PROFIL SHKENCETARI
Shkruar nga: FRAN GJOKA
MARK TIRTA, PROFESORI MIRDITOR I ETNOKULTURËS, NJË EMËR I NJOHUR I SHKENCËS SHQIPTARE DHE MË GJERË
(Mesazh urimi me rastin e dhenies se titullit te larte "Nder i Kombit")
Të shkruash për intelektual të përkushtuar e me integritet, nuk është e lehtë, pasi tek ata mungon dëshira për dukje, por kanë me shumicë, ndjenjë, pasion, dashuri e humanizem, gjëra të cilat ne i kërkojmë tek "heronjtë". Por në të vërtetë, "heronjtë" janë njerëzit e thjeshtë, të ditur dhe të përkushtuar, që tërë jetën e tyre sakrifikojnë për një qëllim, për një ideal, dhe bëjnë të pamundurën për t'i realizuar, qoftë dhe me vetëmohim. Le të ndalemi tek njeri prej atyre njerëzve të sakrificës, të përkushtimit, të vetëmohimit dhe të pastertisë morale, i tillë është portreti i profesorit, akademikut tonë të nderuar dhe të respektuar Mark Tirta.
Ai është një burrë i zakonshëm, i thjeshtë, i buzëqeshur, pavarësisht nga vitet që ka mbi supe, Mark Tirta është stoik në qëndrimet e tija, ndoshta mosha dhe sëmundja e kanë lodhur, por shpirti i tij mbetet gjithnjë i ri, modest dhe plot dashuri për shkencën, për artin e kulturën, për njerëzit. Vepra shumëplanëshe e Akademik Tirtes meriton respekte dhe përulje para Tij, para studimeve të Tija, para kontributit të jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në shkencat albanologjike dhe sidomos në etnokulturë. Mark Tirta ka mbi shatullat e Tija 87 vjet jetë njerëzore, por edhe rreth 67 vjet punë kërkimore-shkencore, punë e cila e kanë rradhitur profesor Markun ndër personalitetet më të shquara të shkencës shqiptare dhe më gjerë. Si studiues i talentuar, Ai gjithçka e arriti me punë këmbëngulëse dhe me plot vullnet e dije shkencore dhe ishte rezultat i punës së Tij çdo arritje. Në vitin 2020, doktorant Nikoll Loka, me rastin e 85 vjetorit të lindjes së profesor Tirtes, shkruan: “E papritura e parë e jetës: Marku e nisi rrugën e dijes në një mënyrë krejt të veçantë. Fillimi i tij nuk lidhet me një mësues të zakonshëm, as me një klasë, por si nxënës i një kleriku që do t’i jepte bazat fillestare për të vazhduar Seminarin Papnor në Shkodër. Abati Frano Gjini, duke patur konsiderata për të atin, mendon që njëri nga djemtë të ndiqte rrugën e meshtarisë. Babai, pasi vjen në shtëpi dhe e pleqëroi kërkesën në familje, vendos që ta dërgonte pikërisht Markun, me arsyen e vetme se ”ky për punë nuk ban, ishalla ban për kalem!” Profecia e të atit doli, Marku nuk zhgënjeu. Mësuesi i parë i Mark Tirtes ishte Dom Mark Gjani, i diplomuar për teologji-filozofi në Universitetin Antonianum të Romës. Me Dom Markun djali zhvilloi lëndët: shkrim, këndim, aritmetikë nga katër herë në javë me dy orë mësim në ditë. Për të shkuar në shkollë, bënte katër orë rrugë në këmbë vajtje-ardhje nga Lgjini deri te Abacia në Orosh; kishte lodhje, ndodhte që të shkonte nëpër shi dhe borë, terreni ishte i vështirë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kishte shpërthyer lufta e pas njëfarë kohe, mbi qiellin e Oroshit nisën të kalonin avionë të palëve ndërluftuese. Në ato kushte, ndërpreu mësimet, ndërkohë që nuk kishte një ëndërr tjetër në sirtar. Marku ka dhe një koinçidencë tjetër, i takoi që të jetonte në mes të librave. Bilioteka i erdhi dhuratë nga dajtë prej Kryezezit të Malsisë së Lezhës. Pas vdekjes së dy vëllezërve të nënës që kishin shkollë, librat e tyre nuk kishte kush t’i lexonte, prandaj u dërguan për dy vëllezërit e Markut, Pjetrin dhe Gjonin që kishin kryer shkollën fillore.
Edhe pse ende nuk dinte të lexonte mirë, Marku i kalonte librat nëpër duar dhe mendonte që sapo të hapeshin shkollat, të shkonte e të mësonte që të mund t’i lexonte.” Marku i vogël, shkollën fillore e mbaroi shkëlqyeshëm. E kishte me paion shkollën. Vijoi më vonë 7-vjeçaren në Durrës, në vitet 1948-1950. Shkollën e Mesme Pedagogjike e mbaroi në Tiranë. Tani para tij dhe familjes së tij kishte dy alternativa: i duhej të zgjidhte të bëhej një rrogëtar e të ndihmonte familjen me rrogën që do të merrte, apo të vazhdonte dhe dy vite të tjera shkollë të lartë që të formohej plotësisht. Me pëlqimin dhe besimin e familjes, zgjodhi të vazhdonte studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës. Më vonë, gjatë punës, plotësoi dhe studimet katërvjeçare në Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë. Prof. Dr. Mark Tirta, etnolog, akademik i Associuar (2008), lindur në Orosh të Mirditës, më 21 maj 1935, kryen studimet në Universitetin e Shkodrës e të Tiranës për histori-gjuhësi, më 1957- 1961. Në vitet 1955-1957 dhe 1959-1967 ka qenë arsimtar në Mirditë: më tepër drejtor shkolle a inspektor arsimi (për rrethin e Mirditës). Nga viti 1961 e në vazhdim, krahas punës në arsim, merret dukshëm me kërkime në fushë të etnokulturës, bën eksplorime të shumta në Mirditë e rrethet fqinje të saj, si: mbledhje materiali etnografik e folklorik, zbulon e përshkruan qendra të reja arkeologjike të Arbrit Mesjetar, po kështu dhe kulturë ilire e romake, ngriti një muze në Rrëshen (1967), mbledh toponime, antroponime, fjalë të rralla. Botoi shkrime të ndryshme. Ka bërë një fjalor me 6500 toponime të Mirditës, depozituar në Arkivin e Institutit të Gjuhë-Letërsisë. Si rrjedhojë e kësaj pune kërkimore, më 1968 e emërojnë etnolog profesionist në Tiranë, në Institutin e Histori-Gjuhësisë, dega e etnologjisë, (sot: Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë), punë që vazhdon ta kryejë edhe në ditët e sotme, edhe pse ka dalë në pension më 2008. Më 1967-1968 ka kryer në Tiranë një kurs njëvjeçar për filozofi, si kualifikim pasuniversitar. Titujt e gradat shkencore: më 1968, për veprimtarinë shkencore si bashkëpunëtor i jashtëm për 7 vjet, i është dhënë titulli "Bashkëpunëtor Shkencor i Ri"; më 1978 ka mbrojtur disertacionin në mitologji e besime e ka fituar gradën "Kandidat i Shkencave"; më 1983 i është dhënë titulli "Bashkëpunëtor i vjetër shkencor"; më 1988 me temën "Migrime të Shqiptarëve": disertacion, ka fituar gradën "Doktor i Shkencave"; më 1994 i është dhënë titulli "Prof. Dr." ("Drejtues kërkimesh"). Është bërë Akademik i asociuar (2008). Në vitet e para, pasi është emëruar etnolog në Tiranë, ka dhënë këto provime pasuniversitare: 1. Etnologji e përgjithshme, 2. Etnologji europiane, kur përqendrimi ka qenë dukshëm te Ballkani, 3. Etnologjia shqiptare, 4. Filozofi: ka shërbyer diploma e kursit të përmendur më sipër. Më 1971 ka qenë 4 muaj për specializim në muzeologji në Rumani e në Itali. Njeh mirë gjuhën frëngjisht, rusisht, italisht, serbokroatisht; për të tëra ka dhënë provime pasuniversitare. Ka botuar në vende të huaja mbi 70 shkrime shkencore. Në Spanjë, në Francë e në Gjermani i janë kërkuar për botim librat, si: "Mitologjia ndër Shqiptarë" e "Etnologjia e Shqiptarëve", po nuk u bënë. Ky etnolog disponon disa letra e kërkesa të bëra nga Instituti i Europës Juglindore në Vjenë, ku ftohet të bashkëpunojë në tema të popullsisë e të disa çështjeve të tjera etnologjike për Shqipërinë në një vepër madhore të këtij Instituti. I kanë kërkuar bashkëpunim për vepra madhore të emigracionit botëror të sotëm, për të bërë pjesën për Shqipërinë: Universiteti i Floridas në SHBA, një Universitet i Torontos (Kanada), një kolegj ushtarak i studimeve gjeografike në Kanada. Tërë këtyre të fundit nuk u kanë dhënë përgjigje pozitive për të mos u spostuar nga temat në studim, por dhe për mungesë të mjeteve financiare që fillimisht i duheshin për të plotësuar harta, skica, grafikë e gjëra të tjera teknike. Më 1988, këtij etnologu, i është kërkuar të plotësojë Curriculum Vitae e disa dokumente të tjera, por dhe një konfirmim vetjak pranimi, për t’u bërë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave të Lutesës (Paris), por bashkë me dokumentet duheshin dërguar dhe një sasi dollarësh si test miratimi që i përmenduri nuk i dispononte; në bazë të statusit të kësaj Akademie duheshin paguar dhe kuota mujore, të shprehura në dollarë, gjë që ishte e pamundur të bëhej. Si rrjedhojë, kërkesën e ktheu mbrapsht me një falënderim mirësjelljeje ndaj atyre që ia propozuan këtë titull.
Ka qenë anëtar i redaksisë së përmbledhësit "Etnografia shqiptare" dhe i revistës "Kultura popullore", përkatësisht dhe i "Ethnographie Albanaise" e në "Culture popularie albanaise", në këtë të fundit, "Kultura Popullore", që në themelimin e saj.
Në përgatitje të çdo numri të tyre ka dhënë një ndihmesë të shënuar me artikuj studimorë, me reçensione librash, me informacione shkencore, me redaktime, me zgjedhje dhe përpunim materialesh për revistën dhe përmbledhësin. Si etnolog, prej shumë vitesh ka ndërmarrë ekspedita kërkimore në tërë viset shqiptare, duke përfshirë edhe Kosovë e Maqedoni Perëndimore, dëshmi që i kanë vlejtur në punën e tij studimore, si themel mbështetës në punën e tij shkencore. Ka shkruar mbi 400 punime shkencore e kulturore në fushë të etnologjisë shqiptare e më tej, kryesisht nga temat: mitologji e besime, migrime të shqiptarëve, por është marrë dhe me temat: familja, arti popullor, e drejta kanunore, jeta sociale e fshatarësisë, veshjet popullore, toponimet në vështrim etnologjik, probleme të zhvillimit krahinor e etnik të shqiptarëve, histori e etnologjisë e njerëz të shquar, kritikë e bibliografi. Jo pak punime të këtij etnologu janë botuar në gjuhë të huaja, madje edhe në disa revista e periodikë prestigjiozë shkencorë në botën e jashtme, gjithsej mbi 70 punime shkencore. Ky etnolog ka marrë pjesë me kumtesa, me referate, në sesione shkencore, në simpoziume, në konferenca, në kongrese shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, brenda vendit e në botën e jashtme, në mbi 130 raste. Është marrë dukshëm me muzeologji: në ekspozita e muze në Tiranë, në rrethe të ndryshme të vendit, në ekspozita muzeale e veprimtari jashtë shtetit. Ka botime shkencore jashtë shtetit, mbi 70 njësi, shkrime shkencore, përfshirë dhe Kosovën e Maqedoninë. Ka bashkëpunuar në bërje të veprave madhore, si: “Qytetërimi Ballkanik” nën kujdesin e UNESKO-s; po kështu në “Atlasi i vendeve danubiane”, - drejtuar nga Instituti i Studimeve për Evropën Juglindore, në Vjenë. Në botimet madhore të Shqipërisë ka bashkëpunuar në: “Shpati i Sipërm” (i Elbasanit), “Fjalori enciklopedik shqiptar”, “Veshjet popullore shqiptare”, “E drejta kanunore shqiptare”, “Shpërngulje me forcë e qëndresë e Kosovës martire” (1998-1999); “Hasi në etnokulturën shqiptare”, “Himara në shekuj”, “Migrime nga fshatrat malore–kodrinore për në vendet paraurbane e urbane (1991-2007)” e me radhë. Ka disa shkrime shkencore në botime e periodikë të ndryshëm të Lezhës e të Mirditës. Është bashkautor i monografisë “Mirdita. Njohuri për vendlindjen” (1999). Ka në përgatitje për botim librat: “Etnologjia e Mirditës”, “Fjalori mitologjik shqiptar”, “Etnologjia e Europës Juglindore dhe e Mesdheut”. Prej shumë vitesh ka dhënë lëndët e etnologjisë në Universitetin e Tiranës, në degët histori, sociologji. Ndër to, për tre vjet dhe në "Mitologjia" ka dhënë mësim edhe në degën e gazetarisë. Prej shtatë vitesh ka ligjëruar lëndën “Etnologjia e Evropës Juglindore dhe e Mesdheut” në Universitetin e Prishtinës. Ka udhëhequr studiuesit e rinj, si mentor, në marrje të gradave shkencore: mastër e doktor i shkencave. Në arsimin pasuniversitar ka bërë programe e ka organizuar provimet në lëndët e specialitetit të etnologjisë. Veprat e tij kryesore janë: “Migrime të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkautorë), V.I (1999), V.II (2001), V.IV (2016), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001, 2008), “Etnologjia e Shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004), “Lëvizje migruese të brendshme ndër Shqiptarë” (2013), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode...” (2007), “Etnokultura Shqiptare-Ligji Dokesor” (2016). Është vlerësuar me shumë tituj e dekorata të ndryshme, për punën e bërë në studimet shkencore. Edhe në ditë të sotme vazhdon të shkruajë e të botojë studime shkencore e kulturore në etnologji, po kështu dhe të botojë libra të natyrës shkencore e kulturore ashtu si dhe më parë. Çdo vit ka botuar (duke përfshirë dhe vitin 2018) nga 8 deri 12 shkrime të natyrës shkencore-kulturore. Ka hartuar në këto vitet e fundit dhe 152 zëra për Fjalorin Enciklopedik të Mirditës. Së fundmi është dekoruar dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Nderi i Kombit”, “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për zhvillimin e shkencës së etnologjisë në vendin tonë; për periodizimin e etnologjisë shqiptare në shtatë pjesë që nga lashtësia e deri më sot, si dhe për vënien e disiplinës së etnologjisë në një shkallë me nivelin e kësaj shkence në rajon dhe në botë.” Të gjithë miqtë dhe shoket e tij kudo që janë, i urojnë sot shëndet dhe vetëm shëndet, pleqëri të mbarë, jetë dinjitoze burrit të vlerave e virtyteve të larta njerëzore. Veprat e tij kanë qënë edhe janë e do të jenë udhërrëfyese për brezat e ardhshëm të shkencëtarëve shqiptarë dhe më gjërë.
Comentarios