Një jetë mes arsimit, gazetarisë dhe krijimtarisë letrare.
Nga Fran Gjoka
Prej kohësh mendoja që të bëja një shkrim për mësuesin dhe drejtuesin Kadri Tarelli, tashmë shkrimtar, studiues, poet dhe publicist i njohur, që nuk reshtet të jetë i pranishëm në faqet e shtypit këtu në Tiranë, por edhe në Suedi, Dardani e më tej në SHBA, në gazetat “Dielli” dhe “Ylliria”, njëkohësish edhe në portale elektronike, si “Fjala e lire”, Londër, “VOAL, në Zvicër, “Zemra shqiptare”, etj.
Ka gati tridhjetë vjet që njihemi, si fillim nëpërmjet shkrimeve në gazeta të ndryshme dhe më së shumti në gazetën “Mësuesi”, që për fat të keq sot i ka humbu letra dhe emri. Por miq u bëmë këtu e njëzet e kusur vjetësh, kur takoheshim në Tiranë në redaksinë e “Mësuesit”, gazetës sonë të dashur, ku na priste dhe na përcillte shkrimtari dhe publicisti i njohur Viron Kona, i cili për shumë vite ishte redaktor i kësaj gazete.
Po përpiqem të bëj një shkrim modest, duke u përqendruar më së shumti te veprimtaria e tij si veprimtar shoqëror e më pas si shkrimtar e publicist, i vlerësuar këtu dhe në Dardani, më tej edhe nëpër botë.
Origjinë nga Devolli i Qarkut të Korçës, tashmë banues në Durrës për më shumë se 75-vjetësh, ku kryen arsimin 7-vjeçar dhe Gjimnazin, ndërsa diplomohet për Histori-Gjeografi në Universitetin e Tiranës.
Jeta si mësues filloi në shkollën e Qerretit në rrethin e Kavajës, më pas në shkollat e fshatrave Karbunarë dhe Kashtëbardhë, të rrethit të Lushnjës.
Në shtator të vitit 1972, rikthehet në Rrethin e Durrësit dhe emërohet mësues në Komunën e Katundit të Ri, pranë qytetit të Durrësit. Së pari, si nëndrejtor në shkollë 8-vjeçare të Qerretit, pak më vonë në shkollën e Mesme të Katundit të Ri, ku dha lëndët histori dhe filozofi. Sot shkolla mban emrin “Jusuf Hoti”.
Si mësues i pasionuar, e pranoi me kënaqësi detyrën për hartimin e Historikut të shkollës së Katundit të Ri. Falë kësaj përvoje, më vonë ngarkohet të punojë për hartimin dhe ndërtimin e muzeut të Komunës Katund i Ri, qendër ku bënin pjesë rreth tetë fshatra.
Historiku dhe në veçanti ndërtimi i muzeut ishte vërtet një praktikë e mirë, që Kadriu e quan “Shkollë e madhe”, pasi e ndihmoi të ushtrohet në një veprimtari të re: grumbullim materiali arkivor, dokumente, biseda dhe intervista, fotografi dhe më pas, në sistemimin e tyre sipas periudhave në rrjedhën e historisë. Shpesh nëpër biseda ai përmend: “Të punosh për të ndërtuar histori, qoftë edhe të thjeshtë, është një universitet më vete. Kërkon punë, durim, vullnet, dhe më shumë dëshirë, për të bërë diçka të mirë e të dobishme”. Ai e quan veten me fat, pasi nuk iu shmang kësaj detyre, por e pranoi me kënaqësi dhe e vlerësoi seriozisht, sepse kjo punë në vetvete ishte një investim intelektual i dobishëm.
Një fjalë e urtë thotë: “Duhet hedhur hapi i parë, që të nisësh udhën”. Përfshirja në këtë veprimtari studimore, ishte një përvojë e bukur dhe interesante, pasi kështu u njoh me shumë njerëz të ndryshëm, dijetarë e pushtetarë, por edhe me njerëz të thjeshtë, të cilët e respektonin më shumë dhe i hapnin derën e shtëpisë në çdo kohë. Ai është i vetëdijshëm, kur thotë: “Çdo studim, kur kryhet jashtë kohës së punës që paguhesh, është investim për të ardhmen e cilitdo prej nesh. Kur vitet kalojnë, secili e ndjen në lëkurën e tij, sa vlen dhe sa çmohet në mjediset shkencore dhe në shoqëri”. Këtu shtron pyetjen, që ka brenda edhe përgjigjen: “Si është më mirë, kur bëhesh skllav i punës rutinë, apo kur i ke hapur vetes hapësira të tjera?” Pikërisht këtë mësim dhe ambicie jetësore, ai u mundua ta ushqejë edhe te nxënësit e tij, duke porositur: “Jam unë që di, e mund ta bëj edhe këtë punë”.
Me nostalgji kujton ato vite, mbushur me punë dhe kënaqësi moshe. “Ishte viti 1987. Në një atmosferë festive, u përurua muzeu, në praninë e shumë personaliteteve të kohës dhe banorëve vendas. S’ka nevojë të thuhet, se sa punë u desh, për ta ndërtuar e përfunduar, pasi çdo specialist e di mirë, se ç’heq ai, që merret me histori e muzeume”. Ndjehej i lumtur, që u realizua cilësisht dhe shumë bukur. Vizitorët shprehnin kënaqësi dhe vlerësim. Kur thotë vizitorët, ka parasysh jo vetëm banorë të zonës dhe të ardhur nga Tirana, Durrësi e Shijaku, por edhe të huaj. I pëlqente kur e njoftonin, se pranë “muzeut” ndodhej një autoritet i lartë, apo edhe vizitorë të huaj, bie fjala, gjermanë, rusë, danezë, etj, të cilët vinin në qendër, në Katund të Ri, dhe vendi më i preferuar për t’i sjellë, ishte muzeu. Kuptohet aty njihnin historinë dhe jetën më të plotë të gjithë veprimtarisë jetësoret të banorëve, të shtrirë në dialektikën e kohës.
Vitet rrodhën pa kthyer kokën pas. Kështu pas një pune 20-vjeçare, në zonën e Katundit të Ri, në shtator 1992, u emërua drejtor, në shkollën 8-vjeçare “Bajram Curri”, në zonën e Plazhit, në qytetin e Durrësit. Ishin vite të vështira, duhet thënë të trazuara, pas ndryshimit të sistemit politik dhe vendosjes së demokracisë. Ngacmohet keq, kur përmend ngjarjet e vitit 1997, e më pas 1998-1999, kur shpërtheu lufta në Kosovë dhe dyndjen në Shqipëri, sidomos në Durrës, të mijëra shqiptarëve të Dardanisë, të shpërngulur dhunshëm, nga trojet e tyre stërgjyshore, si rezultat i dhunës dhe luftës të ushtruar nga pushtuesi serb.
Një pamje tjetër e portretit të Kadri Tarellit, paraqitet si veprimtar shoqëror, si fillim ndër nismëtarët e krijimit të Shoqatës “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, dega Durrës. Veç kësaj, është pjesëtar i kryesisë në Fondacionin “Sulejman Vokshi”, themeluar në Durrës në vitin 1997, me program tejet atdhetar, sidomos në ngritjen e zërit mbi gjendjen e trazuar në Dardani, shkaktuar nga zhveshja e trojeve shqiptare, nga shqiptarët autokton. Fondacioni, si formacion i njohur juridikisht, krijoi mundësi për organizimin e dy mitingjeve në qytetin e Durrësit, ku Kadri Tarelli hap mitingun, me thirrjen: “Një komb një qëndrim”, në mbështetje të luftës çlirimtare në Dardani, duke theksuar: “Për kombin asnjëherë s’është vonë dhe gjithçka nuk është e tepërt”.
Nuk çuditemi kur dëgjojmë, se edhe shkolla “Bajram Curri”, që ai drejtonte, u përfshi në pritjen dhe grumbullimin e fëmijëve të shpërngulur familjarisht nga Kosova. Sot kur flet për ato ditë, habitet, si e përballuam atë dyndje aq të madhe. Në qershor 1999, në shkollë kishte rreth 750 nxënës dhe 30 mësues nga Dardania.
Në vitin 2001, doli në pension, por nuk u shkëput nga jeta shkollore, duke vazhduar të shkruajë në gazetën “Mësuesi” dhe në gazeta të tjera.
Në vitin 2002, Kadriun e shohim anëtar i grupit të shoqatës “Zhvillimi i edukimit”, që zbatoi në praktikën shkollore projektin “Braktisja e fshehtë”, si një dukuri e dëmshme dhe e shëmtuar, me pasoja të rënda në mësimin dhe edukimin e fëmijëve. Në zbatim të këtij projekti ishte i pranishëm në disa qytete të vendit, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Korçë, Gjirokastër, Përmet, Kukës, Peshkopi, Lezhë. E pëlqente shumë këtë punë të re. Ishte një përvojë me vlerë praktike e studimore, pasi punohej në një fushë krejtësisht të pa shkelur në arsimin shqiptar, si në botëkuptim dhe më shumë në zbatimin praktik.
Në vitin 2006, përsëri thirret të punojë si drejtues në shkollën e Mesme Jopublike “Kasa”, që u hap në zonët e Plazhit, në Durrës. Më pas ftohet në Kolegjin “Turgut Ozal”, në Durrës, si hartues i revistës letrare-shkollore-shkencore, me titull “Buletini”. Ishte një praktikë e re për të, si në fushën e krijimtarisë dhe veçanërisht në teknikën e botimeve.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ai asnjë ditë nuk u shkëput nga botimi i shkrimeve nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri, Dardani, Suedi, Austri, Londër, ShBA, Kanada, etj. Ai e vlerëson së tepërmi “Të shkruarit”, aq sa e quajti vetën me fat që e nisi dhe po e vazhdon pa ndërprerje krijimtarinë letrare, sepse e mban të lidhur me jetën shoqërore, arsimore, letrare e artistike. Janë publikuar rreth 500 shkrime. Tematika e tyre është e larmishme. Bëhet fjalë për jetën e shkollave, veprimtari dhe portrete mësuesish, por nuk mungojnë edhe debate, diskutime shkencore, intervista me akademikë dhe personalitete të artit, të gjuhësisë dhe letërsisë, opinione, vlerësime dhe analiza librash, shkrime historike, tregime, Esse dhe më së fundit edhe poezi. Në këtë hulli krijimtarie, Kadriu ka botuar edhe katër libra: “Misionarë në udhën e dijes”, “Kur lexoj një libër”, Monografia “Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe daltës”, dhe “Koha në vargje”
Pa hyrë në hollësi, po mjaftohem në dy libra e tij:
a. “Misionarë në udhën e dijes”, ku përfshihen disa figura të njohura në fushën e arsimit në Durrës: Sulejman Ali Zalla, shijakasi i pagëzuar nga pupulli “Sulë shqipja”, Prenk Kaçinari, shkodran me origjinë nga Mitrovica dardane, Petrit Velja, Agim Ahmet Shehu (Kimisti), Eqerem Shijaku, Islam Alikaj, Zyber Sallaku, Hasan Ulqini, Muzemil Osmani, Mustafa Faja, Rukie Rama. Sokol Demaku, etj.
b. “Kur lexoj një libër”, ku si personazhe të këtij libri janë personalitete të njohura në fushën e letrave, si Akademiku Gjovalin Shkurtaj, shkrimtari Viron Kona, studiuesi Murat Gecaj, Nuri Dragoj, Bardhyl Xhama, Sejdo Harka, Bashkim Saliasi, Motrat Qirjazi, Bajram Halil Gashi, Agim Bajrami, Dritero Agolli, Kristaq Turtulli, Mimoza Berisha, Hava dhe Sali Hidri, Niman Ferizi, Shpendi Topollaj, StavriLlambiri, Vaso Papaj, Sadulla Zendeli-Daja, Xhafer Sadiku, Merita Kuçi-Thartori, Vilhelme Vranari-Haxhiraj (ose “Vivra”), Delo Isufi, Gëzim Çela, Xhevahir Cirongu, Hysen Haxhiaj, Hysen Ibrahimi në Suedi, Lirim Harka, Fadil Elezi, Ibrahim Enesi, skulptori Sabri Tuçi, etj, etj
Më ngazëllen veprimtaria e tij edhe në fusha të tjera të jetës publike:
. Disa herë i ftuar në “Radio Tirana”, në emisionet kushtuar letërsisë dhe historisë.
. Pjesëmarrës në konferenca shkencore dhe letrare, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Berat, Burrel (Mat), Bajram Curri (Tropojë), dhe Dardani: Pejë, Istog, Gjakovë, Deçan, Prishtinë, Mitrovicë, etj.
. Pjesëmarrës në konkurse letrare në Durrës, Tiranë, Tropojë, Përmet, Istog, Prizren, Prishtinë, Boras – Suedi, më së fundi edhe në Itali, ku vlerësohet me vend të katërt.
. Kadri Tarelli, prej vitesh është anëtar i “Klubit të letrarëve dhe artistëve të Durrësit”, duke marrë pjesë aktive në të gjitha veprimtaritë që organizon ky grupim krijuesish.
Vlerësimet:
Janë të shumta. Unë po përmend vetëm disa:
. Dekorohet me medaljen “Naim Frashëri”, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë. Motivacioni: “Është dalluar për punë të ndërgjegjshme dhe për arritje në mësimin dhe edukimin e nxënësve”. Tiranë. 1990.
. “Mirënjohje”, nga Qendra kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras. Suedi. Motivacioni: “Për kontributin e dhënë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe”. 2011.
. “Certifikatë falënderimi”, nga Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar, “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi. 2018.
. Çmim special, për poezinë “Kënga e Bilbilit”, në konkursin letrar të vitit 2018, të organizuar në qytetin e Tropojës, me temë: “Ora e Poezisë, dedikuar dashurisë”.
. Përfshihet në “Antologjia e 60 Poetëve Shqiptarë, Suedezë dhe të tjerë”.
. Çertifikatë-vlerësimi "Noble Star for literature”, nga Akademia Kombëtare e Artit dhe Kulturës në Indi, më: 2019, me motivacion: “Kjo certifikatë i paraqitet zotit Kadri Tarelli, poet, autor, botues, dhe veprimtar shoqëror. Për njohjen e kontributit të tij në letërsinë dhe kulturën botërore".
. Pranuar “Ambasador for Peace”, nga “Universal Peace Federation”. 2020.
. Anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi.
Sot Kadriu u gëzohet aftësive të tij, përpjekjeve, mundit dhe djersës, sakrificave dhe dinjitetit skaliti dhe portretizoi figurën e një përsonaliteti me vlera të mëdha intelektuale. Eshtë botues i pesëlibrave dhe siç thotë miku ynë Tarelli në dorëshkrim janë edhe pesë libra të tjerë, që shumë shpejt presin dritën e botimit.
Duke biseduar me këtë mësues pensionist të duket se dëgjon zëra brezash në vite tek rrëfejnë se mësues Kadriu ka bërë ç'është e mundur të kryejë më së miri detyrën e mësuesit dhe drejtuesit të vërtetë. Shërbeu pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i tij i madh e bujar gjithçka për nxënësit, rrezatoi kulturë dhe me plot pasion për 40-vjet me rradhë u dha dije e kulturë brezave. Një jetë e tërë në mësuesi e gazetari është mbushur sot me shumë synime e vlerësime të merituara. Kadriu mbetet një burrë ideal, një prind që u gëzohet fëmijëve të tij, kulturës dhe dijeve të tyre, një gjysh ku reflekton përkujdesje dhe dashuri atënore për nipërit dhe mbesat. Unë, si shok dhe mik i tij i ngushtë i uroj shëndet dhe jetë të gjatë bashkëshortore!
Mirenjohje autorit, gazetarit te njohur Fran Gjoka, per kete shkrim ne adresen time. Ne vertet jemi miq qe e nderojme dhe e evleresojme punen, krijimtarine dhe veprimtarine shoqerore, ne dobi te jetes arsimore, letersise dhe artit. ndja ky shkrim shkon ne hulli te nderimit dh eforcimit te shoqerise dhe miqesise. Nje falenderim shkon edhe per "Fjala e lire", si nje dritare e perkushtuar ne pasqyrimin e vlerave krijuese, atdhetare dhe shqiptare.