Sali Bashota
Në botë ka shumë mrekulli që janë të vlefshme. Ne nga ato krijojmë personalitetin tonë, kurse shoqërisë i japim një pamje të re dhe të jashtëzakonshme. Një ndër këto mrekulli është libri, përmes të cilit përfitojmë diturinë e cila na e ndriçon jetën. Libri për ne është vatër e diturisë, prandaj Ju lusim ta rrëmbejmë librin! Le të jetë ky një shembull për të gjithë ne që ta duam librin dhe të përfitojmë nga të lexuarit. Pa libra nuk ka art, kulturë, shkrim dhe lexim, s'ka përparim.
Çdo libër është një aventurë e re, një mësim i ri. Çdo libër përcjellë një mesazh te lexuesi, e aftëson të menduarit, zgjeron kufijtë e fantazisë dhe i jep ndjenjën e të qenit me një mik të mirë. Me këtë rast dua të përgëzoj mikun e shqiptarëve, Zt. Dumitru Nikodim, i cili njihet si lexues i pasionuar i librit, i cili viteve të fundit ka botuar dhjetëra dhe ka lexuar mbi njëmijë libra. Të lumtë Nikodim! Ti je shembull për ne! Fjalët harrohen. Vetëm ato që shkruhen në libër do të transmetohen. Ja edhe një libër i ri i një autori rumun në gjuhën shqipe dhe rumune për Ramajatat. Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik: Poeti kishte fuqi të dhuruar nga Zoti/ të marrë atë që kërkon dhe të braktisë gjithçka;/ të dojë dhe të shkojë siç është hëna në fazë/ të lidhë e zgjidhë të vërtetën me gënjeshtrën ...
Poeti në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij. Sintaksa (si kombinim gjuhësor dhe si kombinim imazhesh) është tejet plastike. Dumitru Nikodim dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për të hetuar natyrën dhe botën, por mbi të gjitha ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërës të poezisë së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poemës: Bekuar qoftë dita kur Omeri erdhi në botë/ Bekuar qoftë gjuha që i krijoi një emër/ I bekuar qoftë kombi që e ngriti në gji/ I bekuar qoftë atdheu që e bëri zotëri.
Poezia është eminanetisht moderne. Autori din të peshkojë tema të vjetra, një fond leksikor nga poezia e traditës, por, ashtu siç ndodh në pikturën moderne, ai merr në konsideratë objektet në hapësirë që zotërojnë të gjitha elementet e drejtpeshimit, të vëllimit, të qendrës së gravitetit, peshën e fjalës, thellësinë e ndjenjës etj. Që këtej mund të themi se dhe në vargjet e mësipërme kemi të bëjmë me një largim të çdo subjektivizmi. Përshkrimi i mësipërm nuk është vetëm një adhurim për poetin persan, por edhe një shprehje e shpirtit, një ekzistencë organike, objektive. Ja një bërthamë e doktrinës të realizimeve bashkëkohore! Poeti sjell në tekst fraza tejet plastike, në një përshkrim të bukur të një atmosfere, duke na dhuruar një terren onirik: U ngjita në malet e mendimeve për një puthje të thjeshtë/ dhe mendoja se ishte e Dashurisë apo e Hyjnisë së madhe/ por ishte puthja e vdekjes duke u djegur si një qiri/ dhe thashë, qoftë!/ Mbase kjo është ajo që meriton Romare.
Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Poeti në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij. Sintaksa (si kombinim gjuhësor dhe si kombinim imazhesh) është tejet plastike. Dumitru Nikodim dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për të hetuar natyrën dhe botën, por mbi të gjitha ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërës të poezisë së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poemës: Kockat e mia folën se më nxorre në dritën/ e oqeanit të likenëve, për fat të keq dhe rrënimi/ Të thirra me zë të lartë: Ti je Mbret në lavdi! S’kam/ Asnjë ledhatim tjetër! Në gjunjë, i përulur, këndoj: ava!
Porsi poetët e tjerë rumunë, Dumitru Nikodim nuk jeton në një botë të përmbushur vetëm me besim të plotë, duke u përballuar me një realitet shpeshherë të terratisur. Vitet e fundit i përkasin një kohe të kaosit, në të cilën secili "tabor" ka luftuar për drejtësinë e vet, e cila, kundruar nga jashtë, ndoshta të shpie në idenë e mungesës së një qëllimi, në të cilin letërsia rumune dhe ajo shqiptare, e ka për pasojë tejet të rëndësishme fuqinë, kushtrimin për të qëndruar në zemër të historisë. Nganjëherë duket se pranë nesh, tek ata që janë afër nesh, është një ditë e botës në të cilën poetët nuk kanë rrugë të cilave u mungon dhembja, dhe atëherë shkruajnë porsi Zt. Nikodim: Zot, Ti më dhe fjalën të këndoj mençurinë tënde/ në vogëlsinë time të madhe i këndoj trupit mrekullinë/ Trupi mbart në të dhimbje dhe dashuri dhe mëkat/ vetëm ai mund të këndohet; Qofsh i lavdëruar përjetë!
Dumitru Nikodim mjaft lehtë mund t'i "përngjitet" peizazhit poetik të aureolës në të cilën jeton nga disa pikëshikime, por, në të njëjtën kohë, është një zë i frymëzuar që nëpërmjet faktit se dëshiron ta gërshetojë në poezinë e tij, metaforën me imagjinatën, si një lojë skene në të cilën dekori është një element fort i rëndësishëm. Megjithatë, poezia e tij është një poezi e metaforës. Po ashtu, edhe lekturimet (jo në kuptim të do ndikimeve, por të kuptimit/afrimit me mënyrën në të cilën shkruhet nëpër brigjet e tjera, i konferon një aureole disi të veçantë, në peizazhin poetik rumun: Më prisje! Unë isha i humbur! Durimi Yt është i pafund/ dhe në çastin që mendova se më nxori nga tundimi i madh/ Një karrocë vitesh u desh të mësoj të kërkoj Të më japish/ të qëndroj i drejtë i përulur dhe shpirti ta ndjej në Parajsë.
Në shikim të parë përfiton përshtypjen gjoja se tropet nuk janë të (kërkuara) përpunuara, por nganjëherë ato përfitojnë terren nëpërmjet thjeshtësisë, disa madje, me një hijeshi të rrallë. Një perceptim i freskët, i prekur nga flatrat e përflakura të ëndrrës, të së bukurës. Kjo duket shpesh, si "lënda e parë" me të cilën "vepron" poeti që rri në pritë ndërmjet kthinave të gardhit të botës: Të lavdëroja përmes gojës së mamit para se të lindem.../ O Zoti im si kaluan vitet, këtu është Vdekja që më prêt/ Do të shkruaja Romajata, s’do doja të më gëlltisë gropa/ Pra, dërgoje më tej se mua për tepër m’përpëlitet qepalla.
Lirika e Zt. Dumitru Nikodim, njëri nga penat më të shquara të epokës kontemporane rumune, është ajo e një poeti të jashtëzakonshëm. E trajtuar nga perspektiva e një koncepti të dhimbjes e të durimit, krijimtaria letrare e kësaj ane të kontinentit plak, veçohet, në përgjithësi, përmes një etosi nën horizontet e të cilit ajo shndrit si një vlerë shpirtërore e historisë në frymën e së cilës gjallëron, në formë të kondensuar, gjë që i detyrohet një epoke. Koncepti përmes të cilit tentojmë t’i trajtojmë poezitë e tij, paralajmëron faktin se Europa është jo vetëm Perëndim, por edhe Lindje, dhe, plus kësaj, siç pohojnë analistët, nënvizon edhe nevojën e domosdoshme për të portretizuar ekzistencën e Zotit dhe të një profili shpirtëror të përbashkët. Na ofrohet kështu një gamë e kuptimeve të ekzistencës së një dimensioni fundamental, ajo që reklamon mjaft qartësi shkëlqimtare, dhe sidomos sinteza të rikoperueshme, duke hapur perspektivën e një fiksimi të mundshëm në një çelës estetik: Zot Ti je kapur pas bukës dhe verës së fshehtë/ Edhe pse kam shpirt qeni me pallto mbi supet e mia,/ Të lutem Fshihu dhe mua të më tërheqish më me zell/ mes atyre që ta mbajnë fytyrën të ndihmuar nga dora Jote!
Të projektuara në spektrin e ndjeshmërisët, vargjet e Zt. Dumitru Nikodim mbajnë shenjat e përjetimeve të papërsëritshme të ngjarjeve nëpër të cilat kuptohet historia e lirikës rumune. Dhe, faktikisht, në këtë pjesë të botës, historitë janë përplasmërisht të ngjashme, sidomos përmes tragjizmit të tyre pothuajse endemik. Në mbështejen e horizonteve, mbi të cilat kultura e mundëson kuptimin tonë, bëhet i dukshëm përcaktimi ontologjik i përkushtimit human. Kështu ngjet që hapjet e operuara përmes studimeve të literaturës komparative, nxjerrin në pah një aleatizëm të kuptimeve që konfigurojnë ekzistencën e veçantë, një forma mentis të shpirtit rumun, duke konsoliduar kështu një kategori të pakontestueshme tipologjike: Se të gjithë do të plaken si shputat e çizmeve/ vetëm Ti do jesh përjetë i pandryshuar do të shkëlqesh/ Si turmat në kullota, po i vesh rrafshinat me kallinj/ fëmijët pranë Teje i mbledh; ti je Zoti i notës së dhjetë!
Të konsideruara në këtë mënyrë, poezitë e Zt. Dumitru Nikodim plasohen në pikënyjen e asaj që Mircea Vulcanescu e quan mbërthimi i metafizikës me historinë, unitet i mistershëm shprehjesh ekspresive nga të cilat fanitet tonaliteti, dimensionet dhe qëndrimet që vihen në proksimitetin e sublimacionit për të cilin fliste Immanuel Kanti në esetë e periudhës parakritike. Prania e ritmeve, shpesh herë të tmerrshme, të një ndjeshmërie të veçantë me një fakturë tejet të brishtë, të një mekanizmi subtil dhe kompleks, në të cilin fanitet apo kundrohet „spektakli” i botës, përmbyllet përmes konfigurimit të ajrit aq special të qytetërimeve të motshme, ende persistente nën tokë, që kanë depërtuar në Leant.
Ndoshta, në këtë kontekst, duke u bazuar në një ngjashmëri të dukshme, Maria Gimbutas pohon më 1971 ekzistencën e asaj The Old European Civilization, duke nënkuptuar përmes kësaj amze aureolën nga e cila kanë lindur filozofia, shkenca dhe artet, madje edhe dashuria: Ja vjen një grua! Ajo është gjithçka, përmes saj janë të gjitha/ dhe digjet si flakë për gjithçka dhe për të gjitha/ Pallatet, shpirti dhe gjaku për të janë bërë të gjithë!/ Po luftojmë? Apo do të zgjidhë!? Pa të, jeta është vdekje! Mirëse na errdhe në gjuhën shqipe, Zt. Dumitru Nikodim! (Prishtinë, Vjeshtë 2021)
Comments