
Ninulla nënash
Nga Fatmir Terziu
Tre herë u zgjua dhe u përfjet Dielli
kërkoi të ngulë rrënjë në atë oborr.
Pastaj u ndez zjarr yjesh i gjithë qielli
natyra e pasonte atë zë në një korr.
Qetësisht u përfshi i tëri mjedisi
zëri u lartësua, ai zë krejt u ngjiz.
Zëri shkoi madje më përtej nga fisi,
dhe folku e pështolli fletëve midis.
Kështu me të fjeti e me të u zgjua,
moteve të hershme fëmija në djep,
nënat e quajtën ëmbëlsisht ninulla,
miratimin ia dhanë pastaj disa pleq.
Ninulla u bë binjake me këngët,
zë i bekuar në të gjitha kohët.
Kush e këndoi e di se sa ëmbël,
u ka kursyer fëmijëve dhe lotët.
E Dielli prej shekujsh i mban rrënjët,
aty ku ai zë u bë refren në atë oborr.
Ninulla nënash që zgjuat vetë këngët,
shekujt ju pasuan lirisht gojë më gojë.
Comments