Një jetë me frymë shkrimtari, pak vjet në truallin e lirisë së shprehjes
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 4, 2020
- 4 min read

Prej disa vitesh më ka thirrur dëshira për të hedhur ca shënime të shkurtra mbi krijimtarinë e Sotir Athanasiut. I kam thënë kalimthi mbresat kur u njoha me romanin “Midis dy dashurive”. Në fakt, ishte më tepër shfaqje habije. Hesht ose flas pak edhe pse nuk jam i aftë të hyj në territoret e analizës dhe kritikës letrare. Megjithatë, kam shtysë të brendshme të shpall se ekziston edhe një romancier I mire I panjohur.
***
Ka lindur në llavro, Athinë, më 26 Maj 1940, në një familje shqiptare. Ishte vetëm 6 muajsh kur familja u vendos në Tiranë. Tetë vjeç mbeti jetim. Për motivacione tipike të kohës sonë, nuk i hapën udhë për arsim të lartë. Veçse, nuk e ndaluan dot të lexojë, të vetëformohet, të kulturohet dhe të jetojë me krijimin.
Deri sot ka botuar:
Pusi i virgjërisë (novelë)
Midis dy dashurive (roman-trilogji)
Romancë nën Harkun e Triumfit (tregime)
Polen gruaje (Stafetë e dhimbshme e një dashurie parisiene)-roman.
Lindur më 1940. Përse shfaqet kaq vonë para lexuesit?!
Sepse mund të kesh dëshirë, mund të jesh i mprehtë si vëzhgues, mund të lexosh autorët më të mirë,mund të mbarsesh me frymëzim dhe ide, por koha nuk të hap dritën dhe të ndalon dorën.
Koha, fuqitë që i japin ngjyrën kohës, fuqitë që ngrenë argjinatura kanë nënshtruar qindra e mijëra ëndrra njerëzore. Edhe i kanë shuar.
Veçse jo në rastin e Athanasiut.
*** Polen Gruaje është roman i frymëzuar nga ndryshimet e mëdha shoqërore dhe politike që ndodhën pas 1990-ës. Ndërsa lënda e tij mbetet drama e studentëve shqiptarë që i gjeti 1961-shi jashtë Shqipërisë dhe u detyruan të kthehen pa përfunduar studimet.
Në rastin e këtij romani, studenti Luan Majlindi u gjend në Paris.
Veprimi vendoset në Shqipërinë e mesme (zhvendosen përkohësisht në Paris) dhe personazhet që bartin veprimin janë poeti Petro dhe ish studenti Luan Majlindi ose në renditje të kundërt.
Petro dhe dy shkenctaret bukuroshe që i pruri dashuria për Majlindin lëvizin më shpesh në faqet e romanit, dialogojnë, poetizojnë, dashurojnë. Veçse, fryma që i bëri bashkë dhe i mban në lidhje të pashkëputshme vjen prej jetës së Luan Majlindit.
Ishstudenti Majlindi, i frymëzuar dhe i mbarsur me kulturën demokratike franceze, nuk u përshtat dot me zhvillimet politike në atdheun e vet. Kultura e atyre viteve e mundonte, e revoltonte dhe e nxiste për kundërshtime të praktikave detyruese që zbatonte diktatura e proletariatit, siç u konceptua nga Partia e klasës punëtore.
E brente pandërprerje dashuria e braktisur, embrioni që kishte mbjellë në trupin e së dashurës së tij franceze. Megjithatë, asnjëherë nuk përfoli kthimin në cenim të atdhedashurisë.
Pra, romani “Polen gruaje” frymëzohet nga një histori tronditëse e viteve ‘90. Dy franceze, fiziciene nënë e bijë, vijnë në Plazhin e Durrësit si “turiste”. Në të vërtetë ato i sjell këtu shqetësimi për fatin e burrit shqiptar të Nënës. Po aq dhe brenga e vajzës që nuk e njohu të atin. A do t'a takojnë vallë?
Ja copëza e romanit:
-Ku ishte babai im, ku, këlthet kraharori i bijës.
Poeti, miku i fundit i personazhit, tregon:
“-Qe pranë shtëpisë dhe vërtiste pelerinën në mënyrë rrethore për të më tërhequr vëmendjen me thirrjen: -Marselë, më dëgjon? Unë i përgjigjesha: -Po, ja shpëtimtari im. Ai thirri: -Zhëtem, Marsejezë! Dhe po me atë zë të ëmbël: Zhëtem Xhulio, Zhëtem, biri im!
Fizikania (dashuria e vetme e tij) kishte mbetur si e ngrirë”.
Në fragmentin pasues autori na nxit të pranojmë shqisën e gjashtë:
Poeti mbeti i hutuar dhe shqeu sytë sepse nuk po orientohej nga vinte zëri. Perëndesha kishte mbetur nën ndriçimin e saj hyjnor. Koha tek ajo dhe për atë kishte ngrirë … Ndërkaq biseda me mamanë nuk kishte rreshur –Ky det i tejçon dhe trillet e mia, mama…
Tashmë poeti ishte i bindur se ekzistonte diçka jotokësore, një shqisë që nuk përceptohej. Ligjërimi bëhej nga hyjnesha me mamanë e saj.
-Perëndesha ime, mori guximin të pyeste poeti, me kë po flisni? Me mua apo me mamanë tuaj të cilën nuk po e shoh. Apo, bisedën e keni bërë më parë gjetiu dhe tani doli në rërë?!”
****
“Polen gruaje” përfaqëson denjësisht vlerën në rritje të një shkrimtari që ka ekzistuar një jetë brenda vetes dhe shpallet në stinën e lirive krijuese. Romani përfaqëson tiparet më karakteristike të Athanasiut; sintaks tipike, stil, fjalëkrijues, qytetar I pozicionuar kundër kufizimit të lirive dhe diktaturës.
Luan Majlindi lindi bashkë me ndryshimet pas Luftës së Dytë botërore dhe jetoi në një kohë kur në Shqipëri trumpetohej socializmi. Ishte epoka e forcimit të luftës së klasave si Forcë lëvizëse e shoqërisë dhe e distancimit gradual nga çdo bashkëveprim dhe bashkëekzistencë me rendin botëror, qoftë perëndim apo lindje.
Ndonëse i shkruar dhjetëra vite më vonë, romani na mbart nëpër rreshtat e tij dhe na çon në labirinthet e kohës.
Sido që i distancuar, i lënë mënjanë nga mjedisi i politizuar, Luan Majlindi gjendet përballë kategorive të ndryshme shoqërore; bujq, mjekë, inxhinierë etj. Veçanërisht me përfaqësuesit e rendit, të pushtetit dhe të partisë.
Në këto marrëdhënie ndriçohet realiteti social dhe psikologjia e masave. Njëherazi, kumtohet ideali i një njeriu evropian, atdhetarizmi dhe humanizmi i një njeriu të emancipuar i cili është vendosur detyrimisht midis njerëzve që janë doktrinuar, mendojnë krejt ndryshe dhe e quajnë të huaj, për më tepër armik, intelektual me vizion evropian, prandaj mikroborgjez.
Megjithatë, autori ka mundur të pikasë edhe njeriun e mirë, njeriun që dallon thelbin humanitar dhe mençurinë e Majlindit, njeriun që i dëshiron të mirën tjetrit pa ngjyrime politike. Siç djaloshi që vendos rregullisht lule në vendin e vetëflijimit të personazhit.
Lexuesi do takohet me dhjetëra personazhe ku spikat Poeti, francezet nënë e bijë, operativi, do përjetojë përshkrime të realizuara artistikisht, skena dhe portrete, do pasurohet me ide dhe njohuri për frojdizmin, do zgjerojë njohuritë për sindromat e botës njerëzore.
Kompozicioni është interesant. Ndarja në kapituj dhe emërtimi i secilit ndihmon përqendrimin.
***
Meraku i autorit për fatin e veprës së tij, siç vuajnë gjithë libërshkruesit e ditëve tona, shprehet me analogji në monologun e rrobaqepësit:
-E bëj kostumin për merak dhe e hekuros me kujdesin e sedërtarit dhe ia vesh klientit para se ta marrë. Dua që ai të kënaqet dhe unë të këndellem me punën time ….
Por, të nesërmen e gjithë lumturia ime shndërrohet në hidhërim …
Sepse klienti është ulur me kostum në trotuar.
Ndihmofshin këto shënime të miat për të shtuar qoftë edhe një lexues!
Sepse informacion të larmishëm, pasuri shpirtërore dhe momente argëtuese do fitojë.
N. Abilekaj
S.Athanasi!
Kolegu ynë Faruk! Vëmëndjen tuaj në leximin e kësaj ESE-je shkruar nga N.Abilekaj, vërehet edhe në shtrydhjes e filtrimin e mendimit të thellë që keni gjetur aty dhe e nënvizoni me hijeshi. Nga ana ime keni një falinderim të veçantë!
S.Athanasi!
Ka vetedije te thelle, per jetet dhe artin e qendreses permes fjales, ne kete "përkushtim" te Noke Abilekajt. Po, keshtu, "Përkushtesë" zgjodha ta mbiquaj....se, mes tjerash aty shkruhet: "Koha, fuqitë që i japin ngjyrën kohës, fuqitë që ngrenë argjinatura kanë nënshtruar qindra e mijëra ëndrra njerëzore. Edhe i kanë shuar.
Veçse jo në rastin e Athanasiut...."