top of page

"NJË COPË KOTHERE"



Një copë kothere për t'u ushqyer

për të shuar urinë e kushedi prej sa orëve

shoqëruese e jetës

që ulërin ekzistencën e mjerë

e ndaluar tek pamja e përhumbur nëpër kohëra

të zhdukura nga fati mizor për të lindur.

Kush e ka fajin për të gjithë këtë?

Çfarë faji kam unë vetë?

Mos vallë nuk ishim të dëshiruar nga Zoti?

Mos vallë kishim ardhur në botën e gabuar?

Uri famëkeqe moskokëçarëse

që zhdukesh në bollëkun e mirazhit

që të gëzohemi në fukarallëk.

Sa do doja mes reve të isha

me ajrin e universit të tejngopesha.

Të ngrohesha në diellin kaq të largët

për të mos parë gjakun e mpiksur

për të mos ndjerë rrahjet e dobëta

të zemrës së vëllezërve të mi

të zbehtë, me buzë të çara

si toka nën këmbët e tyre.

Kothere buke mos u shkërmoq!

Ku është Krishti për të të shumuar?

Nuk kam ç'përgjigje vetes t'i jap

përveçse kësaj copë kothereje

që nuk e di nëse kam të drejtë ta kapërdij.

8 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page