top of page

NJË EMËR I MADH


SHPENDI TOPOLLAJ


NIKOLLA ZORAQI NJË EMËR I MADH I MUZIKËS

SHQIPTARE


(Rreth librit të Zhani Cikos “Nikolla Zoraqi, jeta mbaron, vepra vazhdon”)



U bënë vite që spektatorit tonë i mungon Nikolla Zoraqi. Por kjo s`do të thotë se ai e ka harruar atë. Nikolla ishte lindur në Tiranë në vitin 1929 dhe vdiq në vitin 1991. Por jeta dhe vepra e tij, e bënë të pavdekshëm. Jeta ka ligjet e veta, shpesh edhe të padrejta, por ato nuk i ndryshon dot. Sa artistë të shquar të skenave botërore dhe atyre shqiptare, kanë mbyllur sytë, por përsëri ata kujtohen me nderim e respekt të veçantë, aq sa njerëzve shpesh herë u bëhet se ata jetojnë mes tyre. Ja, ky është privilegji i të gjithë atyre që duke qënë vetë të vdekshëm, bëjnë vepra të pavdekshme. “Nuk vdes ai që jeton në veprat e veta” - thoshte K. Bovi. Dhe pa dyshim që njëri nga këta është dhe Nikolla Zoraqi të cilin në mos mundshim ta quajmë me dashamirësi, siç kanë bërë me Vaclav Talihun, Apoloni i muzikës shqiptare, mendoj se kemi të drejtë ta konsiderojme Orfeun e saj.

Gjithmonë muzika e këtij kompozitori aktiv dhe me një krijimtari mjaft të spikatur, “Artist i Popullit” që kishte studiuar në Konservatorin “Çajkovski” (1958 - 1961), më ka shoqëruar, por vetë atë nuk kam arritur ta njoh nga afër. Prandaj, kur maestro Zhani Ciko më dhuroi librin e tij kushtuar kësaj figure të madhe të muzikës tonë që për fat është dhe dajua i tij, u gëzova. Vetë Zhani është një njeri dhe artist i mrekullueshëm. Me një edukatë aristokratike, ku nuk gjen asnjë shtirje dhe sidomos me një kulturë të rrallë, ai është bërë i njohur dhe i dashur kudo nëpër Shqipëri e jashtë saj. Zhani Ciko, di të evidentojë vlerat e vërteta kombëtare, ashtu siç di edhe të nderojë veprat e autorëve të huaj. Puna që bënte në TOB, ku ai ishte drejtor, por edhe tani që është në pension, e tregon qartë këtë të vërtetë. Dhe krahas vënies në skenë të aq e aq veprave të njohura e të panjohura, të organizimit të shumë koncerteve, konkurseve, shfaqjeve të grupeve nga tërë bota, komenteve dinjitoze të eventeve muzikore botërore etj. etj. ai gjen kohë për të kujtuar të gjithë ata që dhanë aq shumë për muzikën tonë, apo u ndëshkuan nga diktatura komuniste “për shfaqje të koncepteve të huaja” në art. Po të shohësh arkivin e pasur të Teatrit të Operas e Baletit që prej një kohe të gjatë është sistemuar, plotësuar e ruajtur nga muzikologu Zamir Këlliçi, me materiale e dokumente që flasin për artistët tanë ndër vite, do të ndihesh krenar për atë që ata bënë, por edhe të lind vetiu dëshira që t`i shohësh sa më shumë nëpër skena ato vepra që ata na lanë, t`i dëgjosh në radio apo t`i shohësh më shpesh nëpër ekranet e televizorit dhe për jetën e tyre të virtytshme të lexosh sa më shumë nëpër faqet e gazetave tona. Dhe pa tjetër që është edhe ngjarje e rëndësishme kulturore, kur sheh se dikush i futet punës jo të lehtë të shkruarjes së ndonjë libri biografik për ta. Fatmirësisht, në vendin tonë nuk kanë munguar ata që dinë të respektojnë siç e meritojnë, kolegët e tyre që fizikisht nuk janë më. Janë shkruar shumë monografi serioze, ku brezat që do të vinë kanë se ç`të mësojnë. Ky është edhe një kontribut i madh, në shkruarjen e saktë të historisë së muzikës dhe artit tonë. Pasi si kudo, edhe në këtë fushë, janë bërë interpretime tendencioze dhe qëllimkëqia, nisur nga koniukturat, politikat, ideologjitë apo meskinitetet njerëzore. Të gjithë ata që kanë shkruar tani në demokraci, për aq sa unë kam lexuar, dallohen nga një përgjegjësi qytetare dhe janë përpjekur të jenë deri në fund të vërtetë dhe të drejtë. Dikur te ne janë shkruar, natyrisht me porosi, libra të tërë për figura pa asnjë vlerë, vetëm e vetëm pse ashtu e donte propaganda e kohës. Kurse sot është detyrë e cilitdo që e ka mundësinë ta bëjë që të shkruaj për njerëz e artistë të tillë të cilët punuan në kushte të vështira, sidomos ekonomike apo të çensurës dhe na dhuruan perla të shkëlqyera, duke na sjelle emocione të papërsëritshme, por dhe duke na bërë që ta duam më shumë atdheun tonë apo dhe për t`u ndierë të barabartë me tërë botën e qytetëruar.

Sa herë takohem me maestro Zhanin, me shumë kënaqësi konstatoj se ky është preokupimi i tij i përhershëm. Ai, sikur kërkon rrugë e mundësi që të shkundë pluhurin e vjetër të dosjeve dhe të nxjerrë prej kapakëve të rëndë të tyre, shpirtrat e pastër të artistëve krijues dhe interpretues. Se fundja, kapakët e dosjeve, sado të rënda që të jenë, nuk janë kapakë arkivolesh. Shpirti kërkon të endet përjetësisht në fluturimin e tij qiellor. Dhe ai gjen paqe vetëm kur është futur në zemrën e secilit nga ne. Pastaj Zhani Ciko, nuk e ka për herë të parë të shkruarit për ta.

Po ta vështrosh me kujdes, ndërtimi i këtij libri, të kujton “Krantja ave musicus” të studiuesit dhe poetit të njohur kavajas Abdulla Tafa. Dhe mendoj se është vepruar drejtë, duke zgjedhur këtë mënyrë kompozimi. Ndofta vetëm kështu, pra duke mbledhur mendimet e të tjerëve për atë që kërkon të përshkruash, duke paraqitur momentet kyçe të jetës dhe krijimtarisë së tij, duke na njohur me mendimet e tij për krijues të tjerë dhe veprat e tyre, duke evokuar kujtime për të, del më i plotë dhe i qartë personaliteti i tij, karakteri, kultura, serioziteti në punë, dashuria për shokët dhe përkrahja e inkurajimi për të tjerët. Gjithkush ka të drejtë dhe jo vetëm për kurreshtje, të dijë se nga ka kaluar rruga e muzikës shqiptare dhe kush e ka përshkuar atë. Agron Aliaj duke folur për Nikollën, diku thoshte se “Mua më vjen keq që sot nuk ka më kompozitorë shqiptarë siç ishin njëherë e një kohë”. As topi nuk i luan këto fjalë. Mjaft të kemi parasysh atë që na la vetë Nikolla dhe mjafton që të bindemi për këtë. Ku gjen sot një të barabartë me të që të meritojë si ai, fjalët e ngrohta të të ndjerit Feim Ibrahimi se “Opusi i tij është i madh. Ai shkroi në të gjitha gjinitë muzikore duke filluar që nga kënga, romanca, pjesët instrumentale, deri te baleti, opera... dhe simfonia”.

Duke më folur për këtë fenomen dëshpërues, artisti dhe njeriu aq simpatik Nikolin Gurakuqi, më tha një ditë se “Me sa duket edhe kjo qënka pjesë e asaj që quajmë tranzicion. Por kam frikë se mos ky tranzicioni në muzikë do të zgjasë shumë, do të na dëmtojë dhe kur të kujtohemi për këtë, do të jetë vonë; nuk do të jemi në gjendje t`i riparojmë dëmet që do të na vinë nga përçmimi e deformimi i muzikës tonë popullore apo largimi nga veprat tona më të mira”.

Të vjen keq kur sheh se tani, nuk hasim më atë nivel artistik, si të veprave që shkroi Nikolla Zoraqi, si “Cuca e maleve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, “Tokë e pamposhtur”, “Shota dhe Azem Galica”, “Joniada”, “Komisari”, “Paja” etj. për të mos harruar simfonitë koncertale të tij.

Ishin një sërë arsyesh që çuan në suksesin e madh të muzikës së Nikolla Zoraqit, por s`duhet harruar ajo që thoshte vetë ai se “Vlerat e punës sonë në i matim me atë se sa na i pëlqen populli, sa janë ato komunikuese dhe të dashura, sa i kthen ai në pasuri shpirtërore të qëndrueshme”. Ky ishte mësimi që kishte lënë M. Glinka që shprehej se “Muzikën e krijon populli, kurse ne, artistët, vetëm e aranzhojmë”.

Ky ishte dhe qëndrimi zyrtar i Nikollës që nuk i trembej syri, siç kujton regjizori i paharruar Mihal Luarasi, që t`i përgjigjej të dërguarit të Komitetit Qendror i cili deklaronte se kemi marrë letra me vrejtje për festivalin e 11 - të nga populli, se “Edhe ne kemi marrë letra nga populli për festivalin, por ato që kemi marrë ne ishin plot lavdërime”.

Ai, nuk i fshihte mendimet e tij, pasi mbështetej te ndershmëria e tij në punë, tek aftësitë dhe talenti i tij, te kultura e madhe dhe te dëshira për të sjellë risi në artin tonë, në interes të edukimit atdhetar e qytetar të njerëzve.

Ja përse dhe poeti ynë i dashur Dritëro Agolli, teksa fliste për figurën e Nikollës, me revoltë të justifikuar pati thënë:

“Dhe ndërsa zihemi, shahemi e betohemi, duke rrahur gjoksin për dashurinë që kemi për dheun shqiptar e mirëqenien e këtij vendi, mua më vjen të bërtas:

“O njerëz, përse nuk punojmë, përse nuk japim vepra, se ato do të na vlerësojnë me gjakftohtësinë e viteve, kur kockat do të na jenë tretur e bashkuar me dheun e kuq të Tiranës!”

Për veprën e Nikollës, për virtytet e tij njerëzore, Zhani ka ditur të grumbullojë e rreshtojë material të bollshëm nga shokë e kolegë të tij. Por për të krijuar të plotë profilin intelektual dhe profesional të këtij artisti, ai ka ditur të zgjedhë edhe mendimin e tij kritik për pjesë të rëndësishme nga muzika jonë, ajo botërore apo për autorë të ndryshëm. Në libër gjejmë mendime e vlerësime të Nikollës për Çajkovskin, Rahmaninovin, Bramsin, Kristo Konon etj. për disa nga festivalet tona të këngës apo biseda dhe intervista të ndryshme për problemet e muzikës. Kudo ndihet preokupimi dhe shqetësimi i Nikollës për të kuptuar e shfrytëzuar rolin e talentit dhe artit të popullit në krijimtarinë e artistëve krijues. “Sa rapsodë, këngëtarë, valltarë në biseda për muzikën e baletit “Cuca e maleve” kam pyetur dhe jam këshilluar” - thotë ai. E më tej: “Dhe mendja e zemra mbushen po ta jetosh ashtu si duhet kohën, të kapësh ritmin dhe domethënien e saj, të futesh në jetë dhe të bëhesh një me popullin, se për atë shkruajmë e kompozojmë.”

Emocionuese janë reminishencat e të afërmve dhe miqve të Nikollës me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij, ku ndër të tjera gjejmë një thënie shumë të saktë e Albert Jankut se “Nikolla kërkoi dhe pruri një erë të re në muzikën e baletit shqiptar”, apo atë të Keti Cikos që kujton se ai përsëriste shpesh: “Muzikanti i mirë duhet me çdo kusht të dashurojë muzikën më shumë se veten e tij”.

Dritëroi, i mençur si përherë, ka shkruar për mikun e tij Nikollën, me të cilin edhe ka punuar nga afër, një prozë poetike ku thotë: “Kur punonim bashkë shikonim valët e detit, heshtte për një çast dhe thoshte: “Sa bukur e bën artin ky deti!”

Deti i përjetshëm thur valë. Miliona gjenerata njerëzish nuk u ka mbetur as pluhuri. Ka dhe plot që jetojnë. Ndër ta është edhe Nikolla Zoraqi, është vala e pavdekshme e muzikës së tij që me tingujt e saj përpiqet t`i bëjë njerëzit më të mirë dhe më fisnikë”.

Kjo është dhe arsyeja që e bënte një tjetër poet, Fatos Arapin që t`i duket kaq e hidhur kafeja që pinte vetëm, pa Nikollën e mirë, këtë Orfe të muzikës tonë që edhe kur e kthente kokën pas, nuk e kthente për Euridikën, por për një tjetër dashuri të madhe, për muzikën që e donte, siç thosh, më shumë se veten e tij.

Dhe pikërisht këtë hidhërim, mundohet ta ëmbëlsojë sado pak me këtë libër, nipi i tij, maestro Zhani Ciko, me ndjenjën njerëzore të mirënjohjes së përjetëshme, për atë që i mësoi së pari, qysh kur ishte vetëm katër vjeç, magjinë e tingujve të violinës.

Muzikantët e sotëm, kompozitorë, këngëtarë dhe instrumentistë, jo vetëm që kanë se ç`të mësojnë nga artistë të tillë, por edhe të ndihen krenarë për ta, me bindjen se duke ndjekur gjurmët e tyre do i shërbejnë si duhet kulturës tonë dhe do të ngrenë lart edhe emrin e lavdinë e tyre.

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page