Astrit Lulushi Skllavëria vjen nga verbëria dhe injoranca që nxijnë errësirën dhe nxisin mashtrimin. Sikur njeriu të kishte aq gjuhë sa Egjeu i mitologjisë kishte sy e duar, të gjitha nuk do të mjaftonin për të bindur tjetrin se gabimet nuk duhen përsëritur. Kjo është një dobësi më shumë që krijon izolimi. Fjala e urtë thotë: Më mashtro një herë, turpi është i yti; më mashtro përsëri, turpi ështi i imi. Por tirani, veç shtypës, është edhe tinzar; gjendjen këtyre 30 viteve ia faturon popullit duke e mbingarkuar me tatime, taksa, gjoba e dënime. Ai mendon se njerëzit janë si lopët, të cilat nuk mjelin dot veten dhe se do të kërkonin më pak nëse nuk do të dinin më shumë. Nënshtrimi i verbër merret për mirësi, që vazhdon vetëm nga një gabim i bamirësisë. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe pse shteti përpiqet të marrë sa më shumë kontroll në ekonomi, arsim e shëndetësi dhe me zgjedhje “të lira”, mashtruesit vijnë në pushtet, parlament e gjykata. Tani, nëse ndonjë ngrihet e flet të vërtetën, duke i thënë secilit se një jetë e devotshme është mënyra e vetme për të siguruar një mirëqenie deri të lumtur; se falja e gabimit është paguar me neveri të përzemërt të fajit, apo me rezultate të ndryshimit, dhe se vetëm buste e medaljet nuk janë përkushtimi më i mirë ndaj atyre që u shuan për ideale, por është mishërimi i tyre në sjellje e veprimet tona; nëse do t'i njihnim e pranonim gabimet, çdo gjë do të ishte ndryshe, edhe bota, vërtet, do të hapej - prej saj do të kishim një vlerësim tjetër të fituar me përvojë lotësh e hidhërimesh, vuajtjesh, arratisjesh, burgimesh, internimesh e izolimesh, të cilat më parë kishin qenë aq thellë brenda jetës sonë - sa njerëzit do të shqetësoheshin po ta humbnin atë gëzim.
top of page
bottom of page
Comments