top of page

Një jetë në pjerrinë


Pajtim Xhelo

Një jetë në pjerrinë

tregim ( vijim )

II

Të nesërme, kur po e përcillte, i ati i tha : - Jam i mendimit që të skosh të shtunën pasdreke në Shtëpinë e fëmijëve jetimë dhe të marrësh ndonjë nga ata vocërrakët pët ta mbajtur në fundjavë, siç bëjnë shumë të tjerë, edhe pse kanë fëmijët e tyre. Mbase Alisa afrohet me të,sepse fëmijët kanë aftësinë të zbutin edhe tigrin. Gerioni nuk e kundërshtoi, madje iu duk mendim i mirë.. Si gjithmonë babloku i tij kish gjetur një rrugë të shtruar, ku mund të ecte mardhënia e të birët me të shoqen, që sa vinte dhe po bëhej si dhi arrakate në këmbënguljen e saj të paligjëruar. Pa i thënë asgjë të shoqes, Gerioni shkoi që ditën e premte në Shtëpinë e fëmijëve jetimë Në sallën e pritjes për të takuar drejtoreshën pa një vajzë me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, që ishin të bukur si dy trëndafila të porsaçelur. Djali u shkëput dhe iu afrua Gerionit. - Ju jeni ai xhaxhi që do na marrë mua dhe motrën time nesër?- e pyeti. Po rrinte përballë të panjohurit, i vëmendshëm, këmbëngulës, i vendosur të mos largohej pa marrë përgjigjen e duhur Dhe nuk ishte më tepër se pesë vjeç. E motra duhet të qe nja dy vite më e vogël. Gerioni mbeti i çarmatosur nga siguria me të cilën hyri fëmija në bisedë. Nuk dinte si t'i përgjigjej, po vajza me të cilin po rrinin fëmijët, e shpëtoi nga ngërçi dhe sikleti i papritur. Ai nuk qe mësuar me fëmijët dhe thuajse nuk e njihte botën e tyre. Fëmijërinë e vet e kish harruar thuajse në sirtarët e vjetëruar të kohës; ajo ishte shumë vite larg. -Eja këtu Parid, mos e bezdis xhaxhin- e thirri ajo, pastaj iu drejtua Gerionit - Është shumë kurreshtar, aq sa ndonjëherë e tepëron. - Janë fëmijët tuaj ?- e pyeti Gerioni. Vajza qeshi pa të keq. - Jo, unë jam e pamartuar, janë të motrës sime. Prindërit ndrruan jetë në një aksident automobilistik dy vite më parë, kështuqë gjyshërit nga babai i sollën këtu, edhe pse unë ngula këmbë që t'i mbanim ne, njerëzit e të ëmës. Gerioni i kërkoi të falur; mendoi se mos vajza ishte fyer kur ai i kish quajtur fëmijët e saj. Vajza bëri një shenjë shpërfilljeje me dorë, sikur të donte të thosh se kjo nuk kishte rëndësi. - Është njëlloj si të ishin të mitë, gjaku im janë - i tha pastaj dhe e pyeti - Po ju, kujdeseni për fëmijën e ndonjë të afërmi? U hutua, nuk dinte si t'i përgjigjej, po sërish vajza e re e ndihmoi: - Apo do merrni ndonjë nga fëmijët për fundjavë? - Po, po - nxitoi të thosh ai - Ne vet nuk kemi fëmijë. Dua të provoj të mësohem me një fëmijë në shtëpi. Them se do jetë gjë e bukur, veç e kam pisk me time shoqe. Nu është e një mendjeje me mua. Vajza u duk e habitur. - Nuk i ka qejf fëmijët? - Jo dhe aq. Ajo ia ktheu : - Un i dua shumë, kur të martohem do bëj pesë fëmijë, një më tepër se prindërit e mi. Ishte radha e Gerionit të habitej. Rrallë kish dëgjuar nga goja e një vajze kaq të re që donte të bënte kaq shumë fëmijë. Ai donte ta përgëzonte për këtë, po pastaj ndrroi mendim; sikur e kish zgjidhur gjuhën më tepër se ç'duhej Ai nuk e njihte fare dhe i kish folur për Alisën. Me çtë drejtë?Po tashmë ishte vonë për ta ndërprerë bisedën. Këtë herë ishte vogëlushja me kaçurrela të zeza që iu afrua dhe i kapi dorën me doçkën e saj të vockël, të butë si sfungjer. - Xhaxhi, do na marrësh në shtëpinë tënde mua dhe vëllain? Atij iu bë se i foli një ëngjëll që kish zbritur papritur nga qielli. U mendua një çast, pastaj, i përlotur e përqafoi dhe iu përgjigj: - Po, shpirt i vogël, ëngjëll i xhaxhit, do t 'u marr të dyve që sonte në shtëpi. Tezja e fëmijëve e kundërshtoi, duke i thënë se ajo i merrte vet çdo javë, po si e pa që Gerioni ishte përlotur, nuk ia prishi. Kur doli drejtoresha, ata të dy qenë dakortësuar që Gerioni t'i merrte fëmijët që atë ditë. Ajo i kërkoi Gerionit letrën e njoftimit, shënoi në një regjistër disa të dhëna dhe ai u largua me të dy fëmijët, që çuditërisht nuk po i ndaheshin për asnjë çast. Tezja e tyre i shoqëroi deri afër shtëpisë dhe i puthi të dy. - Silluni mirë dhe më jepni fjalën që nuk do ta shqetësoni xhaxhi Gerionin dhe gruan e tij! - i porositi ajo dhe u largua duke i uruar burrit të porsanjohur natë të mirë. Kur nuk pati bërë as pesëgjashtë hapa, u kthye dhe shtoi - Nëse mërziten, po të lë numrin tim të telefonit dhe mos ngurro të më telefonosh, vi unë i marr, pa asnjë problem. Sa ktheu kokën tezja e saj, vajza e vogël e pyeti Gerionin: - Si quhet gruaja juaj? - Alisa - u përgjigj ai i habitur me mençurinë dhe lirshmërinë e fëmijës. I ra ziles dhe priti të shihte si do të sillej e shoqja nga kjo vizitë e papritur. Fëmijët, me pafajësinë e tyre, po prisnin te pragu i derës së hapur që ajo grua t'i ftonte brenda, t'i përkëdhelte, t'u thosh fjalë të ëmbla, pse jo, t'u mbushte duart me dhurata dhe me torta për fëmijë, ashtu si bënin gjyshet e tyre kur i merrnin në fundjavë në shtëpi. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Alisa kish mbetur e shtangur pas portës, duke rrotulluar sytë herë te i shoqi, herë te fëmijët , pa mundur të shqiptonte asnjë fjalë. - Do na thuash të hymë apo jo? - bëri shaka Gerioni dhe e shtyti lehtë që të fuste fëmijët brenda në koridor. - Mirmbrëma teta Alisa! - e përshëndetën vocrrakët në një kohë. - Mirmbrëma! - ua ktheu ajo , akoma nën veprimin e të papriturës. E hoqi të shoqin mënjan dhe e pyeti me gjysëm zëri, që të mos e dëgjonin mysafirët e vegjël: - Kush janë këta? Gerioni i shpjegoi, pastaj, pa i lënë kohë të thosh ndonjë fjalë të pakëndëshme për fëmijët, u drejtua nga ata dhe i paraqiti : - Ky është Paridi, kjo është Katrina, janë motër e vëlla. Fëmijët u ngritën në këmbë dhe u përkulën lehtë, me mirësjellje. Gruaja, që nuk po e merrte akoma veten nga kjo vizitë që nuk e pat përfytyruar ndonjëherë, po sillej rrotull, pa ditur ç'të bënte: - Më duhet të shkoj të blej ca gjëra që të përgatis darkën dhe mëngjesin për këta fëmijë - i tha ajo të shoqit dhe bëri të dilte, po Gerioni nuk e la . - Më thuaj mua ç'duhet të blej dhe po shkoj shpejt e shpejt, ti merru me Paridin dhe Katrinën. Kur u kthye, ai i gjeti fëmijët të ulur atje ku i pat lënë dhe të shoqen ulur në divan me turinjtë varur. Ajo u çua si me përtesë dhe nisi të përgatiste darkën. Papritur Paridi iu afrua dhe e preku lehtë te dora . - Teta Alisa, për ne mos përgatit gjë - i tha - Për darkë ne pimë vetëm një gotë qumësht me një vezë të zier dhe një fetë bukë. Kështu bëjmë gjumë të lehtë, sepse natën trupi ynë nuk është në lëvizje dhe nuk harxhon kalori. Gruaja u habit: - Kush ju ka thënë kështu? - Mësuese Teuta - u përgjigj Katrina në vend të të vëllait. Ajo i shikoi të dy dhe ua ktheu : - Kur të jeni në shtëpinë e fëmijëve, bëni si ju thotë mësuese Teuta, këtu do të bëni si t'u them unë, u kuptuam? Veza nuk këshillohet as për të rritur në darkë, ajo mësuesja juaj qenka teveqele. Katrina u kthye nga Gerioni dhe e pyeti : - Ç'do të thote ajo fjala që tha teta Alisa? Burri qeshi dhe ia shpjegoi. Pastaj, për t'i tërhequra nga mënyra e ashpër dhe pa takt e sjelljes të së shoqes, pyeti Paridin: - Po ti e kishe dëgjuar ndonjëherë këtë fjalë? Dlali mblodhi supet. - Ndonjëherë ne të rriturit përdorim ca fjalë të vjetra, që duhet të hiqen nga përdorimi, po ju të vegjlit nuk duhet të na i vini veshin. Djali i vogël tha : - Gjyshërit e mi nuk përdorin fjalë që ne nuk i njohim. - As tezja - shtoi vajza. Alisa ktheu kokën, i hodhi një shikim dyshues të shoqit, pastaj pyeti Paridin: - Pse keni një teze ju? Fëmijët u përgjigjën të dy në të njëjtën kohë: - Tezen tonë e quajnë Meriman. - Pse nuk ju mban ajo, po ju ka çuar në shtëpinë e fëmijës? Ata të dy shikuan njeritjetrin, po nuk dinin si të përgjigjeshin. Gerioni donte t'i hiqte vrejtje të shoqes, ta kujtonte që fëmijëve nuk u bëhen pyetje të tilla , se i vë në siklet të panevojshëm. - Gjyshërit nga babai i tyre nuk kanë qenë dakord që fëmijët të rriteshin vetëm nën ndikimin e e njerës palë, kësisoj vendosën t'i çonin aty ku janë sot, veçse tezja e tyre kujdeset gati çdo ditë për ta. Papritur gruaja e la punën që kish nëpër duar, u kthye nga ai dhe e pyeti me xhelozi të pafshehur : - Po ti nga i di gjithë këto gjëra për tezen e tyre? E njihje më parë atë? Gerioni hodhi një vështrim të shpejtë nga dy fëmijët, për t'u siguruar që ata nuk kishin kuptuar gjë dhe iu përgjigj qetë : - Jo moj, nuk e kisha parë kurrë, po sot më foli drejtoresha për të gjitha këto. Alisa vijoi ta shihte me mosbesim fyes, po i shoqi bëri sikur nuk e kuptoi qëllimin e saj, dhe nisi të merrej me fëmijët. Katrinën e zri gjumë shpejt, ndërsa Paridi e lodhi me pyetje Gerionin. Ishte hera e parë që rrinte kaq shumë me një fëmijë dhe sesi i dukej vetja ndonjëherë, kur djali i kërkonte shpjegim për ca gjëra që edhe atij vet nuk i patën shkuar nëpërmend. - Dhelpra është vetëm femër, po mashkullin ku e kaË Si duhet të quhej ai? Gerioni nuk dinte si t'i përgjigjej. As ai vet nuk kish dëgjuar ndonjëherë si quhej mashkulli i dhelprës. - Për të patur ka edhe mashkull të dhelprës, po unë nuk e di si quhet. Paridi u duk i pakënaqur. - As tezja ime nuk e dinte. Vetëm një shoqe më e madhe se unë atje ku jemi ne më th që quhet dhelpërak. Gerioni qeshi. Pak më vonë djali e pyeti : - Pse njeriu nuk është vetëm mishngrënës? Gerioni u mendua një hop, po jo,ishte mundim i kotë, edhe kjo qe pyetje e vështirë. Fëmija ishte i papërballueshëm. Vallë, mos qenë kështu gjithë fëmijët e botës? Një mençurie dhe kurreshtjeje të tillë ishte e pamundur t'ia dilje. Mos pati të drejtë e shoqja që nuk donte t'i futej kësaj valleje?Po gjithë bota si bën me fëmijët, nëse ata janë kaq të lodhshëm? Gerioni po e shihte Paridin e vogël në mëdyshje. Një çast mendoi : " Mos është fëmijë i veçantë, mos ka zhvillim psikomotor të parakohshëm?" Po djali i çuditshëm nuk e la ta përfundonte mendimin për të. - Nuk do qe më mirë që ne të hanim vetëm kafshët që ushtehen me bar, si lepuri, delja,dhia, lopa, kali, sorkadhja, iriqi, kërmilli? Barin e hanë ato dhe ne, duke ngrënë mishin e tyre, kemi marrë edhe barin. Burri kish mbetur pa fjalë; një fëmijë kaq i vogël dhe kaq i mençur. Alisa vente e vinte nëpër shtëpi dhe nuk po ia vinte veshin bisedës së atyre dyve. po edhe asaj i erdhi radha të habitej. - Po ti teta Alisa nuk ke bërë asnjëherë fëmijë si gratë e tjera? - iu drejtua Paridi pa të keq. Gruaja u shtrembërua në fytyrë, egërsoi shikimin, u kthye nga djali dhe i tha me inat : - Këto nuk janë pyetje që duhet t'i bëjë një fëmijë i vogël si ti. Tezja jote nuk të paska edukuar mirë. Gerioni i bëri shenjë të shoqes që të ulte tonin, po ajo bëri sikur nuk e vuri re dhe vijoi : - Nuk kam patur fëmijë, po edhe sikur të kisha, nuk do doja të ishte kështu si ti. Djali u zemërua, pështeti kokën te Gerioni dhe nuk foli më. - Dhe tani bëhu gati të flesh gjumë. Jot motër po sheh në ëndër përrallat e Aladinit me llampën magjike tani.. Paridi e kundërshtoi . - Do fle me xhaxhi Gerionin, nuk dua të fle vetëm. Ai ngriti sytë dhe i hodhi një vështrim lutës burrit, saqë këtij të fundit i erdhi keq., i cëmboi në zemër. - Xhaxhi Gerioni do flerë në krevatin e vet , me mua, ty do të shtroj këtu, në divan, do të vë edhe karrike anash se mos lëviz natën dhe bie për tokë. Paridi vari përsëri turinjtë dhe u gnjesh edhe më pas Gerionit. Si e pa që me atë grua nuk bëhej shaka, ai iu lut : - Vetëm sonte teta Alisa, nuk do kërkoj kurrë më të fle me xhaxhin. - Mos e përsërit më - ia ktheu gruaja ashpër - Vetëm sonte the? Sigurisht që vetëm sonte do flesh këtu, se nuk do vish më herë tjetër. Nuk kam ndërmend të merrem me ty, se qenke i bezdisur. Jot motër është e urtë. Djali i vogël nuk ia ndante shikimin Gerionit. Sytë e tij shprehnin një dëshirë të çuditëshme, luteshin thellë dhe çiltër, sa qe e pamundur të mos të preknin një zemër që rrihte mes njerëzve të kësaj bote. - Babi më vinte përnatë në gjumë, pastaj shkonte në krevatin e vet. - tha papritur fëmija dhe nga syti i shkitën ca pika loti. E si të mos nia plotësoje dëshirën një jetimi që po të zëvendësonte në një njohje kaq të shkurtër me të atin që e pat humbur njëherepërgjithmonë? - Do fle këtu sonte me Paridin - i tha burri Alisës pa e shikuar në sy Ajo vuri re lotët që kishin lagur qerpikët e të shoqit, po çuditërisht, kjo nuk ndikoi që të ndrronte mendim. - Jo, ai nuk duhet të mësohet me teka dhe ti nuk duhet t'ia ushqesh ato. Tezja e vet le të bëjë si të dojë. Sërish hyri në mes tezja e djalit. Përse duhet ta përmendëte atë vajzë që nuk e kish parë ndonjëherë? Gerioni e mënjanoi djalin te cepi i divanit, shkoi mori çarçafët dhe jastëkët nga dhoma e gjumit, i shtroi ato dhe iu drejtua Alisës që po rrinte e palëvizur te frigoriferi, e ftohtë dhe me motorin e fikur si edhe ai atë çast: -Dhe tani natën e mirë, u gdhifshim të gjithë shëndoshë. Gruaja u largua pa thënë asnjë fjalë. Kjo mbase ishte hera e parë në jetën e tyre bashkëshortore që Gerioni sillej pa përfillur dëshirat e saj, shpesh të pakuptimta, veç gjithmonë, për gjithçka në jetë ka një herë të parë. Mbase kjo duhet të ndodhte vite më parë. Ishte njëlloj si ajo historia e dhëndrit që theri macen në sy të nuses së re në çastin që hynë në gjerdhek. Kur e pyeti shoku i tij si ia bënte që gruaja e dëgjonte për gjithçka, ia tregoi sekretin. E bëri edhe tjetri atë gjë, po nuk i mori ujë lopata, duhej " që në gusht e nga një grusht" Ita shokut të vet që gruaja e tij as që lëvizi qerpikun kur ai pat therur macen. " Je i vonuar - ia ktheu ai - Duhej bërë ditën e martesës; ajo tani ta ka pirë lëngun! " Mos ndodhte edhe me Gerionin ashtu? Me këto ecejakje të mendimeve, po e kapiste gjumi, duke ndjerë frymëmarrjen e paqtë të fëmijës që tashmë po shëtiste nëpër ëndra me ëngjëjt e tij mbrojutës. Paridi i vuri doçkën e tij në faqen e ashpër dhe i përqasi gjumin edhe burrit si me magji. Mbase ishte nata e parë që po bëhej pre e një ndjenje të çiltër, të kristaltë, që buronte nga një pafajësi parajse hyjnore, parajsë që e sollën ata dy vocrrakë jetimë , që nuk kërkonin veçse dashuri njerëzore.

V I J O N

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page