NJË LIBËR I RI I DURO MUSTAFAIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 25, 2019
- 4 min read

Nga Luan Çipi
Këto ditë doli në dritë libri më i ri i gazetarit dhe shkrimtarit Duro Mustafai me titull “NË MBRËMJEN E JETËS’’ – të fshehta që flasin-.
Duro Mustafai, për ne moshatarët me dëshirë të pashtershme për lexim, po edhe për çdo lexues të pasionuar, është pa mëdyshje, një nga shkrimtarët më të hershëm dhe më të dashuritë kohës. Bashkëkohës dhe shok i Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, me të cilët punoi edhe bashkërisht te gazeta “DRITA”, (gazeta letrare më e rëndësishme për shumë vite rresht), ku ishte kryeredaktor, Duro Mustafai, më së shumti gazetar, është dhe poet dhe shkrimtar produktiv dhe mjaft i spikatur. Ai, veç gazetar te “Zëri i Popullit” dhe Kryeredaktor te “Drita”, ishte dhe Kryeredaktor edhe te gazeta “Shqipëria” për Diasporën, si dhe te gazeta dhe revista “HORA”, gazetë lokale, ndofta nga më të mirat në vend.
Duro Mustafai, gjatë më shumë se 35 viteve, ka botuar në një punë pa ndërprerje, në të gjitha gjinitë e publicistikës: artikuj, kryeartikuj, skica, portrete, reportazhe, vëzhgime e fejtone, si dhe poezi e tregime. Njëkohësisht, gjatë shumë viteve, është angazhuar edhe si pedagog i jashtëm, në Degën e Gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Për veprimtarin e tij letrare dhe gazetareske, Duro Mustafai është vlerësuar me urdhra e dekorata dhe së fundi është shpallur “Mirënjohja e qytetit të Vlorës”, “Personalitet i Shquar i Labërisë” dhe “Qytetar Nderi” i Vranishtit.
Shkrimtari dhe poeti Duro Mustafai, botimin e tij të parë letrar, novelën “Qielli i turbullt i Prishtinës” e ka qysh nga viti 1966 dhe pas kësaj ka botuar ndër vite pa ndërprerje 24 libra me tregime e poezi, ku spikasin skenar filmi, ditar dashurie, përshkrime udhëtimi, përshtypje e portrete shokësh e miqsh, ngjarje trimërie dhe heroizmi nga vendi, Vlora dhe Vranishti, si dhe ngjarje intime historike krahinore, farefisnore e familjare, etj.
Libri i fundit i shkrimtarit Duro Mustafai botuar këto ditë e ka titullin “NË MBRËMJEN E JETËS’ me nëntitull –Të fshehta që flasin”-. Libri është botim i Shtëpisë Botuese “Kumi”, ka redaktor z. Pirro Papalilo, konsulent z. Thoma Miçalliu dhe recent z. Qani Zaimi. Libri është sponsorizuar nga nipi i autorit, Albert Seri Petani dhe ka 180 faqe.

Libri i Ri i shkrimtarit Duro Mustafai përshkruan bukur me intimitete dashuri, jetën e familjes së tij të lumtur dhe historikun e shkurtër të fisit të tij prej Labërie, me plot ngjarje historike e shembuj atdhetarie. Qysh në fillim autori nënvizon sentencën: “Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që kujtohet për ta treguar”.
Ai tregon me vërtetësi e nostalgji jetën e tij, qysh nga fëmijërie dhe të tërheq vëmendjen dashuria e madhe (një fill i kuq që përshkruan gjithë librin), jo vetëm për gruan e tij të mirë, por më gjerë, për vendin e tij, prindërit, fëmijët, farefisninë dhe miqësinë.
Autori dallon në jetën e çdokujt: mëngjesin, mesditën, mbrëmjen dhe natën e saj. Tani, me gruan e tij, ai përjeton mbrëmjen, ndërsa për natën thotë, qoftë sa më larg. “Natë” autori konsideron vdekjen dhe për atë nuk çuditet, por për këtë fakt të gjithëpritur, gëzon çdo çast jete, ndërsa vazhdon të shkruaj me pasion derisa të ketë “dritën e syrit”.
Një tjetër sentencë që përmendet në vazhdim të librit është: ”Në pleqëri, gruaja është perëndi”. Dhe kështu, jeton me dashuri të pashuar, duke mos u ndarë për asnjë çast nga gruaja e tij, Kati.
Deri në fund të librit paraqiten thjeshtë dhe bukur ngjarje dhe episode nga jeta e tyre e gjatë, plot veprimtari e dashuri, ilustruar me fotografi të bukura për ta, fëmijët, nipër e mbesa, prindër e farefis.
Janë interesante ngjarjet e familjes së madhe Bashoj, gjatë rrjedhës së viteve e të jetës në vëllazëri, nga kanë dalë njerëz të denjë, ballë lart për ndershmëri e korrektes, për atdhetari e trimëri, prej tyre luftëtar të Njëzetës dhe të Luftës Nacional Çlirimtare dhe më vonë: punëtorë, specialist e inxhinier të shquar, apo djem e vajza që kanë rrezikuar deri vuajtje e emigrim të gjatë.
Libri mjaft tërheqës, për stilin e tij të veçantë dhe fjalorin e zgjedhur, përshkruan në vazhdim, jetën e fëmijëve në breza dhe një tjetër specifik e tij, është se e paraqet autorin në një pozicion edukatori me takt pedagogjik e didaktik, duke kaluar nga ngjarjet e jetës në zgjerim njohurish e dijesh për ta dhe për lexuesit e vëmendshëm. Vendosen kështu në proces edukativ nëpërmjet librit, jo vetëm Durua dhe gruaja e tij mësuese Kati, po dhe fëmijët e nipërit: Alqi me Aidën, Artani me Edlirën, Blandi, Kejsi, Lisa dhe Eljona.
Libri mbyllet me një kapitull, ku flasin të tjerët për autorin, shok e miq të tij të hershëm, figura të shquara të artit dhe letërsisë dhe midis tyre Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Agim Shehu, Pavllo Gjidede, Bedri Dedja, Iskra Thomai, Bujar Qesja, Hamdi Çanaj dhe Dalan Luzaj.
Megjithëse libra të tillë kanë karakter familjar dhe tërheqin kryesisht interesin e një grupi të caktuar njerëzish, libri “NË MBRËMJEN E JETËS” i autorit Duro Mustafai, merr vlera universale dhe është një model për çdo familje shqiptare.
Tiranë, më 25 Tetor 2019
Comentarios