
Në një roman mund të mbizotërojë njera ose tjetra mënyrë narrative.Për mua është e vështirë të shkruaj një roman ,edhe pse kam tentuar.Po pa rezultat.I kam ngjeshur skenat, kam përdorur përshkrimet ,i kam flakur në kosh kujtimet faqe të tëra dialogu i kam grisur dhe më në fund kam lënë disa faqe për tregimet e mia.Ndoshta për keq ka ndikuar kolapsi,bllokimi im për ta vazhduar, për ta mbushur romanin.
Vërtet me se dhe si mbushet një roman
Romani mund të mbushet me njëmijë e ca gjëra ,mendon dikush, kryesisht me komplotin, me skena veprimi, me monolog e dialog dhe me çka tjetër u ndodh personazheve.
Romani Extra Time është një risi letrare ,në letrat shqiptare, është një zhanër hibrid,ku gjen të ndërthura natyrshëm elementin autobiografik me narrativën artistike.Aty gjen , përshkrime , përmbledhje ngjarjesh, monolog e dialog, filozofi, politikë, mitologji.Taçi tregohet i kujdeshëm ndaj romanit dhe mundësive të tij përfaqësuese pasi ai vetë nuk vjen nga fusha e poezisë.Nuk kam bërë poezi, nuk mund të shprehem brenda një poezie , e kam të vështirë, është shprehur në një bisedë me lexuesit .
Extra Time është një roman mitobiografi.Një nga momentet e mia të preferuara në roman është kur kupton se pjesë të jetës tënde janë ditar i një personazh libri.Në këtë mënyrë shtresat vizuale të procesit të të shkruarit në një nivel shumë të mirëfilltë dhe ditaret nga ana tjetër tregojnë për mënyrën e të shkruarit se si romani mbledh kohën dhe bashkon hapësirën.Extra Time është një hapësirë kolazhi ,plot me udhëtime ,ditare ,vende,arkiva,kujtime.Struktura e kolazhit transformon vetë narrativën përmes rikuperimit.Artet janë shumë afër me njera tjetrën, janë nga e njëjta familje, kanë gene të përbashkëta.Duket se Taçi ka zbatuar funksionin formal të formës së kolazhit në narrativën e romanit,dhe kjo është pafundsisht frytdhënëse për të zbuluar mënyrën e të jetuarit, të menduarit duke formësuar strukturat tona sociale dhe personale.
Në Extra Time ka qartësi por edhe dyshime , ka këmbëngulje por edhe lëkundje .
.Secili prej nesh ka gjëra për të rrëfyer nga përvoja e tij ,por jo të gjithë kemi aftësinë për të përdorur një gjuhë të qartë në fjalitë e shkurtra dhe të gjatë.
/Tani që përcillesh me gruan dhe vajzën,ndjehesh si miliona njerëz të tjerë në dalje dhe../.[fraza e parë fq 5 extra time.]
Prej këtu fillojnë rrugëtimet drejt një labirinti
/Provon incipitin Kupton që nuk je edhe aq larg,por nuk ta kishte marrë mendja se do të duheshin edhe tre orë të tjera për të sistemuar frazën e parë , /fq 44 extra time
Kjo na lë të kuptojmë se sa fjalë dhe fjali mund të jenë nxjerrë nga vetë autori ose fshirë nga redaktori,për të arritur në fjalinë e duhur .Duhet guxim t`i thuash vetes se kjo fjali nuk është e qartë pas tre ore pune. Qartësia e fjalisë nuk është vetëm një cilësi e artit të shkruar por është edhe një ndjenjë dashurie dhe respekti ndaj lexuesit.Është më lehtë të shkruash një fjali të shkurtër të qartë, se sa një fjali të gjatë të qartë.
Si mund të arrihet qartësia e mendimit të shprehur .Disa shkrimtarë fajësojnë nivelin e ulët arsimor ose përpjekjet e pamjaftueshme të lexuesit për të kuptuar. Jo të gjithë shkrimtarët e kanë këmbënguljen dhe shpirtin modest për të pranuar se u duhet ta rregullojnë atë që nuk shkon edhe pse duhet ta fillojnë nga e para. Lexuesi i Extra Time hyn e del nëpër kohë pa u ngatërruar,pa u bërë lëmsh në atë labirint të mbushur me ngjarje ,histori,kohë të pakohë, emocione ,dhimbje, kujtime .Për mos humbur në atë labirint duhet fija e perit të princeshës ARIADNE, e cila i dha Tezeut topin magjik për ta nxjerrë nga labirinti i Minotaurit.Dhe Durim Taçi e gjeti fijen.
/...këndvështrimin e tij e ke prijës në këtë rrugëtim ferri drejt biografisë tënde. /
Në roman ngjarjet shtjellohen brenda koncepteve χρονος dhe /καιρός. Mendimet dhe veprimet kryhen më të shumtën e herës në lëvizje ,pak janë gjendjet statike. .Brenda një udhëtimi ndodhin njëkohësisht dy tre udhëtime të tjera. Shpesh në të njëjtën kohë.
- udhëtimi real Bergamo Itali –Kanë- Francë,
- udhëtimi imagjinar
-udhëtimi në χρόνος
-udhëtimi në καιρός
-udhëtimi në time
-udhëtimi në extra time
-udhëtimi i vetes
-udhëtimi brenda vetes
-udhëtimi nga lindja në vdekje
-udhëtimi nga vdekja – në rilindje
-udhëtimi në veten e parë
-udhëtimi në veten e dytë.
-udhëtimi turistik familjar
-udhëtimi profesional, politik
-udhëtimi nëpër ditar
Të gjitha këto udhëtime jepen mes historive ,rrugëtimi për tek ato dhe mes tyre përbën boshtin e historisë së të mbijetuarit të traumës. Personazhi kryesor i kësaj historie maturie duhet të ndryshojë,duke kapërcyer diçka brenda vetes.Ajo që i duhet është të mësojë të bashkëjetojë me dhimbjen, ta pranojë atë që nuk mund ta ndryshojë.Ky është këndvështrimi i ri i jetës,nga një trik sa naiv aq dhe artistik , kohës shtesë,për të shkuar drejt prespektivës së re, të pjekur tashmë,kuptimplotë.
Veta e parë unë dhe veta e dytë ti, brenda një egzistence është një proces i mundimshëm por magjepsës dhe i këndshëm për të mësuar veten se si të shkruajë me dy zëra.Është një polaritet i ndërlikuar.Është e vështirë të gjesh rrugën tënde i vëzhguar nga një tjetër që nuk është tjetër veç vetja jote .Zërat përplasen,kundërsulmohenNjë teknikë artistike e përdorur me mjeshtëri,ku shfrytëzohet nga autori për të zgjeruar përhapjen e trillimit mbi trillim.Pretendimi kryesor i romanit përmbushet,në vend të imitojë jetën ,ai riformëson realitetin.
Në se duhet ta përmblidhte historinë nën historinë e humbjes së djalit duhej të pranonte se maturia ,ringjallja fitoi mbi depresionin kur mësoi ta pranojë botën si paradoksale dhe të papërsosur.Qëllimi i historisë dhe gjithë historive të rrëfyera në Extra Time nuk është të edukojë lezuesin,por të rrëfejë se si fitohet kuptimi i jetës ,kur më në fund mëson të shprehesh, ose t`u japësh kuptim mësimeve duke komunikuar dhe reflektuar me vetveten.Mbi të gjitha ti japësh formë jetës.
/Çohu , hape këtë derë.Kërkon ringjalljen dhe tani që ajo ndodh,nuk je në gjendje ta presësh. Hape.Përqafimi nuk mund të jetë gjithmonë një lamtumirë.Është vetja jote e dytë,e ringjallur,që kthehet në shtëpi./
Vizioni që i afrohet lexuesit pas thirrjes së vetes së tij të dytë,Çohu , hape derën nuk është drejpërdrejt didaktike,pavarësisht nga foljet e njëpasnjëshme në mënyrë urdhërore.
Kritiku Wayne C.Booth i cili ka pranuar që është një Aristotelian I Çikagos në librine tij ``Retorika e trillimit`` më vendos mua lexuesen e romanit para dilemave. A do ta pranoj autorin dhe romanin tij në rrethin e ngushtë të miqve të mi të vërtetë. Po autori a dëshiron të pranojë këtë shkrim prej meje kur ndajmë ideologji të kundërta,bindje fetare të ndryshme,bindje politike të ndryshme .E pse duhet të besoj në rrëfimet e tij ,Po sikur ato mos jenë të vërteta.Po sikur babai i tij të kishte vërtet armë dhe autori përpiqet të na mbushë mendjen për të kundërtën.
Projekti i Booth ishte të egzaminonte artin e komunikimit me lexuesit, burimet retorike në dispozicion të shkrimtarit të epikës ,romanit, tregimit,ndërsa përpiqet me vetëdije ose pa vetëdije t`i imponojë lexuesit botën e tij të trilluar apo reale. Edhe pse në terma të Kritikës së Re ai pranon që një roman është një tekst autonom,Booth zhvillon konceptin e zërit autorial -autori i nënkuptuar,shkruesi zyrtar i tij, ose vetja e dytë - të cilin lexuesi e shpik duke zbritur nga qëndrimet e artikuluara në trillim.Në ``Extra Time ``Taçi e mer vetë përsipër këtë detyrë,nxjerr nga thellësia e mendjes së tij, krijon një personazh të distancuar nga personazhi kryesor ,një devijues nga personazhet e tjerë dhe nga personazhi në vetën e parë. Është vetja e tij e dytë, e ringjallur tashmë.Përderisa autori thotë e ringjallur do të thotë që ka egzistuar diku ndoshta ,brenda vetes, në trup, në mendje ose në shpirt.Vetja e tij e dytë ka egzistuar dikur në të kaluarën , në të tashmen ,ose në të ardhmen,përderisa këtu e kaluara e tashmja dhe e ardhmja janë shkrirë bashkë.
Një kohë të përjetshme e quan Taçi.Koha ka hapësirën e saj dhe kur ndodh kryqëzimi i kohës me hapësirën është ajo që Berkson e quan njëkohësi.Koha në të cilën ecën autori i Extra Time nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me kohën që ec një lexues apo një personazh tjetër,edhe nëse kohët e tyre maten me të njëjtën orë.Në Extra Time autori dhe personazhet e tjerë lëvizin në një hapësirë kohore ,brenda 7 librave ,[numër profetik dhe i shenjtë ky,] duke e parë botën secili nga lentja e syrit të tij, brenda 7 vjetësh, brenda 7 minutave.
Autori si çdo qenie njerëzorë ka brenda shumë zëra, shumë mendime , shumë fytyra,shumë zhurmë, biles është një qenie tjetër brenda tij, një tjetër person, ajo vetja e tij e dytë që kundërshton, nxjerr pengesa, e bën të bëjë të kundërtën, të rezistojë,të mendojë, të flasë.Ndoshta ka qenë që me ardhjen e tij në jetë, ndoshta rritet bashkë me të , ndoshta lindi brenda tij në një moment të caktuar .Në fund të romanit vetja e tij e dytë i vjen nga jashtë , i troket në derë. Ka ardhur ora, momenti që të rishfaqet vetja e tij e dytë.Ka ndodhur vdekja e vetes ndoshta shtatë vjet më parë dhe tani po i vjen e ringjallur .Pritja është totale, drithëruese.Gjithë qenia e tij është në pritje .Diçka ka ndryshuar, e ndjen .Aq shumë rritet ,intesiteti i mendimeve sa bashkohen periferitë në një qendër, bashkohet qenia njerëzore në një, vetja me veten e dytë,mendja me zemrën, trupi me shpirtin dhe të gjitha bëhen bashkë.Ndalet. Bie zilja ./Hape.Përqafimi nuk mund të jetë gjithmonë një lamtumirë./Në fund të romanit rrëfimi i përvojës së të tashmes e cila përcaktohet nga e kaluara bashkohet me të ardhmen dhe personazhi arrin në depërtimin e momentit të rrallë, e njohur si epifani.
Është mjeshtri të prodhosh kaq shumë kombinime udhëtimesh në kohë e hapësirë brenda e jashtë vetes dhe të identifikohesh brenda tyre ,brenda dhe jashtë kohës universale.Është inteligjenca e autorit ajo që përdor konceptin e kohës si një përvojë, për të komunikuar emocione të thella dhe gjendje psikologjike, çka e dallon nga autorët e tjerë.
/Hyn,rregullon ulësen për vete,pasi makina përdoret edhe nga gruaja ,lëviz pasqyrat dhe bën të vësh adresën në navigator Vendi Francë-Qyteti Kanë ./
këndvështrimin e tij e ke prijës në këtë rrugëtim ferri drejt biografisë tënde.
Po mbush të njëzetat.Mban ditar.Ke hedhur aty kujtime
Tani a-në e shikon si 0 dhe çon nëpër mend një jetë në fraksione të sekondës
Ke dëshirë ta personalizosh leximin tënd dhe ta përdorësh si një metodë për të hetuar në thellësinë tënde.
Është një udhëtim që nuk ndodh në mjedisin e konkretes reales,por në atë të iluzionit,nuk e bën me ndjesinë e realitetit,por me atë të fiksionit,nuk e bën me vetë përmbajtjen ,por me rendin simbolik.
Nuk është se je gjithmonë i përqëndruar,nuk pushon së kthyeri pas në kohë,e shpesh të vjen në mend ai çasti....
Titulli Extra Time , koha shtesë.Të dyja versionet si në shqip dhe në anglisht janë të qarta pasi ke përfunduar leximin e romanit.Dy fjalë thonë gjithçka.Fjala shtesë sygjeron një kuptim ndryshe nga fjala Kohë ,çka të bën të mendohesh përse kjo shtesë në kohë,ç`ti duhet vallë narratorit.Koha shtesë është vendimtare , përcaktuese .Për momentin le të harrojmë kontekstin dhe të përqëndrohemi në qartësinë themelore.Pavarësisht se si ndihet narratori për kohën shtesë ,pavarësisht sa kritike është koha shtesë,pavarësisht nga njohuritë tona për ngjarjet që zhvillohen në roman nuk ka lexues që nuk e kupton atë që autori komunikon përmes fjalëve, fjalive në roman.Pra titulli e justifikon fiksionin.
Është filozofia , përvoja,qëndrimi ndaj jetës dhe religjionit ,standartet morale që vendos të cilat ndikojnë dhe ngacmojnë të menduarit dhe përfundimet në lidhje me kohën dhe kohën shtesë , me vdekjen dhe ringjalljen Pavarsisht si ndihemi ne vetë për çështjen e ndërlikuar dhe emocionale të vdekjes dhe ringjalljes është për tu admiruar saktësia e menduar dhe e kujdesshme e shkrimit të romanit për të dalë me titullin aq delikat dhe emocionues Extra Time .
Me siguri shkrimtarit të Extra Time i është kërkuar akoma një ekstra time ,për të dalë jashtë vetes ,për të lexuar atë çka shkruan si të ishte dikush tjetër, për ta kuptuar atë çka po shkruan .Arbër Ahmetaj 2
Një romancier metanarrativ është një romancier që i tregon kulturës së vet praktikat, përvojat dhe besimin e vet nëpërmjet dinamikës së stilit .I tillë është Durim Taçi,autori i romanit Extra Time .
Perceptimi i kohës që rrjedh është një lojë e jetës – thotë ti-ja rrëfyese ,jashtë kohës ka ende kohë.Ti-ja është veta e dytë ,Dhe ne si lexues ndjekim ti-në që hulumton ndër këto vetje,jo për ti nënshtruar, por për të kuptuar autonominë e tyre 1.
Për një lexues tjetër ti-ja është një karakter ,personazh dhe jo thjesht një vetë e dytë,madje ai mund të ketë dhe emër të përveçëm që mund ti përkasë historisë, ose filozofisë, teologjisë,pse jo dhe Mitologjisë.Atisi.Të gjithë personazhet kanë nga një emër real, raporte e lidhje reale me personazhin.Arbër Ahmetaj.
Po vetja e dytë a ka emër,As vetës së parë nuk i përmendet emri.Autori rrëfen vetveten. Tre jetë, i biri dhe dy vetat e autorit.
Vetja e dytë a përbën një karakter më vete.
Nëse nuk do ishte personazh ,një karakter i plotë,do ishte një fantazmë, ikonë ose aludum.Por ja që në Extra Time karakteri, ti-ja na jepet brenda lokacioneve gjuhësore.Askund nuk bëhet fjalë për nënshtrimin e tij ndaj të vdekurit, vetës së parë përkundrazi si një karakter kundërvënës përballë personazhit kryesor ai ushtron një forcë të fortë referimi.l.
Kush është koncepti i karakterit në fiction .3William H.Gass
Deri në vitet 70 mbizotëronte teoria se personazhet konceptohen qartë si të gjallë vetëm jashtë gjuhës.Gass –i i lokalizon personazhet brenda gjuhës.Po të njëjtën gjë e shohim edhe nga Taçi, në Extra Time,ku vetja e tij e dytë interpretohet gjuhësisht, brenda gjuhës.Personazhi, pra vetja e tij e dytë ka ecurinë e tij,ritmet e tij,tingujt, zhurmat e tij dhe të gjitha këto krijojnë lidhje dhe raporte me fjalët , veprimet e tjera që përbëjnë një vepër fiksioni.Vetja e tij e dytë nuk është thjesht një vëzhgues ,por një karakter , një personazh i avancuar me ndjenjat e tij, me gjestet, fjalët e mendimet e qëndrimin e tij.
Vetja është personazhi kryesor ,kurse vetja e tij e dytë, një personazh sa enigmatik aq dhe interesant.Unë do ta quaj një karakter të lindur si pasojë e vdekjes shpirtërore pas humbjes së Atisit, djalit të tij . Lidhja shkak – pasojë.
Pra vetja e tij e dytë ka procesin e lindjes , shkëputjes nga vetja në kohë e hapësirë,pra një perspektivë, një personazh i evoluar, me një inteligjencë emocionale shumë më të zhvilluar nga personazhi kryesor.
Kritika e sotme akoma lëkundet mes talentit individual dhe traditës së krijuar.Tradita në rastin konkret do që autorsia të jetë shqiptare, identiteti shqiptar. Por Extra Time ka shumë udhëtime, në kohë e hapësirë,kapërcime kufijsh realë e imagjinarë.Dhimbja i kapërcen kufijtë , ashtu si dhe vdekja fizike i kapërcen kufijtë.Në këtë roman është vdekja shpirtërore ajo që i kapërcen kufijtë realë dhe imagjinarë derisa vjen momenti i ringjalljes.Pra në këtë roman është vdekja e pranishme por dhe nuk është.Lexuesi habitet se si rron shpirti i vdekur ,se si shpirti vdes në trupin e gjallë.Më paradoksale është se si shpirti i vdekur e mund kohën dhe fiton mbi të. Ky shpirt i vdekur nuk është rastësi që është emigrant, ësht fakt. Por talendi i Taçit,këtë shpirt të vdekur e nxjerr nga kufijtë e Diasporës e bën Universal.Nuk janë udhëtimet në hapësirat reale, Itali- Francë- Shqipëri,as, kapërcimet e kufijve realë mes këtyre shteteve për të qenë Universal dhe një vepër universale.Edhe autorë të tjerë kanë shkruar për përjetimin e vdekjes, për shpirtrat e vdekur duke përsosur anën formale të vepërës.Taçi bën të kundërtën.Ai na sugjeron ta mendojmë librin si një vepër e përjetshme përmes ringjalljes dhe jo thjesht si jeta e shkrimtarit,por udhëtimi , ringjallja e vetë lexuesit.Ky libër nuk është thjesht për tu konsumuar e mbyllur.Extra Time është një libër për të udhëtuar brenda tij.Për njeriun e vdekur ,gjithmonë me shpirt të pavdekshëm ,si mund të ishte ndryshe fundi .
Teuta SADIKU.Tiranë 2022.
Literature reference.
1.Ermira Alija,për ExLibris .``ExtraTime i Durim Taçit –roman i vetjeve në kohë e hapësirë.``
2. Arbër Ahmetaj Revista Letrare.``Kërkohet kohë shtesë për të lexuar një roman të pazakontë.``
3. Wayne C.Booth ``Retorika e trillimit``
4.William.H.Gass ``Koncepti i karakterit në fiction.``
5. Lyotard `` Post modernismi dhe Metanarrativa.``
Teuta SADIKU është autore e 3 vëllimeve me poezi dhe 2 vëllimeve me tregime.Diplomuar në Universitetin e Tiranës,dega Gjuhë Letërsi.
Comments