MOIKOM ZEQO, NJË IKONË E FLAKUR
E kam njohur nga afër Moikom Zeqon. Jam entuziazmuar nga idetë e tij, përkushtimi për njeriun, kulturën dhe artin. Edhe shpresa se një ditë mund të ndryshojë dicka. P.sh, rrënimi i sistemit arsimor mund të ndalet, të rinjtë mund ta shikojnë librin nga afër, të njohin trashëgiminë tonë të vyer, shteti mund të krijojë hapësira për brezat që do marrin në dorë fatet e vendit. Kjo pritje zgjati shumë, me sa duket u bë e padurueshme. Moikomi kishte pirë pa fund kupa zhgënjimi. Dhe ky zhgënjim e trishtonte, e brente si ndryshku hekurin. Ai pikëllim i nderej mbi fytyrën e lodhur, mbi ballin mbushur brazda. Gishtrinjtë e zverdhur nga nikotina mbanin lapsin e mprehur. Ajo ishte dalta me të cilën gdhendej fjala e intelektualit. U bë edhe pjesë e politikës pak kohë, pastaj e larguan si një të huaj. Sepse ai guxoi të afronte ide, u tregoi se gjendja duhej ndryshuar. Fanatikët analfabetë e konservatorë i treguan rrugën. Atyre u interesonte statukoja dhe përfitimet financiare, asgjë tjetër.
Ju kthye përsëri punës kërkimore dhe shkencore. Aty ndjehej mirë, mes librave, mes të vdekurve të gjallë që bëjnë dritë. Nëntë vite drejtoi Muzeun Historik Kombëtar. Grumbulloi materiale dhe ngriti nga fillimi një sallë për luftën e dytë botërore, për kontributin e shqiptarëve, gjakun dhe martirët e lirisë. Barbarët e flakën përsëri, sepse ai përfaqësonte artin dhe ishte shembëlltyra e një ikone të kulturës. Edhe sallën me stendat e luftës e shkatërruan. C’të bënte? Ishte i pafuqishëm përballë hicërve që ngrejnë shtatoret e tyre me baltën e argjilit. Ata janë mohues të lindur vlerash.
Endej trotuarve të Kryeqytetit. Një akademik i pa punë thinjej nën peshën e brengave. Sigurisht që s’ishte i pari, as i vetmi. Pastaj sëmundja. Ishte i rëndë viti i fundit i jetës së tij. Trupi i drobitur, mendja dhe shpirti kërkojnë harmoninë e tyre. Kur bie, vështirë të ngrihesh. Sëmundja tinëzare e leucemisë e kishte sulmuar disa herë. Herën e fundit, në shtratin e spitalit mbante te koka një bust të vogël të Naim Frashërit, poetit tonë kombëtar. Ajo dritë e largët që vinte nga thellësia e shekullit i jepte shpresë. Naimi s’u përket vdekatarëve, as rilindasit e tjerë, e kam fjalën për atdhetarët, bashkëkohësit e Naimit. Shkëlqimin e rilindjes së vërtetë shqiptare, s’mund ta përdorin si veshje të cmuar mjeranët e ngjitur në fronet e pushtetit.
Harresa është vrasja më e sigurt për mendjet e ndritura. Prandaj Moikomi e kishte këtë parandjenjë të keqe, të frikshme le të themi; “Ju lutem, mos më harroni po ika”- Ky ishte amaneti i tij, fjalët e fundit që i ngrinë në buzë. Janë fjalët e një mendimtari. Ëngjëlli i vdekjes ishte futur në shtigjet e ëndrrave të tij, pikërisht në moshën 71 vjecare. Me sa duket e ka paralajmëruar.
Gjithsesi ai kishte shumë miq, sepse kishte shpërndarë dashuri pafund. Në Kosovë e prisnin me nderime të mëdha, në takime kulturore e promovime librash, në Maqedoni gjithashtu. Ua njihte plagët trojeve tona, edhe dhimbjet. Në raport me hapësirat e pamata të botës, Shqipëria është një fshat i vogë, dhe në fshatin tënd askush s’të njeh si profet, dhe s’të pranon si të tillë. Kjo e vërtetë është trashëguar shekull pas shekulli. Orgjina e vendlindjes së tij është Libohova e intelektualëve të shquar, kohë pas kohe. Ndjente mall dhe gjente kohë par ta vizituar. I kushtoi edhe nje libër, si testament trashëgimie.
Ai shkroi rreth 100 libra të cmuar, një pjesë e të cilave janë përkthyer në gjuhë të tjera. Cdo ditë shkruante 5-6 faqe dhe pastaj lexonte disa orë, për të filluar sërish të nesërmen. Ende s’është publikuar pjesa e fundit e shkrimeve të tij. Njeriu është i pafuqishëm të bëjë pakt me vdekjen, ti kërkojë kohë për të përfunduar udhëtimin e nisur. Ndoshta do kishte shkruar më shumë për paradokset e demokracisë shqiptare, për shitësit e kaosit, për klasën parapolitike. Apo për brengën e tij më të madhe, e cila ishte trashëgimia kulturore, shkatërrimi i vlerave në disa qytete, në Shkodër, Durrës, Berat, Sarandë e Gjirokastër.
Ky pionier i postmoderrnizmit mishëronte një kulturë të gjerë dhe të thellë. Realizoi studime arkeologjike, sepse arkeologjia ishte një nga pasionet e tij, ju përkushtua historisë së artit, hartoi skenare filmash për kinematografinë, publikoi krijimtarinë e vecantë poetike që kishte shkruar gjatë jetës, dhe hapi tri ekspozita pikture me krijimet e tij. Në shumë raste ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare dhe ka merituar vlerësime.
Në rininë e tij kërkonte rrënjët e qytetit Feniks, pastaj ndaloi për të parë brenda vetes, për të matur forcat e për të vazhduar më tej dhe më larg. Rroku figurën e Mujo Ulqinakut, e bëri pjesë të krijimtarisë. E shikonte mëngjes e mbrëmje në qytetin e Durrësit, sepse atje jetonin të dy; heroi dhe mendimtari. E grishte mitologjia, për të cilën pranojmë etiketimet standarte të atyre që e cilësojnë greke apo romake. Po Ilirët, ku kanë jetuar, s’paskan edhe ata trashëgiminë e tyre shekullore?
Rrënjët e hershme kërkonte ti gjente larg, mes Laokontit dhe Krishtit. Të dy u kryqëzuan nga intrigat, dhe i njëjti fat vazhdon ta ndjekë njerëzimin, cuditërisht. Vëmëndje të posacme i kushtoi Naim Frashërit, këtij humbësi të madh. Enkas publikoi studimin dinjitoz “Syri i tretë”. Bëhet fjalë për bektashizmin dhe rolin e Naimit, i cili kërkonte vëllazërimin mes shqiptarëve, jo ndarjen për shkak të besimeve. S’mund të njihet Abaz Aliu pa njohur betejën e Qerbelasë, d.m.th pa njohur Naim Frashërin. Atëherë do mësoni të vërtetën e kalorësit mistik, të cilin e gjeni në vargjet e poetit.
Edhe Migjeni ishte poeti i tij i preferuar, të cilin e cmonte si arkitekt i nëndheshëm i qiellit. E kush s’e adhuron Migjenin e pakrahasueshëm, fuqinë e fjalës së tij poetike. Edhe Moikomi, botën nuk e shikonte me syzet e thyera të Meduzës. Njerëzimi ka lënë gjurmët e tij në udhëkryqet e historisë. Shumë kultura janë zhdukur, shumë popuj kanë humbur në thellësi të mijëvjecarëve, edhe gjuhët që kanë vdekur s’i njohim. Fjalëkryqet e Babilonisë ende kanë mbetur të paspjegueshme. Sic duket, njeriu përpiqet të rikrijojë atë që ka shkatërruar me duart e tij. Ashtu shprehet Moikomi në një nga poezitë e tij:
“Harrimi sulet mbi ditët tona të bardha,
të dashurisë
Unë mbledh copat e thyera të statujave”
Ne jemi një rrëke e vogël në detin e madh të kulturës botërore. Edhe krijimtaria e autorit për të cilin flasim do ta gjejë rrugën për të mbritur atje.
Shqipëria është sa një kokërr ulliri në pjatën e madhe të Globalizmit. Gjithsesi e kemi një emër për të cilin duhet të kujdesemi. Ja, këto ishin shqetësimet e parreshtura të Moikom Zeqos. Tashmë, laboratori i ëndrrave të bukura e ka ndalur punën. Dora e mendimtarit ka rënë në qetësi, ndërsa shpirti i tij kthehet herë pas here, mes nesh dhe mes rafteve mbushur libra. Studentët mund t’ia shikojnë emrin në ballinën e një fakulteti, apo në hyrje të një rruge. Ndoshta edhe bustin e tij para Akademisë së Shkencave. Kështu ndodh gjithmonë, sepse kjo është natyra e rracës njerëzore. Atë që ta kursejnë së gjalli, ta afrojnë me tepricë pas vdekjes.
Liri Bele
Nje Shkrim i Jashtzakonshen i cili prezanton saktesisht dhe me profesjonalizem Madheshtin e Pamateshme Te Figures , Personalitetit Moikom Zeqo i cili bazuar ne kontribuimin e tij me vlera te pamatshme ne shume fusha :si Letersi , Shkence, Gjuhesi , Arkeologji , Histori e te tjera .Ai prezantohet Nje Enciklopedist i Rralle dhe Moikom Zeqo Mbetet Ne Perjetesi ! Respekt ! Liria .