatuar, si shpagim për ushtarët e tij të vrarë. Ja, kjo ishte mrekullia e rrallë e asaj puthjeje mahnitëse e Mirës, nënës labe, e cila me gjestin e saj të mençur dhe heroik shpëtoi jetën e banorëve të një fshati të tërë.
Romani’’Puthja mahnitëse’’ është i tipit historiko-analitik i zhbirimit psikologjik të karaktereve, të cilët veprojnë e promovohen në situata të vështira luftrash dhe pune, që kryejnë veprime, sa të zakonshme, aq dhe të çuditshme mbijetese, në përshtatje me rrethanaat dhe kohën. Ata e shfaqin vehten, sa të egër, aq dhe humanë e paqësorë. Dy janë personazhët kryesorë të këtij romani, që në qendër të subjektit të tij ka një ngjarje reale, e cila ka ndodhur në një fshat të labërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore , por naratori, për t’i dhënë këtij romani karakter konvencional përgjithësues artistik, ka ndryshuar edhe emrat e protagonistëve, edhe emrin e vërtetë të fshatit ku zhvillohen ngjarjet. Ata janë: nga njera anë nëna labe, Mira, nga fshati Vreshtaz, e cila për të shpëtuar jetën e bashkëfshatarëve të saj nga egërsia e pushtuesit, me mënçurinë e saj bën një xhest të lartë human. Ndërsa nga ana tjetër qëndron komandanti gjerman Fric, egërsia e të cilit shuhet përballë virtyteve të larta të kësaj gruaje shqiptare. Ngjarjet dhe karakteret kryesore të këtij romani të japin një tabllo të gjerë, jo vetëm të Luftës së popullit shqiptar, por dhe rrugës së vështirë të këtij populli në vazhdimësinë e 3 sistemeve politike dhe ekonomike. Edhe pse vështirësitë e sakrificat e këtij populli kanë qënë të mëdha, ai nuk u gjunjëzua kurrë. Në tërë jetën e tij, shkëlqyen si purteka e arit, virtytet e larta si, mikpritja dhe humanizmi, besa dhe liria…Këto virtyte të larta, para të cilave përulen edhe të huajët, bile dhe armiqtë më të egër, janë të mishëruar bukur edhe tek protagonisti kryesor i këtj romani siç është nëna labe, Mira, e cila në një moment të vështirë, për të shpëtuar jetën e 60 bashkëfshatarëve të saj, puth në ballë ushtarin e vrarë armik dhe nis të qajë me legje për viktimat gjermane, sikur të ishin djemtë e saj. Me emrin e saj simbolik artistik’’Mira’’, ajo kthehet në simbol global, jo vetëm i nënave shqiptare, por i gjithë nënave të botës, zemra e të cilave loton për bijtë e rënë në luftra e trazira të nxitura nga xhelatë si Hitleri, i cili me egoizmin e tij të çmendur rracist, etjen e tij për teritore, pushtet të pakufizuar, lufton për sundimin e botës. Në emër të kësaj dhimbjeje, nëna labe shkëlqen me gjestin e saj të çuditshëm, në atë çast dramatik, kur hakmarrja dhe egërsia armike mund të shuante një fshat të tërë. E veçanta e këtij romani është se ‘’armiqtë’’ nuk i fut në një thes . Për autorin Lufta çlirimtare nuk pati vetëm medaljen e egërsisë, por edhe anën e saj humane. Oficerët dhe ushtarët e huaj, të vrarë në atë katrahurë prapaskenash, nga nëna labe nuk mud të vështroheshin njëlloj si padronët e tyre, të cilët i detyruan ata të tjetërsoheshin ‘’ në mish për top’’, për të plotësuar egot e tyre pushtuese dhe vrastare mbi popujt e tjerë të botës. Ndaj ajo, për të ‘’vrarë’’ egërsinë e pushtuesit, për të shpëtuar njerëzit e pafajshëm të fshatit të saj dhe për të nderuar bijtë fatkeq të nënave gjermane, bën gjestin më të bukur human. Nis t’i qajë ata, me lotë e ligje. Të gjithë u çuditen nga ky gjest i lartë human, që e detyroi komandantin e forcave gjermane, të përkulet para kësaj nëne shqiptare që nisi të qajë mbi trupat e tij të vrarë, sikur të ishin djemtë e saj. Ky shembull i lartë humanizmi e kishte bindur pushtuesin, se shqipëtarët ishin një popull që e vlente t’i bëje miq e bashkëpunëtorë të një shoqërie pa luftra e konflikte.
Historinë e Mirës, kësaj nëne labe, lexuesi do ta ndjekë edhe pas çlirimit të vendit. Ajo, kurrë nuk u mburr për gjestin e saj heroik e human që kreu gjatë Luftës. Sakrificat dhe hallet e saj vazhduan tërë jetën, deri sa vdiq. Ajo ishte një grua idealiste, që ëndërronte për një jetë më të mirë dhe liri të vërtetë, por, fatkeqësisht, nuk i shijoi ato kurrë. Shpresoi tek Reforma Agrare, kolektivizimi, tufëzimi…, por, kur shihte se si fshatarit ia ‘’çante’’ stomakun buka e misrit, dhe ia thante lugën e dhallit tufëzimi ekstrem i bagëtive, filloi të meditojë thellë dhe të qortojë veten, pse nuk kishte gjetur forcë kurrë t’i kundërshtonte këto politika shkatërruese të ekonomisë së fshatit. Kishte ndonjë moment që merrte forcë kundërshtuese, por përsëri e penduar, i thoshte vetes: Mirë…, por, a i bihet malit me kokë…!? Asaj, i dhimbte zemra kur shihte banorët e fshatit, të cilët, kur shtroheshin të hanin drekën në arë, në ved të gjellës dhe bulmetit përdornin uthullin dhe sherbetin e sheqerit. Ndërsa, kur në trastë kishin me vete një copë bukë gruri gëzoheshin, sepse ,siç shpreheshin ata, ajo e kishte gjellën brenda. Varfëria e tejskajshme i bënte fshatarët që të trembeshin nga miqtë, sepse nuk kishin me se t’i prisnin, aq sa kur në shtëpinë e saj i erdhën dy djemtë bonjakë(jetimë), që i rriti me gjirin e saj, bashkë me nuset e tyre, në ved të drekës, i gostiti me arrët, që i ruante për miqtë e saj më të rrallë. Ishte koha kur gratë e fshatit bënin punët më të rënda, ndërsa barinjëve, u kishte mbetur në dorë vetëm kërraba. Lufta e ashpër klasore, po krijonte grindje dhe hendeqe të mëdha shoqërore. Etja për pushtet bënte që, për inate e ego personale vlerat dhe kontributet e vërteta të njerëzve të luftës e të sakrificës së njerëzve të mirë si Mira, të konsiderohen si faje. Kur atë e propozojnë për deputete, puthjen e ushtarit gjerman të vrarë në fshatin e tyre, ithtarët hileqarë të kohës e trumbetonin si gjunjëzim të saj para pushtuesit, kur , në të vërtetë, nëna labe , me këtë gjest kishte shpëtuar jetën e shumë bashkëfshatarëve të saj. Më në fund ,nënë Mira vdes e dëshpëruar dhe në varfëri të plotë, duke lënë pas një vajzë të sëmurë e pa shpresë dhe duke marrë me vete ankthin, që edhe pse sakrifikoi për një jetë më të mirë, jo vetëm nuk u shpërblye, por dhe u qortua e u harrua edhe nga njeri prej bonjakëve, të cilin, kur i vranë nënën e rriti dhe ushqeu me gjirin e saj. Bonjaku Meto Bojalliu, në fillim të viteve nendëdhjetë, pasi I’’ hipi kalit’’ të karjerës politike dhe nisi të pasurohej shumë, jo vetëm që nuk u kujdes më për nënë Mirën, që e rriti, por, kur ajo ndërroi jetë, jo vetëm që nuk shkoi për varrimin e saj, por, as vajzën e saj, Pranverën, që dikur e konsideronte motër, nuk e ngushëlloi, të paktën, me një telegram.
Një personazh interesant, që shfaqet në këtë roman me tiparet dhe botën e tij të brendshme, është ai i Fricit, komandantit të forcave pushtuese gjermane. Meritë e autorit është se, ai shihet me një këndvështrim të ri. Frici paraqitet si një komandant, që ka ardhur si pushtues, i mobilizuar, jo me vullnetin e vetë, por i detyruar e nxitur nga filozofia naziste hitleriane e pushtimit dhe sundimit rracist mbi gjithë njerëzimin, si rraca e njerëzve më të zgjuar që i takon të sundojë botën. Ai paraqitet në këtë roman , me të gjithë tiparet e tij negative dhe positive. Kur ai sheh 9 ushtarët e tij të vrarë, tërbohet nga inati. Ndaj urdhëron shpagimin e rëndë, ‘’një ushtar gjerman, me dhjetë banorë vendas’’.Por kur sheh, se një nënë shqiptare puth një ushtar pushtues, duke qarë me legje mbi trupin e tij, sikur ta kishte djalin e saj të vetëm, ekzaltohet shumë dhe, ashtu i përlotur dhe i penduar thellë, mbledh të vrarët dhe urdhëron lirimin e 60 pengjeve , të mbledhur nga ai fshat për t’i pushkatuar pa gjygj. E ndjente fajin, që kishte ardhur si pushtues, ndaj largohej si i mundur e turpëruar nga gjesti i lartë i një nëne labe, e cila ,e kishte vrarë egërsinë dhe zulmin e tij, jo me armë, por me humanizmin dhe dashurinë e saj prej një nëne. Ndaj, komandanti gjerman, duke ecur, i ndjekur këmba këmbës edhe nga qentë e egërsuar të këtyre viseve të ashpra shqiptare, mediton:’’Eh, sa e çuditshme është jeta në luftë. E mira dhe e keqja, deri tek tragjikja, çuditërisht qëndrojnë kaq afër njera-tjetrës, sa është e vështirë të kuptosh, se ku mbaron njera dhe ku nis tjetra. Meritë e autorit është, se kundërshtarët dhe armiqtë nuk i fut në një thes. Kur ata reflektojnë në gabimet dhe fajet e tyre, tregon se ata kanë nisur të zbulojnë dhe anën humane të shpirtit të tyre. Komandant Frici, me pendesën e tij, ka kuptuar se, jo vetëm ushtarët e tij, por dhe vetë ai, janë viktima të ideatorëve dhe nxitësve të luftrave të egra pushtuese për troje, pushtet e para. Prandaj, ai tashmë mendon se, në se do të arrinte gjallë në vendin e tij, nga kjo luftë vrastare, do të vinte një ditë, t’i kërkojë falje këtij poulli me virtyte të rralla morale e liridashëse, të cilin e dhunuam me forcën e armëve në trojet e tij.
Një simbolikë e bukur, sa e vërtetë aq artistike, ëshë lajmi i habitshëm, se, pas disa dekadash, djali i Fric-it kishte ardhur në Shqipëri për të kërkuar falje në emër të babait të tij, i cili, tashmë i vdekur, nuk pati mundësi të vinte për të kërkuar falje vetë, për shkak të sistemit monist që i mbylli dyertë e komunikimit me botën, gati një gjysmë shekulli. Amaneti që kish lënë ish-komandanti gjerman, ishte t’i shtërngonin dorën asaj gruaje, që kishte vajtuar viktimat gjermane, si të ishin bijtë e saj. Si dhuratën më të çmuar për këtë nënë me zemër të madhe, kishte gjetur sahatin që ai mbante në ato çaste, kur nëna labe mbyste me lotë ushtarët e tij të mjerë, të vrarë nga një sulm i papritur, në çastin kur ai vendosi të largohej i mundur, duke lënë të lirë bijtë e bijat e këtij fshati, të cilët, si shpagim, do të pushkatoheshin të gjithë. Pas pak në këtë event të rrallë faljeje, shfaqet edhe Anton Burgeri, nipi i ish komandantit Fric, dëshmitar i çastit, kur një djalë shqiptar, për të shpëtuar jetën e një italiani, që kërkohej nga pushtuesit gjermanë, në ved të tij, u parqit vetë si italiani që ata kërkonin. Ai djalë shqiptar, thotë miku i ardhur, kishte falur jetën e tij për italjanin. Shqiptarët, thekson ai, për fjalën dhe besën e dhënë, japin edhe jetën. Arsyeja që vij këtu para jush, thekson Antoni, është t’u tregoj, se nënë Mira, me gjestin e saj human kishte ndriçuar mendjen dhe shpirtin dajos tim . Ishte gjesti i saj që e kishte bërë atë ta shihte veten para një mrekullie, si e zbritur nga Zoti. Ndaj kishte dhënë urdhër, për lirimin e atyre pengjeve të mjerë që prisnin plumbin ballit, për të vetmin faj se, ata mbronin trojet e tyre. Amaneti që kishte lënë në ditarin e tij, vazhdon nipi Anton është:’’Shko atje dhe përulu para shqiptarëve, në emrin tim e shprehu nderimin tim pë ata njerëz me besë e virtyte të rralla. Më në fund, autori, trillin e tij artistik e mbyll me pasazhin, sa metaforik, aq dhe romantik:’’Biseda e ngrohtë mori një ngjyrë zbardhëlluese, që lehtësonte shpirtëra e ngrohte zemra njerëzish, të cilat, tashmë kërkonin udhë të reja komunikimi, paqeje e bashkëpunimi, në një botë globale pa luftra e grindje përçarëse e sunduese.
Comments