Një jetë 'poetike' e poetit dhe shkrimtarit Hiqmet Meçaj


Hiqmet Meçaj

Hiqmet Meçaj


1944. Lind në qytetin e Ballshit, më 2 Maj, (varianti zyrtar 15 Maj) nga prindër me origjinë nga fshati Kallarat i Vlorës. Babai i tij, Hasani, qe larguar nga fshati që më 1917. Më 1919 bën shkollë xhandërmarie. Më 1920 e gjithë shkolla, me instruktor patriotin Shaqo Derri, marrin pjesë në Luftën e Njëzetës. Është pjesëmarrës i Revolucionit të Qershorit, Kryengritjes së Fierit dhe rezistencës antiitaliane të 7 prillit 1939.

Kishte mbaruar Akademi Ushtarake në Itali, Firence dhe Romë. Ka shërbyer si postëkomandant xhandarmërie në shumë skaje të vendit dhe së fundi në Ballsh. Në fillim të vitit 1944. duhej të çonte te gjermanët më se gjashtëdhjetë fshatarë, të dyshuar për pjesëmarrje në forcat territoriale partizane, të cilët do t’i pushkatonin. Hasani, bashkë me kolegë të tij shoqërues, vendosën të largohen në mal me të arrestuarit.


1947. Xhaxhai, Skënderi, partizan i orëve të para, luftëtar deri në Jugosllavi, arrestohet papritur dhe dënohet me vdekje. I zbutet dënimi me101 vjet. Babai, që ndodhej në Fier bashkë me familjen, largohet për në Vlorë dhe strehohet te një nga shtëpitë e Osman Haxhiut, Komandant i Luftës së Vlorës.


1948. Blen shtëpi të rrënuar të pashallarëve të Vlorës në rrëzë të kodrës së Budakut. Aty është rritur edhe poeti vlonjat Nexhat Hakiu.


1951. Pas hedhjes së bombave në Ambasadën Sovjetike, babai pushohet nga puna. Shkon për pak kohë në fshat bashkë me babanë, i cili filloi të bëjë qymyr për ta shitur. Fshati i hapi një botë tjetër.


1952. Me urdhër të drejtorit të shkollës, ngarkon në karro me një bashkënxës libra të vjetër të sekuestruar. Karrocieri u vë zjarrin te fusha e aeroplanit. Pas qortimit të babait, që nga ajo kohë, fillon të lexojë me etje libra dhe t’i dojë si gjë e çmuar.


1952. Shikon për herë të parë njerëz të vdekur. Ishin tre djem të rinj që i tërhoqën zvarrë pas një karroje dhe i përplasën te Sheshi i Flamurit. Qe një pamje që do ta shqetësojë për tërë jetën.


1956. I plas një granatë e vjetër lufte dhe i copëton duar dhe këmbët. Mjeku kirurg e çon në sallë që t’ia presë. Ngul këmbë nëna, Memja: “Më mirë të vdesë se sa të mbetet cung”. Gjymtyrët i ngjiten përsëri me mjekime popullore të një plaku çam. Që atëherë i shikon këmbët si diçka e shenjtë dhe do t’i përdorë gjithnjë edhe për udhëtime të gjata.


1960. Arrestohet papritur babai, në moshën 57-vjeçare, për “gojë të lëshuar dhe pakujdesi në detyrë”.


1961. Për të ndihmuar në gjendjen e mjeruar ekonomike, hyn në verë në punë sezonale në Kombinatin e Konservave. Sëmuret rëndë dhe shpëton mrekullisht nga vdekja. Kalon një vit në Sanatoriumin e Vlorës, ku u përkujdes mjeku zemërflori me origjinë greke, Vlash Çili. Ai vit është vendimtar për lidhjen e tij me letërsinë. Ndikoi sidomos njohja me Lasgush Poradecin dhe piktorin Fatos Nivica, xhaxhanë e këngëtares Ema Qazimi.


1963. Dashurohet marrëzisht me Anën, Noçen e mrekullueshme, dhe përjeton dashurinë e tij të madhe të jetës.


1963. Mbaron shkëlqyeshëm gjimnazin dhe i del e drejta e studimit për në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Njihet me Xhevahir Spahiun te lista e lajmërimeve e shpallur te ish arka e kursimeve. Fillon që aty një miqësi e madhe vëllazërore që do të zgjasë gjithë jetën. E mban ekonomikisht vëllai, Gafuri, për të cilin është krenar dhe uron që të gjithë të kenë një vëlla të tillë.


1963. Në auditor gjeti ata që do të bëheshin ndër emrat e njohur të letrave shqipe. Janë mbi tridhjetë shkrimtarë, studiues dhe gazetarë, (disa ndër më të shquarit e letrave shqipe), që nga poetët e shkrimtarët: Koçi Petriti, Xhevahir Spahiu, Ndoc Papleka, Faik Ballanca, Koço Kosta, Nasi Lera, Gaqo Bushaka, Halil Laze, Pandeli Koçi, kosovarët Adem Istrefi, Sulejman Krasniqi, Ymer Lugalliu, minoritari grek Foto Qiriazati; gjer te gazetarë e studiues si Spiro Dede, Seit Mansaku, Ilia Lëngu, Shaban Murati, Niko Dako, Fisnik Sina, Thoma Qëndro, Agim Korbi, përkthyesi nga gjermanishtja Aristidh Ristani, apo Kozeta Mamaqi, Tatjana Buda (Haxhimihali), Sami Çabej, Vera Lohja (Ibrahimi), Hilmi Picoka, etj....

Pedagogët e kohës ishin ndër më të shquarit. Mori leksione nga Eqerem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Shaban Demiri, Jakov Xoxa, Myzafer Xhaxhiu, Mark Gurakuqi, Alfred Uçi, Fatos Arapi, Nexhip Gami, Androkli Kostallari, Koço Bihiku, Zihni Sako, Jani Thomai, Anastas Dodi, Ziaudin Kodra, Stefan Prifti, Henrik Lacaj, Nonda Bulka, Petro Lalaj, etj.


1963. Në Tetor boton për herë të parë poezi në revistën “Nëntori” së bashku me Dalan Luzajn, djalin e profesorit të arratisur, Isuf Luzaj dhe Xhevahir Spahiun. Boton edhe te “Zëri i Rinisë”.


1964. Pas botimeve të atij viti bëhet emër i njohur dhe pranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë. E thërret vetë kryetari i atëhershëm, eruditi i respektuar Dhimitër Shuteriqi.


1965. Ndërmerr një udhëtim në këmbë, duke u nisur nga malësia e Tiranës, ajo e Krujës, e Matit e deri në malin Munellës të Pukës, prej nga shikon pothuaj gjithë Shqipërinë.