top of page

Një libër me mesazhe gjithëkohore për jetën dhe njerëzit


Rreth librit “Një jetë me emocione”.të autorit Osman Murati

Një libër me mesazhe gjithëkohore për jetën dhe njerëzit

Nga Gëzim LOKA

Osman Murati, ish funksionar i lartë politik dhe shtetëror në monizëm, iu rikthehet gjurmëve të jetës së tij ndër vite, me anë të një vetërrëfimi mbresëlënës, përcjell në librin e tij me mbresa dhe kujtime “Një jetë me emocione”.

Ky lurian, bir i një familje të thjeshtë e të varfër, siç e përshkruan me aq realizëm në këtë libër, e nisi nga pika zero dhe me ulje-ngritjet e një jete plot zigzake, me befjet, të papriturat, baticat dhe zbaticat e një kohe të vështirë, u ngjit gjer në majat më të larta të pushtetit të kohës, duke ruajtur të pacënuar identitetin e tij shpirtëror, karkaterin e malësorit, përkushtimin ndaj punës dhe dashurinë e pakursyer për njerëzit.

Gjithçka në jetën e tij të ngjeshur me përvojë dhe episode ngjarjesh kuptimplote, e bazoi tek puna e ndershme dhe respekti për njerëzit e punës, tek përkushtimi dhe vendosmëria për t’iu shkuar gjërave deri në fund, tek qartësia dhe kthjelltësia për të parë e kuptuar me realizëm hallet e nevojat e njerëzve.

Janë episode jete që nisin që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në vjeshtën e vitit 1944, me gjithë periudhën e ndërtimit të socializmit në Shqipëri dhe me ndryshimin e formës së regjimit, duke kaluar në një shoqëri të hapur, bazuar tek marrëdhëniet kapitaliste në prodhim dhe tregu i lirë.

Koha që rrodhi në të kaluarën tonë të afërt ishte një kohë e vështirë, kohë përplasjesh dhe dyzimesh të mëdha, kohë ngarkesash ndonjëherë të panevojshme e të pa motivuara siç duhet, pse jo dhe emotive e iracionale, por Osman Muarti, do të bënte një tentativë serioze për të qenë në unison me formimin e tij intelektual e qytetar, për të bërë më të mirën e mundshme për kohën dhe njerëzit, në ato rrethana që po kalonte shoqëria shqiptare.


Ai ishte dhe mbeti një intelektual qëndrestar, që nuk iu nënshtrua kurrë sprovave të kënaqësive të çastit, me të cilat identifikoheshin mjaft njerëz me pushtet të kohës, por eci në rrugë të vështira, ku vetëm falë punës, përkushtimit, ndershmërisë dhe pasionit të fortë, ia doli mbanë dhe la gjurmë të bukura në kohë.


Në këtë libër ai është modest dhe nuk i thotë këto gjëra, por teksa ndje ecurinë e rrjedhave të jetës, të punëve përkushtuese, kupton se ai dinte të ruante ekuilibrat, të bënte aq sa mundej, për t’iu gjendur pranë njerëzve të thjeshtë në nevojat e tyre të ngutshme, për punë, shkollim, mirëqenie, etj.


Nisi të punonte që në moshë të njomë, në atë moshë kur ende fëmijë, lodronte në botën e lodrave të munguara, duke punuar në SMT-në e Dibrës, ndërkohë që me zell e pasion vazhdonte rrugëtimin e vështirë të dijes, duke vazhduar shkollën e Mesme Pedagogjike pa shkëputje nga puna. Më tej vjen ushtria, studimet e larta, bashkëpunimi shkencor në Institutin e Studimeve Ekonomike, pranë Këshillit të Minsitrave (më vonë pranë Akademisë së Shkencave), studimet e thelluara dhe doktoratura si bashkëpunëtor i vjetër shkencor, ndërkohë që I jepet mundësia të punojë si pedagog i jashtëm në dy katedra, në atë të ekonomisë politike dhe në katedrën e organizmit dhe drejtimit të ekonomisë.

Nuk është nevoja të rendisim punët dhe detyrat e shumta që iu ngarkuan Osman Muratit, gjersa u ngjit në majë të atij pushteti, si sekretar I parë rrethi, si ministër etj, pasi nuk duam të heqim kureshtjen e lexuesit, që do të gjente në këtë libër një jetë, kapitujt e së cilës ia vlen të shfletohen dhe të mësohet nga përvoja e një njeriu, që gjithçka në jetë e ka arritur me punë e dinjitet.

Në këtë libër autori sjell jo vetëm jetën e tij mes dilemash dhe vëshirësish për të bërë më të mirën e mundhsme, por dhe të krejt shoqërisë shqiptare, në një kohë, kur bie fjala u ndërprenë marrëdhëniet me Kinën, çfarë solli rënie ekonomike dhe përballjen e shtetit me një krizë të fortë ekonomike e shoqërore, që për fat të keq, po vinte duke u rritur e thelluar.

Një jetë e jetuar me dinamizëm të jashtëzakonshëm, në vrullin e punëve, ëndrrave, pasioneve të bukura, një jetë e pjesëtuar në shanse e resurse me të tjerët, por në sfida e telashe të kyçura vetëm brenda për brenda vetvetes, si ajo e protagonistit të këtij libri, vetë autorit Osman Murati, që lexohet me një frymë, është më shumë se një jetë e zakonshme, një jetë që ka kuptim të thellë, pasi jetohet nga protagonist me përgjegjësi të madhe jo vetëm për veten, por mbi të gjitha për njerëzit dhe kohën.


Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page