Ajo që më bie në sy dhe ndjej në çdo libër që redaktoj, është fryma e veçantë, që më krijon përmbajtja e tij. Atë frymë e ndjej qysh në krijimet e para, që lexoj, nga aspirimi i frymëmarrjes së poezive dhe erëmimin që përhap autori te lexuesit. Pa shkuar as te gjyma e poezive, më erdhi ndjesia e frymës kritike për fenomenet jetësore, me një potencë goditëse të fuqishme, të poetit të madh francez, Sharl Bodëler.
Ndonëse poeti i shquar me talent tejet të spikatur Tomor Buzi, nuk ka asnjë lidhje koordinatash, me atë poet të shekullit të kaluar të letërsisë franceze, fryma potenciale për të goditur me fuqi gjëmimtare, prapësitë dhe poshtërsitë që kanë ndodhur prej kohësh në jetën shqiptare, krijon një paralele të qartë, që e ngre shumë lart poetin tonë.
Libri “Poezi thurur buzë greminës”, në tërësinë e tij, është një rrëfim konciz, për ëndrrat, shpresat, dështimet dhe të keqen, në historinë e botës shqiptare, gjatë shekujve. Poezitë tentojnë të nxjerrin ekstraktin e së mirës së hershme historike, me heronjtë e mëdhenj pellazgjik të madhështisë së Ilirisë së dikurshme. Duke vënë përballë saj, produktin e së keqes së mëvonshme, si rezultat i tradhtisë së krerëve vendas dhe ndërhyrjeve brutale në jetën shqiptare të Evropës “plakë”, me mbështetjen dhënë pushtuesve uzurpatorë sllavë, të zbritur nga stepat kaukaziane.
Ndryshe nga poetet kryesish lirikë, që merren me temat e bukura, si pikënisje për të shkruar librat e tyre, Tomor Buzi, me prejardhje të shquar patriotike, nga luftëtari i famshëm Tafil Buzi mustaqeziu, dëshiron që paradokset jetësore të pabesive të djeshme dhe dualizmat e sotme korruptive, të bëhen tema kryesore të kryeveprës së tij poetike, “Poezi shkruar buzë greminës”. Ai është një flamurtar i dashuruar shpirtërisht me simbolin tonë kuqezi, për të cilin shkruan: “Për këtë dhe’, e këtë gur ku shkel,/ nga zemra ime, s'do të hiqesh kurrë, /këtu do të vdes, sikur vetëm të ngel, /mbështjellë me ty, i bukuri im flamur!...”
Megjithëse, mes temave të shumta të kësaj natyre, ai ka derdhur talentin e vet lirik, edhe në mjaft poezi për dashurinë rinore. Si në këtë krijim, me ndjesi të ëmbël: “Dhe vala e detit, hesht përpara teje,/Duke pritur që era të të zhveshi ngadalë./Mbi trupin tënd të hedhë, mantel reje,/Të shkosh duke notuar, si nimfat mbi valë...”
Në këtë vëllim poetik, ka kundërvënie të dukshme, ndërmjet kategorisë estetike të së bukurës femërore, si një kategori sublime dhe kategorisë morale, të së keqes shoqërore, që ka për simbol satanain. Autori thotë se e keqja absurde dhe paradoksale, që mbizotëron në Shqipëri dhe në botë, me hedonizmin, që ka kapluar shpirtrat e krerëve sorosjan të sotëm, është një rrezik potencial që e lë prapa botës vendin tonë të shqiponjave: “Dil moj histori, nga honet ku je zhytur,/Dil e shpërnda hirin, që të ka mbytur!/Dil se ky vend, nuk ka më historianë,/Ka veç lëtyra që shesin dhe babanë!”
Tomor Buzi është poet i ideales së lavdishme historike dhe i së sotmes së tradhtuar nga mania për para, e cila ka lidhje, me humbjen e shpresës, me dëshpërimin dhe vetminë e të moshuarve. Që i referohen një gjendjeje mërzie të rëndë kombëtare. Dhe të dyja këto, ai i vë përballë njëra-tjetrës në këtë libër voluminoz. Në të kundërt, idealja është kredoja e autorit, e shprehur me mendimin, se ku ekziston dashuria, edhe ndjenjat janë të shfaqura gjer në ekstaze. Por Idealja e këtij poeti, jepet nëpërmjet një shkëputjeje nga realiteti dëshpërues: “S'di ku ke ngelur, as çfarë bën, s’e di,/ Ndoshta jeta të “buzëqeshi” me dollarë!/Unë ruaj akoma premtimet që më dhe ti,/Mbyllur xhepit të shpirtit, nën astar.”
Nisur nga historia e bëmave të mëdha të të parëve tanë pellazgë, poeti me sens poetik historik të rrallë, Tomor Buzi, si poet i të vërtetave të mëdha, krenohet në vargjet e tij, me përkatësinë pellazge të Kostandinit të madh, Perandorit Justiniani i parë, Dickleanit, Gentit, Aurelios, e të tjerë me emra perëndish, që i thanë botës: Ne jemi Iliro-Pellazg, Jemi raca me gjak e kulturë hyjnish!
Ai përgjithësisht i referohet me pasion, dëshirës për ta parë Shqipërinë në ato kulme të lavdisë dhe lartësisë së hershme, kur Arbëria trime e shpatës luftarake, të heroit kombëtar Skënderbeut, shpëtoi vet Evropën nga rreziku nënshtrues i hordhive të Perandorisë së dikurshme Osmane: “Vazhdoi të gjëmonte zëri i korifeut,/Duartrokitjet nisën si namaz i faljeve:/-Ne jemi Shqiptarët, bij të Skënderbeut,/Që mbrojtëm Evropën, me bisht mes shalëve.”
Tema që e shqetëson më tepër autorin dhe çdo shqiptar atdhedashës, është shpopullimi i dhimbshëm: “Po bien tupanat: Pa armë, pa shpata a shigjeta,/Çubriloviçët e shpopulluan këtë vend kreshnikësh!/Ne që vritemi mesvedi, poshtëruar nga e vërteta,/nuk shohim më larg se hunda, si kope nevrikësh!...”
Një peshë jo të vogël, në këtë libër me vlera të pa kontestueshme, ka poema në fund të tij, me një gjetje origjinale tepër interesante: “Më pyet facebooku!” Nisur nga pyetja që ka ky program i internetit në faqen e dytë për të gjithë abonentët e vet, të titulluar “Çfarë po mendon Tomi?” Pas kësaj pyetjeje programore, poeti ynë, me një damar patriotik të tensionuar, gjen shtegun për të zbrazur, të gjithë ngarkesën ideo-emocionale të muzës dhe frymëzimit të tij, për gjendjen shumëshekullore të historisë madhore shqiptare, për të cilën Tomi Buzi shprehet: “Jemi të vegjël, për një histori kaq shumë të madhe!”.
Ai niset që nga antikiteti me figurat madhore të Aleksandrit të Madh, Piros së Epirit, Gentit, Teutës, Taulantit, Agronit dhe me simbole të tjera të së kaluarës, për të treguar se Shqipëria ka qenë zonjë mbi zonjat dhe vlerat e saj mund të përsëriten, nëse “shporret” Hedonizmi, me krerët sorosian, tradhtarët e shitur dhe korrupsioni, që ka kapluar të gjitha arteriet e sotme të shtetit: “Të shitur kok e bythë te hasmi, gjithmonë shkoni,/Se atje është parajsa e dashurisë që shijoni!/E nënshtruat këtë popull dhe prapë e latë të mjerë,/Ju sharlatanë të trojkës Sorosiane, qelbur plot erë!”
Poetika e Tomi Buzit evokon gjithashtu, se heronjtë e mëdhenj të mitologjisë si Homeri, Akili, Gjon Pali, Herakliti etj... të përvetësuar nga helenizmi dhe sllavizmi, janë veçse bij të pellazgjisë iliriane. Këtë dhe madhështinë e kombit tonë, ai argumenton me të vërteta e thënieve të figurave madhore të historisë botërore si Herodoti, babai i historisë, Homeri i Epirit, Sokrati, Aristoteli dhe të tjerë...
Përsa i përket anës demoniake të hedonistëve dhe tradhtisë së shitur, Tomi mendon, se ata, me veprimet e tyre satanike, kontrollohen nga Satanai. Tundimin me simbolikën e djallit, që sjell varfërimin, dëshpërimin dhe revolten e njeriut, poeti në një farë mënyre, e përdor, për të treguar se në çfarë gjendjeje tmerri të frikshme, mund të gjendet e ardhmja, nëse nuk “Shporret” kjo e keqe kombëtare.
Më shkoqur e më qartë, të vërtetat e mëdha, lexuesi mund t’i gjejë duke marrë në dorë këtë kryevepër të poezisë bashkëkohore, të poetit të rrallë Tomor Buzi. Që me guximin e një poeti trim, shpalos të vërtetat pa iu dridhur qerpiku.
Comments