top of page

Një kryeqytet i ri


Një kryeqytet i ri - Kostandinopoli


Më 326 Kostandini ishte për të fundit herë në Romë. Deri atëhere nuk ishte kthyer në qytetin ku pat vuajtur shumë për shkak të vdekjes së djalit të tij të madh, Krispit, dhe bashkëshortes Fausta, të akuzuar për adulter. Më 324 ai pat hedhur themelet e një qyteti të ri, të cilit i dha emrin e vet dhe e bëri kryeqytet zyrtarisht më 11 maj 330, megjithse punimet zgjatën deri në vitin 336. Në përurimin e kryeqytetit të ri u organizuan kremtime madhështore. Gjatë procesionit, turmat mbanin nëpër rrugë shtatoren e artë të Perandorit dhe të Tikesë, hyjnisë mbrojtëse të qytetit. Kostandini u shfaq para shtetasve të tij me diademën që e pat vënë në kokë qysh më 325. Tre vjet më vonë, në mes të forumit që pat ngritur, pra të forumit të Kostandinit, u vendos një kolonë prej guri të quajtur porfir, në majën e së cilës u vu shtatorja prej bronzi të lyer me ar e Perandorit. Roma e Re apo Kostandinopoli (Stambolli i sotëm) u ndërtua sipas modelit të Romës së Vjetër: u shtri mbi shtatë kodra dhe u nda në 14 sektorë. Kishte katër tregje kryesore, forume, pallate perandorake, ujësjellsa, banja termale, harqe triumfi, biblioteka dhe një hipodrom, ku zhvilloheshin gara me kuaj. Pallati kryesor perandorak dhe hipodromi ishin kopje të atyre të Romës së Vjetër. Nga të gjitha zonat e Perandorisë, Kostandini dhe pasardhësit e tij sollën shumë shtatore, buste, kolona dhe vepra të tjera artistike. E ëma, Elena, solli nga Jerusalemi kryqin, në të cilin besohej se ishte kryqëzuar Krishti. Kostandini nxiti edhe ndërtimin më 326 e një kishe të krishterë duke hedhur themelet e Bazilikës së Shën Sofisë, bash përballë pallatit perandorak. Ndërtimet vazhduan të shtohen nga pasardhësit e tij. Perandori Justinian e përfundoi në shekullin VI ndërtimin e njërës nga kishat më të bukura, Shën Sofisë. Kostandinopoli u bë jo vetëm kryeqytet romak (më vonë kryeqyteti i Perandorisë Bizantine), por edhe një qytet i lulëzuar nga pikëpamja ekonomike e kulturore. Më 1453 u pushtua nga osmanët e udhëhequr nga Mehmeti II dhe vazhdoi të ishte kryeqytet, tash e tutje i Perandorisë Otomane, deri në fundvitet ’30 të shekullit të kaluar kur kryeqytet i Republikës Turke u bë Ankaraja.



31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page