![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_5ed49a2517674b728c6dd7339b401490~mv2.jpg/v1/fill/w_850,h_623,al_c,q_85,enc_auto/a48dbc_5ed49a2517674b728c6dd7339b401490~mv2.jpg)
Me këtë personalitet të shquar të kulturës mbarëkombëtare, përmes internetit, për herë të parë, kam pasë hyrë në kontakt në vitin 2009. Atëherë ai pati botuar një vepër në lëmin e kritikës letrare, e cila përbënte një risi befasuese në këtë fushë të dijes. Është fjala për veprën e vëllimshme me titull “Kritika ndryshe”.
E lexova me një kërshëri të jashtëzakonshme. Sepse më pati lënë mbresa të thella vëmendja e tij e pazakontë ndaj botës letrare të jo pak, por të 75 krijuesve të mbarë trevave shqiptare. Ky ishte një hulumtim prej gjeniu, i cili, me talentin dhe këmbnguljen e papërfytyrueshme, kishte bërë një “operacion zbulimi” në “trevat” e krijimtarisë letrare të aq shumë krijuesve. Vemëndja e tij prej intelektuali erudit ndaj veprimtarisë së tyre letrare, më solli në kujtesë fjalët e një krijuesi të talentuar.
Ky është amerikani Robert Louell (Robert Lowell -1917-1977), poet, dramaturg dhe kritik letrar. Ai ka thënë:
“Vëmendja është një material, prej të cilit përbëhet kujtesa, kurse kujtesa është një akumulator i gjenisë njerëzore”.
Dhe me të vërtetë. Kujtesa e këtij personaliteti është një gjurmë “e pavënëre” e asaj hullie, të cilën ai e lë në vijim të pafundësisë”.
Rrjedhimisht, vëmendja, e shoqëruar me analizën e veprës së një krijuesi, një analizë kjo që zbulon honet e dashamirësisë frymëzuese ndaj tij nga ana e një personaliteti të kulturës amtare, dëshmon për madhështinë e formimit të tij intelektual dhe për pasurinë e botës së tij shpirtërore.
Vlerësimet më të mira për dikë, janë në natyrën e çdokujt që udhëhiqet nga objektiviteti dhe fisnikëria e shpirtit të tij. Dhe të krijohet përshtypja, sikur e ke të qartë se ç’është ky personalitet, për të cilin kërkon të flasësh. Por herë-herë ndien njëfarë vështirësie, sepse atë nuk mund ta vlerësosh vetëm me disa fjalë apo me disa fjali , të cilat janë të pamjaftueshme për skalitjen e figurës së tij në një mënyrë shteruese.
Pikërisht me një vështirësi të tillë ndeshesh kur mundohesh t’i përgjigjesh pyetjes:
“Kush është ky personalitet?”.
Ai është shkrimtar, poet, kritik letrar, analist, publicist, eseist, studiues, moderator i pakundshoq në hapësirat e internetit, hulumtues, referues me kumtesa në konferenca dhe simpoziume shkencore. Kontributi i tij ka qenë i shquar në fushën e mësimdhënies dhe të gazetarisë. Është autor referatesh, të botuara në libra dhe revista akademike. Është filmograf i talentuar dhe njihet për prodhime dokumentarësh dhe filmash me metrazh të shkurtër.
Për veprimtarinë e tij të dendur në shumë fusha të artit dhe të kulturës, është nderuar dhe vlerësuar lart me recensione dhe analiza nga 50 autorë të ndryshëm.
Ky personalitet mishëron në vetvete modelin e shumanshëm të një intelektuali dhe të një krijuesi me përgatitje enciklopedike, i cili bie në sy për ngrohtësinë e shpirtit, të pasqyruar aq bukur në buzëqeshjen e tij të përhershme, fort mbresëlënëse kjo, si dëshmi e fisnikërisë së të tij tepër karakteristike. Dhe fisnikëria e tij, para së gjithash, është humanizëm.
E gjithë proza dhe poezia që ka nxjerrë nga pena ky personalitet, është një lumë i zjarrtë i përjetimeve të tij. Kjo dëshmon për diçka të shenjtëruar brenda shpirtit të tij.
Në këndvështrimin tim, kjo përbën tiparin e parë dhe kryesor të krijimtarisë së tij.
Tiparin e dytë e përbën pikësynimi i përhershëm për ta magjepsur, për ta bindur dhe për ta bërë lexuesin të bjerë në mendime për të vërtetat që zbulon në veprat e veta.
Kur lexon veprat e këtij personaliteti, aty zbulon edhe psikologun, sepse atë e tërheqin më shumë përjetimet e shpirtit të heronjve të tij. Ai ka një aftësi të jashtëzakonshme për të analizuar rënkatat e shpirtit njerëzor, çka e nxit lexuesin për të kapur dhe për të kuptuar disa dukuri psikologjike.
Ky personalitet ka një aftësi të admirueshme për të hyrë në poret e jetës së heronjve të vet, për ta këqyrur realitetin rreth tyre me syrin e një vëzhguesi mendjemprehtë, çka dëshmon se ai ka një përvojë jetësore mbresëlënëse, të reflektuar në arritjen e një harmonie të brendshme në veprat që dalin nga pena e tij.
Në krijimtarinë e tij artistike shumëpërmasore, gjejnë pasqyrim ngjarje nga shumë fusha të jetës, skena joshëse nga marrëdhëniet e heronjve të veprave të ndryshme, skena që lexuesin e emocionojnë, e ngrenë peshë. Aty janë të gërshetuara bukur tingujt dhe ngjyrat, deri edhe aroma e jetës së heronjve, të cilat ky personalitet ia përcjell lexuesit me art në një mënyrë mjeshtërore.
Si një personalitet me emër në disa fusha të dijes, ai është i pajisur me një kulturë të begatë profesionale dhe me një horizont të gjerë kulturor. Prandaj ai është bukur i aftë të trokasë me plot bindje dhe vetëbesim në të gjitha portat e jetës shqiptare, të cilat para tij hapen kat e kat. Sepse horizonti i gjerë kulturor dhe profesional e ka bërë ta njohë jetën shqiptare deri në poret e saj, të dijë të komunikojë me bashkatdhetarët e të gjitha shtresave shoqërore në çdo “regjistër” të gjuhës shqipe.
Në penën e këtij personaliteti, arti i fjalës lexuesin e edukon, e lartëson dhe botën shpirtërore ia pasuron, i kultivon bukurinë në shpirtin e tij, por, ajo çka është fort e rëndësishme, e shkund edhe nga plogështia. Domosdo, se arti është edhe krijimtari, edhe lojë, edhe komunikim, edhe intuitë. Në penën e tij, arti e emancipon lexuesin.
Indianët e lashtësisë mendonin se arti pati lindur asokohe, kur njeriu e kishte të pamundur t’i përballonte ndjenjat e fuqishme që ia kaplonin çdo qelizë të trupit të tij.
Në eposin e lashtë, me titull “Ramajana” në sanskritisht, rrëfehet një legjendë për Valmikën, poet ky dhe këngëtar në letërsinë sanskrite, një gjuhë klasike kjo e Azisë Jugore. Tek po endej për gjueti nëpër një pyll me nxënësit e vet, Valmika vuri re dy shpendë, të pushtuar nga afshi i dashurisë, të cilët, në përhumbje e sipër, nuk i vunë re gjahtarët që po afroheshin. Klithma dëshpërimtare e shpendit që ishte në frymën e fundit, në shpirtin e Valmikës shpërtheu me fjalë të magjishme, që u përjetësuan në vargjet e eposit “Ramajana”.
Pra, arti i fjalës në veprën e një shkrimtari apo poeti, ka shumë më tepër peshë dhe e edukon shumëfish lexuesin, sesa propaganda e kujtdo qoftë nga një foltore publike apo nga rrjeti i gjerë i mjeteve të informimit masiv.
Një poezi mjaft e bukur e këtij personaliteti, më ktheu dyzet vjet prapa dhe më kujtoi një varg fantastik të një poezie të Dritëro Agollit. Ishte koha kur varfëruesi mizor i popullit tonë, Enver Hoxha, dhe banda komuniste rreth tij, në vitin 1981, patën vendosur t’i merrnin fshatarit kooperativist edhe delen, edhe dhinë, edhe lopën fundit të dhallës, duke e shndërruar përfundimisht në një bujkrob të shtetit, i cili bulmetin duhej të shkonte ta blinte “me bollëk” në dyqanin e kooperativës. Rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme vërtetoi në praktikë se një vendim i tillë kishte qenë një vepër kriminale, me pasoja shkatërrimtare jo vetëm për fshatarësinë kooperativiste, por edhe për “proletariatin “ e qytetit.
Dritëroit, megjithëse komunist dhe me detyra të larta në hierarkinë shtetërore, në heshtje, i ziente përbrenda një revoltë shpërthimtare kundër atij vendimi kriminal dhe pati shkruar një poezi me përmbajtje mjaft domethënëse, titullin e së cilës nuk e kujtoj dot. Por në kujtesë, që asokohe, më qe skalitur vetvetiu një varg fort kuptimplotë. Në atë poezi, Dritëroi, i përhumbur në protestën e vet, i drejtohet fshatarit kooperativist me vargun “t’u bëftë guri dele!”. Ky varg zbulonte lakuriq mjerimin ekonomik, ku e pati katandisur popullin diktatura komuniste. Pra, ndjenjat e fuqishme të protestës së brendshme, Dritëroi nuk i përballoi dot, por ama ia përcolli lexuesit me artin e fjalës poetike.
Edhe heroi i rrëfimit tim modest, personaliteti i madh i letrave shqipe, në një poezi mjaft të bukur, me titull “Kumuri e Elbasanit”, të botuar në Portalin “Fjala e Lirë” të datës 17 korrik, nuk i përmban dot ndjenjat e protestës që i vlojnë në shpirt dhe, duke iu drejtuar kumurisë, i derdh mjeshtërisht në vargjet në vijim:
Na solle këngët që të njohim Botën
me timbrin tënd të radhë.
Bota të solli jo më kot,
në Elbasan.
Ti mbete atje plotë mall
të zgjosh ndoshta dhe të Tjerët,
sikurse na hape sytë ne me zgjimin e rrallë,
të shpëtojmë nga drutë e shtrembër.
Kaq thotë ky personalitet i artit poetik, “na ndihmo, o kumuri, të shpëtojmë nga drutë e shtrembër”. Lexuesi le t’i nxjerrë vetë përfundimet.
Pra, siç u përmend edhe më lart, arti i fjalës së krijuesit, përveç misionit kulturues për lexuesin, luan edhe një rol mjaft të rëndësishëm për zgjimin e tij nga gjumi i rëndë ku ka rënë dhe s’po bëhet i gjallë të reagojë ndaj gjendjes katastrofike ku e kanë çuar “drurët e shtrembër” - Rama dhe lukunia oligarkike rreth tij - shumicën dërrmuese të popullit tonë. Kësisoj, me këtë thirrje, poeti e tha fjalën e vet. Lexuesi, nëse ka veshë, le të dëgjojë, nëse s’ka, le të vazhdojë të rri kurrizshtruar para agallarëve të vet.
Siç shihet nga vargjet e mësipërme, arti i fjalës së këtij personaliteti shërben për të ndikuar, për të formuar dhe për të “korrektuar” karakterin, interesat dhe kërkesat e lexuesit, aftësitë dhe vullnetin e tij. Arti i tij mbart në vetvete vlera shpirtërore supreme, ideale, orientues moralë, edukon tipare morale të individit.
Në poezinë “Kumuri e Elbasanit”, ky personalitet i përjell lexuesit ndjenjat e veta, të cilat shërbejnë si “portë” e artit të tij.
I jashtëzakonshëm është kontributi i këtij personaliteti në artin e kritikës letrare. Duhet pranuar me zë të lartë se Ai qëndron në majat e saj në kulturën tonë mbarëkombëtare. Vepra e tij në dy vëllime, me titull “Kritika ndryshe”, në këndvështrimin tim, shërben si universitet i padiskutueshëm i kritikës letrare,
Para do kohësh, Ai më dërgoi librin me titull “Liria në optikën e letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj”, botim i vitit 2021. Është një vepër shkencore me vlera akademike, që i kushtohet prodhimit letrar të një figure të shquar të letërsisë shqipe.
Analiza kritike që Ai i bën krijimtarisë së kësaj shkrimtareje, është me të vërtetë skrupuloze, me një thellim absolut në tekst, në çdo paragraf, në çdo fjalë. Vepra është me të vërtetë një univers edukimi për brezat e kritikëve të rinj.
Duke ballafaquar veprat e kësaj shkrimtareje të talentuar, gjithçka që ka lexuar prej saj, ai e percepton në një kontekst të pandashëm, duke zbuluar logjikën e procesit krijues. Për të, si një kritik i shkëlqyer, ka rëndësi që ta përfshijë lexuesin në “sistemin e kordinatave” të krijimtarisë së saj, në botën e komplikuar të rrëfimit artistik. Një mënyrë e tillë arsyetimi kritik i jep mundësi atij t’i lërë “të hapura” finalet e analizave të veta, në mënyrë që ta nxisë lexuesin për vazhdimin e njohjes së mëtejshme me krijimtarinë e shkrimtares.
Në vite, kohë pas kohe, ky personalitet ka botuar analiza kritike për vepra të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj. Edhe unë kam pasë shprehur disa vlerësime e mia modeste për vepra të kësaj shkrimtareje, të cilat i kam përmbledhur në librin me titull “Shtigjeve të fjalës artistike” (Shtëpia botuese “Klubi i poezisë”. Tiranë, 20221). Por kur kam pasë lexuar analizat e këtij personaliteti për veprat e saj, që kanë dalë nga “porta” e kritikës së tij, dhe sidomos këtë veprën e fundit që përmenda më lart, në vetëdijen time, figura e kësaj shkrimtareje ka përftuar një përndritje edhe më rrezatuese.
Analiza e krijimtarsë së kësaj shkrimtareje të talentuar në këtë vepër të fundit të kritkut të madh, merr një tjetër dimension. Sepse kritika letrare, në penën e këtijpersonaliteti, është ngritur në statusin e “zonjës së ideve”. Në artin e gjinisë së kësaj krijimtarie, ky personalitet ka zbuluar kodin e vet estetik të kritikës letrare, të cilin e përcjell në veprën “Kritika ndryshe” Ai shkruan:
“…a nuk do të ishte më mirë që të bëhej kapja e anëve më të arrira, më pozitive te krijuesi, për të shtuar arsyen në shtysën e krijimtarisë?”.
Ky kod është unikal në lëmin e kritikës letrare, sepse shërben si frymëzim dhe nxitje për krijuesit e rinj.
Kam bindjen e plotë se shkrimtarja Vilhelme Haxhiraj Vranari, me botimin e kësaj vepre të këtij personaliteti të letrave shqipe, ka përftuar edhe më shumë energji të shenjtëruar nga kodi estetik i kritikës së tij letrare, nga fisnikëria e zemrës së tij.
Siç e theksova në fillim, në vitin 2009, Ai botoi veprën “Kritika ndryshe”. Po atë vit, në gazetën “Republika” të datës 23 shtator, për këtë vepër, unë botova një artikull me titull “Analiza e vetvetes”, të cilin e mbyllja me vlerësimin në vijim:
“… më duket me vend të pohoj se vepra “Kritika ndryshe” është skaneri më i pagabueshëm që autori, jo qëllimisht, i ka bërë vetes. Kësisoj, si profesor i kritikës letrare, ai ka dhënë shembullin më kuptimplotë për të gjithë ata që dëshirojnë të matin forcat në lëmin e shkencës letrare, të cilët, zanafilltas, duhet të dinë se si pastrohen mirë ahuret e Augjiasit. Kjo ishte edhe arsyeja që këtë shkrim e titullova “Analiza e vetvetes”, duke pasur parasysh edhe fjalët e Stefan Cvajgut për Balzakun, me rastin e botimit të “Iluzioneve të humbura”. Cvajguthotë: “…kjo vepër është analiza më e thellë…që Balzaku i bën vetes”.
Jam i bindur plotësisht që s’ka nevojë për prezantim, se për kë e kam fjalën. Lexuesit e nderuar, që e ndjekin rregullisht Portalin “Fjala e Lirë”, e njohin shumë mirë këtë personalitet, Prof.dr. Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh, i nderuar edhe me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Këtë ese modeste ia kushtova pikërisht sot këtij personaliteti të shquar të kulturës mbarëkombëtare, sepse dita e 24 korrikut, si ditë e shënuar në jetën e familjes së tij të lumtur dhe të nderuar, që jeton dhe punon në një tempull të kulturës dhe të artit botëror, siç është Londra, është ditëlindja e tij.
Unë dhe shoqja e jetës sime, Havaja, i urojmë Profesor Fatmirit, Zonjës së zemërs së tij, Luçianës, dhe të tre fëmijëve, nuses së djalit të tij avokat, e cila, para më shumë se dy javësh, ka sjellë në jetë një njomëzake bukuroshe, gëzuar ditëlindjen, shëndet, mbarësi familjare, suksese në krijimtarinë e tij shumëpërmasore dhe humor të përhershëm.
E kam theksuar edhe herë të tjera: unë, si shqiptar, jam shumë krenar që në Perëndimin evropian, në një metropol të qytetërimit evropian dhe botëror, kemi një përfaqësues të shquar të artit dhe të kulturës sonë mbarëkombëtare, si Prof.dr. Fatmir Terziu, që na gëzon zemrat dhe na nderon, sepse ka bërë emër si intelektual i shquar i kombit tonë.
Kaliforni, 24 korrik 2022
Fjala e Lirë, bashkëpunëtorët intelektualë të saj, shumica profesorë me dijetarë të thellë, nën drejtimin e profesor Fatmirit, çdo ditë na japin ushqim mendor, të cilat na pasurojnë shpirtin, zemrën dhe dashurinë për jetën. Ju falënderoj për krijimet plot dashuri për Atdheun dhe shoqi-shoqin. Respekte.
Urime prof. dr. Eshref Ymerit per ese-ne e mrekullueshme per nje nga personalitetet me
te shquara mbarekombetare, C'te them me teper, i keni thene te gjitha, nuk shtoj dhe nuk
heq dot asnje presje. Nga ju z.YMERI mesova se sot z. TERZIU ka Ditelindjen. Me kete rast
I uroj nga zemra Prof. dr. FATMIR TERZIUT dhe familjes, shendet, gezime,duarplote me krijime
si dhe urime per Revisten "Fjala e Lire"
Me shume respekt dhe dashuri: Myslim dhe Valentina Maska, Athine. 24 korrik 2022
Ju përshëndes i nderuari Prof. dr. Eshref Ymeri për këtë ese sqimatare plot dashuri, respekt e vlerësime tejet të merituara për një ndër krijuesit e studiuesit më të denjë të kulturës sonë mbarëkombëtare, Prof. dr. Fatmir Terziun.
Ashtu siç e theksoni, në personalitetin e Profesor Fatmirit njësohen mrekullisht pandashëm intelektuali erudit dhe atdhetari i madh. Dhe këtë e tregon më së miri tërë krijimtaria e Tij cilësore e shumpërbërse, me qasje e shqiptime poetike krejt novatore e origjinale, me ndriçime thelbësore dhe ndikim estetik të gjithëfishtë.
Duke u bërë pjesë e gëzimit të festës së Ditëlindjes të Mikut tonë të dashur Prof. Dr. Fatmirit i uroj jetë të gjatë e qoftë kurdoherë i rrethuar nga dashuritë e mëdha të…