Një foto dhe...disa rreshta


Një foto dhe...disa rreshta—Gëzim Qendro

Atë mbrëmje shkurti 2016, më ra pak si vonë celulari, ishte miku im Gëzim Qëndro. Ai më njoftonte se të nesërmen, në sallën e bibliotekës së GKA (Galeria Kombëtare e Arteve), do të mbronte doktoraturën dhe se do t’i pëlqente prania ime në sallë. Menjëherë i premtova se do shkoja ta dëgjoja, madje edhe me kënaqësi. Gëzim Qendro (1957-2018) ishte dhe mbetet një nga studiuesit më në zë të arteve pamore në vendin tonë

Në shkurt të atij viti ai jepte mësim në Universitetin “Polis”, por në vitet 1998-2002 Gëzimi kreu detyrën e Drejtorit të GKA, ku la gjurmë me vlera. Gjatë atij katërvjeçari atje u hap Bibioteka e Galerisë, nisi dhe vazhdoi Konkursi Kombëtar “Marubi” i Fotografisë, u botua revista “PamorArt” dhe u çel libraria për botime mbi artet pamore brenda institucionit. Po ashtu Gëzimi kishte botuar studimet: ”Rexhep Ferri-Monografi-2010”, “Arkeologjija e mëngjezit-përsiatje rreth veprës së piktorit Rexhep Ferri-2012”, “Gjuha Pamore (Pj.I)-2013” dhe “Heronjtë janë të uritur-2015”, si edhe në Francë librin “Le surrealism de l’utopie” në vitin 2014. Po ashtu ai ka botuar shumë artikuj studimor mbi artet pamore në Shqipëri. Gëzim Qendro është nderuar edhe me çmimin e Frankofonisë. Një vit më pas, 2017, ai botoi studimin e vyer “Kinostudio Shqipëria e vjetër”.