Mihal Gjergji
NJË ÇAST MEDITIMI
Po shikoj një fotografi që s’dihet cilit vit i përket, kush e ka shkrepur aparatin dhe si ka mbritur deri këtu. Është portreti i një nëne nga Kurveleshi, i niviciotes Kadrie Shehu. Një ndjesi e çuditshme të ushqen kurreshtjen për të mësuar ato që ajo s’mundet t’i thotë, sepse tashmë është larguar nga kjo jetë, por vragat e plagëve duken qartazi, të trupit dhe të shpirtit. Uragani brenda saj është i padukshëm, por unë e ndjej. Një shtatore kujtese gdhendur nga dalta e kohës dhe gatuar nga dhimbja, doemos edhe lotët. Gjunjët i janë prerë, duart s’i binden më, ndaj i ka kryqëzuar. Mbi supet e varura mbanë peshën e viteve dhe barrën e halleve. Veli i pikëllimit nderet mbi fytyrën e brengosur. Më kujton nënën time. Sa shumë ngjajnë nënat!
Një djalë nga Nivica e ka publikuar në profilin e tij këtë foto, shoqëruar me disa rreshta për jetën e saj të vështirë. Sigurisht që unë s’merrem me jetëshkrime, aq më tepër që s’e kam njohur, por tjetër gjë dua të them, sepse fjalët e mira pas vdekjes janë si guna pas shiut. Ndodh që një njeri i panjohur për ty, befas të bëhet i afërt. Kjo nënë më kujton perënditë e vdekura, ato që i krijoi njerëzimi, pastaj i vrau. Andaj pyes veten; Kurveleshi i lartësoi këto krijesa të rralla, apo ishin këto nëna që krijuan krahinën qiellore? Shikojeni dhe ju këtë fotografi mbresëlënëse, shikojeni disa çaste. Në sfond duket shtëpia përdhese, brenda së cilës është edhe shtrati i vetmisë ku çlodhej trupi i saj i terur e i mpakur. Më tutje blerimi i rralluar në prehërin e malit. Ajo qendron me vështrimin karshi. Ndoshta mban vesh krismën e mitrolozit të gjermanëve që i pushkatuan burrin. Pastaj ulërimat e asaj gjëme dhe vajtimin e fatit të saj. Shikimin e ka mbërthyer pas diellit, me siguri ndjek lëvizjen e tij, gjersa kapton i lodhur lartësitë e majëmaleve. S’ka kujt ti drejtohet për ndihmë. Ata që i druhen kamzhikut të fjalëve, bashkëbisedojnë me veten. Kështu na ndodh të gjithëve. Ajo s’mbante peshlli të qëndisur për t’u ngjitur në skenat e festivaleve. Më mirë e ngujuar brenda strehës së saj, sepse është e vështirë të rrosh në paqe me egërsirat e dheut. Ja, kështu ndodh me jetën e njeriut, gjersa ikën dhe mbetet një kujtim i largët.
Tiranë, Mars 2023.
Comments