
I dashur Profesor Fatmiri,
Me esenë që më keni kushtuar, me titull “E gjitha për Tjetrin”, të botuar në Portalin tuaj “Fjala e Lirë” të datës 08 janar, më keni mallëngjyer thellë në zemër. Mirënjohja ime për ju nuk mjafton as me “tonelata”. Por unë do të mjaftohem t’jua përcjell vetëm me një shprehje bukur të goditur të teologut të njohur amerikan Henri Uord Biçer (Henry Ward Beecher - 1813-1887), vëllai i shkrimtares Harriet Biçer-Stou (Harriet Elizabeth Beecher Stowe - 1811-1896), i cili thotë:
“Mirënjohja është më e mrekullueshmja lule e shpirtit që i dhurohet dikujt”.
Me këtë ese fantastike, më keni nxitur të bëj një shtegtim të papërsëritshëm, prej viteve të shkollimit fillor, deri në kohën e studimeve universitare. Ju përmendni fjalorët e mi me autorësi dhe bashkautorësi, një punë kjo, që, siç e vini në dukje, “nuk e kanë bërë mjaft institute dhe institucione shqiptare”, dhe keni nënvizuar për mua: “... botoi, shkroi dhe i dha Botës mbarë Fjalorë të paparë”, duke botuar në fund të esesë edhe kapakët e disa fjalorëve.
Këto fjalë dëshmojnë për fisnikërinë mitike të shpirtit tuaj human, për edukatën shembullore të prindërve tuaj, për formimin tuaj, si një intelektual i rrallë, i pajisur me një kulturë të gjerë, e cila, përmes Portalit tuaj “Fjala e Lirë”, sot rrezaton dritë, mirësi dhe pasuri shpirtërore për mbarë Diasporën tonë në krejt Perëndimin evropian, atje në Londrën e largët, si djep qytetërimi mbarëbotëror.
Në të vërtetë, Profesor i dashur Fatmiri, në punën time, deri këtu ku kam arritur, në moshën 82-vjeçare, nuk ka ndonjë gjë të veçantë, për ta theksuar posaçërisht. Gjatë jetës sime, jam përpjekur vetëm e vetëm të bëj atë që keni bërë dhe po bëni edhe ju: ta shfrytëzoj kohën sa të jetë e mundur e më shumë. Sepse kam pasur gjithmonë parasysh këshillat mjaft të çmuara që më patën dhënë prindërit. Disa nga ato këshilla i kam theksuar në esenë me titull “Shqipëria është pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë”, të botuar në internet në gushtin e vitit të kaluar, me rastin e 50-vjetorit dhe 40-vjetorit të ndarjes nga jeta të Babait dhe të Nënës sime. Prandaj, kur mendoj se koha është një pasuri e pallogaritshme në jetën e njeriut, kujtoj këshillën e Babait kur vazhdoja shkollën 7-vjeçare në Smokthinë. Ai, duke dëshiruar, si çdo prind, që të kisha rezultate sa më të larta në mësime, më pati thënë dikur:
“Kujdes, biro, mos e lër kohën të të iki kot. Se koha, mbama mend këtë llaf, është hasmi i njeriut. Sepse ajo nuk e pret kurrë njeriun, ajo vetëm ikën dhe nuk di të bëjë prapa”.
Në vitet e pjekurisë intelektuale, pata përsiatur gjatë për këtë porosi të vyer të Babait, e cila më pati bërë të vija në përfundimin se përvoja jetësore e kujtdo qoftë, edhe e një njeriu të thjeshtë, si ai, përbën një filozofi më vete, e cila vjen në një fqinjësi mrekullore me filozofinë e personaliteteve të shquara të kulurës botërore, si shkrimtari dhe poeti i humanizmit italian Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio - 1313-1375), që thoshte:
“Shfrytëzoje kohën në atë mënyrë, që, në vitet e pleqërisë, të mos e qortosh veten për rininë e jetuar kot”, ose kompozitori dhe dirigjenti i shquar francez Berliozi ( Louis-Hector Berlioz - 1803-1869), i cili theksonte:
“Koha është një mësues i mrekullueshëm, por ajo, për fat të keq, i vret nxënësit e vet që nuk dinë ta shfrytëzojnë”.
Duke pasur parasysh gjatë gjithë jetës atë porosi të Babait, jam treguar i kujdesshëm, që, në bashkëpunim të ngushtë me time shoqe, Havanë, t’ua përcillja dy fëmijëve tanë, Plarentit dhe Kesianës. I nxitur nga dëshira që edhe ata të kishin rezultate sa më të larta në Shkollën 8-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë”, një mbrëmje, kur ata po përgatiteshin për mësime në tryezë, në apartamentin tonë të thjeshtë me një dhomë e një kuzhinë në Tiranën e Re (atë apartament kemi edhe sot unë dhe Havaja), unë iu thashë si me shaka:
“Dëgjo ti Lenti dhe ti Kesi! Unë, as ditën, as natën, nuk e di se çfarë ngjyre ka tavani i apartamentit tonë. Sepse ditën jam duke punuar me makinën e shkrimit në tryezën time në dhomën e gjumit, kurse natën, kur flemë, i fikim dritat dhe përsëri s’e dalloj dot ngjyrën e tavanit”.
Ata buzëqeshën dhe nuk i morën seriozisht fjalët e mia. Atëherë ndërhyri Havaja dhe u tha:
“Babi e ka fjalën se ai nuk e kalon kurrë kohën pa bërë asgjë, sepse ai nuk shtrihet në divan dhe të rri e të shikojë tavanin kot”.
Pra, i dashur Profesor Fatmiri, unë nuk kam bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme për përgatitjen e atyre fjalorëve, vetëm kam pasur shumë kujdes për shfrytëzimin e kohës. Kaq. Edhe dy fëmijët, fatmirësisht, i patën dëgjuar me kujdes këshillat dhe porositë e mia dhe të Havasë dhe, deri tani, na kanë nderuar. Si ish-studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë, erdhën këtu në Amerikë (Plarenti në vitin 1996 dhe Kesiana në vitin 1998), ku përfunduan secili nga dy fakultete dhe tani janë të rregulluar për bukuri: Kesiana punon avokate, kurse Plarenti - programist.
Mendoj se të njëjtën mënyrë edukimi me pasionin e shfrytëzimit të kohës me rendiment të lartë kanë ndjekur edhe prindërit tuaj të shtrenjtë për fëmijët e tyre. Prandaj edhe ju, falë edukatës së tyre model, sot jeni një personalitet i shquar i kulturës sonë kombëtare në disa fusha të dijes. Për forcë trashëgimije, vetë ju dhe zonja Luçiana, i keni pajisur fëmijët po me atë edukatë shembullore dhe sot, në Londër, ata janë nderi dhe krenaria juaj familjare, farefisnore dhe shqiptare.
Në fund, esenë tuaj aq emocionuese për mua, ju e mbyllni me fjalinë në vijim:
“Nuk e di a do ta lexojë këtë tekst z. President?!”.
Jo, i shtrenjti miku im. Nuk më duhet vlerësimi i asnjë presidenti. Përse do të më vlerësojë? Për atë punë që kam bërë dhe që më takonte ta bëja? Jo. Më mjaftojnë vetëm vlerësimet që më kanë bërë instancat shkencore universitare, të cilat më kanë dhënë gradat dhe titujt shkencorë, nisur nga aktiviteti im pedagogjiko-shkencor gjatë viteve të punës, duke filluar nga grada “kandidat i shkencave” në vitin 1989, “doktor” dhe “profesor i asociuar” në vitin 1994 dhe “profesor” në vitin 2001.
Më jejoni t’ju përcjell gjithë respektin dhe mirënjohjen e thellë timen dhe të Havasë për esenë tuaj që buron nga shpirti i madh i një intelektuali erudit, i cili meriton nderimin e mbarë kombit shqiptar.
Ventura, Kaliforni
10 janar 2021
Comments