Ilir Levonja
Në pikat kufitare me Greqinë dhe Malin e Zi, kanë mbetur të izoluar disa qytetarë shqiptarë. Informacion ky i dhënë nga televizionet më kryesore të vendit. Madje njëri prej tyre në zonën neutrale të Kapshticës, deklaroi se kish 48 orë që priste ta lejonin, ndërkohë që kishte nënën shumë të sëmurë.
Mirëpo në Shqipëri këto dhe shumë të tjera raste nuk janë problem parësor. Problemi parësor është protagonizmi dhe rrahja e gjoksit, një luftë absurde mes klaneve të vjetra politike. Sapo i bëhet një vërejtje kryeministrit nga opozita ndizen silurat e shtypit pro babait të kombit, madje edhe e pensionistëve që rrojnë me lëmoshat e fëmijëve emigrantë.
Ka një alergji gati kombëtare karshi opozitarizmit. Megjithëse pak ditë më parë i bën çarçaf ata emigrantë që kanë lënë prindërit dhe kanë marrë rrugët e botës. Edhe në këtë rast gjoja u sulmua babai i kombit, sidomos pas një video ku një e moshuar në Vlorë deklaroi se ushqehej vetëm me ujë me sheqer. Dhe nuk kërkonte gjë tjetër fisnikja, por pensionin e saj. Edhe pse koishent që Shqipëria nuk ka një sistem bashkëkohor si bota, në kryerjen online, për më tepër për brezin e borderove dhe firmës, prapë silurat e kryeministrit gati të shqyejnë opozitarizmin. Dhe për më keq, edhe opozitarë të mos jenë këta që përhapin videot i njëjtëzojnë me Lulin. Në vend të merren me ngërçet, vigjilojnë se çfarë do thotë një opozitar, të tjerat nuk kanë asnjë lidhje me covidin, apo me situatën që po përjeton shoqëria dhe njerëzimi në përgjithësi. Me që jemi te emigrantët, ku një pjesë as që e ''çajnë'' kokën për prindërit e tyre, as që duan t'ia dinë, janë katilë etj., si i bëhet halli me këta të uruarit që kanë mbetur në Muriqan, Kapshticë apo Kakavijë? Distanca nga Tirana për në Kapshticë nuk është e njëjta me atë për në Amerikë, Kinë, apo Kanada. Nuk ke për të kaluar oqeanin, as kontinentin. Nuk është se do kalosh përmes Milanos më këmbë dhe pa paimet e nevojshme, nuk është se do i biesh Bergamos përmes dhe s'ka rrugë tjetër. Nuk është se të duhet të shkosh në Wuhanin e Kinës, apo në Manilën e Rodrigo Dutertes ku të presin plumbat. Po kështu edhe për Muriqanin, nuk do i biesh nga Beogradi, nga Lezha do kalosh. Me siguri plot njerëz qeshin, por as dy orë rrugë nuk janë. Për më tepër që një autoambulancë e falur nga një emigrant që ka ''braktisur'' vendin, prindërit, një nga Kanadaja e largët, e solli falas. Dhe rri fle kot atje në Mamurras për ca burokratizma nën'punësish me tesera partie. Eshtë gjaku i një emigranti për të ndihmuar komunitetit nga vinte, e solli pa bujë, pa kamera. Kamerat i ka babai me autoambulancat e Dovletit, i ka Olta me dhuratat e Natos, lali Eri nëpër katunde duke ndarë miell. Që i refuzon Greqia dhe Mali i Zi, normale, por të të refuzoj vendi yt se gjoja është mbyllur kufiri, është absurd. Deri në Kapshticë nuk ke nevojë as për Lasgushin. As për kobrat, Dea-n a forcat Seal të Shteteve të Bashkuara, por thjesht një a dy furgona, nafta është për tokë çmimi, trafiku as që ekziston. Problemi është se ata janë emigrantë, shqiptarë të thjeshtë. Dhe ka kohë që dështakët që mbajnë vendin në stanjacion, kanë nisur një fushatë të egër karshi emigrantit. Kjo është e kuptueshme, nuk e duan Shqipërinë si bota, por për vete, një lopë race ku ta mjelin si të duan. Janë shqiptarë të thjeshtë fisnikët, u dhëmb koka nga debatet dhe ikin, duan një jetë më të qetë, një jetë me punë. Janë shqiptarë të thjeshtë se ta zëmë të ishte babai i ndonjë panelisti studioje, do ishte shqyer edhe flota e Natos për t'i sjell në Tiranë. Një furgon duhet dhe thjesht zbatoni proçedurat.
Comments