top of page

Një bir pedagogu, që i ka motivuar gjatë jetës...


Bashkim Alibali dhe Eli Kanina

BASHKIM ALIBALI

Duke dëgjuar një intervistë të shkodranit elegant dhe këngëtarit të mrekullueshëm Bashkim Alibali, kujtova me nostalgji gjithë interpretimet e tij, që nga fëmijëria ime: Kënga e Shotës, në duart e nënës, motra ime, s’ma njohe zemrën, mbrëmje e fundit, mes bukurive, lulet e mollës, takim pas vitesh, për ty baba, etj. Po aq sqimatar dhe elegant si i dalë nga kallëpi, ai mbetet ikonë e këngës, por edhe prezantimit artistik. I realizuar personalisht, profesionalisht dhe familjarisht, Bashkimi vazhdon të këndojë me profesionalizëm jo vetëm muzikën e lehtë e jaren shkodrane, por edhe muzikë shqiptare të jugut, muzikë të huaj, italiane, spanjolle, sllave etj. Një bir pedagogu, që i ka motivuar gjatë jetës, gjithë kohën, arsimin dhe kulturën, një talent i lindur për këngën dhe televizionin, Bashkimi është një bashkëkohës i mjeshtrit Bik Ndoja dhe një vazhdues i denjë i tij në Shkodër! Aq i dashur dhe i përfolur ka qenë si këngëtar, në familjen time, sa kur e takova në një aktivitet, mu duk se një foto me të do më plotësonte një dëshirë të kujtimeve të kahershme. Më kujtohet mami çdo të hënë në mbrëmje,kur në televizor jepej emisioni "Përshëndetje nga ekrani". Linte çdo punë për të dëgjuar Silvana Braçen që lexonte letrat e dërguara me përshëndetjet për këngëtarin/en e preferuar. Ishte i përhershëm dhe shumë i kërkuar, shkodrani Bashkim Alibali, sidomos me këngën "Letër më ke çu' atje në kufi". Mami kënaqej dhe vazhdonte të këndonte bashkë me të "...s'më paske harru qysh s'e ishim fmij, më ka marr malli për ty, për fushë e për mal, jo s'e kam harru shaminë, që ti ma ke fal...". -Ky është mbreti i këngës, e qan fare, po sa bukur vishet, si e mban mikrofonin, bërrylin pakëz të ngritur e larg trupit, sa elegant, si e ndjek ritmin me sup dhe me këmbë... - vazhdonte mami edhe pasi mbaronte kënga. Babi nxehej nëse mami i linte përgjysëm punët, por kur dëgjonte edhe këtë eskortë lëvdatash, vërshonte si lumi, me inatin e dyfishtë ndaj mamit: - Po ku merr vesh nga kënga ti moj, ai tund supin e këmbën kot si gangster, se nuk ia thotë fare për këngë. Duket që është qejfli femrash dhe, ato shkruajnë dhe e nxjerrin aty çdo javë, shiko si lëviz... - Jo po do rrijë hu gardhi si Luan Zhegu- ia priste mami- si ai i fjeturi! Ky e ndien këngën, këndon për qejf... - Hajt po ai qejf do t'ia hajë kokën, pa ta shohësh - mërmëriste babi e shkonte për të fjetur. Nuk kishte faj babi, sepse shembulli i bashkëqytetarit tonë, këngëtarit Sherif Merdani, kishte qenë një traumë për të gjithë ata që e njihnin dhe e adhuronin si korçar e këngëtar. Babi e kishte ndjekur me dhimbje gjygjin absurd të Sherifit, ironinë dhe argumentet me të cilën i rrëzoi dëshmitarët e rremë, edhe pse gjithsesi nuk i shpëtoi burgut. Ishte një kohë, kur madhështia e talentit ta bënte të pasigurtë jetën... Kështu edhe nëpër festivale, anketa apo këngë të stinës, mami e priste dhe e ndiqte këngën e Bashkimit me fanatizëm dhe adhurim, ndërsa babi priste kur "do ta hante" edhe ai si të tjerët. Unë dhe motra mbanim shënim tekstet e këngëve, dhe veçanërisht të këngëtarëve të preferuar, ku Bashkimi nuk mungonte asnjëherë. Natën e tretë i këndonim përmendësh të gjitha. Madje klasa e motrës, një maturë shumë e talentuar dhe aktive, organizoi një koncert variete me skeçe dhe këngë, ku këngët e festivaleve ishin më të përzgjedhurat, dhe motra ime këndoi “S’ma njohe zemrën” të Bashkim Alibalit dhe populloren shkodrane “Ky marak”. Në një nga festivalet, Bashkimi këndoi nga fundi dhe doli duet me Eduart Jubanin. Mami mori frymë e lehtësuar: - Shyqyr që doli, hajt shyqyr, më mirë vetëm, po hajt edhe me këtë zullapin ... Babi që nuk e priste daljen e tij, dhe as nuk e donte, kur e shihte mamin sesi ngazëllehej pas Bashkimit, filloi nga të tijat: - Epo me burrat do bëjë duet se gratë nuk ia varin këtij maskarai, që tund supin sikur e ka zënë flama. I besohet atij? Pas '90 kur shumë këngëtarë u larguan jashtë dhe festivalet nuk e kishin më atë magjinë e parë, ne familjarisht, vazhdonim t'i ndiqnim ende. Sidomos mami që i gëzohej Bashkimit që shpëtoi pa u ndëshkuar, dhe do kishte gjithë lirinë që i duhej për ta kënduar këngën e vet, siç dinte ai. Në një festival ai këndoi duet me të mrekullueshmen Irma Libohova. Irma kishte lyer flokët me të kuqe, kishte veshur edhe pantallona të kuqe, dhe duke qenë më e shkurtër se Bashkimi kur kthehej nga ai tundej e shkundej energjike dhe e qeshur si gjithmonë. Kur filloi refreni dhe Irma mbeti veç përballë duke e parë në sy, dhe duke u tundur sipas ritmit, mami nuk duroi më: - Po kjo ç'ka që bën si pulë gjirizi mbas këtij, la nam si tundet e si i vjen rrotull, nuk e sheh veten një pëllëmbë? Uhhfff na e shpifi... - Kjo i vika tamam hakut këtij, sa shkokan bashkë! -tundte kokën babi i kënaqur.



59 views0 comments

Коментарі


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page