top of page

NJË GRUSHT DHEU NGA ÇAMËRIA


Skicë meditative


Sonte s’më merr gjumi. Ndodh, që në përditshmërinë tonë, një ngjrje e vogël por e papritur, të ngjallë emocione. Djali, kur erdhi mbrëmanet në shtëpi, më tha:”E gjen dot se çfarë të kam sjellë?”Dorën e mbante prapa shpine..Nga ato që hamendësova, nuk qe asnjera. Atëhere ai e zbuloi. Një qeskë plastmasi me një materie ngjyrë kafe. “Të kam sjellë një grusht dheu nga Çamëria. Ma dha për ty një shok imi që u kthye prej andej! E kishte marrë në Paramithi”

Në çast më pushtuan emocionet.E mora në dorë me kujdes si të ishte gjë e gjallë dhe kisha droje se mos e lëndoja.Ekundrova gjat. E nuhata. Ndjeva amzën e dheut të vëndlindjes.

Në shtëpinë time, me atë grusht dheu kishte ardhur e tërë Çamëria.

***

Çamëria ime e bukur, nuse e stolisur, që laget në brigje nga ujërat e Jonit të kaltër, në Pargë, Gumenicë, Volë, Prevezë e Arpicë, ku nata eshtë tjetër natë, me hënë dhe yje të shkëlqyer, edhe dita tjetër ditë: plot dritë që ka shkëlqimin e detit dhe ndriçimin e diellit. Me kodra bleroshe mbuluar nga kurorat e ullinjve, kullota të begata, ku kullosin e blegërijnë bagëtia. Ara pjellore, vreshta dhe ullishte. Edhe ajri tjetër ajr, me aromën e zhumbricës, sherebelës, manxuranit e borzilokut, luleve të portokallit dhe limonit.

Çamëria ime, e miteve dhe legjendave, e elimëve[1] ,orakullit pellasgjik të Dodonës, ku zbrisnin dhe flisnin perënditë, me fatthënat për heronjtë, e lumit Akeron që zbret nga malet e Sulit e në Nekromantia, varkëtari Karont merr shpirtërat e të vdekyrve dhe i shpie në mbretërinë e nëndheut. Ku rrjedh lumi Thiamis(Kalama) që të ka dhënë emrin. Me urën e Artës, ku dridhet shpirti i nuses së murosur sa herë këmbët e udhëtarëve shkelin mbi të.

Fshatrat kryekodrave, më të bukur njeri se tjetri, shtëpi dy e tri katëshe, stisur me gurët e tu të skalitur, qarkuar me avlli, mbushur me çubet[2] e mjalcave[3], portopulla me qemer, ovoroi me limon e portokalla, borzilok e manxuran, që i selitnin duart e amvisave…

Çamëria ime, tokë e e mbrujtur me djersë e gjak, vend i njerëzve të lire, që se duronin robërinë. Stoli të asaj toke: burrat levendë, trima, puntorë, të ditur e kordhëtarë, që kanë bërë histori e hyrë në histori. Të veshur me fustanellë të bardhë me njëqind fletë(kinda). Kalcat[4] fanello, dizgjet të zeza. Cariqet [5]telatina, xhufkat të kuqe, xhamadan qëndisur me kërsaf, ngjeshur në brez pisqollën larë me argjend.Festja e bardhë si bora e malit.

Vallja e pashoqe çamiko që lidh tokën me qiellin, sfidon vdekjen dhe ringjall jetën dhe, këngët me jehun si thirrje shpirti.

Vashazt dhe gratë gjeraqina, të bukura e të mira si ato, gëzim për sytë e djelmve, shpresë e trimave, shoqe me besë, nëna të dhimbsura. I shoh si arbërore, duke hequr valle: nazike, te hirshme e të dritësuara me dollama kadife ngjyrë alle deri në fund të këmbëve, qëndisur me ar, jelekun dhe sakon[6] ngjyrë manushaqe, këmishën byrynxhyk prevezhane, mandilen mëndafsh me oja, patiqet[7] te ngrira nga qëndizmat me argjend. Janë zana, janë shtojzavalle të bukurat e dheut! Hilq kadale valleno/moj syzezë…….Bukuri çame, fisnikëri shqiptare.

Çamëria ime,më zë malli për të folurën tënde, gluha jote, gluha jonë shqipe, ca e vjetër, e disi ndryshe në gjëra të vogla,që tingëllon si muzikë , e që Naimi i madh, apostulli i shqiptarizmit të ka quajtur “Gluhë Perëndie”! Këtë çast, gjithë kujtimet e vegjëlisë, bisedat, rrëfimet e nënës time, më vijnë në të folmen tënde, tingëllimi i tyre duket si një jehonë ninulle që e sjell era nga brigjet e tua bashkë me murmurimën e suvalëve të detit. Janë fjalët e këngës së jetës, por si një rekuiem.

Çamëria ime, Çamëria jonë, Çamëri tokë shqipëtare.Tek ti janë rrënjët tona, varret e të parëve, varret e martirëve. Kujtesa dhe historia jonë që s’harrohet, brez pas brezi, djalë pas djali, e vajzë pas vjze. E si mund të harrohet? U turrën mbi ty lukunia e ulqërve zervistë, të egër, gjaksorë, mizorë. Pa shkak: të vranë, të masakruan, u derdhën lumenj gjaku, u drodh foshnja në bark të nënës, të dogjën e të shkretuan. Egërsia,plumbi, thika dhe bekimi i kryqit, u bënë bashkë mbi të pafajshmit, të pambrojturit,zotërit e atij vendi. Pa dallim burra, gra fëmijë e të moshuar: në plumb, në thikë e në hanxhar E pse? I vetmi faj se ishin shqiptarë dhe myslymanë. Shtëpitë i dogjën u vidhisën kulm e themel. Në gërmadhat e tyre ulurin kukuvajka, vajton qyqja.Fshatrat e tua të bukura u shndërruan në gërmadha. Rënkon toka jote,shpirtërat e të vdekurve nuk gjejnë prehje në varre. Për ta s’ka kush të ndezë një qiri, të vendosë një tufë me lule, të bëjë një lutje që të prehen në paqe.

A mund të ketë peng më të madh?

Çamëria ime. Unë nuk mund të vij tek Ti, jo për faj tim. Të jam borxhli. Por këtë herë(sa me fat që jam!) erdhe ti tek mua. Në atë grusht dheu shkëputur nga trualli yt. Je e tëra: nga Gumenica e bregu jonian në Prevezë, Artë, malet e Sulit, luginat dhe fushat që përshkohen nga Kalamaj dhe Akeroni, Paramithinë martire, Marglliçin e Filatin…….Me këtë grusht dheu më ngjall imazhin tënd të adhuruar dhe sa herë të shoh me sytë e mëndjes, bën që të çmallem, si biri që takon nënën dhe, të ndjehem biri yt.

Eh, Çamëri!

Dy-tre vite më parë, Enver Kushi,pasi xhiruan një film atje, më pruri një degëz bleroshe nga ullinjtë e Çamërisë. E shndërrova në një herbar të çmuar.

Ja tani edhe një grusht dheu që e vendosa në vazo kristali.

Janë dy ikona –relike me shënjtërinë tënde.

Mesnatë 30.10 . 2022.

[1] Njerëz gjigandë të mitollogjisë çame [2] Zgjojet e bletëve [3] Mjalca, bletet në dialektin çam. [4] Kalca-kofshare në veshjen e burrave [5] Cariqe- këpucë. [6] Sako, veshje grash, që zbriste nën bel. [7] Patiqe- shapka.

28 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page