NJË JETË PËR THEMELIMIN...


Prof. Dr. ALBERT SOTIRI

MEDITIME RRETH KUJTIMEVE TË Prof. Dr. ALBERT SOTIRI NË LIBRIN:

“NJË JETË PËR THEMELIMIN DHE ZHVILLIMIN E BRONKOLOGJISË NË SHQIPËRI”



Lutfi ALIA


Kur miku im Prof. Dr. Albert Sotiri më propozoi të shkruaj parathënien për librin e tij “Një jetë për themelimin dhe zhvillimin e bronkologjisë në Shqipëri”, jo vetëm u ndjeva i nderuar për ftesën, por dhe u preokupova, sepse ishte një përgjegjësi e madhe për t’u shprehur në atë lartësi, që kërkon ky libër i shkruar nga një personalitet i mjekësisë shqiptare, me veprimtari profesionale, shkencore dhe shoqërore 55 vjeçare.

Të shkruash kujtime nuk është kusht të jesh shkrimtar, mjafton t’i radhisish ngjarjet me realitetin dhe thjeshtësinë e tyre, ashtu si i ke jetuar. Kësisoj i ka përshkruar Alberti me vërtetësinë, me bukurinë e tyre mbresëlënëse, thjeshtë dhe me kulturë, duke prezantuar një mozaik ngjarjesh, ndjesishë, qëndrimesh, vendimesh, reagimesh, meditimesh, përjetimesh, përsiatjesh, regëtimesh shpirtërore, ashtu si dhe vuajtjet nga persekutimet e absurdit komunist dhe më pas të pseudodemokrateve.

Alberti e përshkruan jetën e tij me një realitet bindës, me guxim, larg monotones dhe të shprehjeve klishe. Por nga ana tjetër, të shkruash për vehten nuk është e lehtë, pasi mund të rrezikohet të biesh në pozita autoidolatrie dhe vetëmburrje, por Alberti nuk është i tillë, përkundrazi shquhet për modestinë dhe qëndrimet me personalitet dinjitoz, andaj është treguar i kujdsshëm dhe realist, duke e rrëfyer aktivitetin e tij shumëvjeçar me vërtetësi dhe thjeshtësi admiruese, të pandarë nga bashkpuntorët dhe kolegët e tij të spitalit dhe të pandara me jetën familjare, shoqërore, profesionale, shkencore dhe politike në ato 55 vite, që ka trajtuar në këtë libër. Kjo mënyrë të rrëfyeri, rrallë herë rastiset kësisoj e trupëzuar në një të vetme, si në monografinë autobiografike të Albert Sotirit.

Gjatë leximit të këtij vëllimi të shkruar me art dhe kulturë më erdhi në mendje një këshillë e albanologut Nikolae Jorga "Shkruaje sipas shpirtit tënd dhe lexoje sipas shpirtrave të tjerëve" dhe unë u ndjeva i përfshirë në udhëtimin 55 vjeçar të Albert Sotirit, duke i përjetuar me emocione ngjarjet e shumta si mjek, bashkëshort, prind, shkencëtarë dhe person publik.

Kujtimet e prezantuara në këtë autobiografi, fillojnë me vitin e diplomimit mjek dhe vazhdojnë deri në ditët e sotme, me rrëfime profesionale, shkencore, familjare dhe shoqërore, të rradhitura me kujdes e në mënyrë elegante, në vazhdimësi llogjike, si një simfoni e pambaruar, sepse Alberti dhe pse pensionist, vazhdon të kontribuoi si mjek dhe shkenctarë në specialitetin e bronkologjisë.

Mjekësia është profesion, është shkencë, është art, është mision humanitar, është përkushtim me guxim, me sakrifica, me ndjenja përgjegjësie tej sensit të detyrës, është shërbim fisnik me devotshmëri shëmbullore për të shëruar jetën e lënduar nga sëmundjet. Të diagnostikosh dhe të luftosh një sëmundje, sa është detyrë dhe sodisfaksion i mjekut, po aq është gëzim dhe mirënjohje nga individat që vuanin nga sëmundja, ashtu si është

gëzim e mirënjohje dhe nga familjarët. Jeta e mjekut është tepër e pasur, por tepër modeste, larg vetëlëvdatave

dhe pikërisht këto aspekte i gjejmë të mishëruara në figurën e mjekut Albert Sotiri.

Në vitin 1966, Alberti filloi ushtrimin e profesionit në bronkologji, një nënspecialitet tërësisht i ri, i pa lëvruar më parë, pa eksperiencë pararendëse, pa baza materiale, pa specializim, gjithçka e filloi nga e para, me përkushtim, me këmbëngulje, me pasion, me studime sistematike të literaturës së huaj të kësaj fushe dhe me përpjekje insistuese për aplikimin e të rejave shkencore në praktikën e punës së përditëshme. Kësisoj Albert Sotiri themeloi, organizoi dhe perfeksionoi shërbimin e bronkologjisë shqiptare, një fushë e re diagnostikimi dhe studimesh të sëmundjeve bronkopulmonare në Institutin e Luftës kundër Tuberkulozit -Tiranë.

Zanafilla, fazat e njëpasnjëshme të ecurisë, të zhvillimit në nivele dhe me kritere shkencore bashkohore të bronkologjisë, janë kontribute të pasionit dhe të punës vetmohuese të Albert Sotirit.

Nuk është rastësi që në këto kujtime, Alberti shpreh mirënjohje, nderim dhe respekt për drejtorin vizionar Dr. Stavri Leka, cili kishte kërkuar hapjen e këtij shërbimi dhe që i foli për herë të parë për bronkologjinë, për rëndësinë e saj në shëndetësi, në veçanti për diagnstikimin e sëmundjeve bronkopulmonare në sanatorium dhe më gjërë, që i foli dhe për të ardhmen e Albertit në këtë specialitet.

Çdo lexues do ta ndjeki me emocione, por dhe me respekte ecurinë e Albertit në përpjekjet e vazhdueshme për themelimin, konsolidimin dhe modernizimin e shërbimit të bronkologjisë. E filloi punën me bronkoskopin rigid të Rozenheim, e vazhdoi me bronkoskopin Friedel, i kreu proçedurat me korrektesë dhe saktësi teknike. Ndonëse bronkoskopët rigid përdoreshin dhe nga renimatorët, ndonjë pneumolog dhe nga otorinolaringologët, merita e Alberit është se i pari e aplikoi në bronkologji, kështu e filloi, e themeloi dhe e zhvilloi shërbimin bronkologjik në Shqipëri. Tej praktikës tradicionale të përdorimit të bronkospit rigid, Alberti i perfeksionoi proçedurat, duke përdorur kontraste cilësore, përdori anestetikët si ato të klinikave të vendeve perëndimore, për herë të parë aplikoi aerosoloterapinë, mjekimet me instilacione direkt në trake etj, etj.

Ndonëse për kohë të gjatë iu mohua e drejta e një specializzimi jasht shtetit, Alberti nuk u d