Një bust dinjitoz për Charles Telford Erickson


Ambasadori Mal Berisha SH. T.

Një bust dinjitoz për Charles Telford Erickson: Amerikanin që i kushtoi jetën Shqipërisë!



“26 GUSHTI ËSHTË DITA E LINDJES TIME

Gjëja që kam vlerësuar më shumë në jetë ka qenë dhe është: MIRËNJOHJA. Pikërisht në shenjë MIRËNJOHJE sivjet arritëm të organizonim punën për vendosjen e bustit të amerikanit Charles Telford Erickson përpara Shkollës Profesionale që mban emrin e tij, në Golem të Kavajës.

E gëzofshin brezat!

Nga Mal BERISHA




SI U NJOHA ME CHARLES TELFORD ERICKSON?

Nga Mal BERISHA

Në vitin 1999, në përvjetorin e 90–të, të daljes në dritë të gazetës DIELLI, pata nderin të mbaja një kumtesë përpara anëtarëve të Federatës Pan–Shqiptare të Amerikës VATRA, në New York. Tema ishte e lidhur me kontributin e disa amerikanëve shumë të shquar ndaj çështjes shqiptare. Ndër ata emra kisha veçuar edhe atë të Dr. Charles Telford Erickson. Vepra e tij ishte aq e madhe, aq e larmishme dhe aq e dobishme sa më rrëmbeu pas vetes në një punë kërkimore dhe studimore shumë vjeçare. Ky emër i madh, i harruar qëllimshëm nga diktatura komuniste deri në atë kohë, ishte zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Vepra e tij amerikane, më e dukshmja që jetonte mbi token shqiptare, ishte Shkolla Bujqësore në Golem të Kavajës, të cilën ai e ngriti me shumë mundime dhe e inaguroi më datën 20 Shtator të vitit 1925.


Në rrjedhë të viteve, asaj i ishte ndërruar emri, i ishte zhdukur historia dhe ishte lënë në një harresë vrastare për mëse pesë dekada.

I tërhequr me pasion rreth jetës së këtij njeriu, iu vura një punë të palodhur e cila u përmbyll me botimin e librit në tre volume: “Charles Telford Erickson – Për Shqipërinë dhe në Shqipëri”.

Libri u përurua me datën 5 Nëntor 2012, në nderim të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në inagurim mori pjesë Ambasadori Amerikan Alexander Arvizu dhe të gjitha autoritetet shqiptare të kohës.

Për ta bërë sa më të njohur veprën e këtij njeriu u angazhova në një seri promovimesh me audienca nga më të ndryshmet, përgjithësisht heterogjene dhe në salla shumë prestigjioze, brenda dhe jashtë (vendit)–Shqipërise, si në Londër, Gjenevë, Vjenë, New York, Prishtinë…


Degradimi dhe shkatërrimi i objekteve shkollore të

ndërtuara nga amerikanët në Golem





Në verën e vitit 2020, edhe pse në kushte pandemie vendosa ta vizitoja për të disatën herë shkollën që mban emrin e tij në Golem. Aty pashë se ishte ngritur një shkollë e re moderne, me financat programit evropian të integrimit IPA. Pashë gjithashtu që konvikti i Erickson–it po rrënohej e bashkë me të trashëgimia amerikane. Për mendimin tim kjo po ndodhte krejt pa arësye.

Thjesht ishte gjetur një sebep:

Tërmeti.

Ndërtesës i kishin shembur çatinë. Muret ishin aq solide sa nuk kishte tërmet që mund t’i rrënonte por ndërtuesit “donin punë”…!

E ngrita zërin sa munda, në gazeta, në television, por askush nga ata që i marrin ato vendime, nuk më dëgjoi. Vizitova edhe Kinemanë e Shkollës, e cila ishte lënë në degradim të qëllimishëm për të gjetur më vonë një shkak për ta rrënuar edhe atë dhe për t’i bërë dikujt favorin e radhës për ndërtim e ndonjë hoteli…!